POETË ITALIANË TË SHEK. XX

0
Poezia italiane

Libri Poetë italianë të shek. XX, që po i jepet në dorë lexuesit shqiptar, është përmbledhja më e plotë poetike e botuar ndonjëherë në Kosovë nga kjo letërsi. Ky libër, i punuar dhe ripunuar në tërësi, është zhvilluar plotësisht me atë njohje të vazhdueshme që ka pasur lexuesi shqiptar me poezinë italiane nëpërmjet përkthimeve të shkëlqyera të Pashko Gjeçit dhe Ernest Koliqit, veçmas duke filluar nga i madhi Dante, Petrarca, Pascoli, D’Annunzio e deri në ditët e sotme.

Poezia italiane, ajo që është përfshirë në librin Poetë italianë të shek. XX, ku janë përfshirë 38 poetë me 222 poezi, është zhvilluar në vazhdën e traditës së madhe të poezisë italiane.

Poetët italianë të shekullit XX kanë dhënë një kontribut të çmuar, duke nxitur valë të reja e të fuqishme poetike. Ata kanë hapur rrugë e shtigje të reja në zhvillimin dhe emancipimin e poezisë italiane dhe në aspektin ndërkombëtar. Kjo shihet edhe në faktin se shumë rryma letrare evropiane, herë pas here edhe një pjesë e poezisë së sotme shqipe të Kosovës, janë referuar te poezia dhe poetët italianë të shekullit XX, të cilës i parapriu Giovanni Pascoli, poeti i “zemërdhimbshëm i vëllazërimit njerëzor” (E. Koliqi).

Në jetën e poezisë së re italiane, pra në poezinë e shekullit XX, kemi rryma të rëndësishme, të pasura, por, do të thoshim, edhe të komplikuara. Është kjo një kohë e një zhvillimi shumë të vrullshëm të poezisë italiane të re dhe më të re; kohë kjo kur janë afirmuar, në masë të konsiderueshme, poetë të rrymave dhe kundërrrymave të ndryshme — poetë që paraqesin kulmin e poezisë italiane dhe evropiane (Ungaretti, Montale, Quasimodo etj.).

Edhe pse nuk është më i vjetër se Ungaretti dhe Montale (disa përmbledhje i ka botuar para vitit 1915), këtu duhet patjetër të përmendim, madje në mënyrë të theksuar, edhe një poet italian të shekullit XX: ky është poeti Umberto Saba (1883–1957), për shkak të thellësisë dhe modernitetit të ligjërimit të tij poetik, të cilin vetëm pjesërisht e ka heshtur hermetizmi i shprehjes; ky poet me të drejtë duhet të renditet ndër lirikët më të mëdhenj italianë të shek. XX. Poezia e tij në Il Canzoniere (1945) veçohet nga lirika e kohës me veçantinë që ia jep thjeshtësia e drejtpërdrejtë dhe qartësia e komunikimit. Ky është një rrëfim i qëndrueshëm mbi ndjenjat elementare, roman lirik i llojit të veçantë mbi njeriun e vetmuar, dëshira e parealizueshme e të cilit ka qenë “të jetojë me jetën e të gjithëve, të jetë si gjithë njerëzit e të gjitha ditëve”.

Poezitë më të mira të Umberto Saba-s janë kronika intime autobiografike, evokim i drejtpërdrejtë i ambientit, përvojave personale dhe familjare, të vendlindjes, Triestës, vetëmisë, miqësive, dashurive. Modern për ndjeshmërinë njëkohësisht të thjeshtë dhe të përbërë, vargjet e veta Saba i ka shkruar sipas formulimeve tradicionale metrike (Parini, Leopardi), por edhe në frymën e poezisë moderne evropiane.

Më shumë se me teknikën zhurmëmadhe të revolucionit të avangardës futuriste, lirika halucinante dhe obsesive e Dino Campana-s (1885–1932), me shkrimin e saj fatkeq për absoluten, sot duket si pikënisje e vërtetë e poezisë moderne italiane. Është theksuar me të drejtë se ai dëshmon mbi fatin poetik dhe njerëzor, i cili, më mirë se shumë poetë të tjerë të një momenti kalimtar, shpreh mentalitetin e poetëve “të namur frëngë”, sidomos të Rimbaud-it, të cilët qëndrojnë në skajin e shoqërisë borgjeze dhe janë ndezur nga rebelimi në kërkim të lirikës plotësisht personale dhe të pastër.

Vincenzo Cardarelli (1887–1959), njëri ndër themeluesit e revistës La Ronda të Romës, që menjëherë pas luftës (1919–1923) kishte shpallur kthimin e rendit të disiplinës stilistike e formale klasiciste, shquhet si poet. Ky, jo vetëm në prozë por edhe në poezinë lirike (Poesie, 1936), e ka aplikuar në praktikë programin e “Rondos”. Këto poezi, relativisht të pakta në numër, shprehin disa tema qendrore dhe të përhershme, siç janë dashuria, ndjenja e vdekjes, e kohës dhe e peizazhit, të afirmuara në raportin dialektik me ndjenjën e indiferencës që ishte përhapur te shumë bashkëkohës të tij, kurse të konkretizuara në ligjërim konservator, të rezervuar, preciz — ideal i të cilit është klasicizmi i ri, kurse shembull — Leopardi.

Giuseppe Ungaretti (1888–1971), bashkë me Eugenio Montale (1896–1981) dhe Salvatore Quasimodo (1901–1968), përbën trininë e madhe të poetëve italianë të shek. XX. Këta poetë, të afirmuar dhe të çmuar edhe në planin ndërkombëtar, me veprën e tyre poetike të fuqishme, kanë krijuar një vizion të sintetizuar të botës së të gjitha kohëve. Ky synim i tyre vërehet në opusin e tyre poetik, në veprën e tyre poetike të madhe, që ka ushtruar një ndikim të madh në poezinë italiane më të re. Ky ndikim pozitiv më vonë është shtrirë edhe në planin ndërkombëtar, edhe te një pjesë e poezisë shqipe në Kosovë.

E frymëzuar nga humanizmi, nga ndjenja e vdekjes, nga dëshira fatale për harmoni të rrallë midis njeriut dhe gjithësisë, poezia e Ungarettit, lirikut dhe përfaqësuesit më të madh të hermetizmit midis dy luftërave, është një kaptinë e veçantë e poezisë italiane të këtij shekulli. Duke ndjekur gjurmët e përvojës së Mallarmé-së dhe Valéry-së, më shumë se cilido poet tjetër italian, Ungaretti i është afruar idealit të poezisë hermetike. Në strukturën e lirikës së tij fjala është simbol i emotivitetit të pastër, e rrethuar grafikisht “me qetësinë” e hapësirave të bardha; dykuptimësia e shpeshtë e fjalëve, e cila shpërthen nga qetësia e brendshme, dhe hermetizmi i saj poetik mbështeten në muzikën krejtësisht moderne, me sugjestivitetin magjik të tingujve dhe raporteve të papritura e të guximshme analogjike. Pas luftës, Ungaretti botoi edhe përmbledhjet La terra promessa (1950) dhe Un grido e paesaggi (1952), ku vërejmë eksperimentime të reja dhe kërkimin e shprehjes më komplekse.

Në lirikën e periudhës së hermetizmit dhe të lirikës moderne vend të shquar zë Eugenio Montale. Dallohet ndër poetët e tendencës moderne për precizitetin gati objektiv të pamjes lirike, për ashpërsinë e tingujve dhe për senzualitetin tonik të vargjeve, edhe pse karakteristikë e tyre është njëherazi edhe dykuptimësia e stërhollë e poezisë hermetike, prirja për evokimin fragmentar lirik dhe ndriçimi esencial i gjendjeve shpirtërore. Është theksuar me të drejtë, edhe në Historinë e Letërsisë Italiane, se ai është poet me originalitet të madh në kuadër të poezisë hermetike, në lirikën e të cilit shprehja dhe ndjeshmëria bashkohen në zgjidhje jashtëzakonisht moderne. Fitues i Çmimit Nobel për letërsi (1975), ai është emër i çmuar në Itali dhe Evropë, liberalist i spikatur dhe antifashist i paepur.

Një analizë e kujdesshme e krijimtarisë së tij poetike na zbulon dy elemente esenciale: i pari është vendlindja e tij, Liguria e mrekullueshme, dhe i dyti: shprehja e fisnikërisë iracionale, mbase e paformuar në mënyrë të përcaktuar, por esencialisht e ngritur në nivelin e njërës ndër poetikat më autentike të shekullit XX, e ndikuar nga Dante, Pascoli, Gozzano etj.

Një figurë tjetër e shquar e poezisë në Itali dhe jashtë saj u bë Salvatore Quasimodo. Ndjeshmëria e tij moderne mbi botën ka gjetur stil adekuat në ligjërimin e rrudhur, në të cilin pauzat, pamjet e guximshme e të papritura analogjike, pastaj shprehja e rrudhur në qenësoren sugjestive, zbulojnë domethënien plotësisht origjinale e mitike të fjalës së tij poetike. Lirik i mirëfilltë, që krijoi në vazhdën e hermetizmit italian, Quasimodo i ka kënduar me një forcë të rrallë poetike Sicilisë, dashurisë, lansimit të njeriut në kozmos, mërgimit të njeriut, intimitetit që përjetoi në Lombardi, luftës, dhunës, heshtjes etj. Fitues i Çmimit Nobel për letërsi (1959), ai ishte njëkohësisht edhe njohës i lirikës shqiptare.

Tregimtar dhe poet i shkëlqyeshëm italian është edhe Cesare Pavese (1908–1950), i cili nuk mund të renditet vetëm si bashkudhëtar i rrymës neorealiste. Si poet ai është paraqitur qysh më 1936 me përmbledhjen e poezive Lavorare stanca (Puna lodh). Për shkak të pikturimit realist të njerëzve dhe peizazheve, pastaj të elementeve narrative, ai i është kundërvënë në mënyrë polemizuese hermetizmit — atëherë dominant në poezinë italiane. Ato vargje përmbajnë motivet themelore të gjithë krijimtarisë së tij në prozë: kthimin në kodrinat e vendlindjes dhe në fëmijëri, kurse në të njëjtën kohë dëshirën për të ikur në qytet dhe ndjenjën e vetëmisë. Si poet dhe veprimtar antifashist ai ishte i internuar (1935–1936). Pas vetëvrasjes së tij u botua edhe përmbledhja e vargjeve Verrà la morte e avrà i tuoi occhi (Do të vijë vdekja dhe do t’i ketë sytë e tu, 1951).

Të periudhës më të re janë edhe poetët e shquar si Umberto Bellintani (1914–), Franco Fortini (1917–), Nelo Risi (1920–) etj.

Poezinë e Umberto Bellintanit, për shembull, e shquan një kompleksitet i pazakonshëm: angazhimi social, etik, ekzistencial. Ndërkaq Franco Fortini paraqet shembullin më eksklamativ antidogmatik që u paraqit në poezinë italiane të pasluftës. Kundërshtar i eksperimentimeve gjuhësore, ai u lidh me avangardën historike duke u influencuar edhe nga poezia e Montale-s, Brecht-it e ndonjë tjetri. Ligjërimi i tij poetik përcaktohet nga vizioni racional, lucid i realitetit bashkëkohor dhe është i ngjyrosur nga tendenca e fuqishme politiko-ideologjike (Foglio di via e altri versi, 1946; Una facile allegoria, 1954; Poesia ed errare, 1959).

Edhe poeti i kohës së re, i pasluftës, Nelo Risi, i përkthyer në mbi dhjetëra gjuhë të huaja, paraqet një figurë poetike të rëndësishme dhe specifike jo vetëm në poezinë italiane. Poezia e tij trajton aspekte të ndryshme të jetës së njeriut: nga Gjeneza deri në ditët e sotme. Edhe poezia e Margherita Guidacci-t (1921–), si poezi e periudhës së pasluftës, karakterizohet nga angazhimi i vërtetë moral; ajo shquhet për qartësinë verbale dhe parabolike duke gjetur mbështetje të fortë në aspektet dhe temat biblike universale.

Një valë e re poetësh nisi të afirmohej në kohën e pasluftës. Kjo valë e re poetësh (Cattafi, Vollario, Scotellaro, Accrocca e të tjerë) krijoi vlera të reja, të pamohueshme, në poezinë italiane. Poezinë e Bartolo Cattafi-t (1922–), për shembull, e shquajnë dy figura karakteristike: shpirti, simbol i ndërgjegjes njerëzore, dhe ashti, simbol i të vërtetës materiale. Ndërkaq poezinë e Saverio Vollarios (1922–) e karakterizon fryma satirike, ironia dhe nganjëherë fuqia epike. Rocco Scotellaro (1923–), gjithashtu është ndër figurat më emblematike të Jugut italian.

Edhe pse i lidhur me ritmin e tarantellës, fyellit dhe mitologjisë së cubave, ai ideologjikisht përfaqëson frymën e re, duke paralajmëruar, në mënyrë simbolike, agimin. I të njëjtës periudhë është edhe Elio Filippo Accrocca (1923–), i cili, përmes opusit të tij poetik, i ka bashkuar dy rryma letrare: rrymën neorealiste dhe atë internacionaliste. Këtë bashkim ai e ka arritur përmes një përtëritjeje formale të vargut. Në poezinë e këtij poeti të madh ka gjetur shprehje pastërtia formale e Ungarettit dhe çiltërsia tematike e Salvatore Quasimodo-s. Kjo shihet edhe te librat e poezive të tij (Portonaccio, 1949; Gaserma, 1950, 1951; Reliquia umana, 1955).

I një sensibiliteti modern është edhe poeti Gian Carlo Artoni (1923–). Ai është një poet i formuar jo vetëm nga poezia italiane e traditës, por edhe nga poezia japoneze, të cilën e ka përkthyer me kompetencë. “Ura” dhe “pipth-shartimi” janë dy figura poetike lapidare të këtij poeti.

Figura më përfaqësuese e poezisë teknologjike është Lamberto Pignotti (1926–). Poezia e këtij poeti shquhet për inventarin e ri tematik dhe gjuhësor që lidhet me radion, televizorin, kinemanë, gazetën, reklamën etj. Si e tillë kjo poezi ka ushtruar dhe po ushtron një ndikim të madh edhe në modifikimin e njeriut dhe botës.

E natyrës moderne është edhe poezia e Rolando Certa-s (1931–). Poezia e tij u këndon me sukses problemeve sociale, mafies, dialogjeve midis popujve të ndryshëm. Vokabulari i tij poetik është vokabular i një poeti dhe intelektuali të rrallë, siç është, për shembull, edhe vokabulari poetik i G. Scotti-t (1928–), Vincenzo Santangelo-s (1930) etj. Përndryshe, në librin Poezë italiane të shek. XX janë prezantuar poetët më përfaqësues të rrymave letrare italiane të këtij shekulli.

Le të shtojmë se në të janë prezantuar poetët që i përkasin avangardës historike (Corrado Govoni e të tjerë), traditës dhe përtëritjes (Umberto Saba, Vincenzo Cardarelli, Carlo Betocchi, Attilo Bertolucci, Sandro Pena), hermetizmit (Giuseppe Ungaretti, Eugenio Montale, Salvatore Quasimodo, Giulio Arcangeli, Leonardo Sinisgalli etj.), poezisë së pasluftës (Umberto Bellintani, Franco Fortini, Margherita Guidacci, Bartolo Cattafi, Saverio Vollario, Rocco Scotellaro, Elio Filippo Accrocca, Nelo Risi etj.), avangardës së re (Cesare Vivaldi, Lamberto Pignotti, Gian Carlo Artoni, Marcello Landi, Roberto Musoppi etj.).

Në këtë libër, megjithatë, nuk kanë hyrë shumë poetë që, për shembull, në ndonjë libër tjetër do të gjenin vend. Arsyet janë të shumta dhe objektive. Zgjedhja emblematike në kuptimin e zgjedhjes së emrave më përfaqësues nga secila tendencë, rrymë apo periudhë, ka qenë një nga arsyet më kryesore.

Radhitjen e poetëve italianë të këtij shekulli e kam bërë sipas dy kritereve: vitit të lindjes dhe rrymës letrare, që lidhen ngushtë mes veti.

Kujtoj se poezia italiane e prezantuar në librin Poetë italianë të shek. XX (me qëllim nuk e quajta as antologji as pasqyrë të poezisë italiane të shek. XX) mundëson njohjen mjaft të plotë të poezisë italiane të këtij shekulli. Kjo poezi, si vlerë, me të drejtë ka fituar një njohje dhe nderim jo vetëm në Itali, por edhe më gjerë. Ajo e ka vazhduar me dinjitet traditën e artit të pavdekshëm italian. Për nga struktura, mesazhi, porosia, përbërja, shprehja, stili dhe shumë veçori të tjera, dëshmon se ka një domethënie dhe vlerë universale. Prandaj pikërisht këto cilësi dhe vlera më kanë shtyrë t’i hy përkthimit, përshtatjes dhe rikëndimit të kësaj poezie të bukur. Kam punuar vite me radhë, pa përfundim, pa u lodhur, me një dashuri dhe përkushtim të madh. Sepse e di që për një libër si ky, në mjedise të tjera evropiane, do të angazhoheshin ekipe përkthyesish.

Në përpilimin e këtij libri tekst-bazë orientues e kam pasur antologjinë Poesia italiana contemporanea të Giacinto Spagnoletti-t. Kam shfrytëzuar edhe një literaturë tjetër të gjerë (qoftë veprat më të njohura të poetëve të prezantuar këtu, qoftë edhe kritika të ndryshme letrare). Në masë të konsiderueshme jam mbështetur në përvojën dhe vlerësimet e kritikëve të njohur letrarë italianë, siç janë Giacinto Spagnoletti, Giorgio Barberi Squarotti, Alberto Fratini etj.

Gjatë procesit të përkthimit, përshtatjes dhe rikëndimit, që gjithnjë e kam kuptuar si një proces rikrijues dhe mjaft të ndërlikuar, kam hasur në dilema dhe vështirësi të shumta. Kam insistuar, gjithnjë me ngulm, që poezitë, të shkruara me një vokabular poetik modern, të tingëllojnë sa më shqip.

Në fund, e falënderoj shumë Zef Nokën për kontributin në përgatitjen e këtij libri dhe për këmbënguljen e tij, si dhe shoqërinë time, që kjo vepër, pas shumë vitesh që është përkthyer, të botohet.

Isak Ahmeti, Stubëll, 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.