NË KUJTIM TË JETËS DHE VEPRËS SË PROF. ASTRIT LEKA

0
Këshilli komunal, Prishtinë

NGA DR. NIKË GJELOSHI

Astrit Leka është ideatori i ngritjes së shtatores, e cila nuk duhet të mbetet ide e vjedhur, e tjetërsuar dhe histori e rrejshme

1. Shoqata ndërkombëtare e solidaritetit për zhvillimin e ish vendeve të lindjes „SOLIDEST“, me seli në Gjenevë, në krye me Astrit Leken dhe anëtarë të Komitetit ekzekutiv të saj: Viktor Lambet, Fernard Vincent dhe Brikena Çabej, në mars të vitit 2000, i shkruan Këshillit komunal të Prishtinës „Propozimin për ngritjen e një statuje me kalë të Skënderbeut“ (shih, Propozimi nr.protokoli 633-314, Prishtinë, dt.15.03.2000).

Në atë propozim theksohej: „… Shoqata „Solidest“, në kuadër të shkëmbimeve kulturore midis vendeve të Evropës, ka arritur të ngrejë bustin e Skënderbeut në Gjenevë dhe, është duke ngritur një statujë të Skënderbeut në Londër dhe statujën me kalë të Skënderbeut në Paris, në saje të mirëkuptimit që kemi gjetur tek Presidenti Jasque Chirak dhe të premtimit që na ka dhënë Kryeministri i Britanisë se Madhe Tony Blair.“

Ne kemi menduar, thuhej më tutje në atë propozim, „se ka ardhur koha që edhe Prishtina ta ketë statujën me kalë të Skënderbeut, këtij heroi të kombit shqiptar që si njëri i madh i takon edhe gjithë njerëzimit.“

„Papa (Kalisti III, 1457, N.Gj.) e quan Skënderbeun Mbrojtjes i Krishterimit, Elizabeta I, Mbretëresha e Anglisë e Irlandës, lutej për te, Volteri shkroi se po të kishin qenë perandorët grek të Bizantit të kalibrit te Skënderbeut, Perandoria e Lindjës do të kishte shpëtuar. Napoleon Bonaparte në kujtimet e tij, e ka vlerësuar Skënderbeun si një ndër katër gjeneralët më të mëdhenjtë të të gjitha kohërave.“ Skënderbeu „ishte personalitet i shekullit XV i cili permendet në rreth 2000 libra, në gjuhë të ndryshme të botës.“

Shoqata „Solidest“ i kishte paraparë edhe vështirësitë financiare të ngritjes së shtatores dhe kishte theksua se: do ta merr përsipër financimin, përmes sigurimit të fondeve të nevojshme; organizimin e kolokiumeve shkencore, ceremonive ndërfetare dhe inaugurimin e statujës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e popullit të Kosovës.

2. Astrit Leka, kryetar i shoqatës „Solidest“, me seli në Gjenevë, ka prejardhje nga fshati Borsh i Toskërisë. Të parët e Tij, Leka: Gjoni e Nikolla, në vitin 1572 kallin veten dhe rreth 500 turq në kullat e veta!

Astrit Leka, i mbështetur edhe nga anëtarë të Komitetit ekzekutiv të „Solidest“, mori iniciativën për ta ngritë një shtatore me kalë të Skënderbeut në Prishtinë, menjëherë pas luftës çlirimtare të Kosovës.

Vite më parë, autorit të këtij shkrimi i shpjegon: „Më 15 korrik 1999 vajta në Kosovë, për ta siguruar një vend për bustin e Skënderbeut“. „I takova të gjithë funksionarët në Prishtinë, pos Dr. Ibrahim Rugovës, mbase ai erdhi një ditë aty dhe u kthye sërish në Itali“, thekson Leka. Me thanë: „Bëje vet, sepse ne do të grindemi në mes veti!“

Në atë Projekt kishte punuar mbi një vit.
Në shtator të atij viti e takon edhe Bernard Kushnerin (kryeadministrator i Kosovës, N.Gj.), i tregon Projektin…
Materialin 10 faqesh, me „Propozim për ngritjen e monumentit, nr.protokoli 633-314, dt.15 mars 2000“, e deponon në komunën e Prishtinës (shih faksimilen e dokumentit).

I fundit që e takova, në prill të vitit 2000, në banesën e tij, thekson Leka, ishte Mark Krasniqi. Këtë e bëra për dy arsye, që ia thashë: „E, para, duhet të ishte një katolik në Komision. E dyta, sepse kishte patur disa funksione, edhe në Akademinë e Shkencave.“ Ia dhashë Projektin dhe, në fund i thashë: „Ti, ke detyrë koordinim të lidhjes me partitë tjera; e fotokopjon Projektin dhe ua tregon edhe të tjerëve.“

„Kaluan pesë (5) muaj dhe M.Krasniqi nuk mu lajmërua. Në mars të vitit 2001 duel në shtyp me prononcim rreth bustit.“

Gazetat shkruanin: „Ideja e madhe e Mark Krasniqit“. Ishte e paimagjinueshme! E thërras Bujar Bukoshin dhe i them: „E sheh çfarë ndodhi…?“ „Si more, Unë deshta të jap edhe paratë…?“, reagon Bujari. Nga biseda e mëtejme u nënkuptua se ky problem duhej të mbetej në heshtje, derisa të kryhen zgjedhjet në nëntor 2001, mbase përurimi i Shtatores u duhej ta shfrytëzonin gjatë atij muaji të zgjedhjeve… „Në tërë procedurën e mëtejme vepruan pa mua!“

3.Kuvendi i Komunës së Prishtinës, siç do të theksohet: „Në bazë të iniciativës së qytetarëve të komunës, me propozimin e Drejtoriatit të Urbanizmit, Planifikimit dhe Ndërtimtarisë, merret Vendim për caktimin e lokacionit për vendosjen e monumentit të Skënderbeut“ (Vendimi nr.protokoli 3/01.353-452, Prishtinë, dt.16.03.2001).

Lokacioni caktohet në ngastrën kadastrale nr.7738, Rr.Bulevardi i Dëshmorëve, në mes të objekteve: Shtëpisë se mallrave ‚Gërmia‘, Bankës Popullore, Teatrit Kombëtar e objekteve tjera.“ Në arsyetimin e caktimit të atij lokacioni, thuhej se „… Lokacioni i propozuar, sipas paraqitjes grafike, është hapësirë mes vijave frekuentuese, përgjatë rrugës kryesore ‚Bulevardi i Dëshmorëve‘ dhe qasjes në objektet, të cilët e rrethojnë ketë lokacion.“ Pozita e monumentit „zënë një vend të mirë në aspektin vizuel, si dhe mund të shihet nga të gjitha këndet e rrugëve të cilat kryqëzohen me rrugën kryesore, ndërsa vetë vizuarat e monumentit të Skënderbeut janë te kthyera nga Teatri Kombëtar.“

4.Me rastin e vendosjes së monumentit të Skënderbeut (me 25 nëntor 2001, N. Gj.), Astrit Leka, nga Gjeneva, sërish udhëton për në Prishtinë. Aty ku po vendosej monumenti thekson Leka, para se me folë Mark Krasniqi, i thashë: „Kështu si kemi pasur fjalët!“ „Të gjithë i dëgjuan fjalët që ia thashë. Prezent ishte Dr. Ibrahim Rugova, me të tjerë. Unë më pas, pa i pyetur fare, u ofrova t’i them ca fjalë por ma ndaluan mikrofonin. Organizatori me tha: Kush je ti me fol pas M.Krasniqit? U ofendova shumë. Desha të reagoj në shtyp për ta shndritë në detaje idenë dhe propozimin për ngritjen e shtatores më kalë të Skënderbeut, por ndërhynë ca miq…“

Përfundimi:
Ideja për ngritjen e shtatores me kalë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë, del të jetë ide e Astrit Lekës, kryetar i „Solidest“, me seli në Gjenevë, i mbështetur edhe nga anëtar të Komitetit ekzekutiv të asaj shoqate.

Ajo ide dhe Propozimi për ngritjen e shtatores me kalë të Gjegj Kastriotit-Skënderbeut në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë: U vodhën, u tjetërsuan dhe mbi atë Ide u krijua Histori e rrejshme!

Kohë pas kohe është folur e shkruar: „Kush pati merita“, „kush do mbahet mend“, „kush…?“, për idenë e ngritjes së shtatores me kalë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në kryeqytetin e Republikës se Kosovës, në Prishtinë.

Edhe se u bënë dy dekada nga ngritja e asaj shtatoreje, është e domosdoshme që krerët e institucioneve të Shtetit të Kosovës (nëse do jenë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm), me rastin e shënimit të përvjetorit të vendosjes së asaj shtatoreje, ketë muaj-nëntor (edhe nëse nuk e shënojnë fare atë përvjetor), në emër të institucioneve t’u kërkojnë falje publike: Astrit Lekës e anëtarëve të Komitetit ekzekutiv të „Solidest“, nënshkrues të Propozimit për ngritjen e atij monumenti, dhe t’i dekorojë Ata!

Kështu ideja e shndërruar në vepër për ngritjen e asaj shtatoreje me kalë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë, e cila admirohet nga të gjithë shqiptarët, nuk do të vazhdojë të mbetet: E vjedhur, e tjetërsuar dhe histori e rrejshme!?

Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.