4.5 C
Tirana
E enjte, 12 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Shteti laik nuk i nënshtrohet asnjë feje

Shteti laik nuk i nënshtrohet asnjë feje

1
Enver Robelli

Enver Robelli

Liria e besimit nuk domethënë pezullim i shtetit. Shkolla është institucioni i parë, ku fëmija takohet me shtetin. E ky shtet duhet të jetë neutral ndaj çdo feje. Procesi edukativ e arsimor nuk duhet të ndikohet nga asnjë fe. Vendimi i Drejtorisë për Arsim i Komunës së Prishtinës për të ndryshuar orarin mësimor për shkak të agjërimit, është skandaloz, antikushtetues dhe diskrimunues ndaj nxënësve të feve të tjera.

Ky popullizëm kuazifetar duhet të marrë fund menjëherë. Vendimi duhet të anulohet. Përgjegjësit që kanë marrë këtë vendim duhet të shkarkohen. Politikanët duhet të mbajnë qëndrim të qartë në mbrojtje të shtetit laik. (Të tillët, fatkeqësisht, janë gjithnjë e më pak, sepse u mungon patriotizmi kushtetues, duan të koketojnë me islamistët dhe u mungon përgjegjësia publike).

Rrjedhimisht, problemet si ky i sotmi burimin e kanë më thellë. Prindër të papërgjegjshëm që u bëjnë presion fëmijëve të agjërojnë. Fëmijë të indoktrinuar dhe të manipuluar, që bullizojnë fëmijë të tjerë se “përse nuk po agjërojnë”, arsimtarë të dorëzuar apo të pafuqishëm përballë propagandës fetare, politikanë të paaftë të sektorit arsimor, të cilët nuk kanë guxim të ndalojnë agjërimin deri në moshën e pjekurisë së fëmijëve.

Nëse të rinjtë lejohen të votojnë tek nga mosha 18-vjeçare, pse bëhen lëshime në çështje fetare? Por, këto janë tema të vështira në një shoqëri, e cila në shkollë para algjebrës e zgjedh avdesin dhe para logjikës – ilahitë arabe, që nuk i kupton askush. Prandaj Kosova prodhon analfabetë funksionalë dhe është e lumtur në fund të listës së Pisas.


Dorzania…

Zef Noka
Zef Noka

Zef Noka

Në historinë e shqiptarëve, dy prej shtyllave që kanë mundësuar kohezionin shoqëror dhe vazhdimësinë e vetëdijes kolektive përtej ndarjeve fetare kanë qenë gjuha dhe e drejta zakonore shqiptare. Kjo e fundit, pavarësisht ambivalencës së saj—pasi në periudha të caktuara është keqpërdorur ose instrumentalizuar—ka shërbyer shpesh si mekanizëm normativ i ndërmjetësimit, i garantimit të besës dhe i krijimit të një “kapitali moral” që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në momente kritike politike.

Në këtë kuadër, nocioni i “dorëzanisë” (si formë përgjegjësie dhe garancie morale në raport me tjetrin) përbën një element thelbësor të kulturës politike dhe shoqërore shqiptare. Gjatë viteve 1990 në Kosovë, strukturat kishtare katolike, me ipeshkvin Nikë Prela në krye, morën një rol të dukshëm ndërmjetësues dhe garantues përballë opinionit perëndimor, duke dëshmuar se komuniteti shqiptar—përfshirë shumicën myslimane—nuk përfaqësonte imazhin që propaganda serbe përpiqej të impononte. Kjo “dorëzani” nuk ishte thjesht një akt simbolik; ajo funksionoi si kapital besueshmërie në një moment kur legjitimiteti ndërkombëtar ishte vendimtar.

Një vijimësi e këtij modeli u pa edhe pas luftës, kur ipeshkvi Mark Sopi, në deklarimet e tij para kongresmenëve amerikanë në Washington (maj 2005), artikuloi qartë se në Kosovë nuk ekzistonte rrezik i një fryme radikale islamike të tipit “binladenian”. Këto deklarime, të dhëna në një klimë ndërkombëtare të ndjeshme ndaj çështjeve të sigurisë, kontribuan në uljen e dyshimeve politike dhe në lehtësimin e rrugës së Kosovës drejt procesit të Pavarësisë.

Pikërisht për këtë arsye, pjesa shqiptare myslimane—në kuptimin e përfaqësuesve politikë e institucionalë dhe të narrativës publike që formëson kujtesën kolektive—nuk duhet t’i harrojë në asnjë mënyrë këto akte të pazëvendësueshme.

Këto nuk janë vetëm episode të izoluara, por shembuj përfaqësues të një tradite më të gjerë historike, ku solidariteti ndërfetar dhe “dorëzania” reciproke kanë shërbyer si mekanizëm mbijetese dhe si mjet i artikulimit të identitetit kombëtar përballë botës. Këto dy raste mund të trajtohen si ilustrime për shumë të tjera në histori, ku komunitete të ndryshme fetare shqiptare kanë garantuar njëra-tjetrën në momente rreziku, duke e forcuar idenë e një trupi të përbashkët shoqëror.

Politika dhe vetë përgjegjësit fetarë duhet të jenë më të rreptë kundër mungesës së tolerancës, mosmirënjohjes apo tendencave të tjetërsimit—ndonjëherë edhe në shfaqjet e jashtme identitare—dhe kundër çdo forme indoktrinimi vetëshkatërrues që çon drejt ngulfatjes së ekstremizmit fetar, i cili prodhon urrejtje jo vetëm ndaj shqiptarëve katolikë, por edhe ndaj vetë shqiptarëve myslimanë.

Në fund, nëse merret seriozisht dimensioni normativ i së drejtës zakonore, atëherë respektimi i kësaj “dorëzanie” nuk është vetëm çështje mirënjohjeje morale, por edhe detyrim kulturor e politik: një detyrim për të ruajtur ekuilibrin ndërfetar, për të mos lejuar deformime të kujtesës historike dhe për të kultivuar një identitet qytetar e kombëtar që e tejkalon përkatësinë fetare.

1 KOMENT

  1. Për të reaguar ndaj një Vendimi të Organeve zyrtare, duhet nisur nga QËLLIMI dhe ARSYESHMËRIA e sjelljes se atij Vendimi.
    Për të folur apo shkruar mirë a keq për féné (islame apo të krishtërë – katolike) nevojitet të kuptuarit e drejtë të Islamit dhe të kuptuarit e drejtë Krishterizmit – katolicizmit.
    Ju kisha preferuar që të lexoni librin: ETIKA E ISLAMIT DHE KRISHTERIZMIT – KATOLICIZMIT – faqe 171-172.
    JANË TË MIRËNJOHURA fjelët e JEZU KRISHTIT, gjatë aktit të KRYQËZIMIT të tij, nga ana e shtypësve romakë: “FALI O ZOT, SEPSE ATA NUK DIJNË SE ÇKA BËJNË!”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.