Shqipëri e Kosovë bëhen bashkë në një ditë: Shpallen të Lumtur Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq

0
Mësuese Lidija Nushi e Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi

Drejt Lavdisë së Altareve

Kush mund ta harrojë 5 nëntorin e vitit 2016, kur në Kishën Katedrale të Shkodrës, kremtohet Mesha për Lumturimin e 38 martirëve shqiptarë, që dhanë jetën e tyre për Fe e Atdhe gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri? Një apoteozë e vërtetë me besimtarë që populluan Shkodrën atë ditë feste, duke lartësuar virtytet e bijve të këtij populli, që me shembullin e tyre heroik, realizuan fjalët profetike të filozofit dhe teologut Atë Anton Harapi:

“Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandej, në hijshim, duhet të jemi gurt e themelit të njaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipni”. (Vlerë Shpirtërore, Botues “Hylli i Dritës”, Tiranë 1994).

Kaluan tetë vite nga ajo datë historike, dhe Kisha Katolike, i shton listës së të Lumëve edhe dy shqiptarë të tjerë: Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq. Në fakt, nëpërmjet një komunikate, më datën 20 qershor 2024, Selia e Shenjtë shpalli dekretin e Dikasterit për çështjet e shenjtërve, përmes të cilit Ati i Shenjtë, Papa Françesku, dekreton dhe autorizon Lumnimin e Atë Luigj Paliqit dhe Dom Gjon Gazullit.

Meshën solemne dhe Ritin e Lumturimit do ta kryesojë, më datën 16 Nëntor 2024, në Katedralen e Shkodrës, i dërguari i posaçëm i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, Eminenca e Tij Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve. Parashikohet të jetë i pranishëm, përveç autoriteteve të tjera fetare e civile nga Shqipëria e Kosova, edhe Kardinali shqiptar Dom Ernest Troshani.

Zadrima e intelektualëve dhe shenjtërve

Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893. Dhe, siç tha Kardinali shqiptar dom Ernest Troshani, në meshën që kremtoi në Blinisht, më 6. 11. 2016: “Zadrima është një popull që ka dhuruar shumë”.
Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës.

Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti.
U shugurua meshtar më, 4 gusht 1919.
Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike.

Ngulmimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe, më 5 mars të po atij viti u var.

Eshtrat e tij prehen në varrezat e Rrmajit në Shkodër dhe varri i tij tashmë është cak lutjeje për shumë shtegtarë, të cilët e vlerësojnë shenjtërinë e dom Gjonit. Janë të panumërta dëshmitë e atyre që janë shëruar dhe kanë përjetuar mrekulli me ndërmjetësinë e dom Gjonit. Edhe personalisht, jam dëshmitar i disa shërimeve që kanë ndodhur duke u lutur tek varri i tij. Fama e shenjtërisë së tij ka nxitur popullin e Zotit dhe Kishën Katolike që të ndërmarrin për të atë që quhet proçesi dioqezan për ta shpallur të Lumtur dhe të shenjtë.

Ja si e përshkruan ekzekutimin e shërbëtorit të Hyjit, oficeri i ngarkuar për varjen e tij, në një intervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, botuar në “albemigrant”: https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/02/15/daniel-gazulli-martiri-i-atdheut-dom-gjon-gazulli/):
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte.

Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim i D. G.). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”.

– “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.

Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.

Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.

Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja!

Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!

Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rrnoftë Krishti, Mbreti ynë! Rrnoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.

Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun!– Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927”.

U realizua edhe në dom Gjonin ajo fjala e Zotit thënë në Veprat e Apostujve: “Na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”. (Vap. 14, 22).

Dy fjalë për Atë Luigj Paliq
Atë Luigj Paliq lindi në Janjevë (Kosovë), në Arqipeshkvninë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879.
Pas shkollës fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri, ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë).

Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896-1901.
U shugurua meshtar, më 21. 09. 1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shën Antonit në Gjakovë. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës.

Pas shugurimit u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studime pas-universitare.
Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvinë e Shkodrës.
Gjatë viteve 1907-1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë).

U martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913 dhe kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”.

Ishte një njeri i vendosur. «Luftëtari i dritës provon një lloj tmerri përpara vendimeve të rëndësishme. “Kjo është shumë e madhe për ty”, i thotë një mik. “Ec përpara, sypatrembur”, i thotë një tjetër. Dhe dyshimet e tij sa vijnë e rriten. Pas disa ditësh plot ankth, kridhet në prehje shpirtërore brenda në çadër, ku e ka zakon të ulet për të medituar dhe për t’u lutur. Ai e shpie veten në të ardhmen.

Shikon se kush do të përfitojë e cili do të humbasë nga qëndrimi i tij. Ai nuk dëshiron të shkaktojë vuajtje të kota, por nuk do as të braktisë rrugën. Atëherë luftëtari e lë vendimin të dalë vetiu. Nëse duhet thënë po, do ta thotë me guxim. Nëse duhet thënë jo, e bën pa iu dridhur qerpiku». (Pjesë e shkëputur nga Manual i Luftëtarit të Dritës i Paulo Coleho).

Më 23 gusht të vitit 2023, patëm fatin të shkojmë në shtegtim për t’u lutur tek varri ku prehet Atë Luigj Paliq në Zym, të shoqëruar nga aktivistja e Kosovës Marte Prekpalaj (aktualisht Kryetare e Këshillit të fshatrave të Hasit) dhe mësuesja e muzikës Lidija Nushi (e bija e Anton Lumezit, themelues i Shoqërisë Kulturo˗artistike “Agimi”) nga Prizreni.

Atë Luigj Paliqi (Palaj) dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit.

E bekojmë Zotin për këtë lulëzim shenjtërie që e ka bekuar popullin tonë të shumëvuajtur!
16 Nëntori 2024, në Katedralen e shën Shtjefnit në Shkodër, vulos përfundimisht një lidhje të re me vlerat, një lidhje e themeluar në gjakun e martirëve. Edhe një herë, bëhen bashkë në një ditë, Shqipëria dhe Kosova.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.