
Ndeshja e 7 qershorit kundër Serbisë, e vlefshme për kualifikim në Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, nuk është vetëm një sfidë sportive, por është edhe një provë e karakterit tonë si komb dhe si qytetarë të një shteti evropian, demokratik e të civilizuar.
Jemi të vetëdijshëm se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, me qëllim të qartë politik, dëshiron të provokojë me deklarata e qëndrime që nxisin tensione, për të shfrytëzuar qoftë edhe incidentin më të vogël si alibi për propagandë dhe destabilizim
Prandaj, le të mos i japim asnjë pretekst. Le t’i tregojmë botës se ne shqiptarët dimë të festojmë me pasion dhe maturi.
Fuqia jonë nuk është në fishkëllima, ofendime apo konfrontime, fuqia jonë është në dinjitetin tonë, në dashurinë për fanellën kuqezi dhe në përkrahjen e pastër për ekipin tonë kombëtar.
Le ta fitojmë këtë ndeshje me etikë sportive, me përkrahje korrekte nga tribunat, pa asnjë veprim që mund t’u shërbejë provokatorëve dhe politikave të vjetra armiqësore të Serbisë.
Shqipëria është Evropë ! Shqipëria është qytetari!. Shqipëria është krenari!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 qershor 2025