Përktheu Arben Çokaj
Sheqeri shpesh shihet si një ëmbëlsi e padëmshme, por shkenca vazhdon të zbulojë anën e tij të errët. Kur konsumohet me tepri, sheqeri jo vetëm që shton kalori boshe, por mund të prishë pothuajse çdo pjesë të trupit. Efektet shfaqen në mënyra që janë thellësisht alarmante.
Tek fëmijët në zhvillim, shumë sheqer lidhet me hiperaktivitet dhe probleme me vëmendjen, të cilat zakonisht shoqërohen me ADHD. Tek të rriturit, konsumi i tepërt afatgjatë lidhet me rënien e kujtesës dhe demencën, duke theksuar ndikimin e tij në tru. Sheqeri gjithashtu mund të dëmtojë sytë, duke rritur rreziqet e glaukomës, ndërsa ndërhyn në ciklet e shëndetshme të gjumit, duke çuar në pagjumësi.
Efekti më i njohur është diabeti, ku mbingarkesa e sheqerit në gjak dëmton organet dhe enët e gjakut. Por ndoshta lidhja më e frikshme është me kancerin. Sheqeri i tepërt krijon mjedisin ideal, që qelizat kancerogjene të rriten dhe përhapen, duke e shndërruar një zgjedhje dietike në një rrezik kërcënues për jetën.
Shkencëtarët theksojnë se trupi ka nevojë për sasi të vogla sheqeri për energji, por dieta moderne e përmbyt sistemin me shumë më tepër sesa mund të përballojë. Ushqimet e përpunuara, pijet me sheqer dhe ëmbëlsuesit e fshehur e amplifikojnë problemin, duke e bërë të lehtë tejkalimin e kufijve të sigurt pa e kuptuar.
Mesazhi është i qartë: sheqeri nuk është vetëm një kënaqësi, por është edhe një toksinë kur konsumohet tepër. Ulja e konsumit të tij mund të mbrojë trurin, zemrën, sytë dhe shëndetin e përgjithshëm, duke ulur rrezikun e sëmundjeve që shkurtojnë jetën.
Ndërgjegjësimi dhe moderimi mund të jenë ilaçi më i fuqishëm nga të gjithë.