Seneka në Prishtinë: Stoicizmi përballë pushtetit modern

0
Elife Luzha

Autore:
Elife LUZHA
20.10.2025

Në një botë ku teknologjia po përparon me hapa të shpejtë, ndërsa politika shpesh udhëhiqet nga interesa të ngushta, filozofia mund të duket si një luks i së kaluarës – një veprimtari teorike, pa ndikim të drejtpërdrejtë në realitetin e përditshëm. Megjithatë, historia dëshmon se pikërisht në kohë të turbullta, mendimi filozofik ka luajtur rol thelbësor në orientimin moral dhe politik të shoqërisë.

Që nga Greqia e lashtë, filozofia ka qenë e lidhur ngushtë me jetën publike. Sokrati zhvillonte dialogje në Agora, Platoni besonte se udhëheqësit duhet të jenë filozof, ndërsa Aristoteli e shihte politikën si mjetin kryesor për të arritur të mirën e përbashkët.

Këtë lidhje mes filozofisë dhe jetës publike e thelluan më tej stoikët romak, të cilët e panë filozofinë si udhërrëfyes praktik për jetën, sidomos në raport me pushtetin dhe përgjegjësinë qytetare. Filozofë si Seneka dhe Mark Aureli dëshmuan se është e mundur të jetohet edhe në majat e pushtetit pa rrezikuar integritetin moral.

Në librin “E pa filozofuara” (2011), autori H. Feraj, shkruan se, që nga ilirët e deri në ditët tona, filozofia si veprimtari mendore duket të ketë qenë ndër më të shpërfillurat. Sipas tij, e vetmja disiplinë nga mund të nxirret pak filozofi, tek shqiptarët, është historiografia.

Megjithatë, edhe në kontekstin shqiptar, gjurmë të mendimit filozofik mund të dallohen në letërsi, mendimin fetar dhe diskursin politik. Që nga Pjetër Bogdani e deri te autorët si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Rexhep Qosja, Ismail Kadare e të tjerë, hasim reflektime të thella mbi nocione themelore si liria, identiteti dhe drejtësia.

Në shekullin 20-të, një ndër zërat më të dalluar të mendimit filozofik shqiptar ishte Branko Merxhani – ideolog dhe themelues i lëvizjes së Neoshqiptarizmës. Ai e shihte filozofinë si një nevojë të ngutshme për shoqërinë shqiptare, e jo si privilegj të elitave intelektuale. Për të, filozofia përbënte thelbin e një rilindjeje kulturore dhe shpirtërore. Maksima e tij “Një atdhe pa ideal dhe pa dije është gjithnjë i ekspozuar rrezikut”, mbetet aktuale dhe sfiduese edhe sot.

Më vonë, personalitete si Ukshin Hoti e Arbën Xhaferi, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërthurjen e filozofisë me politikën shqiptare. Ndërsa sot, filozofja bashkëkohore Lea Ypi, ka sjellë një qasje moderne dhe globale në mendimin filozofik shqiptar, veçanërisht me veprën Free: Coming of Age at the End of History (2021).

1. Filozofia në shërbim të shtetit: Rasti i Senekës

Stoicizmi, veçanërisht gjatë periudhës romake, u shndërrua në një udhërrëfyes etik për individin dhe shtetin. Njëri nga përfaqësuesit më të dalluar të kësaj filozofie është pa dyshim Seneka – filozof, shkrimtar dhe këshilltar politik. Ai jetoi në një nga periudhat më të trazuara të historisë romake, nën sundimin e Perandorit Neron. Megjithatë, arriti të ndikojë në jetën politike të kohës, duke dëshmuar se pushteti dhe virtyti mund të bashkëjetojnë.

Në traktatin De Tranquillitate Animi (Mbi qetësinë shpirtërore), Seneka këshillon kushëririn e tij, Serenusin, që të angazhohet në jetën publike – për aq kohë sa ky angazhim nuk bie ndesh me ndërgjegjen. Sipas tij, pjesëmarrja qytetare duhet të jetë parim, jo përjashtim. Edhe kur rrethanat e detyrojnë individin të tërhiqet nga jeta publike, ai nuk duhet të heq dorë nga shërbimi ndaj shoqërisë dhe Republikës.

Si shkrimtar, Seneka nuk shkruante për të ndërlikuar jetën, por për ta përmirësuar atë. Ai kundërshtonte retorikën boshe dhe mendjemadhësinë, duke këshilluar bashkëkohësit të flisnin e të shkruanin qartë – jo për lavdi, por për t’i shërbyer shoqërisë.

Megjithëse ndikimi i tij ishte i madh, fundi i jetës së Senekës, ishte tragjik. Siç thuhet, shembujt e mëdhenj shpesh shoqërohen me fat të keq. I akuzuar padrejtësisht për pjesëmarrje në një komplot kundër Neronit, ai u detyrua të vetëvritej. Por, pavarësisht këtij fati, mesazhet dhe mësimet e tij mbeten të vlershme edhe sot.

2. Leximi i Senekës në kontekstin e Kosovës

Nëse filozofia e Senekës lexohet në dritën e realitetit politik të Kosovës, mund të thuhet se përçarjet partiake, rivalitetet personale dhe mungesa e bashkëpunimit institucional, në optikën e tij, do të konsideroheshin si tregues të mungesës së virtytit dhe përgjegjësisë publike. “Asgjë nuk është më shkatërruese për shtetin se sa përçarjet e brendshme”, paralajmëronte Seneka.
Sipas filozofisë stoike, mungesa e dialogut dhe etja për pushtet, janë simptoma të një shoqërie që ka humbur orientimin moral. Për Senekën politika nuk është arenë lavdie, por një fushë shërbimi ndaj popullit.
Në këtë kontekst, parimi i tij: “Askush nuk bëhet i madh përmes pushtetit nëse nuk është i madh në shpirt”, mund të shërbejë si kriter për të vlerësuar klasën politike në Kosovë. Sipas këtij standardi shumë prej aktorëve politik do të dështonin – jo vetëm për mungesë aftësie, por edhe për mungesë integriteti dhe përkushtimi ndaj të mirës së përbashkët.
Ndërsa për qytetarët e zhgënjyer nga realiteti politik, Seneka do të këshillonte: të mos lejojnë që urrejtja t’ua helmojë shpirtin, por të kultivojnë mendimin kritik, vetëpërmirësimin moral dhe angazhimin qytetar.

* * *

Si përfundim: filozofia nuk është një luks teorik apo një pasion elitist, por një nevojë për çdo shoqëri që aspiron drejtësi, stabilitet dhe zhvillim. Ajo na mëson të mendojmë qartë, të veprojmë me përgjegjësi dhe të mos dorëzohemi përballë padrejtësive. Filozofia nuk është vetëm përpjekje për ta kuptuar botën, por edhe për ta ndryshuar atë.

Në Kontekstin e Kosovës, ku sfidat politike dhe morale janë të shumta, filozofia mund të luaj një rol të rëndësishëm në vetëdijesimin qytetar. Nëse duam një klasë politike më të ndërgjegjshme, duhet të kultivojmë një qytetari më të vetëdijshme. E kjo nuk fillon në zyrat e qeverisë, por në shkolla, universitete, media e mbi të gjitha – në zemrat dhe mendjet tona.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.