8.5 C
Tirana
E hënë, 16 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Optika e ndjeshmërisë së rrëfimit – Rreth librit “Varri nën dardhë” të...

Optika e ndjeshmërisë së rrëfimit – Rreth librit “Varri nën dardhë” të autorit Gjon Marku

0
Gjon Marku - Varri nën dardhë

Nga LEK SHTIJA

Pas studimesh të kryera në vepra letrare, monografi e vepra të dorës së parë si “Ndërfana”, kolanës së mirënjohur e të mirëpritur “Mirdita – intervista”, botimit të studimit “Mirdita në vizionin filatelik”, Gjon Marku na paraqitet me një “buqetë” tregimesh të përmbledhura në vëllimin “Varri nën dardhë”, ku bindemi se nuk kemi të bëjmë me një prozë të parë, pasi autori ka dhuruar edhe një vëllim tjetër përpara këtij: “Njeriu që vinte dhe ikte natën”.

Një tufë me tregime në formën e një “libri xhepi” mjaft interesant, ku do të veçojmë tregimin që i dha edhe titullin librit, i cili në formën e një akt-akuze artistike denoncon sistemin totalitar. Me një frazë të zgjedhur ai shpreh revoltën e tij të brendshme. Citoj: “…Nëna më tha që s’duhej ta përshëndesja nëpër qytet dhe pse ishim kushërinj të afërt. Sipas saj të njëjtën gjë do të bënte edhe ai. Kurrë nuk do të më përshëndeste. Bëj sikur nuk e njeh, biri im. Kështu bënte edhe yt atë…”.

Për të vazhduar me tregimin “Zana”, një prozë e guximshme e autorit për “hyjnizimin” dhe “mitifikimin” e dashurisë, një platonizëm i vërtetë i ndërtuar artistikisht shumë bukur me një peizazh mjaft funksional. Apo tregimi “Bulleci”, të cilin mund ta cilësoj antologjik për simbolikën që mban.

Por unë nuk do të ndalem në krijimtarinë e këtij autori në tërësi, madje as në të gjitha tregimet e tij, por vetëm në librin e fundit “Varri nën dardhë”, i cili, më së pari gjithsesi, përcillet prej një kërkimi dhe ballafaqohet në botën e frymëzimit. Librin e karakterizon pikërisht një sinqeritet spontan e i ëmbël dhe një autentizëm i natyrshëm.

Gjon Marku e nis librin e tij me tregimin “Fshati në male”, ku duket se kërkon të eglendiset me një fabul krejt të zakonshme, por dalëngadalë ballafaqohesh me skena interesante, me fjali të latuara me kujdes, me një ndërtim të veçantë dhe qartësi në përcjelljen e mesazhit.

Fredi dhe kamarierja ndodhen në një rrugë të përbashkët. Banakierja merr atë që meriton në mullirin e vjetër e djali i vogël falënderon Fredin për dhuratën që i jep. Për të komunikuar këndshëm aty janë vendosur funksionalisht nuselalet, mulliri i vjetër dhe oda e miqve. Fredi, kur po kalon qemerin e derës së kullës, i duket se “po kalon pragun e një monumenti të madh”.

Autori në qenësinë e porosisë njerëzore gjendet gjithnjë brenda optikës së vet, i ndjeshëm dhe prekës; kjo më së miri duket në tregimin “Xhaketa”, ku autori sikurse i jep shpirt çdo gjëje që prek. Padyshim është njëri ndër tregimet më të bukura, ku ditëlindja dhe ditëvdekja janë aq pranë njëra-tjetrës.

Ndoshta qëllimi është një homazh për kirurgun Agim Qarri, i cili vdiq në rrugë për të shpëtuar jetën e të tjerëve, ose për ish-moshatarët e autorit, të cilët vdesin nga një aksident automobilistik. Xhaketa e Gjinit gjithsesi është zgjedhur si mjet artistik për të trajtuar dashurinë e Mentor-Alma, të këputur pa lulëzuar plotësisht. Këputet si një lot nga syri.

Këtu vihet re një fenomen i veçantë. Pikërisht atëherë, kur mendon se autori e ka thënë edhe fjalën e fundit, fare spontanisht zbulon një dimension të ri të domosdoshëm. Momenti më prekës, kthimi i xhaketës pas pesë vitesh të vdekjes së Mentorit nga ish-e dashura e tij, Alma, pikërisht në ditëlindjen e tij, vjen si homazh, por edhe si një kujtesë.

Një fabul interesante e trajtuar në mënyrë të kujdesshme vjen në tregimin “Varri nën dardhë”. Autori i bën një konceptim filozofik traditës nëpërmjet simbolikës së përdorur. Harmonizimi i këndshëm i ndërtimit dhe përcjelljes me fjalorin e zgjedhur dhe të kujdesshëm, që të krijon emocione, mendoj se e bëjnë këtë tregim antologjik. Vihet re natyrshmëria dhe individualiteti krijues.

Përballë njëri-tjetrit Dom Pali e Gjergji, në tregimin “Kisha e vjetër”, ashtu si vihen përballë Kisha dhe Shtëpia e Kulturës, pavarësisht se janë i njëjti vend. Autori me një shkathtësi në komunikimin e drejtpërdrejtë e fut lexuesin në një mjedis inert, ku kryqi i ateizmit vihet përballë traditës dhe “modernes”.

Të gjitha këto ndjehen në një udhëtim takimesh të përhershme në një kohë absurdesh. Formimi i autoritetit si studiues i jep mundësinë të kthejë në art të vërtetën e dhimbshme të një kohe absurde, të diktaturës, pra “prishjen e kishave”, ku gjendej kultura jonë, historia jonë, arkivat tona të hershme.

Tregimi është i ndërtuar mjaft bukur. Në ëndërr, drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Gjergji, përballet me Dom Palin (hije), ku autori Gjon Marku, nëpërmjet dialogut, zgjon kujtesën historike dhe njëkohësisht përcjell mesazhin filozofik.

Citoj nga tregimi:

“Përse, biri im? Ku e keni bërë kishën? Kjo ka tash njëqind vjet kishë, përse e keni ndryshuar? Ku e keni kryqin, biri im? Përse jeni veshur kështu? Ku janë ikonat? Përse këmbanën e keni varur në atë kumbull të thatë?

– Dom… këtu është Qendra e Kulturës – i përgjigjet Gjergji…”

Me një mesazh të qartë e me një simbolikë interesante përcillet tregimi “Kutia e duhanit”. Autori mundohet të hetojë, të zërë dhe të fiksojë një grimcë lëvizjeje të brendshme. Prirja për të rrëfyer thjeshtë, por për të ndriçuar thellësisht dhe përsosur vlerat e traditës dhe zakonet, vijnë në këtë tregim të ndërtuara me shumë kujdes, ku çdo fjalë vihet në vendin e duhur.

Vlerësoj kurajën intelektuale të autorit për një temë kaq shumë të artikuluar. Kutia e duhanit është një figurë komplekse ku derdhen dhe gërshetohen një mori nuancash shpirtërore, një pasuri e pashterrshme e botës dhe e shpirtit njerëzor. Prapa saj vjen malësori i ngarkuar me peshën e rëndë të gjakut, ku fishkëllen ndjenja e hakmarrjes dhe madhështia e fjalës.

Duhet thënë se tregime si “Kulla në Shëngjergj” janë nga ato që të bëjnë për vete dhe që mbahen mend gjatë. Humbja e kullës dhe lindja e djalit, vrasja e gjaksit dhe dasma, ku janë dhënë bukur elementët e traditës, veçanërisht përcjellja natën me pisha të ndezura, me fjalorin dhe mitet e një nate të ankthshme — të gjitha këto cilësi janë të derdhura si në një sintezë të tërësishme.

Veçanërisht vihet re një peizazh funksional ku gjenden shumë togfjalësha të përdorur si mjet artistik me theks dialektor, por me përdorim të matur e të kujdesshëm, si “thirravaj i zogakeqit” etj.

Autori është i ndjeshëm dhe kjo ndjeshmëri e tij më së shumti pikaset në tregimet “Martini”, “Tregtari i qumështit”, “Kroi i ëndrrës” dhe “Vetmi”. Në tregimin e titulluar “Martini” autori vë në themel tradhtinë bashkëshortore dhe pasojat që rrjedhin si produkt. Tregimi zhvillohet dhe ndërtohet në një mënyrë tepër të këndshme. Emocioni të shoqëron gjatë gjithë leximit të tregimit. Është natyra e tillë e tregimit, e cila edhe kur nuk mbart me vete ndonjë simbolikë, prapë është prezente dhe jeton si vlerë arti, si në mënyrën e të shprehurit, ashtu edhe në ndërtimin e tregimit.

Autori kërkon të krijojë një thyerje dhe hyn në konfliktin e brezave, fenomen që ndodh rëndom, por gjithsesi një trajtesë model në këtë tregim. Maksima dhe metafora janë mjetet artistike që vënë në lëvizje dhe më të arrirat në këtë tregim, sidomos ato vihen re në momentin e banjos së qenit “Flori” dhe reagimin e xha Cenit. Largimi i prindërve nga shtëpia e djalit dhe flakja e qenit nga dritarja është thelbi, apo kulmi i kontraditës.

Autori nuk mund të anashkalojë dhe të jetë i pavëmendshëm ndaj fenomenit të demotivimit të administratës për punë në ditët e sotme. Spekulimi, servilizmi dhe amoraliteti përcillen me humor të hollë në tregimin “Lojë bixhozi”, tregim ku përdoren me sukses mjetet e satirës.

Një flirt dashurie përshkruhet mrekullisht dhe mjeshtërisht në subjektin e tregimit “Olimpiada e biologjisë”. Dilema e nxënësit dhe dueli i tij i brendshëm me vetveten nga njëra anë, dhe mësuesja që e admiron dhe e simpatizon në anën tjetër, zgjidhet në hotelin “Mondial”. Autori është elegant dhe i kujdesshëm në këtë tregim të veçantë.

Autori vë në lojë kohën e paradokseve, kur një gjysmë i shkolluar, i ngopur me vese, i është mbushur mendja të bëhet deputet. I thënë ndryshe “një servil bëhet me fëmijë”, por këtë “deputet” e nervozojnë fjalët e një plaku, i cili me humor të hollë e quan “Durdall”, ashtu si dhe të birin që gjithashtu lufton dhe në fakt bëhet deputet. Pra, plaku i quan as të mençur, as budallenj pikërisht ata që lëçisin emrin e tyre në vend të pamerituar.

Nëse vuajtja e brendshme shpirtërore dhe ndëshkimi zënë vend në tregimin “Martini”, në tregimin tjetër të këtij libri, “Tregtari i qumështit”, duket se kemi të bëjmë me një trini: me vuajtjen dhe dhimbjen te Samiu, mëshirën dhe faljen te përgjegjësi dhe makinën shtetërore të personifikuar në nëpunësin sa të gjerë aq të gjatë.

Fabula këtu përshkohet me një sentiment të jashtëzakonshëm dhe me shumë ndjenjë. Vlen të theksohet përshkrimi i luginës, në mes të maleve deri në qytetin e vogël, ku Samiu shiste qumështin. Kaq funksional është peizazhi, sa që duket sikur Samiu në gjendjen dhe tronditjen e tij shpirtërore është e njëjta gjë me peizazhin e luginës dhe lumin e rrëmbyeshëm e dallgëzues.

Autori përshkruan në mënyrë brilante dhimbjen e një nëne për djalin e vetëm, duke e ngritur tregimin e tij deri në kufijtë e legjendës. Ai hulumton në psikologjinë e kësaj nëne, e cila ka mbetur pa të fundmen shpresë të saj. Tregimi ka dhe dhimbjen, ndjenjën, emocionin, por edhe dashurinë, e cila drejtohet si frymë “platonizmi”.

Ndoshta autori ka dashur ta mbajë në intensitet lexuesin dhe jo pa qëllim sjell edhe një tregim tepër të ndjeshëm, i cili në fakt e vë në fund të librit, pra tregimin “Vetmi”, të cilin unë e çmoj dhe e vlerësoj si më të zgjedhurin tregim në këtë përmbledhje.

Një dramë e vërtetë e përmbledhur në pak faqe. Të ngërthyera në njëra-tjetrën jeta dhe vdekja, të përshkruara me mjaft sqimë dhe me shumë emocion. Nuk ndodh ta lexosh këtë rrëfenjë e të mos përlotesh. Vdes nëna dhe lindin dy djem; humbja është e madhe dhe dhimbja është e thellë. Burri përjeton vetminë dhe fëmijët vuajnë.

Dionisi i vogël i sëmurë kërkon të vejë te varri i të ëmës; ashtu nëpër kllapi ai mendon se ajo ka ftohtë, në fakt vetë ai po ftohet. I vëllai kërkon që ai të mos bindet, por të luftojë fort me vdekjen. Këtu kemi një interlokacion emocionesh.

Autori, nëpërmjet një mënyre origjinale, organizon strukturën në veprën e tij dhe komunikon në një mënyrë të shkathët e të lirshme, bindëse, me një gjuhë të zgjedhur, duke mbajtur në një lidhje të fortë dhe logjike, nga fillimi në fund, veprën e tij.

Në mënyrë të vazhdueshme ai duket sikur studion mënyrën e të shprehurit; gjithsesi mundohet të gjejë shprehje të kondensuara, të kursyera, ku fjala merr një fuqi më të madhe shprehëse. Ai kujdeset ta limojë me kujdes frazën deri në përsosje, duke arritur kështu një mënyrë autentike dhe origjinale të të rrëfyerit dhe të të komunikuarit.

Dërgoi për publikim Kosta Prendi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.