SHTYPI I DIASPORËS SHQIPTARE MBI SITUATËN POLITIKE NË KOSOVË GJATË DHE PAS DEMONSTRATAVE STUDENTORE TË VITIT 1981

0

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

(Pjesa e Parë)

Gjatë periudhës 1945–1999, gazetaria dhe shtypi shqiptar në ish-Jugosllavi do të kalonin nëpër etapa të trazuara, të përcaktuara nga zhvillimet politike dhe represioni shtetëror mbi popullsinë shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera të banuara me shqiptarë. Kjo periudhë shënohet nga një dinamizëm i theksuar i fushës së komunikimit dhe informimit, ku shtypi shqiptar do të gjendej përballë një realiteti të ndërlikuar, të përbërë nga dy kahe të kundërta: ligjshmëria e kontrolluar nga aparati shtetëror jugosllav dhe aktiviteti i rrymave ilegale që luftonin për liri dhe të drejta kombëtare[1].

Shtypi legal shqiptar në Kosovë, i cili qarkullonte nën mbikëqyrjen e strukturave shtetërore jugosllave, ndonëse në disa raste përpiqej të ruante një lloj autenticiteti kulturor e gjuhësor, ishte i kufizuar në shprehjen e lirë të mendimit dhe në trajtimin objektiv të realitetit të shqiptarëve. Përkundër kësaj, paralelisht dhe në fshehtësi të plotë, filloi të konsolidohej një rrjet alternativ informacioni- shtypi ilegal[2]. Ky shtyp, i lidhur ngushtë me organizatat ilegale që vepronin në Kosovë dhe më gjerë, u shndërrua në një mjet të fuqishëm të rezistencës kulturore, politike dhe kombëtare.

Në këtë dimension, gazetaria ilegale nuk ishte vetëm akt informimi, por një formë e qartë e luftës ideologjike dhe simbolike kundër pushtimit dhe mohimit të identitetit kombëtar shqiptar. Duke u mbështetur në përvojat e trashëguara nga shtypi atdhetar i mëhershëm, që vepronte në periudha të tjera të errëta historike, botimet ilegale u rreshtuan përkrah përpjekjeve të organizuara për çlirim. Ato bënë të mundur artikulimin dhe shpërndarjen e programeve politike të organizatave që nuk pranonin status quan, duke u bërë një tribunë e vetëdijes kombëtare dhe një zë i heshtur, por i fuqishëm, i revoltës popullore[3].

Përtej barrierave të censurës, përtej rrezikut të përndjekjes dhe burgosjes, këto gazeta ilegale përfaqësuan një akt të guximshëm të mbijetesës kulturore dhe të kundërshtimit politik. Ato e demaskuan pushtetin okupues, duke denoncuar me mjete publicistike padrejtësitë e sistemit jugosllav dhe duke mbjellë idenë e lirisë në ndërgjegjen kolektive. Kështu, gazetaria ilegale e kësaj periudhe nuk mund të trajtohet vetëm si pjesë e historisë së medias, por si një kapitull i rëndësishëm i historisë së rezistencës shqiptare në Jugosllavi[4].

Shtypi i organizatave ilegale shqiptare që vepronin në Kosovë në periudhën e sundimit jugosllav, veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, përbën një kapitull të veçantë në historinë e gazetarisë dhe të rezistencës kombëtare shqiptare. Ai shquhej për përmbajtjen e tij të guximshme, për gjuhën e lirë e të papërmbajtur dhe për frymën e theksuar revolucionare që e karakterizonte. Ndryshe nga shtypi zyrtar që përpiqej të përçonte një narrativë të kontrolluar dhe të manipuluar nga pushteti, shtypi ilegal mbështetej në realitetin e dhimbshëm të popullit shqiptar dhe shërbente si zë i së vërtetës së mohuar dhe i aspiratave për çlirim.

Këto botime ilegale, të nxjerra në kushte jashtëzakonisht të vështira teknike e logjistike, përbëjnë jo vetëm një dëshmi të rezistencës politike, por edhe një akt të vetëdijes kombëtare që i kundërvihej me forcë asimilimit dhe shtypjes. Ato janë ndër manifestimet e para të një shtypi shqiptar të pavarur në Kosovë, i cili, ndonëse i paligjshëm në raport me sistemin politik jugosllav, përbënte një ligjshmëri morale për shqiptarët që e shihnin në të një instrument për ndryshim dhe për emancipim shoqëror e kombëtar[5].

Karakteri propagandistik i këtij shtypi nuk duhet kuptuar në kuptimin negativ të manipulimit, por në kuptimin e vënies së fjalës në shërbim të një ideali të lartë – çlirimit dhe vetëvendosjes së popullit shqiptar. Përmes trakteve, gazetave dhe pamfleteve të shpërndara në mënyrë të fshehtë, shtypi ilegal përçonte një frymë të thellë liridashëse, duke ndikuar në formësimin e ndërgjegjes kolektive dhe në mobilizimin e masave për t’i rezistuar pushtimit dhe për të luftuar për të drejtat e mohuara[6].

Në këtë mënyrë, shtypi i organizatave ilegale nuk ishte vetëm një mjet informimi apo komunikimi, por një armë politike dhe ideologjike, një simbol i qëndresës në kohë errësire. Ai e sfidonte jo vetëm censurën, por edhe frikën, dhe mbetej një hapësirë e vetme ku e vërteta shqiptare mund të artikulohej lirshëm. Roli i tij në mobilizimin e shqiptarëve për rezistencë nuk mund të kuptohet i ndarë nga ndikimi i thellë që pati në ndërtimin e një identiteti kolektiv rezistent dhe në shndërrimin e vetëdijes popullore në fuqi politike.

Në kontekstin e aktivitetit të shtypit ilegal shqiptar në Kosovën e pasluftës, një ndër iniciativat më domethënëse dhe të guximshme u ndërmor nga një grup të rinjsh të lidhur me organizatën ilegale “Besa Kombëtare” në Pejë. Këta të rinj — Ramiz Kelmendi, Skënder Riza, Viktor Gashi, Frano Qiflaku, Shefqet Kelmendi, Engjëll Berisha dhe të tjerë — përfaqësonin brezin e ri të rezistencës intelektuale dhe atdhetare që e kuptonte rëndësinë e fjalës së shkruar si mjet kundër dhunës së pushtuesit dhe asimilimit kulturor[7]. Të bindur për nevojën e një platforme që do të artikulonte idetë dhe idealet e tyre, ata morën iniciativën për të botuar gazetën “Drita e Lirisë”, një emër kuptimplotë që përçonte simbolikën e ndriçimit të rrugës së popullit drejt çlirimit dhe vetëvendosjes.

Botimi i kësaj gazete në kushte të jashtëzakonshme dhe në një atmosferë të rënduar nga persekutimet e pushtetit jugosllav paraqet një akt të lartë guximi dhe vetëdijeje politike. Megjithëse “Drita e Lirisë” arriti të dalë vetëm në tre numra, për shkak se aktiviteti i organizatës u zbulua dhe pjesëtarët e saj u arrestuan, ajo mbetet një nga përpjekjet më të hershme dhe më autentike për krijimin e një shtypi të pavarur shqiptar në Kosovë[8]. Pavarësisht jetëgjatësisë së shkurtër, gazeta kishte vlera të jashtëzakonshme si në planin dokumentar ashtu edhe në aspektin e ndikimit të saj moral e ideologjik në radhët e rinisë

Ky akt publicistik nuk mund të shihet vetëm si një përpjekje për informim apo propagandë, por si pjesë integrale e rezistencës shqiptare ndaj pushtimit. Ai dëshmon për ekzistencën e një vetëdije të thellë kombëtare ndër të rinjtë e Kosovës, të cilët, edhe pse të pamundur për të vepruar në mënyrë të hapur, gjetën në shtypin ilegal një mënyrë për të mbijetuar dhe për të vepruar politikisht. Në këtë mënyrë, “Drita e Lirisë” përfaqëson jo vetëm një emër në listën e gjatë të botimeve ilegale shqiptare, por një shenjë të qëndrueshmërisë së mendimit kritik dhe aspiratës për liri që mbijetonte edhe në rrethana të pamëshirshme[9].

Në kontekstin e veprimtarisë së organizuar ilegale në Kosovën e viteve ’70, një ndër nismat më të rëndësishme dhe më të strukturuara në fushën e shtypit ishte ajo e organizatës “Grupi Revolucionar”, e cila ndërmori botimin e gazetës “Zëri i Kosovës”. Ky organ shtypi, që lindi si nevojë për të artikuluar dhe përhapur idetë revolucionare të organizatës, u realizua nën përkujdesjen e figurave qendrore si Mehmet Hajrizi, Kadri Osmani, Binak Ulaj, Xhafer Shatri dhe të tjerë, të cilët jo vetëm që udhëhoqën drejtimin ideologjik të grupit, por kontribuan edhe në formësimin intelektual dhe politik të shtypit të tyre alternativ.

Numri i parë i “Zërit të Kosovës” doli më 1 shkurt 1974, në formatin A4 dhe me një përmbajtje të pasur prej 32 faqesh, të shtypura me makinë shkrimi — një dëshmi kjo e kushteve modeste, por edhe e përkushtimit të jashtëzakonshëm të anëtarëve të organizatës për ta mbajtur gjallë fjalën e lirë në një mjedis shtypës. Në përmbajtjen e saj, gazeta nuk përqendrohej vetëm në denoncimin e padrejtësive dhe të dhunës shtetërore, por paraqiste edhe një alternativë ideologjike dhe strategjike për çështjen kombëtare shqiptare në Jugosllavi, duke e lidhur atë me kauzat më të gjera të çlirimit dhe të barazisë.

Pas valës së arrestimeve të vitit 1974, për të shmangur gjurmimin e vazhdueshëm nga ana e policisë dhe sigurimit jugosllav, gazeta ndryshoi emrin në “Pararoja”, një veprim strategjik që shprehte njëkohësisht nevojën për maskim, por edhe vazhdimësinë e misionit të saj revolucionar. Me këtë emër të ri, gazeta vazhdoi të qarkullojë në mënyrë të fshehtë, duke arritur të nxjerrë një sërë numrash gjatë viteve në vijim. Megjithatë, për shkak të natyrës së aktivitetit ilegal dhe mungesës së dokumentacionit të plotë, sot mund të identifikohet vetëm një ekzemplar i ruajtur, i cili, sipas të gjitha gjasave, i përket dhjetorit të vitit 1979 ose janarit të 1980[10]

Rëndësia e “Zërit të Kosovës”, dhe më pas e “Pararojës”, qëndron jo vetëm në përmbajtjen e saj ideologjike, por edhe në vetë aktin e ekzistencës së saj si organ i një rezistence të organizuar dhe të përkushtuar ndaj padrejtësisë. Ky shtyp nuk ishte thjesht produkt i një lëvizjeje politike, por pjesë përbërëse e një strategjie kombëtare për vetëdijesim, organizim dhe mobilizim, e cila ndikoi thellësisht në formimin e diskursit rezistent në Kosovë dhe më gjerë.

Me zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë ilegale në Kosovë gjatë fundviteve ’70, vërehet një zgjerim i konsiderueshëm i platformave të shtypit që shërbenin si zëdhënëse të organizatave politike revolucionare shqiptare. Kjo periudhë shënon një fazë të re dhe më të strukturuar në historinë e shtypit ilegal, ku artikulimi i ideve politike, analizave ideologjike dhe thirrjeve për veprim merr një formë më të qëndrueshme dhe të përhapur.

Në këtë kuadër, me fillimin e botimit të gazetës “Liria”, që u nxor nën përkujdesjen e figurave të njohura të rezistencës ilegale si Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Kadri Zeka, Berat Luzha, Basri Musmurati, Saime Isufi dhe të tjerë, do të pushojë së botuari organi paraardhës “Pararoja”. Ky tranzicion nuk përfaqëson një ndërprerje, por përkundrazi, një vazhdimësi dhe evolucion të veprimtarisë publicistike ilegale, ku gazetaria nuk ishte thjesht një mjet komunikimi, por një instrument strategjik i luftës për vetëdijesim dhe çlirim kombëtar[11]. “Liria” nuk ishte vetëm një emër simbolik, por një shpallje e hapur e qëllimeve politike të organizatës: sensibilizimi i masave dhe përgatitja e tyre për lëvizje revolucionare kundër pushtimit.

Ndërkohë, pjesë e këtij rrjeti të gjerë publikimesh mbetën edhe disa numra të ruajtur të gazetës “Zëri i Kosovës” (nga numri 3 e tutje) dhe të “Pararojës”, të cilët më vonë do të publikohen në formën e një përmbledhjeje nën titullin “Materialet”, me shumë gjasë në vitin 1977 ose në fillim të 1978-ës[12]. Këto “Materiale” shërbenin si arkiva politike dhe edukative, të mbushura me analiza, direktiva organizative dhe trajtime ideologjike, duke ruajtur për brezat pasardhës dokumentacionin e mendimit dhe veprimit revolucionar të asaj kohe.

Një tjetër prurje me rëndësi në shtypit ilegal ishte gazeta “Revolucioni”, e botuar nga organizata ilegale PKMLSH (Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve), nën përkujdesjen e Abdullah Prapashticës. Kjo gazetë ishte mishërim i qasjes marksiste-leniniste në luftën politike të shqiptarëve në Kosovë dhe përfaqësonte një segment të caktuar të lëvizjes ilegale që e shihte çlirimin përmes rrugës së revolucionit ideologjik[13].

Në të njëjtën kohë, me synimin për të përfshirë më aktivisht rininë në veprimtarinë politike dhe për të formuar ndërgjegjen revolucionare që në moshë të hershme, botohet edhe gazeta “Zëri i Atdheut”, i dedikuar posaçërisht të rinjve. Si “Revolucioni”, ashtu edhe “Zëri i Atdheut” kishin të njëjtin format teknik – fletë A4, të shtypura me makinë shkrimi – dhe përmbanin shkrime autentike, të hartuar nga vetë anëtarët e organizatës[14]. Këto publikime dëshmojnë se, përkundër kushteve ekstreme të konspiracionit dhe represionit, lëvizja ilegale shqiptare kishte ndërtuar një sistem të tërë informimi dhe formimi politik, duke e bërë shtypin një hallkë thelbësore të mekanizmit të rezistencës.

Shtypi ilegal i kësaj periudhe shfaqet si një arenë e shumëzërshme dhe shumëformëshe, ku përplasen ide, rreshtohen orientime dhe shpallen alternativa politike, duke krijuar një hapësirë të vetme të lirë për mendimin kritik dhe aksionin revolucionar në një shoqëri të mbikëqyrur dhe të shtypur. Mbi të gjitha, ai mbetet një pasuri historike e çmuar që dëshmon për vitalitetin, organizimin dhe vullnetin e pathyeshëm të popullit shqiptar për liri dhe drejtësi.

Studimi i kësaj veprimtarie lejon ndarjen e saj në dy etapa kohore të dallueshme, që jo vetëm përfaqësojnë ndryshime të dukshme në përbërjen sociale të mërgatës, por edhe pasqyrojnë transformime në karakterin dhe objektivat e saj. Etapa e parë, që përfshin periudhën nga viti 1945 deri më 1966, karakterizohet nga një organizim i strukturuar dhe një platformë politike më koherente. Në këtë fazë, në qendër të angazhimit qëndronin intelektualët shqiptarë të dëbuar ose ata që kishin emigruar për arsye politike, të cilët refuzonin sistemin komunist të instaluar në Shqipëri dhe kundërshtonin ashpër përfshirjen e Kosovës brenda kornizës federative të Jugosllavisë. Kjo mërgatë intelektuale ishte aktive në ruajtjen e vetëdijes kombëtare, në përçimin e së vërtetës për situatën në trojet shqiptare dhe në ndërtimin e një lobimi politik për vetëvendosjen e shqiptarëve në forume ndërkombëtare[15].

Etapa e dytë, që fillon më 1966 dhe zgjat deri në vitin 1990, reflekton një ndryshim të dukshëm në profilin demografik dhe në mënyrat e angazhimit politik të diasporës. Gjatë kësaj periudhe, emigracioni shqiptar dominohet nga emigrantë ekonomikë, të cilët u shpërndanë në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, kryesisht për motive ekonomike. Megjithatë, edhe pse mungesa e një organizimi të centralizuar dhe e një boshti të qartë ideopolitik e bëri më të fragmentuar angazhimin politik të kësaj faze, ajo nuk e zbehu domosdoshmërinë e përfshirjes së mërgatës në çështjet kombëtare. Në fakt, kjo mërgatë vazhdoi të mbajë gjallë ndjenjat kombëtare, shpeshherë përmes aktiviteteve kulturore, shoqatave të bashkimit dhe përpjekjeve për të ndihmuar vendlindjen përmes formave të ndryshme solidariteti[16].

Një kthesë thelbësore ndodhi pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Kjo ngjarje nuk ishte vetëm një shfaqje e paknaqësisë popullore ndaj regjimit jugosllav, por edhe një moment mobilizues për diasporën shqiptare. Pas vitit 1981, mërgata u transformua ndjeshëm si në përbërje ashtu edhe në karakter: në vend të emigrantëve të zakonshëm ekonomikë, filluan të vendoseshin jashtë vendit të rinj dhe studentë shqiptarë, të cilët kishin qenë pjesëmarrës aktivë në organizatat ilegale në Kosovë dhe kishin marrë pjesë në demonstratat studentore të atij viti. Kjo kategori e re mërgimtarësh solli me vete jo vetëm një vetëdije të thellë politike dhe përvojën e drejtpërdrejtë të represionit, por edhe një energji të re për organizim dhe për mobilizimin e opinionit ndërkombëtar[17].

(Vijon)

[1] Sabile Keçmezi-Basha, Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999), Sh.B.P.K, Prishtinë 2009; Për një analizë të përgjithshme mbi zhvillimet politike dhe ndikimin e tyre në shtypin shqiptar në ish-Jugosllavi gjatë periudhës 1945–1999, shih: Afrim Krasniqi, Media dhe Demokracia në Kosovë, Prishtinë: KIPRED, 2010.
[2] Po aty
[3] Shkëlzen Gashi, Liria e shprehjes në Kosovë gjatë viteve të Jugosllavisë, Instituti për Politika Sociale, 2007; Jusuf Buxhovi, Kosova: Historia e një Tragjedie, vol. 3, Prishtinë: Faik Konica, 2013
[4] Sabile Keçmezi-Basha, Shtypi ilegal i lëvizjes Kombëtare në Kosovë dhe mërgata 1945-1999, Gjilan 2012, 3; Për shembuj konkretë të gazetave ilegale dhe përmbajtjen e tyre, si dhe për kontekstin e botimit të tyre, shih: Arkivi i “Zërit të Kosovës”, “Lirisë”, dhe “Lajmëtarit të Lirisë”, si dhe intervistat me veprimtarë të shtypit të asaj kohe; Për interpretimin e gazetarisë ilegale si formë e mbijetesës kulturore dhe rezistencës politike, shih: Ukshin Hoti, Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare, Prishtinë: Rozafa, 1995.
[5] Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947, Prishtinë, 1998, f. 17; Sabile Keçmezi-Basha,“Formimi dhe veprimtaria e organizatës ilegale patriotike shqiptare “Besa kombëtare” në Kosovë”, “E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike- 4, Prizren-Klinë, 2006; Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore, Prishtinë, 1997.
[6] Ramiz Kelmendi, Viktor Gashi, Shqipëria e Marie Shllakut, Pejë, 1995, f. 14; Jusuf Buxhovi, Kosova: Historia e një tragjedie, Vol. III, Prishtinë: Faik Konica, 2013. Buxhovi trajton aspektin ideologjik, edukues dhe mobilizues të shtypit ilegal shqiptar, me theks në funksionin e tij si propagandë në kuptimin pozitiv dhe emancipues.
[7]Sabile Keçmezi – Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare, Prishtinë, 1998, f. 132;
[8] Sabile Keçmezi-Basha,“Revista “ Drita e lirisë” dhe kontributi i saj në ilegalen shqiptare”, revista  “Kosova” nr. 26, Prishtinë, 2005
[9] Viktor Gashi, Kujtime ( Shpresa Leku, Një brez i veçantë), Prishtinë, 2003, f. 34.
[10] Mehmet Hajrizi, Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena – Tiranë, 2008, 78
[11] Sabile Keçmezi-Basha,“Gazeta “Zëri i Kosovës” dhe angazhimi i saj për ngritjen e ndërgjegjes dhe unitetit kombëtar”, “Gjurmime albanologjike-seria e shkencave historike”, nr. 35, Prishtinë, 2005.
[12] Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut- Prishtinë,  P. nr. 31/ 82; Koleksioni Materialet, botuar nga organizata OMLK në vitin 1977/1978; përmbledhje që përfshinte numrat e mëvonshëm të “Zërit të Kosovës” dhe “Pararojës”. – Botimi përmbante direktiva organizative, analiza ideologjike dhe trajtime të situatës politike.
[13] Intervista e Haqif Mulliqit e zhvilluar në shtator 1997 te Abdullah Prapashtica, (Dorëshkrim i marrë nga vet Abdullah Prapashtica”, 2001). Prapashtica në këtë intervistë ofron dëshmi mbi themelimin dhe botimin e gazetës “Revolucioni” nga PKMLSH, si dhe orientimin marksist-leninist të saj; Sabile Keçmezi-Basha, Organizatat dhe grupet ilegale…vep. e cit.,f. 297;
[14] Gazeta “Revolucioni”, organ informative i PKMLSHJ-së, f, 6
[15] Sabile Keçmezi-Basha, Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999), I, Prishtinë, 2009, f.11; Shih për më shumë: dokumentet e organizatave të mërgatës shqiptare gjatë viteve 1945–1966 dhe qëndrimet e tyre të artikuluara në kongrese dhe botime të ndryshme.
[16] Po aty; Raportet e emigracionit shqiptar të viteve ’70–’80 dëshmojnë për ndihmën ekonomike të diasporës për vendlindjen.
[17] Për një pasqyrë të gjerë mbi demonstratat e vitit 1981 dhe pasojat e tyre për mërgatën, shih: arkivat e shoqatave studentore në mërgim.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.