8.5 C
Tirana
E martë, 24 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj REALIZMI MAGJIK TE POEMA “PRUSHI I BUKURISË” TË ANTON NIKË BERISHËS

REALIZMI MAGJIK TE POEMA “PRUSHI I BUKURISË” TË ANTON NIKË BERISHËS

0
ANB - Prushi i bukurië

Timo Mërkuri - Sarandë Timo Mërkuri

Nëse e kërkojmë burimin e realizmit magjik në poemën “Prushi i bukurisë” të Anton Nikë Berishës e kuptojmë se ai nuk lind nga një metodë letrare dhe as nga një ndikim i jashtëm i drejtpërdrejtë. Ai del si frymë e brendshme, si mënyrë e trashëguar dhe e ripërtërirë e të ndierit të botës. Është një magji që nuk shpallet, por rrjedh. Ajo nuk kërkon të dëshmohet, por të përjetohet si mënyrë e brendshme e organizimit të realitetit poetik.

  1. Një nga burimet më të thella të saj është arti gojor shqiptar. Përrallat, legjendat, mitet, këngët e moçme nuk e ndanin botën në dy pjesë të mbyllura, një reale dhe një të mbinatyrshme. Në to mali mund të hapet, guri mund të qajë, hija mund të udhëtojë, dhe askush nuk ndalet për ta dëshmuar dhe shpjeguar mrekullinë. Ajo pranohet si pjesë e rendit të jetës.

Kjo frymë, kjo mënyrë e të besuarit se natyra ka shpirt dhe fjala ka peshë, kalon nga artet gojore në poezinë moderne jo si kopje, por si thelb.

Te Berisha nuk shfaqen zanat apo dragonjtë si figura folklorike të drejtpërdrejta. Ajo që kalon nga arti gojor është struktura e ndjeshmërisë. Është bindja e qetë se toka ruan gjurmë, se zjarri mban kujtesë, se mungesa nuk është zbrazëti e ftohtë. Këto nuk janë përralla. Janë përjetime poetike që mbajnë brenda kujtesën e mitit. Në këtë mënyrë, tradita nuk mbetet arkiv i së kaluarës, por bëhet energji e gjallë që prodhon kuptime të reja në të tashmen.

  1. Një shtresë tjetër e kësaj bote poetike ushqehet nga tradita biblike dhe mendimi metafizik. Drita si energji krijuese, fjala si akt që krijon, shndërrimi si vazhdimësi e jetës, janë dukuri që vijnë nga një horizont shpirtëror ku bota nuk është thjesht materie.

Te Berisha drita nuk është zbukurim estetik, ajo është shenjë e qenies. Prushi nuk është figurë retorike, është vazhdimësi që nuk shuhet. Kjo e bën realizmin e tij magjik të ketë thellësi ontologjike.

  1. Kjo magji nuk mbështetet vetëm mbi trashëgiminë kolektive, por lind edhe nga përvoja e brendshme vetjake.

Realizmi magjik lind nga një ndjeshmëri që e përthith traditën dhe e ripërjeton atë në thellësi. Kur heshtja merr zë apo kur mungesa rri pranë si frymë e padukshme, kjo nuk është thjesht jehonë mitike; është përjetim i prekshëm, i mbushur me kujtesë dhe ndjenjë. Është dashuri, humbje dhe kujtim që rriten deri në atë pikë sa e kapërcejnë kufirin e reales së zakonshme. Magjikja lind aty ku ndjenja bëhet më e madhe se shpjegimi dhe ku përvoja tejkalon logjikën e ftohtë.

Në këtë kuptim, përvoja krijuese e Anton Nikë Berisha nuk është e shkëputur nga njohja e thellë e artit gojor shqiptar. Ai është një studiues i përkushtuar i traditës orale, i miteve, përrallave dhe vajtimeve, të cilat i ka hulumtuar, sistemuar dhe botuar në antologji e studime të thelluara. Kjo punë kërkimore nuk mbetet në nivel akademik; ajo shndërrohet në një depo të brendshme kujtese që ushqen imagjinatën dhe gjuhën e tij poetike. Tradita nuk shfaqet si citim i drejtpërdrejtë, por si frymë që rreh brenda tekstit, si një jehonë e lashtë që merr formë të re në fjalën artistike.

Anton Nikë Berisha - Prushi Pellegrini

  1. Këto rrënjë – miti, arti gojor, trashëgimia shpirtërore dhe përvoja vetjake – bashkohen me vetëdijen moderniste.

Realizmi magjik është vetë një rrymë moderne; ai lind si përgjigje ndaj krizës së kuptimit. Te Berisha kjo krizë nuk shndërrohet në ankth të errët. Ai e njeh brishtësinë e botës, por nuk ndalet tek fragmentimi. Zgjedh ta shohë realitetin si një organizëm të gjallë, ku misteri dhe përditshmëria marrin frymë së bashku, si dy krahë të të njëjtit trup.

Kështu, arti gojor është trualli, ndërsa realizmi magjik modern është pema që rritet mbi të. Rrënjët ushqehen nga legjenda dhe kënga, kurse kurora hapet drejt një vetëdijeje të përpunuar poetike. Nuk kemi kthim nostalgjik në një besim primitiv, por transformim estetik të tij – një përthyerje krijuese që e ruan thelbin dhe e rikrijon formën.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e kësaj poezie. Ajo nuk shpik mrekullinë; ajo e zbulon atë të fshehur në kujtesën e gjuhës dhe në thellësinë e përvojës njerëzore. Realizmi magjik nuk bie mbi tekst si një shtresë e huaj – ai ngrihet prej tij si prush nga hiri, i ngrohtë, i heshtur dhe i qëndrueshëm; është rezultat i një procesi të brendshëm të transformimit të përvojës në simbol. Për të kuptuar më qartë natyrën e këtij realizmi magjik në poemë, është e domosdoshme të përcaktohet edhe kuptimi teorik i vetë konceptit.

Realizmi magjik nuk është thjesht një model letrar apo një teknikë ndërtimi. Ai lind kur e zakonshmja hap një çarje të vogël dhe përmes saj hyn e padukshmja. Ngjarja mbetet tokësore, por mbi të bie një dritë tjetër. Sendet nuk ndryshojnë formë; ndryshon thellësia e tyre. Magjikja nuk shpallet dhe nuk kërkon shpjegim racional; ajo paraqitet si pjesë e natyrshme e rendit të botës. Ajo ndodh në heshtje, brenda një gjesti, brenda një kujtese, brenda një fjale që mban më shumë se kuptimin e saj të parë. Personazhet dhe zëri poetik nuk habiten prej saj, sepse ajo pranohet si një përmasë e zakonshme e përvojës.

Realja nuk mohohet; përkundrazi, bëhet më e dendur dhe bota nuk çrregullohet, por zgjerohet. Në këtë kuptim, realizmi magjik është një mënyrë e të parit: një sy që sheh përtej sipërfaqes pa e thyer sipërfaqen, një frymë që e ndien misterin si pjesë të natyrshme të përditshmërisë, ku elementi i mbinatyrshëm bashkëjeton me konkretësinë pa krijuar përplasje apo çudi.

Kjo perspektivë teorike na lejon ta lexojmë poemën jo thjesht si tekst figurativ, por si strukturë ku realja dhe e mbinatyrshmja bashkëjetojnë në të njëjtin sistem shprehës kuptimor, duke u pranuar si dy shtresa të së njëjtës përvojë jetësore dhe poetike.

 

I-Poema “Prushi i bukurisë” e Anton Nikë Berishës është një tekst ku realja dhe e mbinatyrshmja bashkëjetojnë thellësisht, si dy frymëmarrje të së njëjtës qenie. Në poemë, bukuria nuk është thjesht ndjesi estetike; ajo është prush, është dritë, është fuqi krijuese që lëviz mes tokës dhe qiellit. Pikërisht në këtë ndërthurje lind realizmi magjik. Kjo ndërthurje konkretizohet para së gjithash në mënyrën si përvoja intime zgjerohet drejt përmasave kozmike.

  1. Në poemë shndërrimi i reales në përmasë kozmike bëhet natyrshëm. Një nga vargjet më përfaqësuese është:

“Je drita e Hyjit që pareshtur lind

Në shpirtin tim dhe prushin e dashurisë e ndez” (f. 18)

Këtu kemi një përzierje të përvojës intime me përmasën hyjnore. Dashuria, një ndjenjë thellësisht njerëzore, përshkruhet si “dritë e Hyjit”, por kjo dritë nuk zbret si mrekulli e jashtme; ajo lind nga brendia e shpirtit si një energji. Kjo qasje buron nga tradita mistike dhe mitike, ku hyjnorja nuk është e ndarë nga njeriu, por është e pranishme brenda tij.

Realizmi magjik shfaqet këtu përmes natyralizimit të së shenjtës: askush nuk habitet që drita e Hyjit lind në shpirt; kjo shihet si gjendje e natyrshme e qenies.

E njëjta frymë thellohet në vargjet: “Nëpër damarët e mi rrjedh drita jote/si lumenj që zbresin nga qielli” (f. 19), ku trupi njerëzor bëhet hapësirë kozmike. Damari, real dhe biologjik, mbart dritë qiellore dhe kështu fshihet kufiri mes materies dhe të shenjtës. S’kemi ndarje mes tyre; ato bashkëjetojnë në një qarkullim të vetëm jetësor. Burimi i këtij motivi është mistik dhe mitik, sepse në traditat e lashta njeriu shihej si mikrokozmos.

Poeti e rikthen këtë ide me natyrshmëri të qetë, pa e shpallur si doktrinë dhe pikërisht kjo qetësi është shenjë e realizmit magjik.

  1. Nëse në rastin e parë përvoja intime zgjerohet drejt kozmosit, në rastin e dytë është vetë bukuria ajo që vepron mbi universin, Një pjesë domethënëse është:

“Zunë yjet nëpër qiell dhe i shpërndanë

Si kokrra drite nëpër netët tona” (f. 26)

Këtu subjekti poetik ose figura e bukurisë merr fuqi kozmike. Yjet “zunë” tëshpërndahen” si të ishin qenie të gjalla, çka përbën një tipar të qartë të realizmit magjik. Origjina e kësaj është folklorike dhe mitike. Në mitologjitë e vjetra heronjtë ndikojnë mbi qiellin dhe yjet. Poeti e rimerr këtë dukuri, e vendos brenda një përvoje dashurie, ku qielli nuk është më skenë legjende, por hapësirë intime.

Kjo logjikë poetike vazhdon në vargjet: “Qielli u përkul mbi ne/dhe na mbuloi me frymën e vet të kaltër” (f. 27). Këtu qielli nuk është sfond pasiv: ai përkulet, merr pjesë, vepron. Realja është hapësira qiellore; magjikja është akti i përkuljes dhe fryma që mbulon dy qenie njerëzore. Në shumë mite qielli paraqitet si qenie e gjallë, por në këtë poemë ai bëhet dëshmitar i dashurisë. S’kemi legjendë; kemi përvojë intime që merr përmasë universale.

  1. Realizmi magjik në këtë poemë nuk kufizohet vetëm në marrëdhënien trup–kozmos; ai depërton edhe në dimensionin e kujtesës dhe të brendësisë shpirtërore. Në disa vargje, e padukshmja merr trup dhe bëhet përvojë e prekshme:

“Magji e së kaluarës që frymon

Në gjakun tim si zë i pashuar” (f. 17)

Kujtesa dhe e kaluara marrin frymë dhe materializohen; ato nuk mbeten metafora të thata, por jetojnë në gjak, duke e bërë abstrakten të marrë trup pa e humbur misterin.

Këtu ndihet një burim i fortë arketipal: në kulturat e lashta gjaku mbart kujtesën e fisit dhe vijimësinë e shpirtit. Poeti e rikthen këtë simbolikë në një kontekst modern, ku magjia nuk vjen si iluzion, por si thellim i realitetit biologjik dhe shpirtëror.

Prania e gjallë e së kaluarës përforcohet në vargjet: “E kaluara më troket në kraharor/si zog që kërkon të hyjë brenda” (f. 21). E kaluara nuk është ide abstrakte: ajo troket, ka zë dhe lëvizje. Kujtesa merr formë të prekshme dhe trupore. Ky është realizëm magjik me burim arketipal, sepse në traditat e vjetra shpirtrat kthehen dhe kërkojnë hyrje. Poeti e shndërron këtë në përvojë të brendshme, shpirtërore.

  1. Drita në këtë poemë nuk mbetet zbukurim figurativ, por shfaqet si substancë që krijon dhe transformon. Vargjet:

“Si rreze drite që depërton terrin

Dhe zgjon farën e fjetur në tokë” (f. 18)

Drita paraqitet si forcë që vepron drejtpërdrejt mbi materien. Në strukturën e poemës, ajo ka fuqi ontologjike: krijon, zgjon, transformon.

Ky vizion lidhet me traditën biblike dhe mitet e krijimit, ku drita sjell jetën, por këtu ajo shfaqet me natyrshmërinë e përvojës së përditshme të dashurisë, asaj të brendshme.

E njëjta energji shfaqet në vargjet: “Drita jote çel në mua/si farë që shpërthen gurin” (f. 20), ku drita fiton një forcë pothuaj fizike. Ajo çan gurin dhe mbin brenda qenies. Realja është fara dhe guri; magjikja është shpërthimi i dritës në brendësi të tyre.

5.Të gjitha shtresat kuptimore të poemës përqendrohen në simbolin e prushit. Vetë titulli, “Prushi i bukurisë”, përmban një ndërthurje tipike të reales me magjiken. Prushi është element konkret, i prekshëm, pjesë e përditshmërisë, por njëkohësisht metaforë e energjisë së brendshme dhe e zjarrit që vazhdon të jetojë nën hi.

Në vargjet: “Në shpirtin tim dhe prushin e dashurisë e ndez” (f. 18), prushi shndërrohet në pikë takimi midis materies dhe shpirtit. Pra, nuk është vetëm mbetje e flakës, por bartës i një fuqie të heshtur që rri zgjuar në thellësi.

Ky simbol ka rrënjë të qarta te trashëgimia: prushi ruhet në vatër për të garantuar vazhdimësinë e jetës dhe të zjarrit të shtëpisë. Poeti e rimerr këtë element të kujtesës kolektive dhe e ngre në nivel estetik e ontologjik, duke e bërë shenjë, së pari, të përjetimit individual, pastaj dhe për tjetrin.

Kjo ide përforcohet në vargjet: “Prushi s’u shua as në terrin më të thellë / ai ruajti frymën e zjarrit në heshtje” (f. 23). Këtu prushi nuk është më një mbetje pas flakës, por një qenie simbolike, ruajtëse e energjisë dhe e dritës.

Magjikja lind pikërisht nga ky natyralizim i simbolit: një element i zakonshëm i realitetit paraqitet si bartës jete dhe fryme, pa e humbur konkretësinë.

Në “Prushi i bukurisë” të Anton Nikë Berisha realizmi magjik nuk shfaqet si teknikë e jashtme stilistike, por si mënyrë e vrojtimit të botës. Poema nuk i largohet realitetit; përkundrazi, ajo e thellon atë, duke zbuluar dimensionin e tij të brendshëm, misterioz. Realja zgjerohet deri në pikën ku përfshin magjiken si pjesë të natyrshme të qenies. Prushi bëhet kështu simbol i qëndrueshmërisë së bukurisë përballë errësirës. Ai është kujtesë, dashuri, energji e fshehtë që nuk shuhet, edhe kur flaka duket e zhdukur.

Në këtë kuptim, bukuria në poemë nuk është shkëlqim i menjëhershëm, por prush i brendshëm: digjet në heshtje, ruan frymën e jetës dhe qëndron në kufirin e padukshëm midis tokës dhe qiellit. Kjo është filozofia poetike e veprës: bukuria si energji e përhershme, e heshtur, por e pashuar. Pra, poema nuk flet vetëm për bukurinë, por për qëndrueshmërinë e qenies përballë kalimit të kohës.

 

II- Në “Prushin e bukurisë” nuk e përdoret magjikja si zbukurim i jashtëm apo si efekt i qëllimshëm stilistik; ai e lë atë të mbijë nga vetë realja, si një farë që çel nga brendia e qenies. Magjikja nuk e prish natyrën e sendeve, por ua zbulon thelbin e fshehtë, atë drithërimë të padukshme që i bën të ndryshme nga të tjerat, i mban gjallë. Në këtë mënyrë, poezia e krijon variantin përmes artit ajo e zbulon këtë botë më të thellë se sa duket.

  1. Trupi njerëzor në këtë poemë kalon përtej kufijve biologjikë dhe bëhet element kozmik, madje një nga tiparet më të forta të tij është kalimi i natyrshëm nga trupi në kozmos, pa thyerje dhe pa shpallje të bujshme.

“Nga gjoksi yt del një dritë

që i ndez yjet e mbrëmjes” (f. 18)

Është një akt fizikisht i pamundur, por brenda universit poetik pranohet si krejt i besueshëm dhe i natyrshëm. Drita e dashurisë shndërrohet në dritë kozmike dhe trupi njerëzor merr një fuqi krijuese që prek kufijtë e hyjnores. Ky vizion e ka burimin nga mitologjia e lashtë, ku trupi i njeriut shpesh përfytyrohet si mikrokozmos dhe si urë midis tokës dhe qiellit.

Në traditën ilire e ballkanike, por edhe në mitet e krijimit, njeriu lidhet me yjet, me zjarrin dhe me frymën kozmike, prandaj magjikja në poemë nuk është fantazi e lirë, por zgjerim metafizik i reales.

Po ashtu, në vargjet: “Trupi yt bëhet dritë e agimit/dhe zgjon gjumin e yjeve” (f. 64) trupi nuk mbetet më kufi biologjik, po shndërrohet në forcë kozmike që i “zgjon yjet”, sikur dashuria të kishte fuqinë e një agimi të ri. Akti i tillë është i pamundur në rrafshin konkret jetësor, por në universin poetik ai rrjedh dhe përfillet me natyrshmëri. Realja zgjerohet drejt kozmosit pa e humbur ngrohtësinë njerëzore, ndërsa magjikja lind pikërisht nga besimi i thellë se dashuria dhe bukuria kanë fuqi krijuese. Kështu trupi bëhet portë e dashurisë. Megjithatë, ky interpretim mbetet një nga mundësitë e leximit dhe nuk përjashton edhe mundësi të tjera leximi, që mund t’i shohin këto figura si intensifikim poetik pa domosdoshmërinë e një përmase metafizike të qëndrueshme.

  1. Figura e gjakut fiton një përmasë mitike, duke u shndërruar në zjarr të pashuar, madje te vargu: “Gjaku im digjet si prush/në hirin e kohëve” (f. 27). Gjaku mbetet element konkret dhe trupor, por në të njëjtën kohë fiton cilësi mitike, duke u shndërruar në një zjarr që nuk shuhet. Kjo figurë lidhet me kultin arkaik të zjarrit, me simbolikën e flijimit dhe me idenë e vazhdimësisë së jetës.

Në folklorin tonë zjarri është vatër, kujtesë dhe trashëgimi e gjallë. Në këtë varg edhe koha fiton materialitet – ajo ka “hi” – ndërsa gjaku merr përmasën e një pavdekësie të heshtur. Ja ku shfaqet realizmi magjik: realja (gjaku, koha) merr tipare të mbinatyrshme pa e humbur identitetin e vet tokësor, konkret.

  1. Në disa vargje poeti vendos një dialog të qetë me të padukshmen, me një prani që nuk shihet , si ngjet te vargjet:

 “Ti më flet nga thellësia e erës

dhe unë e dëgjoj zërin tënd në gur” (f. 41)

Era dhe guri janë elemente konkrete, por në universin poetik ato bëhen bartës të zërit dhe të kujtesës. Kjo e ka burimin nga animizmi folklorik: në besimet e hershme natyra flet, gurët ruajnë kujtesë dhe era bart shpirtra. Realizmi magjik qëndron në mënyrën e të shprehurit – poeti nuk thotë “më duket sikur”, por e shpall përvojën si fakt të jetuar. Ai e dëgjon, dhe lexuesi, pothuaj pa e vënë re, e pranon këtë rend të zgjeruar të realitetit; poezia nuk këmbëngul në mrekulli, ajo e përjeton atë. Edhe në vargjet: “Më flet heshtja/si një frymë që më prek ballin” (f. 76); heshtja merr zë dhe fryma bëhet e prekshme, duke kaluar nga abstraktja në përvojë trupore. Këtu s’kemi thjesht figurë stilistike, por një përjetim të plotë shqisor. E padukshmja trajtohet si realitet i natyrshëm dhe realizmi magjik shfaqet i qetë, pa bujë, si një gjendje e brendshme që lexuesi e pranon pa kundërshtim.

  1. Koha në këtë univers poetik nuk është sfond, por qenie që merr frymë mbi njeriun. P.sh. te vargjet:

 “Koha merr frymë mbi supet tona

si një qenie e gjallë” (f. 52)

koha personifikohet, por jo vetëm në planin retorik; ajo bëhet organizëm që merr frymë mbi njeriun. Ky është një tipar tipik i realizmit magjik, ku konceptet abstrakte zbresin në planin e qenies konkrete. Origjina e këtij motivi lidhet me mitet ciklike të kohës dhe me idenë e saj si fuqi që sundon jetën. Në kulturën tradicionale shqiptare, koha nuk është thjesht kalim, por fat, ritëm dhe frymë.

Të njëjtën qasje e thellon pjesa: “Koha rri zgjuar mbi ne/dhe na thërret me zë të heshtur” (f. 56), ku koha që “rri zgjuar” dhe “thërret”, nënkupton vetëdije njerëzore. Kjo nuk është vetëm personifikim retorik, por një zhvendosje ontologjike: koha bëhet subjekt veprues. Në realizmin magjik të Berishës ajo nuk është sfond, por prani e zgjuar — sy që vështron dhe zë që flet pa zë — duke i dhënë poezisë një frymëmarrje metafizike që, megjithatë, nuk shkëputet nga toka.

  1. Bukuria paraqitet si energji që digjet dhe qëndron përtej shuarjes. Vetë titulli i poemës është një figurë qendrore e realizmit magjik: “Prushi i bukurisë”. Bukuria nuk paraqitet si cilësi statike, por si zjarr në veprim.

“Bukuria jote mbetet prush

që nuk shuhet as në shi” (f. 63)

Bukuria fiton materialitet: ajo digjet, ajo qëndron, ajo qëndron. Kemi një ndërthurje të qartë të reales (bukuria njerëzore) me mitiken (zjarri i shenjtë, prushi i përjetshëm). Në shumë mite bukuria është fuqi hyjnore; te Berisha ajo shfaqet si energji ontologjike, si thelbi i ngrohtë që e mban botën të ndezur.

Po kështu dhe në vargjet: “Prushi yt mbetet i ndezur/edhe kur shiu bie mbi kujtimin” (f. 63); bukuria e materializuar si prush qëndron e gjallë; shiu – simbol i shuarjes- nuk arrin ta fikë. Këtu magjikja buron nga qëndrueshmëria e ndjenjës: realja (shiu, kujtimi) përzihet me të pamundurën (prushi që nuk shuhet), duke krijuar një dimension ontologjik të dashurisë.

  1. Vdekja në këtë poemë nuk përjetohet si mbyllje, por si transformim i dritës, madje mënyra si trajtohet ajo është një nga kulmet e realizmit magjik:

“Nuk vdes ajo që digjet në dritë,

vetëm shndërrohet në flakë tjetër” (f. 78)

Sigurisht që këtu s’kemi mohim të vdekjes, por zhvendosje të kuptimit të saj. Vdekja nuk paraqitet si ndërprerje, por si kalim; jo si mbyllje, por si transformim i energjisë. Ajo që digjet në dritë nuk shuhet, sepse ajo ndryshon trajtë. Në këtë vizion, qenia nuk zhduket, por kalon në një formë tjetër të pranisë.

Ky motiv lidhet me mitet e ringjalljes dhe me besimet e lashta mbi vazhdimësinë e shpirtit, por te poeti ai nuk paraqitet si doktrinë, as si besim i shpallur. Ai del natyrshëm nga përvoja e brendshme e dritës dhe e zjarrit. Magjikja lind pikërisht këtu: vdekja pranohet si fakt tokësor, por i hapet një horizont metafizik. Kufiri midis mbarimit dhe vazhdimësisë bëhet i tejdukshëm. Kështu, në universin e poemës, fundi nuk është heshtje absolute; është ndryshim i flakës.

  1. Në tekstij e poemës drita buron nga brendësia e qenies dhe nuk i nënshtrohet errësirës. Te vargjet:

“Nga brendësia ime del një dritë

që s’e shuajnë as netët më të thella” (f. 62)

drita nuk është thjesht fenomen fizik, por energji e qenies që kërkon të shpërfaqet. Ajo “del”, ajo vepron, ajo i qëndron errësirës.

Magjikja qëndron në këtë konkretësi të së padukshmes: drita e brendshme trajtohet si realitet i prekshëm, si një substancë që nuk e mposht nata. Në traditën shqiptare dhe në atë biblike, drita është shenjë e pranisë hyjnore; por këtu ajo nuk zbret nga qielli, ajo buron nga vetë njeriu. Kjo e zhvendos boshtin e magjikes: njeriu bëhet vatër drite, prush i gjallë që e mban botën ndezur nga brenda. Realja dhe metafizikja bashkëjetojnë në të njëjtin trup. Drita nuk është zbukurim i shpirtit; ajo është thelbi i tij.

Në një lexim alternativ këto mund të shihen figura të intensifikimit poetik të përvojës subjektive, pa domosdonë e një ngarkese të plotë ontologjike. Mirëpo, në të gjitha këto raste, magjikja nuk vjen si shpërthim fantastik apo si tronditje e rendit natyror. Ajo del nga brendia e realitetit, si një dritë që ndizet ngadalë në thellësi të sendeve dhe të qenies.

Në poemën “Prushi i bukurisë” realizmi magjik nuk është teknikë e shpikur, por mënyrë e të vështrimit dhe e të shprehurit të botës, e krijimit të varianteve të saj. Realja dhe magjikja nuk qëndrojnë përballë njëra-tjetrës; ato janë dy shtresa të së njëjtës frymë. Kur poeti thotë: “Në hirin e natës mbaj një yll/që më djeg si kujtim” (f. 84) ai nuk kërkon të na bindë për mrekullinë. Ai na kujton, me një qetësi të thellë, se mrekullia është e fshehur brenda përvojës njerëzore. Poema e bën të besueshme të pamundurën nga se e trajton si pjesë të natyrshme të jetës. “Prushi i bukurisë” digjet sepse jeta vetë është zjarr. Dhe vetëm ajo që digjet ka fuqi të ndriçojë.

 

III-Nëse e rilexojmë me kujdes gjithë poemën, gjejmë edhe shtresa të tjera të realizmit magjik, më të fshehta, më të qeta, por po aq të fuqishme në drithërimin e tyre të brendshëm. Ato nuk shpërthejnë me efekt spektakolar dhe nuk kërkojnë të mahnitin me forcë, përkundrazi, depërtojnë ngadalë, si dritë që kalon përmes hirit dhe e ndez atë nga brenda.

Po i vështroj disa prej tyre.

  1. Në disa vargje hija nuk është thjesht pasojë e dritës, ajo bëhet qenie me vullnet dhe me një lloj vetëdije të heshtur:

“Hija jote më prin në udhë

edhe kur drita është shuar” (f. 35)

Hija këtu vepron, udhëheq, merr përsipër një rol që zakonisht i përket dritës. Edhe kur drita mungon, hija vazhdon të jetojë dhe të orientojë, sikur të mbante brenda një kujtesë të pashuar. Ky është një element i qartë i realizmit magjik: realja – hija- fiton autonomi ontologjike. Në shumë besime të hershme hija identifikohej me shpirtin dhe humbja e saj barazohej me vdekjen e personit, me humbjen e jetës. Te poeti Berisha hija bëhet kujtesë dhe prani e dashurisë përtej mungesës fizike. Te vargjet: “Hija jote endet nëpër muret e mbrëmjes/si të kërkonte shtëpinë e vet” (f. 58) hija nuk është pasojë mekanike e dritës. Ajo “endet”, “kërkon”. Ka mall dhe drejtim. Realja është e thjeshtë: mbrëmja, muri, hija. Magjikja lind kur hija fiton vetëdije dhe qëllim. Ky është rikthim i një besimi arkaik ku hija identifikohej me shpirtin. Poeti nuk e thekson si çudi. Ai e thotë qetë, si një fakt të natyrshëm.

  1. Fjala në këtë univers poetik merr peshë materiale dhe bëhet zjarr. Në një moment poeti shkruan:

“Fjalët e tua bien mbi mua

si shkëndija zjarri” (f. 44)

Fjala është realitet gjuhësor, por këtu ajo fiton peshë materiale dhe fuqi vepruese: ajo djeg, prek, lë gjurmë. Kemi të bëjmë me një realizëm magjik që buron nga tradita shqiptare, ku fjala nuk është vetëm shenjë, por akt me pasoja- bekim, mallkim, shërim. Magjikja nuk qëndron jashtë gjuhës; ajo pulson brenda saj. E njëjta dukuri thellohet në vargjet: “Fjala jote më prek si flake/dhe në kraharor më lë prush” (f. 63) ku fjala nuk mbetet tingull, por bëhet përvojë trupore. Ajo prek, djeg dhe lë gjurmë në mishin e ndjesisë. Fjala nuk është thjesht metaforë e zjarrtë — ajo është vetë zjarr.

  1. Marrëdhënia me tokën zbulohet si një lidhje kujtese që nuk shuhet dhe kjo shfaqet në një nga shtresat më të bukura të poemës :

“Toka i ruan gjurmët e hapave tanë

edhe kur shiu i fshin” (f. 57)

Në përditshmëri kjo është e pamundur, por poeti e shqipton si të ishte një ligj i fshehtë i botës. Në traditat e lashta, toka është nënë, kujtesë dhe arkiv i jetëve njerëzore. Realja (shiu, gjurma) bashkohet me magjiken (kujtesa e përhershme e tokës), duke bërë që koha fizike dhe koha metafizike të ndërthuren në një plan të vetëm përjetimi.

  1. Në disa vargje ëndrra nuk paraqitet si iluzion kalimtar, por si dimension paralel i së njëjtës botë:

“Në ëndërr më flet më qartë

se në dritën e ditës” (f. 61)

Poeti bën një përmbysje të heshtur të rendit racional; realja nuk mbetet më kriteri i vetëm i së vërtetës, ndërsa ëndrra fiton epërsi njohëse dhe ndjenjësore. Ky motiv buron nga mitologjia dhe mistika, ku ëndrra shihej si mundësi komunikimi me të shenjtën. Në poemë, kufiri mes gjumit dhe zgjimit zbehet gradualisht dhe kjo zbehje është një nga shenjat më të pastra të realizmit magjik.

  1. Mungesa në këtë poemë fiton densitet pranie:

“Mungesa jote rri pranë meje

si frymë që s’e shoh” (f. 72)

Mungesa shndërrohet në prani me densitet ndjenjësor dhe pothuaj fizik. Kjo nuk është thjesht metaforë, por një koncept ontologjik i përpunuar poetikisht. Berisha e trajton mungesën si realitet aktiv që merr frymë pranë njeriut. Origjina e këtij motivi është njëherësh jetësore dhe mitike: në shumë besime tradicionale të vdekurit nuk zhduken, por qëndrojnë pranë.

Kjo filozofi e vazhdimësisë përforcohet nga vargjet: “Asgjë nuk humb në këtë dritë,/gjithçka vetëm ndërron flakë” (f. 83). Me këtë shfaqet qartë ideja e transformimit. Vdekja nuk përmendet si fund, por zbutet në një ndryshim drite. Këtu realizmi magjik bashkohet me mendimin metafizik dhe me besimet arkaike mbi ciklin e jetës: realja pranohet, por nuk mbyllet në kufirin biologjik – ajo kalon dhe transformohet.

  1. Zjarri në disa fragmente nuk paraqitet vetëm si element natyror, por si ndërmjetës mes botës së dukshme dhe asaj të padukshme:

Në prushin e natës

shoh fytyrën tënde të gjallë” (f. 83)

Prushi bëhet pasqyrë dhe mbartës kujtese, që lidhet me kultin e zjarrit në traditat ilire dhe ballkanike, ku zjarri ishte simbol i lidhjes mes të gjallëve dhe të vdekurve.

Magjikja ndërthuret me realen nga se prushi është konkret, por bart imazh shpirtëror. E njëjta dukuri shfaqet edhe në vargjet: “Në shpirt më mbetet një zjarr/që s’bëhet hi” (f. 71). Zjarri, ndonëse real, sfidon ligjin e natyrës dhe refuzon shuarjen. Këtu kemi ndërthurjen tipike të reales me të pamundurën: zjarri bëhet kujtesë, dashuri, bukuri – një vazhdimësi që nuk pranon mbyllje. Në trashëgiminë tonë vatra ruan fisin; në këtë poemë, zjarri ruan qenien. Magjikja nuk e prish realen, por e zgjeron drejt një ideje të heshtur pavdekësie.

Mund të thuhet se e gjithë poema është ndërtuar mbi një perceptim magjik të realitetit; autori nuk ndërton një botë fantastike të shkëputur nga toka; ai e thellon realen deri në pikën kur ajo fillon të shkëlqejë nga brenda.

Realizmi magjik këtu nuk do të thotë arratisje nga bota, por depërtim në thelbin e saj. Ndoshta kjo është arsyeja pse vargjet e kësaj poeme nuk na duken të pabesueshme, sepse ato nuk shpikin mrekullinë, por na kujtojnë me një zë të ulët se mrekullia ka qenë gjithmonë aty- në hijen, në tokën dhe në prushin e bukurisë.

 

  1. Realizmi magjik si frymë lidhjeje dhe vazhdimësie

 

Kur flasim për realizmin magjik në letërsinë tonë, është e natyrshme ta vendosim në një dialog me tradita të tjera, pse çdo realizëm magjik ka tokën e vet; ka kujtesën që e ushqen dhe horizontin që e ndriçon. Ai ndryshon sipas klimës shpirtërore ku lind dhe rritet.

1.Në një pjesë të poezisë evropiane, e çuditshmja hyn si një çarje e lehtë në sipërfaqen e reales. Bota zhvendoset nga boshti i saj. Siguria e përditshme duket e brishtë. Sendet humbin funksionin e zakonshëm. Koha përthyhet. Figura mitike shfaqen si hije të pavetëdijes. Te Franz Kafka, elementi i jashtëzakonshëm lind nga absurdi dhe çon drejt ndjenjës së alienimit. Te Günter Grass-i, fantastikja bëhet mënyrë për të rilexuar historinë dhe për të zbuluar plagë të fshehura.

Në këtë sfond “Prushi i bukurisë” i Anton Nikë Berishës qëndron ndryshe. Magjikja nuk vjen si çarje. Ajo nuk e përmbys botën. Ajo e thellon atë. Realiteti nuk bëhet i huaj, por më i ndjeshëm. Drita duket sikur del nga brendia e gjërave, si prush që ruan nxehtësinë nën hi. Këtu magjikja nuk është eksperiment estetik. Është mënyrë e të qenit.

  1. Në shumë poezi evropiane, magjikja lidhet me krizën moderne. Ajo lind nga fragmentimi dhe nga ndjenja e shkëputjes. Te Berisha ndodh e kundërta. Magjikja buron nga një besim i qetë në vazhdimësi. Është si rrjedha e nëndheshme e ujit që mban gjallë gjelbërimin. Drita, prushi, fara, toka dhe hija nuk janë shenja rrënimi. Janë nyje lidhjeje. Edhe kur flitet për mungesë apo vdekje, fjala ruan ngrohtësi. Humbja nuk është zbrazëti. Është shndërrim.
  2. Edhe marrëdhënia me mitin është e ndryshme. Në disa variante evropiane miti kthehet si fragment apo si citim kulturor. Ai krijon distancë. Te Berisha miti nuk është mbetje, relike. Është pjesë e gjallë e gjuhës. Hija që endet, zjarri që nuk shuhet, toka që ruan gjurmë – këto nuk shpallen e nuk merren si mite. Ato jetojnë si përjetime të natyrshme. Miti nuk vendoset mbi tekst si dekor. Ai rrjedh nga brenda e tij.
  3. Në traditën latino-amerikane, realizmi magjik merr një tjetër formë. Te Gabriel García Márquez, e mrekullueshmja bëhet pjesë e historisë së përbashkët. Te Isabel Allende, elementi i mbinatyrshëm lidhet me sagën familjare, ndërsa Alejo Carpentier flet për “lo real maravilloso”, ku mrekullia buron nga vetë realiteti historik dhe kulturor i tokës.

Në shumë prej këtyre veprave, magjikja mbart hijen e traumës historike. Ajo bëhet mënyrë për të përballuar dhimbjen.

Te Berisha s’kemi një univers narrativ të ndërtuar mbi ngjarje dramatike. Poezia nuk kërkon të tregojë histori. Ajo kërkon të zbulojë thellësi ose t’i krijojë ato përmes tekstit poetik. Magjikja nuk është nxitje e rrëfimit. Është gjendje e gjuhës.

  1. Dallimi më i thellë qëndron në marrëdhënien mes njeriut dhe universit. Në disa poezi të poetëve evropianë magjikja e thekson distancën. Njeriu ndihet i hedhur në një kozmos të heshtur. Te Berisha kjo distancë zvogëlohet. Bota afrohet. Njeriu nuk është i braktisur. Ai është pjesë e një frymëmarrjeje më të gjerë. Koha nuk është armik, është bashkudhëtare. Prushi ruan fytyrën e dashur dhe refuzon të bëhet hi.

Kjo frymë nuk është naive. Ajo e njeh errësirën dhe brishtësinë, por nuk i pranon si fund. Në thellësi mbetet bindja se realiteti mban një shtresë drite që nuk shuhet.

Pra, themi se realizmi magjik në poemën “Prushi i bukurisë” nuk është teknikë e huazuar dhe as imitim i modelit, por frymë që del nga toka e vet, nga kujtesa që nuk është barrë, por pasuri dhe nga një traditë që nuk rri e ngrirë, por ecën përkrah njeriut, të cilin e mbron dhe e ndriçon.

Sarandë, korrik 2022, shkurt 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.