Refleksione rreth librit “Simfonia e një jete: Kardinal Mikel Koliqi 1902-1997” (Itali, 2001) të muzikologut prof. Gjon Simoni
“Gjatë studimeve teologjike, në Milano, Mikelit i besuan drejtimin e korit të kolegjit. Siç duket, Mikeli nga Shqipëria ishte më i afti nga muzikantët seminaristë që kishte kolegji. Ai tregonte se për të shoqëruar korin, caktuan një tjetër seminarist që kishte përfunduar studimet në konservator dhe luante mjaft mire”. – Prof. Gjon Simoni (1936-1999), pedagog, muzikolog, studiues
Klajd Kapinova
ish redaktor i revistës “Kumbona e së Dielës” themeluar nga Kardinal M. Koliqi, dhe sot editor i revistës “Jeta Katolike”, New York
Çdo libër i shkruar nga studiues seriozë, shkrimtarë të anatemuar dhe bashkëkohorë dhe kryesisht ato të shkollës së traditës shumë shekullore veriore geg, njerëzit e artit dhe kulturës, është një dritare diturie për mua, për të njohur me kënaqsi personalitetet e shquara dhe të përbaltura dhe harruara të botës shqiptare këtu në SHBA dhe atje në vendlindje përtej Oqenianit Atlantik.
Kardinal Koliqi, është një nga figurat më të ndritura të Kishës katolike shqiptare, njeriu që u bë simbol i persekutimit të katolikëve dhe popullit shqiptar gjatë regjimit komunist 1944-1990, dëshmitar i gjakut të martirëve, derdhur për Fé e Atdhé në rrethana rrënqethëse e shumë tragjike, nën diktaturën komuniste ateiste në Shqipëri.
Ati i Shenjtë papa shën Gjon Pali II (1920-2005)[1] e emëroi prelat nderi (Monsinjor) në janar të vitit 1992, dhe e takoi personalisht, një vit më pas, gjatë vizitës së tij historike në qytetin dhe katedralen e madhe të shën Shtjefnit (protomartir) të qytetit të Shkodrës, më 25 prill 1993 duke e emëruar me titullin më të lartë të hierarkisë së Kishës Katolike si Kardinal (Cardinal) më 26 nëntor 1994 në Selinë e Shenjtë në qytet-shtetin e Vatikanit.
Menjëherë pas fillimit të proçeseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.
Ai kaloi në amshim qytetin e tij të lindjes në Shkodër, më 28 janar të vitit 1997. Ai ka një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit. E thene shkurt, Jeta tij si një testament shpirtëror e kombëtar dhe është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra, një udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët, se si duhet punojmë të bashkuar e në mirëkuptim gjithëmonë me njeri-tjetrin, për një të ardhme më të mirë për popullin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore, kulturore dhe kombëtare.
Eshtë nder, kënaqsi dhe privilegj të shfetosh me etje të reja diturie një libër me vlera, rrëfyer përmes një përshkrim shumë tërheqës dhe me një stil fin narrativ shumë të bukur joshës një nga më interesantet që sapo rilexova këto ditë këtu në Manhattan, New York, në zemër të kryeqytetit të kulturës metropolitane botërorë dhe SHBA-së.
Saktësisht 212, është numri i faqeve të veprës së re jetëshkrimore, që studiuesi muzikolog i njohur shkodran prof. Gjon Simoni[2] i ka përkushtuar Kardinalit të parë në historinë e krishtërimit në popullin shqiptar, Shkëlqësisë së Tij Mikel Koliqi, të përmbledhur esencialisht në tre studime rë mirëfillta interesante shkencore: “Jeta”, “Veprat” dhe “Dëshmi”.
Vepra e re cilësore për nga përmbajtja e saj hapet me një Parathënie të shkruar nga at Francesco Botta S.J. E parë me një sy kritik dhe analitik, vepra muzikore e Kardinal Mikel Koliqit ruan vlerën e rëndësishme për veprën muzikore të Kardinalit, të studiuar me skrupolozitet dhe profesionalizëm nga prof. Gjon Simoni, duke bërë një shprehje dhe nderim zemre ndaj një prelati, për një mik shumë të dashur të një bashkësie, dhe famullisë katolike së kishës së “Zemrës së Krishtit” në Tiranë, për një meshtar besnik shembullor dhe të përvuajtur të klerit katolik shqiptar.
Në faqet e librit shohim, se “Jeta”, përfshinë: Koha e parë: Allegro Giusto; koha e dytë: Adagio Lamentoso; koha e tretë: Allegro Maestoso dhe Coda, kurse në kapitullin e dytë “Veprat”, bëjnë pjesë melodramat: “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Ruba e kuqe”. Kapitulli i tretë “Dëshmi” përfshinë tre nënçështje: “Një pikë referimi” (Gjon Kapidani), “Veprimtaria muzikore e imzot Mikel Koliqit” (Tonin Zadeja) dhe mbyllet me biografinë, shembujt dhe veprat, dhe disa fotografi origjinale historike.
Vepra e mirëseardhur, në komunitetin tonë shqiptaro-amerikanë, është shtypur me estetikë, cilësisht dhe me parametra bashkëkohore nga Shtypshkronja e njohur “Laurenziana” në Napoli të Italisë.
Kardinali, i pari i tetë fëmijëve të Koliqëve
Mikel Koliqi, lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. I ati, Mark Koliqi, ishte tregtar dhe e ëma, Age Simoni, ishte bijë tregtari. Mikeli, qe fëmija i parë i një vargu prej 8 fëmijësh, ndër të cilat pesë djem dhe tri vajza: Mikeli, Ernesti (babai i përhapjes së arsimit dhe shkollave shqipe në Kosovë, shkrimtari dhe prozatori i shquar modern prof. Ernest Koliqi, Ministri i Kulturës së Shqipërisë, një ndër yjet e letërsisë shqiptare si shkrimtar dhe njëri me kulturë shumë të madh) Leci, Gulielmi, Margerita, Antonieta, Viktori dhe Terezina.[3]
Koliqi i ri studioi dhe arriti të luante në piano pjesë nga Moxart dhe Bethoven. Studioi pjesë pianistike të Shopen-it, duke luajtur sidomos valset dhe nokturnet e këtij autori. Ai asokohe njohu autorë bashkohorë, si: Debysi, Ravel etj.
Mikeli student i etur për dije dhe kulturë bashkëhore tradicionale botërore dhe italiane, lexoi dhe studioi me kënaqësi muzikën operistike, ndoqi me intensitet zhvillimin e veverizmit muzikor, por në të njëjtën kohë kishte adhurim të veçantë për Vagnerin, veprat e të cilit i njihte shumë mirë.
Ai shkonte për të ndjekur shfaqjet operistike në Milano dhe në qytetet e tjera të Italisë, dallonte qartë karakteristikat interpretuese të njërit këngëtar apo tjetrit, përshkruante atrmosferën e koncerteve dhe operave si spektator.
Në periudhën kur vinte në qytetin e lindjes Shkodër, Kardinali shpirtëror i ardhshëm Koliqi shkonte në piknik në periferi të qytetit antik me histori të lashtë dhe të lavdishme ndër shekuj, si në Shirokë, Zogaj e gjetkë, dëgjonte në shtëpitë e shokëve dhe miqve muzikë me gramafon.
Libraria e madhe e librave të tij filloi të pasurohej në mënyrë sistematike me veprat dhe kryeveprat e autorëve të ndryshëm, si: Moxart, Verdi, Puccini, Vagner, Rossini, Donixetti, Maskanji, Leonkavalo, Boito, Hendel, Bach, Hajden, veprat vokale nga Palestrina, Laso, Kerubini, Perozi, Kasimiri, Paxhela etj.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, filloi studimet e larta në Politeknikumin e Milanos në degën e inxhinierisë mekanike.
Por, gjatë kësaj periudhe mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjyshëm studimet në vitin e dytë për të vijuar studimet teologjike në seminarin Corso di Venezia të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos.
Atje studioi nga viti 1928 deri më 1930. Në 30 maj 1931, në moshën 30 vjeçare, u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës imzot Lazër Mjeda (1869-1935).
Studiuesi muzikolog shqiptar Simoni, me veprën e vet përkushtuar Kardinal Mikel Koliqit, hedh dritë për herë të parë në pasionin e madh që meshtari kishte për muzikën, krahas adhurimit për meshtarinë dhe punën e përditshme me rininë shkodrane në Veprimin Katolik, me shtypin, themelues dhe drejtues i revistës popullore të përjavshme shkodrane “Kumbona e së diellës“.
“Gjatë studimeve teologjike, vlerëson studiuesi prof. Gjon Simoni, në Milano, Mikelit i besuan drejtimin e korit të kolegjit. Siç duket, Mikeli nga Shqipëria ishte më i afti nga muzikantët seminaristë që kishte kolegji. Ai tregonte se për të shoqëruar korin, caktuan një tjetër seminarist që kishte përfunduar studimet në konservator dhe luante mjaft mirë“.
Duke ditur se priftërinjtë katolikë që shërbenin në atë kohë në Shqipëri konsideroheshin nga Selia e Shenjtë si misionarë, ky “status” u jepte lejen dhe mundësinë që, sipas rastit, të studionin e të diplomoheshin edhe në fusha të tjera të tjera të kulturës dhe artit.
Kështu, sapo mbaroi studimet, para se të vinte në Shkodër për të filluar punë si ndihmësfamullitarë, Mikeli iu drejtua imzot Luigj Bumçit që ta dërgonte në ndonjë shkollë muzikore për të mësuar muzikë.
Me rekomandimin e Ipeshkëvit, Mikeli shkoi në Austri (kryeqytet i muzikës operistike botërore, ku çdo vit jepet me 1 janar Konverti i Madh i Vjenës, shënimi im K.Kapinova), pranë një kori të famshëm.
Siç duket atje studioi elemëntët e dirigjimit lokal, duke vënë në bazë profesionale njohuritë që kishte marrë autodidakt dhe nga përvoja artisitike, dhe kjo jo e pakët.
Të gjithë e moshuarit e qytetit të Shkodrës dhe nga antarët e Veprimit Katolik asokohe, korit të famshëm të qytetit e katedralës së Shën Shtjefnit (sikurse njihet nga të gjithë si Kisha e Madhe) e kujtojnë portretin e tij si një njeri të qeshur, të dashur, optimist, me kulturë të gjërë, amator i muzikës, që kishte bërë për vete shumë miq e shokë.
Në libër, për këtë natyrë të dashur popullore, muzikologu dhe kompozitori produktiv prof. Gjon Simoni shkruan: “Të gjithë në mënyrën e vet pritnim shumë prej tij, por më shumë se shoqëria, më shumë se Shkodra priste prej tij familja, e cila po kalonte një periudhë të vështirëshisë financiare dhe të gjithë shpresat për të dalë nga kjo gjendje i kishte mbështetur tek djali i madh. Ishte plotësisht e natyrshme. Megjithatë, e ëma, me një “U bëftë vullnesa e Zotit”, duhet të ketë hequr mendjen nga kjo shpresë, duke iu nënshktruar vullnetit të Perëndisë.”
Dhe natyrshëm, sikurse kishin vepruar gjatë 2000 vjetëve, edhe dom Mikeli nuk erdhi në Shkodër si prift i zakonshëm për t’iu nënshtruar rutinës, për të kryer vetëm detyrat fetare si ndihmësfamullitarë dhe më vonë famullitar në qytetin e Shkodrës së tij të dashur.
Plane ambicioze dhe realizimin e menjëherëshëm të tyre kishte në kokë prifti i ri. Ai e kishte të qartë se çfarë duhej bërë dhe si duhej bërë sa më mirë. Me një përvojë të pasur evropiane, menjëherë i hyri punës për t’i shërbyer sa më mirë bashkësisë katolike, dhe jo vetëm asaj.
Profesor Simoni, duke hulumtuar mbi jetën dhe veprën e Kardinal Koliqit, ndër të tjera vlerëson: “Gjatë kësaj periudhe arriti të organizonte korin e Katedrales, të cilit i vuri emrin ‘Scola Cantorum’ (1932). Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik. Kompozoi edhe 30-40 pjesë të ndryshme korale, shumica me objekt kishtar. Këto pjesë kishin formën e motelit që ishte shkruar për violinë dhe kor vajzash, ndonjëra edhe për solist e kor. Themeloi dhe drejtoi për shumë vjet revistën e njohur “Kumbona e së diellës” dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numëri i parë (1938), deri sa u mbyll nga censura komuniste në vitin 1945.”
Kardinal Koliqi, kishte një aktivitet të pasur si muzikant, ekzekutues, drejtues kori dhe kompozitor. Pra, edhe pse famullitar, pasioni i tij për muzikën bëri që ai të nerrej ne të seriozisht dhe në një masë më të madhe se i takonte.
“Si intelektual me kulturë të gjërë muzikore, i hyri menjëherë punës për krijimin e korit të Katedralës në baza profesionale… Ky grup koral përbëhej nga burra të aftë për të interpretuar meshën dhe pjesë të tjera të muzikës fetare gjatë ceremonive kishtare. Ai qe një fillesë e traditës së muzikës korale Scola Cantorum që do të lulëzonte më vonë“, vlerëson muzikologu i njohur shkodran dhe nxënës i Kardinal Koliqit, muzikologu prof. Gjon Simoni.
Dom Mikeli mendoi të organizonte shfaqje skenike, në të cilat kori dhe elemëntë të tjerë angazhoheshin si elementë si aktorë që recitonin dhe ndonjëherë, edhe këndonin sipas rolit. Kështu, ai filloi t’u përshtaste muzikë të huaj teksteve teatrale të shkruar nga poeti i ëmbëlsisë, dom Ndre Zadeja (pushkatuar nga komunistët më 25 mars 1945) ose nga poetë të tjerë shqiptarë.
Me interes është përshkrimi që muzikologu dhe ish nxënësi i tij prof. Simoni i bën bashkëpunimit të ndërsjelltë midis poetit dhe kompozitorit që, njëkohsisht, ishin edhe vëllezër në Krishtin, respektitivisht dom Ndre Zadeja dhe dom Mikel Koliqi.
“Drama të ndryshme shqiptare u përshtatnin melodi këngësh të huaja, e kështu kori dhe solistët merrnin pjesë si aktorë në veprimet skenike.
Nuk dimë sa kohë vazhdoi kjo lloj pune artistike, kur një ditë erdhi dom Ndreu në studion e dom Mikelit dhe, duke vënë “soleminisht” libretin e dramës “Rozafat” mbi tavolinën e punës, i tha: “… shkruaje vetë muzikën.
Një dramë shqiptare kërkon muzikë shqiptare…“, dhe iku duke lënë tundimin pas vetes.
Dom Mikeli, që vetëm, një shkak donte, i hyri menjëherë punës dhe kompozoi shpejt, brenda pak javësh, muzikën për dramën “Rozafat”…
Kompozonte në mbrëmje, kur kthehej në qelë, në selinë e famullitarit dhe pas aktiviteteve të tjera.
Meqenëse nuk kishte shumë kohë, muzikën e shkruante pa e zbardhur në të pastër.
Këngët (ariet) dhe pjesët e tjera solistike, ndonjëherë gjenden të shkruara në një vijë melodike dhe shoqërimi i tyre pianistik ka vetëm disa kthesa harmonike dhe shënime të fakturës së shoqërimit si dhe ndonjë figurë instrumentale, e cila shërben për të përcaktuar emocionalisht edhe nga ana dramatike figurën artisitike, që ta karakterizojë dhe ta vendosë atë mirë në mjedisin artisitko-dramatik.”
Autori i veprës kushtuar Kardinal Koliqit, ka bërë një studim profesional shterrues të të gjithë vlerës krijuese artisitke muzikore, duke i paraqitur sot të freskëta pas shumë dekadash.
Ai me dashamirësi, respekt të thellë e nderim për maestron e tij të parë, ka ruajtur në thellësi të kujtesës dhe shpirtit dashurinë për çdo partiturë dhe notë muzikore nga përndjekjet e përbinshme komuniste që kërkonte të asgjesonte çdo notë dhe muzikë të progresit botëror, një pjesë të të cilat i trashëgoi edhe Kardinali ynë Mikel Koliqi.
Prof. Gjon Simoni, përmes një pune hulumtuese, sistemuese dhe analitike të materialit faktografik, ka mundur të na dhurojë meshtarin e krijuesin, Krishtin dhe muzikën kushtuar Atij në emër të një populli që ndër shekuj i ka qendruar besnik fesë dhe traditës kulturdashëse të të parëve.
Përmes një stili ta pasur narrativ dhe një elegance në të shkruar ofron për lexuesin mbarëshqiptar melodramat e muzikuara nga dom Mikel Koliqi, sikurse njihen sot si “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Ruba e kuqe”, të tria të shkruara nga poeti i njohur i ëmbëlsisë dom Ndre Zadeja (1891-1945).
…Ideologjia e Revolucionit të kuq kinez përsekutonte intelektualët e klerikët katolikë shqiptar
Muzikologu dhe studiuesi prodhimtar prof. Gjon Simoni, gjatë hulumtimeve të kujdeshme shumëvjeçare ka dhënë të shkrira në linjat e veprës së vet për Koliqin të gjithë jetën e tij dhe për të parë në një profil më të ngushtë, si muzikolog i gurrës shqiptare.
Por, autori ynë nuk ka lënë pas dore edhe gjeografinë e kalvarit komunist me të cilin u përballë drejtpërsëdrejti Kardinali ynë Mikel Koliqi. Kështu në vepër mësojmë se në vitin 1952-1953 filluan presionet dhe përpjekjet e diktaturës për të krijuar Kishën Katolike Autoqefale, pra të pavarur nga Selia dhe Ati i Shenjtë në Vatikan. Në vitin 1953-1954 kjo valë arrestimesh përfshiu shumë intelektualë nga mbarë Shqipëria dhe Shkodra më së shumti dhe më e madhja.
Prof. Gjon Simoni, duke shkruar për këtë dramë tragjike që preku mbarë popullin shqiptar dhe më së shumti klerin katolik shqiptar në Shkodër, për Kardinalin Koliqi vë në dukje: “Mbaroi kështu koha e parë e simfonisë së jetës së tij. Akordet dramatike mbyllnin këtë pjesë. Megjithatë, buzëqeshja e tij e vazhdueshme që vinte nga qetësia shpirtërore bënte që tragjedia e kësaj jete të merrte një pamje pothuaj joreale, gati-gati teorike. Si lufta e së mirës kundër së keqes. Kështu për dom Mikelin filloi epoka më e zezë e jetës, ajo e privimit të përhershëm të lirisë, pa asnjë kuptim për botën e tij intelektuale dhe të misionit të tij si meshtar. Gjithçka për te zbret në banalitet. Nga ana e tjetër vuajtjet dhe torturat rriteshin, duke lënë përshtypjen se do të vazhdonin përgjithmonë.”
Megjithëse i burgosur ose i internuar, ai vazhdoi të kryente detyrën e vet fetare fshehtas. Ai ushtronte dhe zhvillonte me shumë kujdes ungjillizimin e bashkëvuajtësve, kur ata e kërkonin, kryente ritet fetare, si pagëzim dhe kungimin, dhe megjithëse larg nga Shkodra, jepte këshilla dhe udhëzime dhe së bashku me kolegët meshtarë merrte vendime për problemet e famullive, që ishin në gjendje përndjekjeje të jashtëzakonshme.
Kështu në vitet 1954-1986, kaloi në burgim dhe internim edhe 32 vjet të tjera. Në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, dënohet për të tretën herë me 15 vjet burgim.
Absurdi kishte logjikën e vet djallëzore. Vitet e burgimit dhe internimit i kalon në disa krahina të Shqipërisë, si në Lushnjë, Fier, në zonën e maleve të Vlorës dhe në vende të tjera syrgjynimi.
Më vonë do të tregonte për torturat e tmerrshme që pësonin në burg: rrahje deri në gjakosoje, elektroshok, varje nga duart e lidhura disa ditë me radhë, përve urisë, etjes e të ftohtit.
Gjatë kohës së gjatë të burgimit shumë qenë shokët e tij klerikë, por edhe bashkëvuajtës të tjerë, që u vranë ose vdiqën nga torurat mizore. Pra, me të drejtë çuditemi kur shohim se dom Mikelin nuk e zhdukën që në vitet e para (1945-1950).
Me të drejtë konstaton në librin e tij prof. Simoni, se siç duket, ishte një peng i çmuar në dorën e diktaturës për t’i bërë presion vëllait të tij Ernestit që të mos merrte inisiativa dhe të zhvillonte aktivitet politik kundër pushtetit komunist në Shqipëri. Madje kur e pyetnin dom Mikelin për vuajtjen e tij përgjigjej: “… të tjerët kanë vuajtur më shumë se unë nga torturat…”.
Gjithsesi, ai kaloi 40 vite burg… dhe Zoti shtriu dorën pranë Nënës Shqipëri, për të vlerësuar si Kardinal… Për këto dhe shumë episode të rëndësishme të jetës së Kardinalit Mikel Koliqi, do të mësoni më shumë në veprën e sapodalë në qarkullim.
Autori dhe studiuesi muzikolog prof. Gjon Simoni, kryen një detyrë dhe detyrim të madh ndaj qytetit të tij të lindjes, si besimtarë dhe ish nxënës në korin e njohur Scola Cantorum dhe në Veprimin Katolik në Shkodër, që drejtohej nga themeluesi i saj Shkëlqësia e Tij Kardinal Mikel Koliqi.
[1] Pope John Paul II (1920-2005). Papa Gjon Pali II bëri histori në vitin 1978 duke u bërë Papa i parë joitalian në më shumë se 400 vjet. Ai u shugurua në vitin 1946, u bë peshkop i Ombit në 1958 dhe u bë kryepeshkop i Krakovit (Poloni) në vitin 1964. Ai u bë Kardinal nga papa Pali VI në vitin 1967. Ai ishte një avokat i zëshëm për të drejtat e njeriut dhe përdori ndikimin e tij për të bërë ndryshime politike. Vdiq në Itali në vitin 2005. Në korrik 2013 u njoftua se do të shpallej shenjtor në prill të vitit 2014. Ai u shpall Shenjt. I lindur Karol Józef Wojtyla më 18 maj 1920, në Wadowice, Poloni, jeta e hershme e tij u shënua nga një humbje e madhe. Nëna e tij vdiq kur ai ishte 9 vjeç, dhe vëllai i tij më i madh Edmundi vdiq kur ai ishte 12 vjeç. Duke u rritur, John Paul ishte atletik dhe i pëlqente të bënte ski dhe not. Ai shkoi në Universitetin Jagiellonian të Krakovit (Poloni) në vitin 1938, ku tregoi një interes për teatrin dhe poezinë. Shkolla u mbyll vitin e ardhshëm nga trupat naziste gjatë pushtimit gjerman të Polonisë. Duke dashur të bëhej prift, Gjon Pali filloi të studionte në një seminar sekret të drejtuar nga kryepeshkopi i Krakovit. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai mbaroi studimet fetare në një seminar në Krakov e u shugurua në vitin 1946. Gjon Pali kaloi 2 vjet në Romë, ku mbaroi doktoraturën në teologji. Ai u kthye në Poloninë e tij të lindjes në vitin 1948 dhe shërbeu në disa famulli në Krakov dhe përreth. Gjon Pali u bë peshkop i Ombit në 1958 dhe më pas kryepeshkop i Krakovit 6 vjet më vonë. I konsideruar si një nga mendimtarët kryesorë të Kishës Katolike, ai mori pjesë në Këshillin e Dytë të Vatikanit – ndonjëherë i quajtur Koncili i Vatikanit II. Këshilli filloi rishikimin e doktrinës së kishës në vitin 1962, duke mbajtur disa sesione gjatë disa viteve të ardhshme. Si anëtar i këshillit, ai e ndihmoi kishën të shqyrtonte pozicionin e saj në botë. I vlerësuar mirë për kontributet e tij në kishë, Gjon Pali u bë kardinal në vitin 1967 nga papa Pali VI. Si udhëheqës i Kishës Katolike, ai udhëtoi nëpër botë, duke vizituar më shumë se 100 vende, për të përhapur mesazhin e tij të besimit dhe paqes. Por ai ishte afër shtëpisë kur u përball me kërcënimin më të madh për jetën e tij. Në vitin 1981, një vrasës qëlloi dy herë Gjon Palin në sheshin e Shën Pjetrit në qytetin e Vatikanit. Për fat të mirë, ai mundi të shërohej nga plagët e tij dhe më vonë e fali sulmuesin e tij. Një avokat i zëshëm për të drejtat e njeriut, John Paul shpesh fliste për vuajtjet në botë. Ai mbajti qëndrime të forta për shumë tema, duke përfshirë kundërshtimin e tij ndaj dënimit me vdekje. Një figurë karizmatike, John Paul përdori ndikimin e tij për të sjellë ndryshime politike dhe vlerësohet me rënien e komunizmit në Poloninë e tij të lindjes. Megjithatë, ai nuk ishte pa kritikë. Disa kanë deklaruar se ai mund të ishte i ashpër me ata që nuk pajtoheshin me të dhe se ai nuk do të kompromentonte qëndrimin e tij të linjës së ashpër për disa çështje, si kontracepsioni. Në vitet e tij të mëvonshme, shëndeti i Gjon Palit dukej se po përkeqësohej. Në daljet publike, ai lëvizte ngadalë dhe dukej i paqëndrueshëm në këmbë. Ai gjithashtu dridhej dukshëm herë pas here. Një nga mjekët e tij zbuloi gjithashtu se John Paul kishte sëmundjen e Parkinsonit, një çrregullim i trurit i karakterizuar shpesh nga dridhjet, në vitin 2001. Por nuk kishte asnjë njoftim zyrtar për sëmundjen e tij nga Vatikani. Papa Gjon Pali II vdiq më 2 prill 2005, në moshën 84-vjeçare, në rezidencën e tij të Vatikanit. Më shumë se 3 milionë njerëz prisnin në radhë për t’i thënë lamtumirë udhëheqësit të tyre të dashur fetar në Bazilikën e Shën Pjetrit përpara funeralit të tij më 8 prill. Më 5 korrik 2013, duke tundur periudhën e zakonshme 5-vjeçare të pritjes, Vatikani njoftoi se Kisha Katolike Romake do ta shpallte Papa Gjon Palin II një Shenjtor dhe se ceremonia e kanonizimit do të ndodhte brenda 16 muajve të ardhshëm. Vatikani deklaroi gjithashtu se Papa Gjon XXIII, i cili drejtoi kishën katolike nga viti 1958 deri në vdekjen e tij në 1963 dhe mblodhi këshillin e Vatikanit II, gjithashtu do të shpallej shenjtor. Më 30 shtator 2013, Papa Françesku njoftoi se kanonizimi i Papa Gjon Palit II dhe Papa Gjon XXIII do të bëhej më 27 prill 2014. Njoftimi i kanonizimit të Papa Gjon Palit II erdhi pasi Vatikani zbuloi se dy mrekulli i atribuoheshin të ndjerit papa. Pasi një murgeshë franceze që po vdiste, motra Marie Simon-Pierre Normand, iu lut Papës Gjon Pali II që gjatë betejës së saj me sëmundjen e Parkinsonit – e njëjta sëmundje që vrau Papën – ajo u shërua. Mrekullia e dytë përfshiu një grua 50-vjeçare, e cila pretendoi se ishte shëruar nga një aneurizëm i trurit pasi një fotografi e Papa Gjon Palit II i foli asaj. Ceremonia zyrtare e shenjtërimit, e mbajtur më 27 prill 2014, mblodhi së bashku katër papë. Papa Françesku udhëhoqi ngjarjen për ngritjen e papa Gjon Palit II dhe Papa Gjon XXIII në shenjtëri, ku mori pjesë edhe paraardhësi i Françeskut, papa Benedikti.
[2] Gjon Simoni (1936-1999). Ai u perfshi me pasion me artin e bukur të muzikës qysh në moshë të vogël në jetën muzikore të qytetit të lindjes (Shkodër), duke kontribuar si organist në kishën katolike, kontribut të cilin më pas e vazhdoi edhe kryeqytetin e vendit në Tiranë. Në vitin 1962-1966 ndjek studimet e larta në Konservatorin Shtetëror të Tiranës (sot Akademia e Arteve) për Kompozicion dhe Teori Muzike. Diplomohet me vlerësim shumë të mirë. Emërohet në Gjirokastër, ku punon në periudhën 1966-1969 si shef muzike. Më pas punon si redaktor i programeve muzikore deri në vitin 1980 dhe po atë vit emërohet shef i katedrës së Kompozicionit dhe pedagog i orkestracionit pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Në vitet 1993-1994, vijon aktivitetin profesional në Greqi, ku jep mësim në shkollën e muzikës dhe mësime private në qytetin Kardhica. Në vitin 1996-1997 emërohet Dekan i Fakultetit të Muzikës pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Pas vitit 1997 e deri sa vdiq shërben si pedagog i lëndës së orkestracionit në Akademi. Në vitin 1995 merr titullin Profesor. Është nderuar me çmime të ndryshme si Artist i Merituar në vitin 1989. Krijimtaria muzikore e Gjon Simonit është e pasur dhe e larmishme, ajo është luajtur në të gjitha aktivitetet e rëndësishme muzikore të Shqipërisë dhe jashtë saj. Në fushën e zhvillimit të mendimit teorik ka dhënë kontribute të rëndësishme si në mediat shqiptare, ashtu edhe në konferenca e seminare të ndryshme jashtë vendit. Ndërkaq kontributi i tij shtrihet edhe në zhvillimin dhe rivlerësimin e krijimtarisë së kompozitorëve shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Punoi për plotësimin dhe për përfundimin e veprës së kompozitorit Tonin Harapi. Në vitin 1999 është nderuar me diplomë nderi nga International Biographical Centre Cambrigde England. Gjatë periudhës 1986-1999, ka përpunuar rreth 150 këngë popullore dhe mbi 300 orkestrime të këngëve të muzikës së lehtë si dhe ka realizuar mbi 50 aranxhime të pjesëve vokale instrumentale nga literatura shqiptare dhe botërore. Ka orkestruar operën e kompozitorit Pjetër Gaci “Toka jonë” dhe “Përtej mjegullës”. Ka bërë shumë shkrime dhe artikuj, kritika letrare artistike të veprave në gazeta të ndryshme si dhe në organe periodike.
[3] Klajd Kapinova, “Një qiri drite në 100-vjetorin e lindjes perms librit të muzikologut prof. Gjon Simoni mbi simfoninë e jetës së Kardinal Mikel Koliqit (1902-1997)”, “Illyria”, Manhattan, New York, #1129, 9-11 Prill, 2002, f. 22.