17.3 C
Tirana
E hënë, 13 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj “Nxënësi është e ardhmja” i autores Lendita Uka Ibishi

“Nxënësi është e ardhmja” i autores Lendita Uka Ibishi

0
Lendita Uka Ibishi - Nxënësi është e ardhmja

Sot, më 07.04.2026, doli nga shtypi libri me titull “Nxënësi është e ardhmja” i autores Lendita Uka Ibishi. Librin e shtypi shtypshkronja “PrintingPress” në Prishtinë, me pronarë vëllezërit Arian dhe Adrian Mumxhiu.

Hysen Ibrahimi Hysen Ibrahimi, redaktor i librit – recension për librin “Nxënësi është e ardhmja” të autores Lendita Uka Ibishi, i nxjerrë nga libri i autores.

AUTORJA E LIBRIT LENDITA UKA IBISHI, DUKE QENË E NDËRGJEGJSHME PËR ROLIN THEMELOR QË ARSIMI LUAN NË ZHVILLIMIN INDIVIDUAL DHE SHOQËROR, I QASET KËSAJ VEPRE TË TITULLUAR “NXËNËSI ËSHTË E ARDHMJA” ME NJË VIZION TË ARTIKULUAR QARTË PEDAGOGJIK DHE EDUKATIV

Libri “Nxënësi është e ardhmja” i autores Lendita Uka Ibishi hapet që në kapitullin e parë si një udhërrëfyes i duhur për nxënësit, duke ngritur pyetjen thelbësore mbi domosdoshmërinë e arsimit dhe rolin jetik të dijes në formimin e njeriut. Përmes shpjegimit të qartë mbështetur në përvojën profesionale, autorja thekson se mësimi nuk është vetëm përvetësim njohurish, por një dritare që na ndihmon ta kuptojmë botën dhe vetveten.

Me ndjeshmëri dhe përgjegjësi shoqërore, ajo ndalet te sfidat e vajzave për t’u arsimuar dikur dhe sot, duke sjellë shembuj domethënës dhe duke vënë në pah rëndësinë e shkollimit të tyre. Në këtë rrugëtim reflektues, autorja konstaton se sa më shumë dritë të shpërndajë arsimi, aq më pak errësirë do të mbetet në shoqëri.

Libri trajton gjithashtu misionin fisnik të mësimdhënësit, qasjen e tij ndaj nxënësve dhe afërsinë njerëzore që ndërtohet në procesin mësimor. Me të drejtë, autorja e konsideron mësuesin si prindin e dytë të nxënësit, figurë udhëzuese dhe mbështetëse në rrugën e dijes. Nëpërmjet reflektimeve të saj, lexuesi vihet përballë pyetjes thelbësore: si do të dukej një shtet pa arsim dhe pa kulturë? Pa shkolla nuk do të kishte mjekë, mësues dhe inxhinierë; dhe shoqëria do të mbetej e paaftë për t’i zgjidhur problemet e veta.

Në kapitullin e dytë, autorja hap një temë të ndjeshme dhe thellësisht njerëzore, “Fëmijët midis ëndrrave të tyre dhe peshës së të rriturve”, duke përshkruar botën e brishtë të fëmijërisë, ku ëndrrat lindin të lehta si flluska që ngrihen drejt qiellit. Ajo vazhdon me këshilla të vyera për nxënësit, duke e parë shkollën si strehë e jo si barrë, si vend ku fëmija duhet të ndihet i sigurt dhe i pranuar. Në këtë frymë, trajtohet edhe tema e barazisë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, duke përcjellë mesazhin e pranimit dhe respektit për secilin individ.

Kapitulli i tretë i librit rikthen në kujtesë një nga plagët më të rënda të historisë sonë të afërt: helmimin e nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Dardanisë nga një regjim kriminal. Kjo ngjarje, të cilën autorja e ka përjetuar si dëshmitare e drejtpërdrejtë, nuk trajtohet thjesht si fakt historik, por si plagë e hapur, si dëshmi e dhimbshme dhe si premtim se harresa nuk do të lejohet. Është një thirrje për kujtesë kolektive dhe ndërgjegje kombëtare.

Në vijim, autorja e librit, shënon me nderim Ditën e Alfabetit Shqiptar, 14–22 Nëntor 1908, një datë që duhet të ishte e ngulitur në vetëdijen e çdo shqiptari si një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Në kapitullin e katërt, autorja ndalet te ngjarjet tragjike të spastrimeve etnike dhe të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore në Dardani. Mes dhimbjes dhe kujtesës historike, ajo ngre zërin e mirënjohjes së thellë ndaj motrave dhe vëllezërve tanë në Shqipëri, të cilët gjatë luftës në vitet 1998-1999 ofruan solidaritet, mbështetje dhe strehë të sigurt, duke u shndërruar në një shtyllë shprese në kohët më të errëta.

Në kapitullin e pestë, duke u mbështetur në përvojën e saj profesionale, autorja thekson se shkolla nuk duhet të njolloset nga ngjyrat politike, por të ndriçohet nga ngjyrat e dijes, vlerave, bashkimit dhe mirëkuptimit, duke mbetur hapësirë e shenjtë e edukimit dhe e formimit njerëzor.

Ndaj, autorja e librit, Lendita Uka Ibishi, duke qenë e ndërgjegjshme për rolin themelor që arsimi luan në zhvillimin individual dhe shoqëror, i qaset kësaj vepre të titulluar ”NXËNËSI ËSHTË E ARDHMJA” me një vizion të artikuluar qartë pedagogjik dhe edukativ. Duke e konceptuar arsimin, jo vetëm si një nga shtyllat kryesore të formimit të individit, por edhe si një proces kompleks që mundëson zhvillimin intelektual të nxënësit, kultivimin e të menduarit kritik dhe aftësinë për analizë racionale të realitetit shoqëror, kulturor dhe edukativ. Autorja me veprën e saj ”NXËNËSI ËSHTË E ARDHMJA” ndërton një qasje reflektuese, të përgjegjshme dhe të bazuar në përvojë profesionale, duke e konsideruar me të drejtë se arsimi ëshë mision i shenjtë.

Autorja këtë vepër ia kushton në tërësi nxënësve, prindërve dhe institucioneve përkatëse, të cilat kanë rol të drejtpërdrejtë në mbështetjen dhe avancimin e procesit arsimor. Përmes përmbajtjes së saj, theksohet rëndësia e pajisjes së nxënësve me njohuri, kompetenca dhe vlera që u mundësojnë pjesëmarrje aktive, të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme në jetën familjare, shkollore, shoqërore dhe publike.

Në planin më të gjerë shoqëror, arsimi nga autorja paraqitet si faktor kyç i përparimit ekonomik, i konsolidimit të parimeve demokratike dhe i ndërtimit të kohezionit social. Shoqëritë e arsimuara shfaqin kapacitete më të mëdha për t’u përballur me sfidat bashkëkohore, për të nxitur inovacionin dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Po ashtu, arsimi luan një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e barazisë sociale, duke krijuar mundësi më të drejta për zhvillim personal dhe profesional.

Në këtë kontekst, me të drejtë mësuesja Lendita nuk trajtohet thjesht si proces i përvetësimit të dijes, por si një mjet thelbësor për emancipim, zhvillim të qëndrueshëm dhe përparim të përgjithshëm shoqëror, çka përbën edhe boshtin tematik dhe vleror të kësaj vepre.

Kur vlerësimi për një mësuese artikulohet përmes një botimi publik, siç është rasti i mësueses Lendita Uka Ibishi, kjo dëshmon për ndikimin dhe kontributin e saj të qëndrueshëm dhe të sinqertë në fushën e arsimit. Me veprimtarinë e saj profesionale, tashmë të njohur në shkollën “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës, ajo është shndërruar në një model referues, duke përfaqësuar një shembull të spikatur të përkushtimit dhe profesionalizmit në mësimdhënie.

Mësuesja Lendita Uka Ibishi dallohet për angazhimin e saj të vazhdueshëm dhe përkushtimin ndaj nxënësve, duke krijuar një mjedis mësimor të sigurt, mbështetës dhe motivues. Marrëdhënia e ndërtuar ndërmjet saj dhe nxënësve karakterizohet nga afërsia pedagogjike dhe besimi reciprok, elemente këto thelbësore për një proces mësimor efektiv dhe cilësor.

Do isha përqëndruar në këtë vepër të autorës Linda, sidomos kur ajo shkruan për refleksion mbi Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe me shumë të drejtë ajo arrin të shpërfaq këtë humanizëm në vepër si një ligjërim programatik mbi integrimin e humanizmit aktiv brenda procesit edukativo-arsimor, duke propozuar një kalim nga arsimi deklarativ në një pedagogji të përjetimit. Përmes një analize të praktikave të kolektivit arsimor, autori artikulon një tezë qendrore: arsimi nuk duhet të kufizohet në transmetimin e thjeshtë të dijes kognitive (logos), por duhet të synojë modelimin e karakterit etik (ethos).

Në rrafshin e analizës, vizitat në Shtëpinë e të Moshuarve dhe në shkollat speciale nuk paraqiten thjesht si aktivitete jashtëshkollore, por si intertekstualitet social. Ato shërbejnë si tekste të gjalla ku nxënësi, në rolin e “lexuesit” të realitetit, ballafaqohet me tjetërsinë dhe brishtësinë njerëzore. Këtu, autorja përdor një dikotomi interesante: paradoksin e pasurimit përmes dhënies. Ky koncept, i rrënjosur në filozofitë ekzistencialiste, sugjeron se humaniteti nuk është një resurs i fundmë që shpenzohet, por një substancë ontologjike që rritet përmes shpërndarjes.

Diskursi kritik i tekstit vë në dukje se mjedisi shkollor funksionon si një mikrokosmos i shoqërisë ideale. Akti i ndihmës ndaj shokut të klasës apo organizimi i festave për grupet e margjinalizuara, dekonstrukton idenë e suksesit individualist dhe instalon parimin e solidaritetit organik. Nga pikëpamja pedagogjike, autorja mbron idenë se edukimi për ndjeshmëri (empatinë) është po aq i rëndësishëm sa edukimi akademik, duke e parë mësuesen, jo vetëm si instruktor/e, por si një mentor/e moral/e.

Në mbyllje, teksti dëshmon se “dora e zgjatur” nuk është thjesht një gjest fizik, por një metaforë për hapjen e qenies ndaj tjetrit. Ky ligjërim ruan një ton sa akademik aq edhe didaktik, duke argumentuar se pasuria shpirtërore e një shoqërie nuk matet me akumulimin e njohurive, por me aftësinë e saj për të reflektuar mirësi dhe drejtësi sociale në veprim.

Në këtë kuadër, opinione të ndryshme të prindërve të nxënësve, të shprehura publikisht, reflektojnë vlerësimin e tyre për përkushtimin profesional dhe human të mësueses, duke dëshmuar perceptimin pozitiv të komunitetit arsimor ndaj veprimtarisë së saj. Me botimin e kësaj vepre, autorja, jo vetëm që forcon profilin e saj profesional, por njëkohësisht shton vlerat e saj kontribuese në diskursin arsimor dhe pedagogjik.

Duhet theksuar se angazhimi i autores Lendita Uka Ibishi në botimin e kësaj vepre nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, ai përfaqëson një vazhdimësi të natyrshme të përfshirjes së saj në krijimtarinë pedagogjike dhe arsimore, e cila buron nga një traditë familjare ku arsimi ka qenë gjithmonë vlerë themelore dhe mision jetësor. Që në fëmijëri, ajo është rritur me respekt të thellë për librin, dijen dhe institucionin e shkollës, vlera këto të trashëguara nga babai i saj, Sokol Uka,(veteran i arsimit dhe tashmë në pension).

Përkushtimi, sakrifica dhe dashuria e tij ndaj nxënësve kanë lënë gjurmë të qëndrueshme në formimin personal dhe profesional të autores, duke e frymëzuar atë që ta ndjekë dhe ta vazhdojë këtë rrugë fisnike. E udhëhequr nga shembulli i babait dhe e mbështetur vazhdimisht nga familja, Lendita Uka Ibishi e ka zgjedhur profesionin e mësueses, jo vetëm si orientim profesional, por si mision të mirëfilltë jetësor.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.