Në përgjigje të shkrimit:
Musolini, “Kryet e ka si kungull Vrake”…
FRANO KULLI, Panorama
Mbamendjet, përposë emocioneve që sjellin, sidomos kur ato tregohen bukur përbëjnë një lëndë të çmuar edhe për historinë. Por, kurrsesi ato nuk janë vetë historia. Rëndesa e vlerës së tyre ka një raport proporcional me rëndësinë ngjarjes a personit, i cili ka pasë çukitë në memorjet e bashkëkohësve.
Sa më me peshë publike të ketë qenë personi përreth të cilit vërtiten mbamendjet që tregohen, aq të shumta e të larmishme janë ato. Mirëpo, jo kurdoherë gjithëçka mbahet mend e thuhet si mbamendje është vetë e vërteta. Madje ato, varësisht prej mënyrës sesi rrëfehen e ngjyresës së përshkrimit bisedor, gjithmonë i largohen të vërtetës dhe dashtë e pa dashtë kthehen në legjenda e fillojnë e krijojnë mitet.
Kjo ka ngjarë edhe me At Gjergj Fishtën. Terratisja e figurës dhe emrit të tij e veprës gjithashtu, përreth 50 vjet e ka thelluar hendekun midis të vërtetave përreth tij e miteve të krijuara. Për do vite të mira në fillimvitet ’90 të shekullit që shkoi, flitej e përmendej, me rend e pa rend, i mvisheshin atij edhe lavde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me të, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive, që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcyer ende pragun e dritës. Sikurse nuk ishin rikthyer ende kronikat e shkruara e të botuara në bashkëkohësinë e tij, ata që kishin zënë fill atë çast mbasi ai kishte mbyllë sytë.
Tani kjo ështe e shkuara, vepra e tij e plotë qarkullon lirshëm, sikurse edhe mbamendjet e bashkëkohësisë janë ribotuar rishmësi e janë në duart e kujtdo që dëshiron t’i ketë ato.
Por, po ndodh prapë rendja kureshtare mbas thashethemeve edhe, mbasi kanë kaluar 34 vjet prej atëhere dhe, tani nuk më duket se ka arsye të ndodhë. Tani, rrëfimet si mbamendje, që, duke kaluar gojë m’ gojë, në formën e thashethemeve, patën ndërtuar dikur mitin, kanë rënë e nuk vlejnë përpara dëshmive autentike të risjella e publikuara si atëherë kur kanë ndodhë. Dhe këtë e dëshmojnë të shkruarat e françeskanëve bashkëkohës, të cilat, pa kurrfarë mëdyshje janë ku e ku më të pranueshme si të vërteta historike sesa “biseda me qytetarë të moshuar shkodranë të cilëve u kishin folur për këtë fakt ende të panjohur priftat franceskanë që kanë jetuar deri në vitet 2000”.
Të cilët paskan pohuar se: “Vetëm pak muaj pas vdekjes së tij, në varrezën e kishës së Shirqit në Shkodër, në pranverë të vitit 1941, kanë ardhur me një makinë 2 ushtarakë italianë të SIM, e kanë zhvarrosur dhe i kanë marrë trupin ende të patretur me vete. Në vijim, këta të fundit e kanë transportuar në Romë, ku edhe e kanë djegur në bazë të urdhrit të dhënë nga Musolini, të cilit nuk i mjaftoi as eliminimi fizik i Gjergj Fishtës vetëm për një shpotitje, por egoja e tij prej diktatori duhej që të ngopej edhe me veprimin makabër të djegies së eshtrave të tij…” Domethënë, Fishta qenka varrosur në Shirq?!
Në të vërtetë, françeskani i parafundit prej “françeskanëve të m’dhaj [mëdhenj]”, bashkvëlla në Urdhërin e Shën Françeskut i Fishtës, po dhe ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij, përkujdestari i vetëm gjuhësor i veprave të Poetit Kombëtar, të cilin ai e çmonte shumë: At’ Viktor Volaj, ka vdekë në 1995, me 5 nëntor. (I fundit është At Leon Kabashi, që ka vdekur me 11.11.1998) Njëri ndër dëshmitarët e frymës së fundit e i varrimit të tij, po se po. Edhe kronikani i gjithë ngjarjes së përmortëshme, gjithashtu. Dhe kronika e tij, gjëndet e shkruar. E ndoshta në një rast mëdyshjesh e për davaritjen e tyre, kur vjen fjala për saktësime të fakteve të së shkuarës, vlen ma shumë se kurrë sentenca latine: “Scripta manent, verba volant” (E shkruara mbetet, fjala fluturon).
Në “At Gjergj Fishta, 1871-1940” përgatitur nga At Benedikt Dema në 1941- shin ai na dëshmon: “N’oren 10 në mbrame shkova edhe njiherë me e pa… Mbas nji ore kthyem në Kuvend, tue lanë në rojë At Antonin Fishten e A. Sebastjan Deden. N’at gjendje të zhgrehunit, mâ fort fjetë se zgjuet kishte vijue deri n’orën 00:35, kur pa pritë e pa kujtue, mbas nji trandjeje nji çasi të vetem, u shkim prej nji sulmit kardjak, tue pasë përbri vllazent e siperpërmendun…” Dhe derisa ka mbyllë sytë, prej tij nuk kemi asnjë dëshmi tjetër të ndryshme nga kjo. As me gojë as me shkrim.
Ndërsa, At Benedikt Dema, përkujdestari e përgatitësi i librit në fjalë shkruan: “Korteu i gjatë e i madhnueshëm, msa gjithnji kjáte qiell e tokë, u leviz për të mbramen herë kah Kisha e Françeskanëve me atë shumicë kunorash e me dekorata, qi dishmuen veprimtarín tanë meritime të Poetit Kombëtar, përpara qerrit të përmortshem të terhjekun prej gjashtë kualsh së pështjellun në pëlhurë të zezë; arken e dekës e mbëlote flamuri kombtar e aj i Italís, qi e bani pjestarin e Akademís së vet. U vendue rishtas në katafalkun e perparshem në mjedis të kishës deri qi mâ vonë Sivllazent e vet e vorruen në fund të Tempullit-n’anën e majtë prej të himit (hyrjes)…”.