Promovimi i veprës letrare të poetit të njohur Avni Çunaku

0
Zymer Mehani - podium

Zymer Mehani, Data: e premte, 25 tetor 2024

Vendi: Instituti Albanologjik i Prishtinës (IAP)

Ora: 10:00

Sot, më 25 tetor 2024, u mbajt një ngjarje e veçantë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e cila shënoi promovimin e veprës letrare të poetit të njohur Avni Çunaku. Ky event, i organizuar me shumë përkushtim, bashkoi familjarë, miq, shkrimtarë, poetë dhe dashamirës të fjalës së bukur artistike.

Moderatorja e ngjarjes, vajza e poetit, Agnesa Çunaku hapi ceremoninë duke e mirëpritur publikun dhe duke theksuar rëndësinë e kontributit të Avni Çunakut në letërsinë shqiptare. Ajo e shprehu emocionin e saj për këtë ngjarje të veçantë, ku krijimtaria e babait të saj do të njihej dhe vlerësohej nga audienca.

Pjesa e parë e programit u përqendrua në prezentimin e veprës së poetit nga studjuesi dhe botuesi Zymer Mehani. Ai ofroi një panoramë të plotë mbi veprat e Çunakut, duke u fokusuar në ndikimin e tij në letërsinë moderne dhe rëndësinë që ato kanë për kulturën shqiptare.

Pas këtij prezantimi, prof. dr. Sadri Rexhepi mori fjalën për të diskutuar për veprën “Dragonjtë e lirisë”, një homazh për dëshmorët dhe martirët e Llapit. Ai ndau mendimet e tij mbi këtë vepër të rëndësishme, e cila reflekon përkushtimin e poetit ndaj atdheut.

Ngjarja vazhdoi me një recital dedikuar Skënderbeut nga aktorja Ilirida Ismajli, e cila emocionoi të pranishmit me interpretimin e saj të fuqishëm. Më pas, eksperti i inteligjencës emocionale dhe autori i shumë librave z. Vehbi Zeqiri e mori fjalën, me ç’rast përshëndeti të pranishmit dhe autorin Avni Çunaku duke e inkurajuar për punën e tij në sferën e poezisë, për t’i lënë radhë shkrimtarit Fadil H. Curri, i cili ndau mendimet e tij mbi poezitë e Avni Çunakut në vëllimin “Metafora të kryqëzuara”, duke theksuar thellësinë dhe bukurinë e tyre.

Prof. Qazim Berisha, një tjetër emër i njohur në letërsinë shqiptare, u ftua të flasë për veprën “Në krahë të atdheut”, duke e lidhur atë me identitetin shqiptar dhe traditat e pasura kulturore të Shqipërisë, Dardanisë, Iliridës dhe Çamërisë.

Më pas, Zymer Mehani u rikthye në podium për të dekoruar Avni Çunakun për kontributin e tij në letërsinë shqipe. Ky moment i veçantë u prit me duarrokitje të gjata nga publiku, që shprehte vlerësimin për krijimtarinë e tij.

Poeti Avni Çunaku, i emocionuar, mori fjalën për të ndarë disa mendime mbi rrugëtimin e tij letrar dhe frymëzimin që e udhëhoqi gjatë krijimit të veprave të tij. Ai falënderoi të pranishmit për mbështetje dhe u shpreh i lumtur që puna e tij po njihet dhe vlerësohet.

Në përmbyllje të ngjarjes, moderatorja shprehu mirënjohjen e saj ndaj të gjithë pjesëmarrësve për angazhimin dhe mbështetjen, duke theksuar se ky promovim ishte një moment i rëndësishëm jo vetëm për Avni Çunakun, por për të gjithë letërsinë shqiptare. Ngjarja u mbyll me shpresën për më shumë aktivitete kulturore që do të pasurojnë jetën letrare të vendit.

Promovimi i veprës së Avni Çunakut ishte një shembull i bukur se si letërsia mund të bashkojë njerëz dhe të krijojë një ambient të ngrohtë dhe frymëzues për të gjithë dashamirësit e artit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.