Besnik Fishta
Biodiversiteti përfaqëson shumëllojshmërinë e jetës në Tokë dhe është një komponent themelor për funksionimin e ekosistemeve dhe mirëqenien e njeriut. Sot, komuniteti shkencor dhe institucionet ndërkombëtare e vlerësojnë humbjen e biodiversitetit si një nga krizat më të mëdha mjedisore të kohëve moderne, me pasoja që shtrihen në një shkallë globale. Ndryshe nga zhdukjet masive të ndodhura gjatë historisë natyrore të planetit, rënia aktuale e biodiversitetit është kryesisht rezultat i veprimtarisë njerëzore.
Ndër faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë fenomen përfshihen: shkatërrimi dhe fragmentimi i habitateve, shpyllëzimi, ndotja e ajrit, tokës dhe ujërave, mbishfrytëzimi i burimeve natyrore, futja e specieve invazive dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike. Studime të shumta tregojnë se që nga gjysma e dytë e shekullit XX, ritmi i zhdukjes së specieve është shumëfishuar ndjeshëm krahasuar me normat natyrore. Në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin (Rio de Janeiro, 1992), u theksua se mungesa e informacionit të plotë e cilësor, si edhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit publik, janë pengesa kryesore për ruajtjen e biodiversitetit.
Shqipëria, për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe klimës së larmishme, paraqet shkallë të lartë biodiversiteti. Territori i saj përfshin një gamë të gjerë ekosistmesh: male, pyje, kullota, fusha, lumenj, liqena dhe zona bregdetare. Kjo shumëllojshmëri klimatike krijon kushte të favorshme për një numër të madh llojesh bimore dhe shtazore. Në aspektin e faunës, pyjet shqiptare janë strehë për gjitarë të egër, ariu i murrmë, rrëqebulli, ujku, çakajtë dhe macja e egër. Shqipëria përfshin gjithashtu një faunë të pasur shpendësh, me rreth 350 lloje të njohura, përfshirë shqiponjën e malit dhe skifterët, që janë ndër shpendët grabitqarë më të zakonshëm në vend.
Në sistemet ujore malore e fushore gjenden lloje peshqish si trofta, krapi dhe ngjala. Flora shqiptare është po aq e pasur: rreth 3 221 lloje bimësh janë të dokumentuara, nga të cilat 489 janë endemike për Gadishullin Ballkanik dhe 40 specifike për Shqipërinë. Ky potencial përfaqëson një vlerë të jashtëzakonshme për ruajtjen e trashëgimisë natyrore, në nivel kombëtar dhe rajonal. Biodiversiteti bujqësor në Shqipëri përfshin varietete tradicionale të bimëve të kultivuara dhe racat autoktone të kafshëve shtëpiake, të përshtatura me kushtet lokale dhe pjesë e traditës bujqësore dhe kulturës rurale. Në biodiversitet përfshihen gjithashtu speciet spontane, barërat e këqija, dëmtuesit natyrorë dhe organizmat e dobishëm të tokës.
Informacioni mbi këto aspekte është dokumentuar përmes koleksioneve të ruajtura në institucione si Muzeu i Shkencave Natyrore në Tiranë, i cili përmban materiale të çmuara mbi florën dhe faunën shqiptare. Një formë tjetër e dokumentimit vizual janë imazhet në pulla postare, përndryshe filatelia, përmes të cilës tematika e biodiversitetit është bërë tashmë gjithnjë e më e pranishme. Në rrafshin historik, krijimi i pullës është rezultat i reformave në sistemin postar britanik të fillim vitit 1840. Duhet thënë se prej ketij viti, për pothuaj një shekull, përhapja e saj globale nuk kishte lidhje me prezantimin e imazheve të biodiversitetit.
Tashmë është e njohur se pulla postare u krijua me një funksion praktik: të dëshmonte pagesën e shërbimit postar përpara se ai të realizohej. Me kalimin e kohës, u kuptua se dobia e përdorimit të imazheve në pulla si një mënyrë promovimi për histori, gjeografi, sport, kulturë, natyrë e më gjerë, do të sillte krijimin e një prej aspekteve me atrative të kulturës moderne globale. Shqipëria krijoi pullën e saj të parë kombëtare më 5 maj 1913. Në fillesat e filatelisë shqiptare, imazhet përfaqësonin qartësisht simbolet kombëtare, nje domosdoshmeri e natyrshme ne rrafshin historik. Duhej të kalonte shume vite që pulla jone të shndërrohej në një mjet të fuqishëm promovimi në fusha të ndryshme, mes të cilave njohja dhe mbrojtja e biodiversitetit.
Me kalimin e viteve, kjo tematikë ka evoluar: nga një formë artistike e thjeshtë është kthyer në një instrument të rëndësishëm edukativ dhe sensibilizues për çështjet mjedisore. Për ta kuptuar këtë zhvillim më thellë, periudha nga viti 1960 deri në vitin 2025 ndahet në dy faza kohore:
1. Periudha e parë: 1961–2000. Në Shqipëri, pullat e para me tematikë natyrore u emetuan më 25 qershor 1961 me seri të dedikuara faunës dhe, më pas, florës. Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 2000 u emetuan dhjetëra seri, blloqe, zarfa FDC (ditës së parë të emetimit), karnete dhe materiale të tjera informuese, që reflektonin shumëllojshmërinë e natyrës shqiptare. Qasja ndaj këtyre emisioneve ishte në thelb prezantuese dhe artistike, pa vendosur theksin te mbrojtja apo ruajtja e specieve.
Sidoqoftë, ato mbartnin vlerë edukative, duke ndihmuar në përhapjen e njohurive për florën dhe faunën vendase. Dizajnet ishin realizuar me cilësi të lartë artistike, gjë që i dha pullave vlerë koleksionuese dhe nxiti pasionin filatelik. Karakteristikat kryesore të kësaj periudhe jane: a) Pullat postare paraqisnin specie të florës dhe faunës, kryesisht për qëllime artistike e dokumentuese. b) Biodiversiteti trajtohej si tematikë kombëtare, e drejtuar nga speciet endemike dhe zonat natyrore. c) Nuk ekzistonte një strategji të menduar për përdorimin e filatelisë si mjet ndërgjegjësimi për ruajtjen e biodiversitetit tone. d) Pulla shërbente më tepër si pasqyrë e trashëgimisë natyrore sesa si thirrje për veprim.
2. Periudha e dytë: 2001–2025. Pas vitit 2000 filloi një fazë e re për rolin e filatelisë në promovimin e biodiversitetit. Me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Biodiversitetin dhe angazhimin e Shqipërisë në instrumente ndërkombëtare si Konventa për Diversitetin Biologjik (CBD), edukimi mjedisor mori një vëmendje të veçantë. Filatelia, nga formë dokumentimi artistik, filloi të përdorej si mjet ndërgjegjësimi dhe komunikimi publik , në funksion të mbrojtjes së natyrës. Seritë e reja të pullave nuk kishin më vetëm vlerë estetike; ato përcillnin mesazhe sensibilizuese për ruajtjen e specieve të rrezikuara, habitatit natyror dhe trashëgimisë biologjike të vendit.
Publikime te tilla, si libri-album “Flora dhe fauna detare në pullën shqiptare”, u përdorën në shkolla, institucione publike, muze dhe aktivitete turistike. Karakteristikat kryesore të kësaj perjudhe janë: a) Tematika më te fokusuara tek biodiversiteti, përfshirë speciet endemike, të rrezikuara dhe habitatet natyrore. b) Mesazhe të qarta sensibilizuese që nxisin reflektim dhe veprim publik. c) Përdorim institucional dhe pedagogjik nga shkollat, muzeumet dhe organizatat mjedisore. d) Integrim me fushata dhe ngjarje ndërkombëtare si: Dita Botërore e Tokës; Viti Ndërkombëtar i Diversitetit Biologjik; evente COP për Ndryshimet Klimatike, emisionet e perbashketa “Europa” etj. Në këtë mënyrë, filatelia shqiptare tashme është transformuar nga një medium i heshtur në një platformë promovimi dhe edukimi mjedisor.
Ajo jo vetëm dokumenton biodiversitetin, por fton qytetarët në dialog për mbrojtjen e tij. Përmes imazheve të vogla të pullave, ruhet një histori e natyrës shqiptare; ndërtohet një kulturë mbrojtëse dhe frymëzohet veprimi i përbashkët për ruajtjen e gjallesave me të cilat ndajmë hapësirën tonë jetësore. Filatelia, në këtë kontekst, nuk është vetëm art apo hobi individesh, por ne perspektive mbetet një mesazh vizual dhe simbolik për një të ardhme më të gjelbër. Pa dyshim, një nga mundësitë praktike për pasqyrimin dhe përhapjen e mesazheve për biodiversitetin janë qarkullimet postare. Zarfi, së bashku me pullën dhe informacionin vizual e simbolik që ajo mbart, udhëton në çdo cep të vendit tonë, dhe shpesh edhe përtej kufijve, duke përshkuar distanca e realitete të ndryshme.
Kështu, ndodh një përhapje natyrale e ndërgjegjësimit brenda Shqipërise dhe përtej, deri edhe globalisht. Kur zarfet lëvizin nga një vend në tjetrin, pullat postare marrin rolin e ambasadorëve vizualë të biodiversitetit, duke prezantuar botës pasuritë natyrore dhe specifikat ekologjike të vendit tone. Posedimi i një zarfi të qarkulluar mund të nxisë edukimin mjedisor, të zgjojë kuriozitetin për më shumë njohuri dhe të ndikojë pozitivisht në ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e ruajtjes së këtyre pasurive. Pullat që ilustrojnë specie të rrezikuara, habitate të veçanta apo mesazhe për mbrojtjen e natyrës përçojnë ide të thella që shkojnë përtej aspektit estetik të filatelisë.
Në të njëjtën kohë, këto zarfa mund të luajnë rol edhe në promovimin e turizmit ekologjik: imazhet e pasurive natyrore të vendit mund të tërheqin vëmendjen e dashamirësve të natyrës dhe të inkurajojnë vizita në zona të mbrojtura, parqe natyrore ose destinacione me vlera të larta ekologjike, një aspekt gjithnjë e më i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Zarfet filatelike, të pajisura me pulla që pasqyrojnë biodiversitetin, nuk janë thjesht mjet komunikimi: ato janë medium edukativ dhe instrument frymëzues, që përçon mesazhe për natyrën e çmuar të Shqipërisë drejt gjithë botës.
Pamje e pjeseshme me poshte nga galeria e emisioneve postare me tematikë biodiversitetin në dy kohët e përmendura më sipër; disa nga zarfat speciale të “Ditës së Parë të Emetimit”(FDC), dhe se fundi disa zarfa te qarkulluar brenda dhe jashte Shqipërisë me pulla nga tematika e biodiversitetit.