Nga: Isak A H M E T I
Këto ditë vendosa në tavolinën time të punës një kontigjent librash, që m’i kanë dhuruar me dedikim të veçantë, shkrimtarët nga hapësira mbarëshqiptare. Në mesin e këtyre librave është edhe libri me poezi lirike: MJELLMË NË MJEGULL (2017), e poetes Rakela Zoga, poezinë e të cilës e kam përcjellë dhe lexuar me shumë kënaqësi edhe nëpër portale të ndryshme.
Këtë libër e kam lexuar me shumë kënaqësi.
Është libër i realizuar artistikisht. Është libër interesant, me vlerë. Aty frymon shpirti dhe zemra e poetes. Të kënaq zemrën dhe shpirtin, përçon ide sublime, universale.
Rakela është poete e shpirtit,e zemrës, e mallit, e dashurisë, e dhembjes por edhe e ëndrrave.
Sa herë që e kam lexuar këtë libër, sidomos tash kur jam në vetmi, jam ndie bukur shpirtërisht dhe fizikisht, plot shëndet!…
Demir Gjergji, redaktor i librit: MJELLMË NË MJEGULL, jo rastësisht, do shkruajë, ndër të tjera, edhe këtë:
“Dantellat e borës vallazojnë mbi flokët e saj, malli fryn në frymëmarrje. Kristale prej asaj bore i bien mbi qerpikë… Shkrijnë për t’u bashkuar me bulëzat e lotëve. Prag fëmijërie në një ag të bardhë dimri. Zonja me shpirt të bukur, poetja çapitet drejt hyrjes, sikur po futet në fëmijëri. Brenda janë të gjithë:disa në kujtesë, disa në jetë. Të gjithë e përqafojnë si të ishte ajo çupka çapkëne, që u nis tinëz drejt enigmave të detit të jetës. Një zë e thërret nga jashtë: “Rakelaaaaa!“. Është era, gjëmimet e moteve, apo Ai, Princi i kaltër i ëndrrave, i dashurisë, i dhimbjeve?
“Ç’erë të solli sërish në kujtesën time?
Kujtimet si fije të bardha dëbore.
Mbuluan gjithçka.
Dikur e munda dimrin e ndjenjës,
Tani era e sjell si behar”
Poetja korçare, mikja ime, Rakela Zoga “…e qelqtë, tepër e sinqertë” te poezia KORÇËS (fq. 88), do këndojë bukur, me zemër e shpirt ktistal:
“Sa herë që vij te ti,
Me ndizen zjarre brenda vetes.
Dua t’i ngroh gjithë miqtë e mi,
Me flakët që më ndizen në zemër.
…
Korçë!
Sa herë vij te ti,
Kërkoj të ndjej veç dashuri!“.
Poezia e Rakelës, shkruan poeti Demir Gjergji, del natyrshëm prej shpirtit, si fryma. Duke vrapuar drejt saj, ajo vrapon drejt dashurisë, drejt vetes, drejt botës, por edhe drejt trishtimeve, plagëve, dhimbjeve… Se kështu qenka bota, për ata që shfaqen të kthjellët, me shpirt të bukur e të tejdukshëm si kristal… siç është edhe Rakela…