15.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj SHUKRIJE OBËRRTINCA DHE MARSI I PËRGJAKSHËM I VITIT 1989 (1973-1989)

SHUKRIJE OBËRRTINCA DHE MARSI I PËRGJAKSHËM I VITIT 1989 (1973-1989)

0
Shukrije Obërtinca

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

GRATË E LIRISË

Më 23 mars 1989, Serbia, duke u mbështetur në presionin e drejtpërdrejtë të tankeve të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe në ushtrimin e një terrori të skajshëm policor, ndërmori aktin e suprimimit të autonomisë së Kosovës, e cila ishte e garantuar me Kushtetutën federative të vitit 1974. Ky veprim nuk përbënte thjesht një ndryshim kushtetues formal, por shënoi një kthesë të thellë politike dhe juridike, pasi me këtë kushtetutë shqiptarët e Kosovës kishin arritur nivelin më të lartë të subjektivitetit politik dhe juridik deri në atë kohë brenda federatës jugosllave.

Heqja e autonomisë u realizua në një klimë represioni të hapur, ku instrumentet ushtarake dhe policore u shndërruan në mjete presioni institucional, duke i imponuar Kosovës një realitet të ri politik të ndërtuar mbi dhunë dhe frikë. Në këtë kontekst, vendimi i 23 marsit 1989 shënoi jo vetëm rrëzimin e rendit kushtetues të mëparshëm, por edhe fillimin e një procesi të gjerë të degradimit të të drejtave kolektive dhe individuale të shqiptarëve, duke e reduktuar pozitën e Kosovës nga një njësi me kompetenca të gjera vetëqeverisëse në një territor të nënshtruar drejtpërdrejt kontrollit të Beogradit. Në këtë kuptim, 23 marsi 1989 mbetet një datë kyçe në historinë moderne të Kosovës, si simbol i dhunës shtetërore dhe i mohimit sistematik të vullnetit politik të shumicës shqiptare.

Ky status kushtetues u siguronte shqiptarëve të Kosovës, si shumicë absolute e popullsisë, një nivel pak më të lartë autonomie dhe pozitën e një njësie me kompetenca federale, të barasvlershme me njësitë e tjera përbërëse të federatës jugosllave. Megjithatë, nën rrethimin e tankeve dhe forcave ushtarake, në kushte të një shtetrrethimi të hapur, Serbia ia suprimoi dhunshëm Kosovës këtë pak autonomi. Edhe pse nën presion ekstrem, dhjetë delegatë të Kuvendit të Kosovës votuan kundër këtij akti, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Në rrethana të ashtuquajtura të “gjendjes së jashtëzakonshme”, të imponuara nga strukturat më të larta partiake dhe shtetërore jugosllave pas grevës historike të minatorëve dhe protestave masive, Kuvendi i Kosovës më 23 mars 1989, me parregullsi të theksuara procedurale dhe përmbajtësore, miratoi amendamentet kushtetuese të Serbisë. Me këtë veprim, të sanksionuar më pas edhe nga Kuvendi i Serbisë, Serbia e vendosi Kosovën nën okupim de facto dhe de jure.

Shqiptarët e Kosovës, duke e kuptuar qartë se Serbia po e rikthente pushtimin politik dhe institucional mbi Kosovën, reaguan me demonstrata të gjera dhe të fuqishme, duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese dhe duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre kombëtare. Këto protesta, që shprehën vullnetin politik të shumicës shqiptare, u shtypën me dhunë ekstreme nga policia federative, e cila veproi në mënyrë brutale, duke shkaktuar vrasjen e mbi 50 shqiptarëve, shumica prej tyre të rinj nën moshën madhore, madje edhe fëmijë. Ky represion shënoi një nga episodet më të rënda të dhunës shtetërore ndaj popullsisë civile në Kosovë në fund të shekullit XX.

Ndërkohë që Kosova dhe shqiptarët e saj po përjetonin një terror të shumëfishtë politik, policor dhe shoqëror, republikat e tjera të federatës jugosllave qëndruan kryesisht pasive, duke e vëzhguar këtë proces pa ndërhyrje domethënëse. Në këtë kontekst, bota demokratike perëndimore, për herë të parë, u përball hapur me realitetin e shtypjes sistematike të një populli, jo për shkak të ndonjë veprimi armiqësor, por për shkak të kërkesës së tij legjitime për barazi, liri dhe dinjitet politik, të barabarta me ato të popujve të tjerë.

Me këto ndryshime kushtetuese dhe me okupimin e Kosovës, Serbia, nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviqit, arriti kulmin e inaugurimit të politikës hegjemoniste, e cila nuk u kufizua vetëm në Kosovë. Pasojat e kësaj politike u shtrinë në të gjithë hapësirën jugosllave, duke prekur edhe popujt e tjerë të federatës dhe duke çuar, në vitet pasuese, drejt konflikteve të armatosura, spastrimeve etnike dhe, në rastin e Bosnjës dhe Kosovës, deri në gjenocid. Në këtë kuptim, ngjarjet e Kosovës të fundviteve ’80 nuk ishin një episod i izoluar, por preludi tragjik i shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.

Më 27 mars 1989, në qendër të Prishtinës, si dhe në qytete të tjera të Kosovës, shpërthyen demonstrata masive, të shoqëruara me përleshje të drejtpërdrejta ndërmjet demonstruesve shqiptarë dhe forcave të shumta policore serbe e jugosllave. Këto demonstrata përfaqësonin një moment kulmor të rezistencës qytetare, ku rinia shqiptare u shfaq më e vendosur se kurrë për të kundërshtuar dhunën institucionale dhe pezullimin e autonomisë së Kosovës. Përballë këtij mobilizimi, aparati represiv i shtetit, veçanërisht UDB-ja, intensifikoi veprimtarinë e saj duke identifikuar demonstruesit më aktivë dhe duke ndërmarrë arrestime selektive ndaj tyre.

Vetëm në Prishtinë, gjatë këtyre demonstratave humbën jetën Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj, ndërkohë që dhjetëra protestues të tjerë u plagosën. Në mesin e këtyre përballjeve të ashpra, veçanërisht i dallueshëm ishte akti i heroizmit të demonstruesit Sevdat Xhafolli, i cili, në përpjekje për t’u kundërvënë forcave policore, tentoi t’i zmbrapste ato me një buldozher të siguruar në Fabrikën e Tjegullave pranë Xhamisë së Llapit, duke rënë dëshmor në këtë akt rezistence. Në planin historiografik, demonstratat e marsit 1989 përfaqësojnë një moment kyç të rezistencës shqiptare në Kosovë, ku sakrifica e rinisë u shndërrua në simbol të qëndresës kundër okupimit dhe në ballë të proceseve politike e shoqërore që do të pasonin në dekadën e ardhshme.

Shukrije Obërtinca erdhi në jetë më 23 mars 1973, në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, si fryt i dashurisë dhe përkushtimit të prindërve të saj, Fetah Obërtinca dhe Elife Obërtinca, e lindur Gashi nga Hajvalija. Fëmijërinë dhe hapat e parë të dijes i hodhi në vendlindje, aty ku u formua shpirti i saj i butë dhe ëndrrat nisën të marrin trajtë. Një nga dëshirat më të mëdha të saj ishte të ndiqte shkollën e mesme të mjekësisë, një thirrje e hershme për t’u vënë në shërbim të jetës dhe njeriut. Mirëpo, për shkak të pamundësive për t’u regjistruar në atë drejtim, ajo u detyrua të ndalonte përkohësisht rrugëtimin e saj arsimor, duke marrë një pauzë njëvjeçare, të mbushur me pritje, shpresë dhe durim.

Shukrija njihej nga të gjithë si një vajzë e dashur, e edukuar dhe e qetë, një prani e butë që sillte harmoni si në familje, ashtu edhe mes shokëve dhe shoqeve të klasës. Ajo ishte fëmija i tretë në një familje të madhe e të bashkuar, ku dashuria shumëzohej me çdo anëtar. Ishte motra e gjashtë vajzave — Lumnijes, Lirijes, Mirës, Ganimetes, Kadrijes dhe Shkurtes — dhe e tre vëllezërve, Naimit, Isait dhe Shukriut. Në këtë vatër të mbushur me zëra, kujdes dhe ngrohtësi, Shukrija ishte e përkëdhelura e të gjithëve, e rrethuar nga një dashuri e sinqertë që ajo e kthente po aq bujarisht. Ajo i donte të gjithë me zemër dhe ishte e dashur për secilin, një dritë e qetë brenda një familjeje të madhe, ku lidhjet e gjakut dhe të shpirtit ishin të forta dhe të shenjta.

Shukrija, nga natyra e saj e brendshme, ishte e sinqertë dhe e drejtë, një shpirt që nuk dinte të pajtohej me padrejtësinë dhe nuk e pranonte heshtjen përballë saj. Ndjeshmëria e saj morale ishte e thellë dhe e menjëhershme; ajo reagonte jo me zë të lartë, por me vendim të qartë, duke e ndjerë peshën e së padrejtës si një plagë personale. Pikërisht kjo natyrë e paepur e shtyu që, ende si nxënëse e re, së bashku me motrën Lumnije dhe vëllain e saj, të ishte ndër të parët që iu drejtuan Prishtinës për t’iu bashkuar radhëve të demonstruesve shqiptarë.

Ky hap i hershëm drejt angazhimit nuk ishte një shpërthim i çastit apo një gjest i nxituar i rinisë së papërvojë, por një akt i vetëdijshëm, i lindur nga një revoltë e thellë dhe e përmbajtur prej kohësh ndaj padrejtësisë historike që rëndonte mbi popullin e saj. Në ndërgjegjen e Shukrijes, përvoja familjare dhe memoria kolektive e dhunës e kishin formuar herët ndjenjën e përgjegjësisë dhe të qëndresës. Ato kishin gdhendur në shpirtin e saj bindjen se heshtja ishte një formë bashkëfajësie, ndërsa veprimi — sado i rrezikshëm — ishte një detyrim moral. Kështu, prania e saj në demonstrata nuk ishte thjesht pjesëmarrje fizike, por dëshmi e një ndërgjegjeje të zgjuar, që kërkonte drejtësi dhe dinjitet për veten dhe për të tjerët.

Në kohën e demonstratave, Shukrija ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçare—e re në moshë, por e pjekur në vetëdije historike. Që në fëmijëri, ajo ishte rritur me dëshmitë e drejtpërdrejta të represionit shtetëror serb, duke parë gjyshin e saj me të dy këmbët e amputuara, pasojë e dhunës sistematike dhe rrahjeve të shumta të përjetuara në burgjet dhe kazamatet serbe. Këto përvoja familjare, të përkthyera në kujtesë dhe identitet, formësuan te ajo një ndjenjë të fortë përgjegjësie morale dhe politike.

Figura e Shukrije Oberrtincës mishëron ndërthurjen e rinisë me rezistencën, ku subjektiviteti politik nuk lind si reagim i çastit, por si produkt i një historie të trashëguar dhune dhe qëndrese. Prania e saj në demonstrata dëshmon se rezistenca shqiptare e fundviteve ’80 nuk ishte vetëm projekt i elitave apo i aktivistëve të organizuar, por një lëvizje gjithëpërfshirëse, ku edhe brezat më të rinj u bënë bartës të një vetëdijeje të hershme për lirinë, dinjitetin dhe drejtësinë historike.

Gjyshi i saj, Isa Oberrtinca, që në vitet e para pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, kishte qenë anëtar i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, duke u rreshtuar qartë në radhët e atyre që kundërshtonin rendin e ri politik të vendosur në Kosovë. Si pasojë e kësaj veprimtarie, ai u arrestua nga autoritetet jugosllave dhe fillimisht u dënua me vdekje, një dënim që më pas iu zëvendësua me burgim të përjetshëm. Ky ndryshim formal i dënimit nuk e zbuti, megjithatë, ashpërsinë e ndëshkimit, pasi vitet e gjata të burgimit i kaloi në Goli Otok, duke jetua në kushtet më çnjerëzore dhe dhunë sistematike.

Gjatë një vale amnistish të shpallura nga shteti jugosllav, Isa Oberrtinca u lirua nga burgu, por liria e tij ishte vetëm formale dhe e vonuar. Pasojat fizike dhe shëndetësore të vuajtjes së gjatë në burgjet dhe kazamatet jugosllave ishin të parikthyeshme, për shkak të dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga trajtimi brutal dhe kushtet e rënda të vuajtjes së dënimit, atij iu amputuan të dy këmbët. Ku Fati i tij përfaqëson një shembull domethënës të dhunës strukturore të ushtruar ndaj veprimtarëve shqiptarë pas vitit 1945, si dhe të mënyrës se si represioni politik u shndërrua në traumë të trashëguar familjare, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e ndërgjegjes politike të brezave pasues.

Shukrija, që në fëmijëri, kishte zhvilluar një qëndrim të thellë armiqësor ndaj këtij shteti dhe ndaj realitetit okupues në të cilin jetonte. Kjo ndjenjë nuk ishte produkt i një impulsi të çastit, por rezultat i një ndërgjegjësimi të hershëm, të formuar mbi përvojën familjare dhe mbi trashëgiminë e dhimbshme të represionit historik. Ajo ishte e vetëdijshme se liria nuk është një dhuratë e rastësishme e historisë, por një e drejtë që fitohet përmes sakrificës, shpeshherë edhe me gjak.

Siç dëshmon motra e saj, Lumnija, në një emision televiziv, Shukrija ua përsëriste këtë bindje edhe shoqeve të saj, duke theksuar se liria nuk zbret nga qielli, por ndërtohet përmes qëndresës dhe flijimit. Ky diskurs, i pazakontë për moshën e saj, dëshmon për një pjekuri të jashtëzakonshme politike dhe morale, ku vetëdija për çmimin e lirisë ishte bërë pjesë përbërëse e identitetit të saj. Për rrjedhojë, angazhimi dhe sakrifica e saj në demonstrata nuk ishin të papritura, por përfaqësonin një vazhdimësi logjike të formimit të saj ideor, duke e shndërruar Shukrijen në simbol të një brezi të ri që e kishte pranuar me vetëdije barrën e rëndë të luftës për liri.

Ajo u formua dhe u rrit në një mjedis familjar thellësisht atdhetar, ku çdo padrejtësi e përjetuar nuk shihej si rast i izoluar, por kuptohej si pjesë e një politike më të gjerë diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve. Ky kontekst familjar ndikoi drejtpërdrejt në ndërtimin e vetëdijes së saj qytetare dhe kombëtare, duke e bërë të ndjeshme ndaj çështjeve të lirisë dhe barazisë që në moshë të hershme.

Në shkollë, ajo shquhej si nxënëse e dalluar, jo vetëm për suksesin e saj në mësime, por edhe për angazhimin aktiv në veprimtari jashtëmësimore, ku shfaqte mendim kritik dhe iniciativë. Përtej kurrikulës zyrtare, ajo lexonte literaturë të ndaluar dhe zhvillonte diskutime me bashkëmoshatarët e saj, duke artikuluar bindjen se mbi çdo interes tjetër qëndronte liria e atdheut. Ky angazhim intelektual dhe politik dëshmon për një nivel të lartë të ndërgjegjësimit ideor, i pazakontë për moshën e saj.

Dashuria e saj për Kosovën shprehej edhe në forma simbolike të rezistencës, si shkrimi i dy germave “K-R”, që përfaqësonin kërkesën politike për “Kosova – Republikë”. Ky akt, në dukje i thjeshtë, përbënte një formë të qartë sfidimi ndaj rendit ekzistues politik. Pikërisht për këtë arsye, ajo u thirr disa herë në biseda të ashtuquajtura informative, nën dyshimin se po i shkruante këto parulla në ambientet e shkollës dhe në hapësirat publike të fshatit. Nga një perspektivë e caktuar, këto rrethana dëshmojnë se veprimtaria e saj politike nuk ishte episodike, por e qëndrueshme dhe e vetëdijshme, duke e vendosur atë në radhën e brezit të ri që e artikuloi hapur kërkesën për subjektivitet politik dhe liri kombëtare.

Po ashtu, e gjithë familja e saj ishte e përfshirë dhe e angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në çështjen e lirisë së Kosovës, duke e trajtuar rezistencën si përgjegjësi morale dhe kombëtare. Në këtë frymë, më 27 mars, Shukrija ia rrëfente babait me emocion dhe bindje të plotë se e gjithë Kosova kishte dalë në demonstrata dhe se ajo ndiente detyrimin të shkonte në Prishtinë për t’iu bashkuar demonstruesve. Përballë kësaj kërkese, babai i saj reagoi me shqetësim prindëror dhe e këshilloi se në Prishtinë do të shkonte ai, e jo fëmijët e tij, duke u përpjekur ta mbrojë nga rreziku i drejtpërdrejtë i përleshjeve dhe represionit shtetëror.

Megjithatë, Shukrija, me një pjekuri dhe qartësi të rrallë për moshën e saj, i kishte kundërvënë këtij qëndrimi një argument të thjeshtë, por thellësisht domethënës: ajo ishte dita kur të rinjtë duhet të ishin në ballë të demonstratave, sepse pikërisht rinia ishte bartëse e shpresës dhe e ndryshimit. Kjo bindje nuk mbeti në nivel deklarativ. E vendosur dhe e vetëdijshme për peshën e veprimit të saj, ajo, së bashku me vëllain dhe motrën, u nis drejt Prishtinës për t’iu bashkuar radhëve të demonstruesve. Ky episod dëshmon jo vetëm për angazhimin familjar në rezistencë, por edhe për faktin se veprimi i Shukrijes nuk ishte impuls i çastit, por shprehje e një vetëdijeje politike të formuar, ku roli i rinisë konceptohej si thelbësor në momentet vendimtare të historisë.

Më vonë, sipas rrëfimit të motrës së saj Lumnije, momenti i mbërritjes pranë Xhamisë së Llapit u shndërrua në një pikë kthesë të përjetimit të drejtpërdrejtë të dhunës shtetërore. Ajo kujton se aty u ndalën përkohësisht, të pajisur me gurë si mjete elementare të rezistencës, si dhe me qepë, të cilat ua kishin dhënë gratë e shtëpisë ku ishin strehuar për rreth gjysmë ore—një praktikë e njohur e kohës për të zbutur efektet e gazit lotsjellës. Në atë hapësirë, përballë zhurmës së turmës, thirrjeve të vazhdueshme dhe lëvizjes masive të njerëzve, krijohej një ndjesi e fuqishme kolektive, sikur vetë toka të tërhiqte dhe të mbante aty, duke e bërë të pamundur largimin.

Sipas këtij rrëfimi, forcat policore ishin të pozicionuara në mënyrë strategjike në udhëkryqe, veçanërisht pranë semaforëve, duke sinjalizuar një përgatitje të qartë për ndërhyrje të armatosur. Në çastin kur demonstruesit nisën rezistencën simbolike me hedhjen e gurëve, reagimi policor ishte i menjëhershëm dhe i dhunshëm: forcat e sigurisë hapën zjarr drejt turmës. Dhe ky episod ilustron kalimin e shpejtë nga demonstratat qytetare në përballje të armatosur, si dhe disproporcionin e skajshëm ndërmjet mjeteve primitive të rezistencës së demonstruesve dhe përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga aparati shtetëror, duke e shndërruar hapësirën urbane në arenë represioni të organizuar.

Demonstruesit ishin plotësisht të vetëdijshme për faktin se policia serbe vepronte pa asnjë kufizim moral apo ligjor dhe se përdorimi i armëve të zjarrit nuk synonte thjesht shpërndarjen e turmës, por kishte për qëllim prodhimin e frikës dhe të vdekjes. Në këtë kuptim, plumbat që lëshoheshin nga forcat policore nuk ishin mjet paralajmërimi, por instrumente të një dhune të qëllimshme dhe vdekjeprurëse, të drejtuara kundër trupave të pambrojtur të demonstruesve.

Siç rrëfen Lumnije Obërtinca, përjetimi i atij çasti ishte i ngarkuar me një ndjenjë të menjëhershme rreziku ekstrem. Ajo i përshkruan plumbat si një breshëri që binin pa dallim, duke krijuar ndjesinë se hapësira përreth ishte shndërruar në zonë zjarri. Në atë moment, instinkti i mbijetesës dhe ndjenja e solidaritetit u ndërthurën, duke e shtyrë të kërkonte që të mos ndaheshin nga njëra-tjetra. Refleksi për të mbrojtur kokën, si pjesën më të ndjeshme të trupit, shfaqet në rrëfimin e saj si një reagim i natyrshëm njerëzor, i lindur nga bindja se goditja fatale vjen pikërisht aty. Ky dëshmim individual përfaqëson një burim të rëndësishëm për të kuptuar përmasën psikologjike të dhunës shtetërore, ku frika, mbijetesa dhe vetëdija për vdekjen bëhen pjesë e përvojës kolektive të rezistencës.

Në atë demonstratë, Shukrije Obërtinca gjendej vazhdimisht në vijën e parë të demonstratës, duke u shfaqur si një nga figurat më aktive dhe më të vendosura të rezistencës. Me dy gishta të ngritur, si shenjë simbolike e sfidës dhe e qëndresës, ajo gjuante me gurë drejt forcave policore serbe dhe automjeteve të tyre të blinduara, pa shfaqur asnjë shenjë frike apo hezitimi. Qëndrimi i saj nuk ishte thjesht akt impulsiv rinor, por shprehje e një vendosmërie të ndërgjegjshme politike, ku guximi individual vihej në shërbim të mobilizimit kolektiv.

Sipas dëshmive të motrës së saj, pati përpjekje të vazhdueshme që ajo të qëndronte pranë Shukrijes për arsye sigurie, por këto përpjekje rezultuan të pamundura. Ajo ishte në lëvizje të vazhdueshme, duke kaluar nga një grup demonstruesish te tjetri dhe duke i nxitur ata të përparonin, të mos tërhiqeshin dhe të përballeshin drejtpërdrejt me forcat represive. Ky rol aktiv e shndërroi atë nga pjesëmarrëse në katalizatore të demonstratës, duke ndikuar në dinamizmin dhe intensitetin e saj.

Megjithatë, përballë përdorimit të armëve të zjarrit nga policia serbe, jo të gjithë demonstruesit arritën t’i shpëtonin dhunës vdekjeprurëse të asaj dite, dhe, ky moment shënon kulmin e disproporcionit ndërmjet rezistencës civile të paarmatosur dhe aparatit shtetëror të dhunës, duke e vendosur sakrificën e Shukrijes dhe të bashkëdemonstruesve të saj në kontekstin e një rezistence morale dhe politike që u përball drejtpërdrejt me represionin e organizuar.

Demonstrata kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe karakterizohej nga një qëndresë e fortë kolektive, ku demonstruesit refuzonin të tërhiqeshin apo të lëshonin qoftë edhe një pëllëmbë hapësirë përballë forcave represive. Vendosmëria e tyre për të qëndruar në terren dëshmonte për një nivel të lartë mobilizimi dhe ndërgjegjësimi politik. Në një moment të caktuar, kur dukej se intensiteti i përplasjes po zbehej dhe se ekzistonte shpresa që turma të shpërndahej pa pasoja fatale, krijohej përshtypja e rreme e qetësimit të situatës.

Pikërisht në atë çast kritik, sipas rrëfimit të Lumnijes, realiteti mori një kthesë tragjike. Ajo pa se motra e saj, vetëm gjashtëmbëdhjetëvjeçare- Shukrije Oberrtinca, ishte qëlluar me armë zjarri. Ky moment shënon kulmin e dhunës shtetërore të ushtruar mbi protestën civile dhe përbën një pikë thyerjeje dramatike në përjetimin e demonstratës. Ky episod dëshmon se represioni nuk synonte vetëm shpërndarjen e protestës, por kishte karakter ndëshkues dhe vdekjeprurës, duke e shndërruar rezistencën qytetare në një akt sakrifice me pasoja të pakthyeshme.

Shukrije Oberrtinca ishte ende fëmijë, një vajzë në moshën e njomë, të cilën aparati represiv i okupimit nuk e kurseu, ashtu siç nuk kurseu as moshën, as pafajësinë, as jetën. Ajo u bë pjesë e asaj liste tragjike ku dhuna shtetërore shkel çdo kufi etik e juridik, duke e shndërruar trupin e fëmijës në objekt të terrorit politik.

Ishte një ditë e hënë e muajit mars të vitit 1989, një ditë e zakonshme në kalendar, por e përjetësuar si ditë zie në kujtesën familjare dhe kolektive. Babai i saj, Fetahu, e kujton atë çast me një dhimbje që fjala mezi e mban. Ai rrëfen se, sapo kishte hapur dyert e shtëpisë, kishte parë një nga të afërmit që po afrohej me nxitim “nga makina zbriti vajza e madhe, e cila, me zë të dridhur, i tha se Shukrija ishte rrëzuar me kokë në asfalt”. Në atë moment, ai e përjetoi lajmin si një rënie aksidentale, duke shpresuar ende në mëshirën e fatit. Ai i ndërroi rrobat dhe u nis me nxitim drejt makinës, duke u kapur pas iluzionit se gjithçka mund të përfundonte pa pasoja fatale.

Megjithatë, ky iluzion u shua në çastin kur shoferi i taksisë, me një fjali të thjeshtë dhe shkatërruese, i komunikoi të vërtetën: se vajza e tij ishte vrarë në demonstrata. Ky moment përfaqëson përplasjen më të dhimbshme mes diskursit shtetëror të rendit dhe realitetit të dhunës, ku humbja e një fëmije shndërrohet në dëshmi të qartë të karakterit represiv të pushtetit. Vdekja e Shukrije Obërtincës nuk ishte vetëm tragjedi familjare, por akt simbolik i një politike që prodhonte viktima të pafajshme dhe e shndërroi rininë shqiptare në bartëse të sakrificës supreme për liri.

Së bashku me trimen e re, Shukrije Obërtinca, po atë ditë në Prishtinë, dhuna e ushtruar nga forcat serbe mori edhe jetën e protestuesve të tjerë. Këto vrasje nuk përbënin episode të izoluara, por ishin pjesë e një represioni të organizuar shtetëror, i cili synonte shuarjen e rezistencës qytetare përmes përdorimit të forcës vdekjeprurëse. Humbja e këtyre jetëve në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dëshmon për karakterin sistematik të dhunës dhe për shndërrimin e Prishtinës në skenë të një përballjeje tragjike mes kërkesës legjitime për liri dhe aparatit represiv të pushtetit.

Zëri i heroinës, Shukrije Obërtinca, edhe sot vijon të jehojë në hapësirat publike të Kosovës, në çdo shesh dhe në çdo rrugë ku kujtesa kolektive ruan gjurmët e sakrificës. Kjo jehonë nuk është thjesht metaforike, por përfaqëson vazhdimësinë morale të një akti flijimi që tejkalon kohën dhe brezat. Për këtë arsye, përgjegjësia e të gjallëve nuk kufizohet vetëm në përkujtim simbolik, por kërkon institucionalizimin e kujtesës përmes shenjëzimit të qëndrueshëm në hapësirën publike—qoftë me një përmendore apo me një pllakë përkujtimore—si forma konkrete të respektit dhe të ndërgjegjësimit historik.

Shukrije Obërtinca u kthye në Lismir, jo më si bijë e hareshme e fshatit të saj, por në arkivol, duke mishëruar në mënyrën më tragjike çmimin e lirisë. Varrimi i saj u shndërrua në një akt solemn dhe kolektiv nderimi, ku morën pjesë qindra shqiptarë nga vise të ndryshme shqiptare, të bashkuar jo vetëm nga dhimbja, por edhe nga vetëdija e përbashkët se po përcillnin në banesën e fundit një simbol të sakrificës kombëtare. Ky rit mortor e tejkaloi dimensionin familjar, duke u kthyer në një manifestim publik të kujtesës dhe rezistencës.

Në nderim të saj, në shumë vende u këndua kënga kushtuar figurës së saj, ku Shukrija përfytyrohej si vazhdimësi e traditës së heroinave shqiptare, duke u krahasuar me Shota Galica—një paralele simbolike që e vendos sakrificën e saj në një vijimësi historike të qëndresës femërore shqiptare. Përmes këngës, kujtimi i saj u ngulit në ndërgjegjen kolektive jo vetëm si fakt historik, por si narrativë morale e guximit dhe flijimit.

Ky proces memorializimi—varrimi me nderime, pjesëmarrja masive dhe kënga si formë e transmetimit të kujtesës—tregon se emri i Shukrije Obërtincës nuk mbeti i kufizuar në një moment tragjik, por u institucionalizua në kulturën e kujtesës shqiptare. Në këtë kuptim, ajo nuk u harrua dhe as nuk mund të harrohet, sepse figura e saj vazhdon të jetojë si shenjë e përhershme e sakrificës që e bëri të mundur lirinë e Kosovës.

Një akt i tillë përkujtimi do të shërbente jo vetëm si nderim për jetën dhe sakrificën e saj, por edhe si mjet pedagogjik për brezat e ardhshëm, duke e mbajtur të pranishme në mendjen dhe kujtesën kolektive figurën e një heroine që mishëronte guximin, ndërgjegjen politike dhe flijimin suprem. Në këtë kuptim, gjaku i derdhur i Shukrije Obërtincës nuk mbetet vetëm dëshmi e dhunës të së kaluarës, por shndërrohet në themel simbolik mbi të cilin u ndërtua dhe u bë realitet liria e Kosovës.

Po, Shukrije Obërtinca u vra, por vrasja e saj nuk përfaqëson fundin e një jete në kuptimin historik e moral; përkundrazi, ajo u shndërrua në një akt flijimi që i reziston kohës dhe harresës. Vdekja e saj fizike u bë kusht për një prani të përhershme në kujtesën kolektive, duke e vendosur figurën e saj përtej përkohshmërisë biologjike dhe duke e bërë pjesë të panteonit të sakrificës kombëtare.

Liria që sot e gëzon Kosova nuk është rezultat i një procesi të rastësishëm politik, por fryt i një historie të gjatë përpjekjesh, rezistence dhe gjaku të derdhur ndër shekuj. Në këtë rrugë të mundimshme drejt lirisë, sakrifica e Shukrije Obërtincës dhe e shumë të rënëve të tjerë përbën një hallkë thelbësore, sepse ajo mishëron dimensionin më të pastër të flijimit: vetëdijen për çmimin e lirisë dhe gatishmërinë për ta paguar atë deri në fund. Figura e saj dëshmon se liria nuk është vetëm produkt i marrëveshjeve politike, por edhe i sakrificave individuale që i japin asaj legjitimitet moral dhe historik.

Prandaj, kujtimi dhe nderimi i heroinës Shukrije Oberrtincës nuk janë thjesht akte ceremoniale, por detyrim etik dhe historik ndaj atyre që, me jetën e tyre, e shndërruan aspiratën për liri në realitet shtetëror. Lavdia që i takon asaj shtrihet njëkohësisht mbi të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, sepse përmes sakrificës së tyre u ndërtuan themelet e një të ardhmeje të lirë, të cilën brezat e sotëm dhe të nesërm kanë përgjegjësinë ta ruajnë dhe ta thellojnë.

Literatura:
1. Deklaratë nga motra e Shukrije Obërtincës- Lumnije Obërtinca- Sadiku, 24.12.2025
2. Informata të shumta marr nga Melihate Tërmkolli, Prishtinë, 2025
3. https://teve1.info/316-vjecarja-qe-u-vra-ne-demonstratat-e-1989-deshmorja-e-pare-e-fushe-kosoves/
4. https://www.botasot.info/opinione/2147530/shukrije-obertinca-deshmorja-e-pare-shqiptare-qe-u-vra-nga-policia-serbe-gjate-demostratave-te-vitit-1989/
5. https://pashtriku.org/muhamet-hoxhaj-kujtimi-im-rreth-demonstrates-se-28-marsit-1989-ne-zhur/
6. https://www.kultplus.com/lajme/shukrije-obertinca-16-vjecarja-qe-u-vra-nga-policia-jugosllave-ne-qender-te-prishtines/
7. https://telegrafi.com/demonstratat-studentore-te-30-dhe-31-majit-1989/
8. https://www.epokaere.com/30-vjet-nga-demonstratat-me-te-pergjakshme-dhe-heroike-te-marsit-89/

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.