(“Jepini, pra – u tha – Cezarit çka i përket Cezarit, kurse Hyjit çka i përket Hyjit!” – Lk 20,25)
Shkruan: Don Fran Sopi
Unë, si pasardhës i denjë i martirëve të Karadakut dhe si meshtar në Kishën Katolike të Ipeshkvisë Prizren–Prishtinë, përmes këtij mesazhi i bashkohem fjalës ungjillore të shqiptuar nga Jezu Krishti dhe të transmetuar nga Shën Luka Apostulli, fjalë kjo që mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për jetën e individit, të shoqërisë dhe të kombeve.
Kjo thënie e Shën Lukës Apostull nuk është thjeshtë një këshillë fetare, por një parim universal dhe shumëdimensional që rregullon marrëdhënien ndërmjet pushtetit, ndërgjegjes dhe lirisë së popujve. Në të përmblidhet thelbi i qytetarisë së pjekur: respekti për rendin shtetëror i ndërthurur me besnikërinë ndaj vlerave morale, shpirtërore dhe kombëtare.
Në prag të zgjedhjeve të lira parlamentare të Republikës së Kosovës, më 28 dhjetor 2025, kjo fjalë ungjillore merr një domethënie të veçantë historike dhe kombëtare. “Cezari” i sotëm nuk është më sundimtari absolut i dikurshëm, por shteti demokratik dhe euroatlantik i Republikës së Kosovës, i lindur nga sakrifica shekullore, nga gjaku i derdhur i martirëve ndër epokë të ndryshme dhe nga qëndresa e pandërprerë e popullit shqiptar. Ndërsa Hyjit apo Zotit i përkasin ndërgjegjja jonë kombëtare, kujtesa historike, ideali i lirisë dhe besnikëria ndaj atyre që e ndërtuan këtë rrugë me flijimin e jetës së tyre.
Sot, sovrani i vërtetë i Kosovës është qytetari i lirë. Prandaj, ai të dalë në zgjedhje jo si militant apo anëtar partie, jo si karrierist, as si pjesë e klaneve apo fiseve, por si trashëgimtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i Imzot Pjetër Bogdanit, i Rilindësve Kombëtarë dhe si pinjoll i këtij kombi martir.
- T’i lëmë mënjanë interesat e ngushta partiake, klanore dhe fisnore, të cilat shpesh e kanë zbehur idealin kombëtar dhe e kanë dobësuar shtetin. Vota nuk duhet të shndërrohet në pazar interesi, por të mbetet akt i ndërgjegjes historike dhe qytetare.
- Të votojmë me frymën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, prijësit që mishëroi unitetin kombëtar dhe e mbrojti lirinë si vlerë të shenjtë. Ai nuk luftoi për pushtet personal, por për dinjitet, identitet dhe mbijetesë kombëtare. Ky vizion të shërbejë edhe sot si busull: bashkim mbi dallimet, vizion mbi përçarjet dhe përgjegjësi mbi egoizmin.
- Të votojmë edhe në frymën e Rilindësve Kombëtarë, të cilët e ndërtuan kombin mbi gjuhën shqipe, arsimin, kulturën dhe vetëdijen kombëtare. Ata na mësuan se pa dije nuk ka liri, pa kulturë nuk ka shtet dhe pa ndërgjegje nuk ka demokraci. Vota e lirë është vazhdimësi e kësaj filozofie – një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen.
- Të votojmë duke nderuar martirët e fesë dhe të atdheut – klerikë e laikë, burra, gra e engjëj, që u flijuan për “Fe e Atdhe”. Ata nuk pyetën për përkatësi fetare apo partiake, por për përkatësi kombëtare. Gjaku i tyre përbën themelin moral mbi të cilin qëndron sot Kosova e lirë dhe demokratike.
- Të votojmë gjithashtu në frymën e orientimit euroatlantik, jo si modë politike, por si vazhdimësi e aspiratës sonë historike për liri, demokraci dhe përkatësi qytetëruese. Kjo rrugë kërkon udhëheqës vizionarë, institucione të forta dhe të ndershme, si dhe një shoqëri që di të mbrojë vlerat e veta brenda familjes së kombeve të lira.
Duhet kuptuar dhe mos harruar se populli shqiptar i Kosovës ka kaluar një kalvar të rëndë historik: sundimin osman, dhunën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, errësirën e regjimit komunist dhe represionin brutal të okupimit serb e të luftës. Kjo përvojë vuajtjeje nuk është për t’u harruar, por për t’u shndërruar në urti kombëtare. Një popull që harron rrezikon të përsërisë tragjedinë; një popull që kujton, di të zgjedhë me maturi.
Prandaj, duke ia dhënë “Cezarit” votën si detyrim qytetar dhe “Hyjit” ndërgjegjen e pastër si detyrim moral, zgjedhjet e (e neserme) të 28 dhjetorit 2025 të jenë një akt i madh kombëtar. Ato të dëshmojnë se Kosova nuk voton vetëm për pushtet, por për vlera, drejtësi, dinjitet dhe perspektivë.
Zgjedhjet janë një çast i shkurtër në kohë, por pasojat e tyre janë afatgjata. Ta shndërrojmë këtë moment në shprehje shprese, pjekurie dhe besimi në vetvete.
- Të votojmë për një shtet që respekton ligjin, për institucione që i shërbejnë qytetarit dhe për një Kosovë demokratike e euroatlantike që ecën e sigurt drejt së ardhmes së saj. Në këtë çast vendimtar për shtetin dhe kombin, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim bindjeje politike, feje apo krahine, që ta përjetojnë votën si akt dashurie për atdheun dhe si shërbim ndaj së mirës së përbashkët.
- Të dalim në zgjedhje me ndërgjegje të kthjellët, me zemër të pastër dhe me mendje të lirë, duke pasur parasysh sakrificën e të parëve dhe përgjegjësinë ndaj brezave që vijnë.
Edhe një herë, me bindje të thellë shpirtërore dhe qytetare, i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje.
- Qytetarët të votojnë me vetëdije, me përgjegjësi dhe me dashuri për atdheun, që në këtë proces demokratik të fitojë sovrani i vërtetë: qytetari i lirë, i pjekur dhe i ndërgjegjshëm – shqiptari i rrënjosur në historinë e vet, në vlerat e sakrificës, të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.
Të fitojë ai sovran që beson në shtetin e së drejtës, në demokraci funksionale, në drejtësi të barabartë dhe në rrugën euroatlantike të Kosovës, si horizont i natyrshëm i përkatësisë sonë qytetëruese. Të triumfojë zëri i arsyes mbi interesin e ngushtë, uniteti mbi përçarjen dhe shpresa mbi frikën.
Sepse vetëm atëherë, kur vota është e lirë dhe ndërgjegjja e kthjellët, Kosova jonë Dardane ecën përpara me dinjitet – e denjë për gjakun e martirëve, për sakrificën e brezave dhe për të ardhmen që ua kemi borxh brezave dhe fëmijëve tanë.
Pra, të votojmë dhe të fitojë sovrani i vërtetë – sovrani shqiptar, demokratik dhe euroatlantik.











