PSE S’BESOJNË (S’DUHET TË BESOJNË) NË FE SHQIPTARËT

0
Llesh Ndoj

OPINION

Persiatje mendimesh

Nga Llesh NDOJ

Lexova në Facebook një shkrim shumë të bukur nga një mik virtual, personalitet i njohur i shoqërisë shqiptare të Kosovës, i cili kishte sjellë në vëmendje të ndjekësve një dokument të përkthyer në gjuhën shqipe dhe që bënte fjalë për një memorandum bashkëpunimi apo konvente për emigrimin e popullatës turke nga teritoret e ish – Jugosllavisë, por në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të besimit mysliman nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare që shtriheshin në tre vendbanime autoktone si Zeta, Morava dhe Vardari.

Në fillim e mendova atë si një dokument fort të hershëm, pasi e dija se një i tillë i përket vitit 1919, prandaj dhe e lexova me shumë kuriozitet. U zhgënjeva për vjetërsinë e tij, por jo mbi përmbajtjen. Dokumenti ishte i viteve dyzet të shekullit që sapo lamë pas, saktësisht i vitit 1938 dhe parashikonte veprime të mirëkordinuara, të ndërsjellta dhe të pajtuara mes të dy qeverive për të paktën 5 – 6 vitet vijuese (1938 – 1944), ndërsa brendia e saj ishte një dakortësim i pastër mes të dy shteteve kundër interesave të shqiptarëve. Disi e çuditshme më erdhi kjo, jo se nuk e njihja faktin se ato dy shtete ishin jo dashamirëse të shqiptarisë, e dëshmuar kjo nga jugosllavët në të gjithë ekzistencën e tyre, e nga turqit së paku deri në gjysmën e parë të shekullit të njëzet, por për nga termat e nxitjet fetare që i visheshin atij memorandumi isha më shumë se i çuditur, edhe disi i zemëruar.

Njihet se Turqia beson në fenë myslimane dhe e ka atë ideologji sunduese, edhe Serbia dhe e gjithë Lindja sllavo – ruse të tillë e ka ortodoksinë, por ajo marrëveshje e hapur kundër njerëzve, të drejtave e lirive të tyre, në “emër të Zotit”, drejtuar kundër shqiptarëve autoktonë në trojet e tyre, m’a pështjelloi më keq mendimin dhe besimin. Jo besimin tek Zoti, por tek fetë që e predikojnë sundimin e tij, sipas mënyrave dhe interesave të tyre, që vetëm me Zotin s’kanë të bëjnë. Ky çast mendimi më shtyu të kërkoj më tej e të kuptoj se ç’përfaqëson fjala “ortodoks” dhe vetë ortodoksia, për të cilat nuk është se dija diçka konkrete. Nuk u zhgënjeva nga fjala: Të gjitha fetë predikojnë drejtësinë e vërtetë, por dallojnë nga zbatimi praktik i tyre, sidomos prej shteteve përkatëse thellësisht jo laike, edhe me bekimin e nxitjen e fesë. Ortodoks përkthehet edhe i vendosur, fanatik apo sinonime me ruajtjen e pretenduar të së vërtetës.

Kjo persiatje mendimesh më hodhi natyrshëm tek ortodoksia greke, me bekimin e nxitjen e të cilës u krye masakra e njohur e shpërngulja masive dhe e dhunshme e shqiptarëve çamë nga trojet e tyre në Çamërinë shqiptare nën Greqi, më solli pastaj në mendje mallkimin e gjuhës e të shkronjave shqipe prej saj në Shqipëri, krahas bekimit e nxitjes së vijueshme të së ashtuquajturës lëvizje për Vorio – Epirin, apo për qëndrimin skandaloz të saj rreth detyrimit të hapur e të fshehtë të emigrantëve shqiptarë në Greqi që të ndryshojnë identitetin dhe jashtë çdo besimi, (pak besojmë, e mirë bëjmë ne shqiptarët!) t’i nënshtrohen riteve të fesë ortodokse, masë kjo si paraprijëse e politikave çnjerëzore të asimilimit të tyre përfundimtar.

M’u kujtua pastaj përkujdesja e tyre vijuese që në Jug të Shqipërisë sidomos, të ngrihen pafund kisha ortodokse, por pak ose aspak përkujdesje bëhen prej tyre për të nxitur shtetin grek të investojë aty në mënyrë që shqiptarët minoritarë grekë të jetojnë me dinjitet në trojet shqiptare, aty ku i ka lënë fati. Hodha sytë lart e pamjen m’a zuri kisha ortodokse greke e ngritur në qytetin e Lezhës, një investim i madh, por në vendin e gabuar e ndoshta me qëllime të djallëzuara, sepse Lezha nuk i numëron as njëqind ortodoksë (respekt për ta!), dhe një kishë minimaliste mund t’i përmbushte nevojat e tyre shpirtërore më së miri, por dyshoj se nuk ka qenë ky qëllimi i ideatorëve e investitorëve të asaj kishe – katedrale. Aty shërben një ish – komunist e fanatik në kuptimin e ruajtjes së deologjisë komuniste, ortodoks i besimit tek partia – shtet e kohës dhe tek Enveri, më shumë se tek Zoti, dhe që asnjë lidhje s’mund t’a ketë me fenë e besimin. Mirëpo në atë kishë as dhjetë vetë nuk hyjnë, qoftë edhe për pashkë e për krishtlindje.

Më tej, mendimi më barti tek myslimanët e tek shteti turk, e natyrshëm po kërkoja një përgjigje se pse Turqia nuk e njeh komunitetin e madh shqiptar atje, komunitet që thuhet se kap shifra prej afro 4 – 5 milion vetë, dhe të kujdeset që ata të jetojnë në Turqi si shqiptarë? Pse ai shtet i madh, pak ose aspak i nderon figurat e ndritura shqiptare që gjithë kontributin e tyre intelektual e njerëzor e investuan në atë vend? Pse investimet e vetme me peshë të saj në Shqipëri e Kosovë janë vetëm xhamiat e ndërtuara vend e pa vend dhe asgjë tjetër që sjell zhvillim real e të qëndrueshëm për shqiptarët? Natyrisht, duke e thënë këtë, nuk kam aspak qëllim të mohoj ndihmën turke për minimizimin e pasojave të tërmetit apo të tjera raste, sidomos përkrahjen e tyre rreth kërcënimeve serbe ndaj Kosovës, por gjithnjë ato i konsideroj pak për një shtet që e quajmë “vëlla”, e këto veprime më vijnë në kontrast edhe me pikat e një marrëveshje apo memorandumi si ai i sipër cituari.

Me të drejtë dikush mund të mendojë se unë po mbaj “në gji” fenë katolike dhe po e bëj këtë në kurriz të dy feve të tjera, që kanë numrin më të madh të besimtarëve në trojet shqipfolëse, jo vetëm në Shqipëri. Unë vërtetë jam katolik, por besoj vetëm në Zot, dhe përveç një kryqi në ballë, asnjë rit tjetër fetarë nuk njoh dhe nuk praktikoj, prandaj nuk kam asnjë paragjykim për asnjë besim tjetër, për më tepër, mos o Zot, të kem urrejtje. Ajo i përket djallit e ai, për fat, s’ka zënë vend tek unë edhe pse u rrita e u shkollova në presionin e “fesë së tij” të pafe.
Katolikët janë minoritet besimi në trojet shqipfolëse, por kjo nuk e thotë të gjithën, prandaj mbetet një pamje e cunguar e shpesh dashakeqe. Një ideologji, një besim apo gjithçka tjetër të ngjashme e bën të madhe apo të vogël, të vërtetë dhe të drejtë, apo mashtrim e jo të drejtë, mesazhi që përcjell e jo thjesht numri i anëtarëve.

Parë nga ky këndvështrim, i jap të drejtë vetes të jem krenarë me katolicizmin në tërësi e atë shqiptar në veçanti. Ndërkohë që ortodoksia e sëmurë e nacionaliste në Shqipëri, Greqi dhe ish – Jugosllavi (Kosovë, Maqedoni e Veriut e Mal të Zi) mallkonte dijen e shkronjat shqipe dhe përkrahte hapur shpërnguljen çnjerëzore të shqiptarëve nga trojet e tyre, klerikët katolik shqiptarë i shndërruan vendet e kultit në shkolla shqipe, vende ku edukohej e predikohej atdhedashuria dhe inkurajohej qëndresa; kur shtetet e këtyre vendeve me bekimin e feve zyrtare myslimane e ortodokse nxitnin edhe me dhunë konvertimin e shqiptarëve në myslimanë e ortodoksë, katolikët shqiptar predikonin se feja e shqiptarit është shqiptaria, se nëse evropa nuk na pranon se jemi myslimanë, ne “i shkrimë kryqet tona” për mbrojtjen e vëllezërve shqiptarë të besimit ndryshe, se “Gegë e toskë, malci jallia, jem një komb me u nda s’duron, / Fund e majë një asht Shqypnia, e një gjuhë t’gjith na bashkon…”, e të tjera qëndrime që kanë qenë edhe mbeten thjesht kombëtare.

Nuk është e nuk mund të jetë rastësi, që shqiptarët, ky popull kaq i vogël, i kanë dhënë vatikanit 8 papë me origjinë shqiptare që nga Eleuteri, Urbani I, Caius, Giovanini IV, Pali IV, Sisti V, deri tek Papa Klemendi XI e Papa Klementi i XII; nuk mund të jetë aspak rastësi, por rrjedhojë e qëndrimit thellësisht atdhetar të klerit katolik, që ata u persekutuan shtazërisht nga regjimi i Enver Hoxhës, as fakti i njohur që kjo kishë e vogël shqiptare i ka dhënë besimit katolik 38 martirë; nuk është për t’mos u evidentuar fakti se shteti aktual italian, aty ku ndodhet selia e botërore e katolicizmit, ka kryer investime në këtë vend pa asnjë motiv e prapaskenë fetare, se asnjë nga emigrantët shqiptarë atje, shumica të besimit jo katolik, nuk i është nënshtruar procedurave diskriminuese për shkak të besimit, apo të ushtrohet ndaj tyre ndonjë formë presioni për konvertim. Italianët erdhën të parët në Shqipërinë e trazuar të viteve të mbrapshta 1997 – 1998, duke na shpëtuar nga vetvrasja kolektive dhe u futën nga jugu në veri, nga lindja në perëndim të Shqipërisë pa veçuar askënd për shkak të besimit.

Po shtetet aktuale shqiptare në Shqipëri e Kosovë, pse tregohen më ortodokse se sa vetë ortodoksia?

Vëlla e quajnë Erdoganin, por asnjëri prej drejtuesve të lartë nuk e ngre çështjen e komunitetit shqiptarë që jeton atje, për t’i kërkuar ndihmë atij që ata të jetojnë aty ku janë dinjitetshëm dhe si shqiptarë, por i servilosen për ndërtimin e xhamijave me bollëk, a thua se shqiptarët vetëm atë kanë mangut. Pse nuk i kërkojmë Erdoganit të lerë mangut disa xhami në Kosovë e Shqipëri dhe të investojë në ndonjë projekt që shqiptarët e atjeshëm të ndjehen shqiptarë të besimit mysliman dhe jo turq me pahir? Pse ne jemi kaq “internacionalistë” e kurrë nuk flasim hapur për diskreminimin fetarë, që vazhdon edhe sot e kësaj dite në Greqinë fqinje?

Pse shteti e shoqëria shqiptare nuk i demaskon sa e si duhet nacionalizmat sllavo – serbe, që edhe sot e kësaj dite propogandojnë se ata “nuk kanë gjë me shqiptarët” dhe se konflikti i tyre është me turqit që banojnë, sipas tyre, në trojet serbe? Pse duhet t’i japim gjithçka gjithkujt e të mos pretendojmë reciprocitet prej tyre? A nuk është sot Gjykata Speciale e Hagës, ku ne i çuam me “vullnet” ajkën e kombit, e ku ata po trajtohen tmerresisht jo dinjitetshëm vetëm se janë shqiptarë, një “ortodoksi” e padrejtë e jona? A nuk është ortodoksia serbe që po e “komandon” atë gjykatë dhe po e tërheq Kosovën e Shqipërinë në lojërat e saj absurde që kanë mbetur ende në mesjetë?

Shumë pyetje ja drejtoj vetes e pres përgjigje nga “mali që s’bëzanë”, por edhe ai më duket është bërë “ortodoks” i thekur!

Lezhë, më 23.10.2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.