Mundohem me e ther
vetminë me nji melodi.
E melodia tretet
nëpër valë, nëpër rryma,
si shkuma mbi ballin
e detit përthi.
Mundohem me e mposht
vetminë e natës
me besim në mëngjesin
që do të lind.
E besimi përcëllohet me ngricë,
zbehet në thatësinë,
vyshket në zagushi.
Mundohem me lan
shpirtin e lirë
si shqipen në fluturim.
Por mjegulla e dendun
e ban miop,
krahët ja lodh
cikloni pa pushim.
( Spaç rrethi Mirditë, 1976 )
Kjo poezi, e shkruar në Spaç, rrethi Mirditë nga Ymer Adem Llugaliu, i burgosur i regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, është një dëshmi shpirtërore e qëndresës përmes artit. Në vargjet e saj ndihet betejë e brendshme mes shpresës dhe vetmisë, e lindur nga errësira e qelisë, por ndriçuar nga drita e shpirtit të lirë.
Përgatiti për botim: Arif Ejupi










