Anale të historisë
Skënder Karaçica
Në sulmin e parë (22 janar 1998) forcat ushtarako-policore në krah me militarët dhe, më skenarët vrasës deri në shkallë të gjenocidit, sulmuan familjen e Shaban Jashari në Prekaz të Drenicës. Tërë familje i bënë ballë sulmit të hasmit dhe, logjistika fashiste serbe nuk mundi të shemb shpirtin kryengritës të Prekazit në Drenicë.
Për të përkrahur familjen Jashari në Prekaz, kishin ardhur me dhjetra burra të viseve tona shqiptare, veprimtarë,intelektualë, të burgosur për të qendruar në krah të familjes në mbrojtje të pragut të shtëpisë.
Në krye të vendit, përballë oxhakut, Shaban Murat Jashari, fliste me ballin e hapur para burrave për sulmin serb, për historinë e Drenicës, për pushkët e lirisë…!
Për një çast, me plisin e bardhë dhe shikimin prej burrit të dheut, e nisi porosinë e motit në Drenicë:
“Nuk e kemi nermenë me lëshu pragun e shpisë, as para ushtrisë e policisë të Serbisë e të Rusisë! Kjo është toka jonë, nuk kemi sa kah të shkojmë, këtu kemi lind dhe këtu do të vdesim,” – u tha Shaban Murat Jashari, burrave në odën e tij në Prekaz të Drenicës.










