Anton Nikë Berisha
Behar Gjoka, Petro Marko shkrimtar i lirisë. Monografi. Botimet Toena, Tiranë 2025
Duhet të them në krye të fjalës sime se studimi monografik i Behar Gjokës Petro Marko shkrimtar i lirisë, i botuar në këtë vit nga Toena, është më i ploti dhe më i rëndësishmi që i kushtohet veprës së këtij shkrimtari.
Studimi është një vështrim i shumanshëm dhe i thellë i veprave të Petro Markos, sidomos i romaneve të tij, në të cilët autori dëshmoi aftësi më të mëdha shprehëse poetike: “Ky autor, qysh në krye të herës, ndonëse në fillesa lëvroi poezinë dhe prozën e shkurtër, ndërkaq hyri dhe mbeti si një gur themeli i romanit[1], duke mbetur në altarin e letrave shqipe si kontributi më i vyer shkrimor prej tij, që simbas teorisë letrare, pason një zhanër tjetër, tanimë të fshirë nga mundësia e lëvrimit” (epopeja).
Këtë vlerësim nuk e bëj për arsye se autori Behar Gjoka ka vështruar gjithë veprimtarinë letrare të Petro Markos, duke mos lënë anash as ato kritike eseistike e publicistike, as të sasisë dhe të vëllimit të studimit, po pse e ka vënë dhe e ka ndërtuar studimin e tij mbi ato baza që e përligjin qenësinë e letërsisë, të tekstit poetik e të mundësisë së ndikimit të tij estetik në marrësin.
Duke e njohur natyrën e letërsisë e të tekstit letrar poetik, të mundësisë së leximeve e të vlerësimeve të ndryshme jo vetëm nga studiues të ndryshëm, po edhe nga i njëjti studiues në kohë të ndryshme, Behar Gjoka u qaset dhe i vështron veprat e Petro Markos që e përligjin rëndësinë e tyre si mënyra shtjellimi e kumte poetike, e jo pse ato janë të llojeve të ndryshme e të shkruara në ndërmjetëse të mëdha kohore. Pra, autori Gjoka synon dhe ia del t’i veçojë ato vepra si tekste poetike që kanë qenë të rëndësishme edhe në kohën e botimit të parë, po janë të tilla edhe në kohën tonë dhe për ndikimin estetik që mund të bëjnë në marrësin.
Për ta ndriçuar botën e ndërliqshme të veprave letrare të Petro Markos, sidomos të romaneve, Behar Gjokës së pari studion atë që kanë thënë studiuesit paraprakë dhe pastaj, në bazë të leximit dhe të rileximit të tij të veprave të Markos, jep mendimin e vet. Pra, leximi i ka bërë të mundur “me depërtuar më në brendësi të materies shkrimtare të shkrimtarit” (f. 17).
Ky mendim është rrjedhojë e dijes dhe e përvojës në studimin e letërsisë, e leximeve të vëmendshëm. Pra, ajo që thotë autori i studimit, është vetëm një variant që e ka kushtëzuar ai lexim në kohë e në rrethana përkatëse. Këtë veçanti dhe ndërliqësi të tekstit letrar e përligjin sidomos romanet e Markos si lloj letrar, i cili, siç thekson Gjoka, është “[…] zhanër i hapur dhe në një proces vitalizues ende” (f. 194).
Kjo të bën të kuptosh se Behar Gjoka e di atë që thoshte Jurij Lotman për tekstin letrar poetik, që meriton të kihet kurdoherë parasysh kur merret në vështrim ai dhe synohet të përcaktohen veçantitë e tij: “Tashmë moti është futur në përdorim krahasimi i artit me jetën. Mirëpo, vetëm tash po bëhet e qartë sesa shumë të vërteta ka në këtë krahasim, i cili dikur ka tingëlluar si metaforë.
Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë[1]“ dhe se “Shndërrimi i jetës në tekst nuk është shpjegim, por inkuadrim i ndodhive (në rastin përkatës nacional) në kujtesën (mendimin) kolektive[2]“.
Këtu i ka rrënjët arsyeja pse Behar Gjoka këmbëngul, siç thotë ai, për “rileximin e pashmangshëm” (f. 56) të veprave të Petro Markos. Ai këmbëngul në leximin dhe leximin e serishëm të veprave të Petro Markos, siç thuhet në studim, si shkrimtarë i shumëplanësisë, po dëshmon se këtë e ka bërë edhe vetë, duke u bërë lexime të ndryshme veprave të veçanta, pra një lexim të tërësishëm veprimtarisë së tij letrare dhe asaj kritike eseistike dhe publicistike. Gjoka shkruan: “Mëdyshjet e pranishme, pothuajse në rrokjen e përmasave shkrimore të P. Markos, dolën në pah edhe më tepër, pas një rileximi të veprës tërësore të autorit, paksa më e përqendruar, e shtrirë në vitet 2019 e këndej, ndonëse shkrimet e para janë botuar shumë më herët” (f. 16)
Arsyet pse autori i këtij studimi monografik e shtron shpesh çështjen e leximit dhe të rileximit të veprave të Petro Markos lidhet, para së gjithash, me vetë aktin e leximit. Pra, akti i leximit e përligj faktin se si do të komunikojmë me tekstin e secilës vepër në veçanti dhe si do t’i vërejmë, t’i ndriçojmë dhe t’i interpretojmë vlerat dhe përbërësit kryesorë të veprat përkatëse.
Është e rëndësishme të theksohet se një vepër letrare nuk duhet të lexohet si kronikë ose vepër e karakterit thjeshtë kumtues – njohës, po para së gjithash, si shtjellim gjuhësor shprehës, si tekst që sjell më shumë se një kuptim dhe që lexohet për të bërë ndikim estetik në marrësin e jo për dukuritë që i vështron ose për motivet.
Për romanet e Petro Markos si vlera kryesore të përftuara nga ai, autori i studimit thotë “Duke vështruar rrjedhat e shkrimit të romanit, sidomos në letërsinë bashkëkohore, si dhe duke e parë këtë fakt edhe si një tregues të nivelit të pjekurisë së letrave shqipe, me lëvrimin e gjerë të zhanrit të gjatë të prozës, është e vështirë të gjesh autorë, të harkut të bashkëkohësisë, që të mos i mishërojnë të dyja anët e medaljes, pra qenësinë e tyre, si materie letrare, brenda dhe jashtë realizmit socialist, qoftë edhe si dëshmi e konteksteve të botimit të këtyre librave” (f. 195).
Studiuesi Gjoka e ndriçon faktin e qenësishëm: Romanet e Petro Markos, sidomos “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë” dhe romani për fëmijë “Shpella e piratëve” janë krijesat më poetike të krijuara nga Marko dhe hynë në pjesën më të rëndësishme të lartësimit të prozën shqipe në përgjithësi (f. 194).
Romanet e Petro Markos çmohen për faktin se ky si lloj letrar, siç thotë Bahtini, është zhanër që përherë e gjurmon dhe e studion veten dhe i rishqyrton të gjitha trajtat e veta formale. Në të vërtetë, ndërlikueshmëria e romanit shfaqet nga se ai është kosmopolit për prirjen e tij (Vigari) dhe cilësohet me të shprehurit total letrar, pra është njëri ndër zhanret më të hapura, ku rrënohen kanonizimet zhanrore. Së këndejmi, nëse dëshirojmë ta rimarrim mendimin e Shkllovskit se – atë që e quajnë zhanër, përnjëmend është njësi konfliktesh – atëherë romani është ndër më tipikët.
Vepra romaneske mund të jetë shprehje e realitetit, e botës dhe e përvojës së krijuesit ose të përfytyruar, pra të ketë një objekt të caktuar, por ai mund të jetë pa objekt në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, pa arkitekturë e pa kompozicion tradicional. Me këtë përligjet mendimi se romani synon të jetë thesar figurash nga jeta, ose matanë jetës, të afërta ose imagjinative, shoqërore ose estetike, të cilat çdo herë ndërrohen.
Pra, çdo gjë në roman, si edhe vetë mundësia e madhe e objektit të tij dhe e asaj që shprehet në të, i takojnë vetëm realitetit romanesk, strukturës gjuhësore dhe mënyrës së ndërtimit e të zbatimit të të shprehurit poetik. Këto e bëjnë romanin, siç do të thoshte. H. Xhejmsi, trajtën më të mrekullueshme të artit.
Në studimin e tij Gjoka merret edhe me çështje të imta, po që kanë rëndësi jo vetëm për veprën përkatëse, po edhe për koncepton krijues të Markos. Në këtë rrjedhë duhet përmendur dhe analizat e krahasimet e varianteve të romanit “Nata e Ustikës” (1989) si variant i parë dhe “Një natë me dy agime” (2002), për të dëshmuar gjymtimin dhe shëmtimin e veprave letrare nga censura e kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri për gati gjysmë qindvjetshi. Autori sjell disa të dhëna të pandërmjetme, përkatësisht letra (f. 181 – 183), ku ndriçohet fakti se partia donte ta shndërronte letërsinë si art vegël të ideologjisë së kuqe.
Studiuesi Gjoka e vështron dhe çështjen e përkimeve të disa romaneve të Petro Markos me disa romane të autorëve të shquar botërorë.
Nisur nga vlera dhe veçantia e tyre Behar Gjoka u kushton rëndësi më vete romaneve të Petro Markon dhe vlerave të tyre, po sjell një mendim timin për romanin “Qyteti i fundit”, të shkruar disa vite më parë: “Çështja që e bën romanin “Qyteti i fundit” me vlera të mëdha dhe në të njëjtën kohë roman modern, që si i tillë hyn në rrethim më të ngushtë të romaneve më me vlerë të shkruar në gjuhën tonë, është sistemi i të shprehurit, përkatësisht teksti gjuhësor poetik i përftuar me përkushtim dhe dije. Pra, ajo që përcakton qenësinë e kësaj vepre është se Petro Markos përdor një shprehje krejtësisht të lirë, jashtë çdo kufizimi shtjellues, tematik dhe kuptimor, thuajse vepra të mos ishte shkruar dhe botuar më 1960, po janë arsye të veçanta që kushtëzuan këtë botim.[3]”
Një vlerë më vete e studimit të Behar Gjokës “Petro Marko shkrimtar i lirisë” është fakti se ai i analizon dhe i interpreton veprat e veçanta dhe dukuritë që dalin prej tekstit poetik të tyre, si rrjedhojë e leximeve, e dijes dhe e përvojës që ka për letërsinë, po gjithmonë le mundësinë dhe hapësirën që të tjerët të bëjnë lexime dhe vështrime e interpretime të tjera, të cilën gjë e kushtëzon, para së gjithash, mënyra e të shprehurit gjuhësor dhe gjuha poetike.
Kjo është cilësi e autorëve që e njohin qenësinë e artit të fjalës, letërsisë, dhe e peshojnë mirëfilli atë që shkruajnë.
Prishtinë, mes shtatori 2025
[1] Jurij M. Lotman, Struktura umetničkog teksta. Nolit, Beograd 1976, f. 384.
[2] Jurij M. Lotman, Ogledi iz tipologije kulture. Në “Treći program Radio Beograda”, Jesen 1974, f. 446.
[3] Shih punimin tim “Qyteti i fundit” i Petro Markos, një roman modern dhe me vlera të mëdha poetike. Në revistën “Pasqyra e t’rrëfyemit”. N 10, Tiranë 2002, f. 51.