17.5 C
Tirana
E shtunë, 15 Nëntor 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Mbijetesa e pasionit të filatelisë në socializëm

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Besnik Fishta Besnik Fishta

Në Shqipërinë e izoluar të viteve 1945–1990, jeta shoqërore dhe kulturore kalonte përmes filtrit të hekurt të ideologjisë. Çdo fushë kontrollohej nga Partia e Punës, e cila e shihte si detyrë që çdo hap të shërbente për forcimin e pushtetit të saj. E megjithatë, në këtë realitet me kufizime, filatelia, koleksionimi i pullave postare arriti të mbijetonte. Jo vetëm që mbijetoi, por në mënyrën e vet të veçantë, krijoi një hapësirë ku pasioni individual mund te themi me siguri qe triumfoi.

Asokohe pulla postare, ky “mini-posteri ideologjik”, u shndërrua në një nga mjetet kryesore të propagandës. Ajo nuk shërbente më vetëm për të vulosur letra apo zarfa, por për të shpërndarë imazhin e Shqipërisë së re, heroike e socialiste. Në to shfaqej Enver Hoxha si udhëheqës vizionar, partizanët si simbol i lavdisë, hidrocentralet si dëshmi e fuqisë ndërtuese të socializmit. Çdo seri aprovohej nga Komiteti Qendror, duke u kthyer në një instrument të përhapjes së ideologjisë. Në këtë aspekt, qartesisht filatelia ishte pjesë e aparatit shtetëror. Por përtej propagandës, pulla ishte edhe një mjet i rëndësishëm ekonomik. Shteti e kuptoi shpejt se koleksionistët ndërkombëtarë ishin një treg fitimprurës.

Që nga vitet ’60, Shqipëria nisi të prodhonte seri të posaçme me ngjyra të pasura, tematika tërheqëse dhe cilësi më të lartë, shpesh me motive të faunës, florës, sportit apo astronautikës, të cilat ne pjesen me te madhe pothuajse nuk u përdorën kurrë në postë, por përfunduan te pasqyruara në katalogët Michel, Scott, Yvert & Tellier etj, dhe natyrisht ne albumet e koleksionisteve ne gjithe boten. Për një vend të izoluar, që vuante nga mungesa e valutës së huaj, këto pulla u kthyen në një burim të rëndësishëm të ardhurash.

Megjithatë, nëse filatelia do të kishte mbetur vetëm propagandë dhe valutë, ajo nuk do të kishte pasur te ardhme,dhe nje histori zhvillimi te vecante ne sferen e kultures shqiptare. Kjo u mundesua nga individët, nga ata njerëz të zakonshëm që e shihnin koleksionimin e pullave si pasion personal, si arratisje shpirtërore nga realiteti dhe izolimi shqiptar. Shumë mësues, inxhinierë apo intelektualë ruanin fshehurazi koleksione të vjetra, madje edhe pulla të ndaluara me simbole mbretërore ose fetare. Të tjerë mblidhnin seri të reja nga sportelet postare, duke i shkëmbyer mes miqsh, brenda dhe jashte vendit.

Për ta, filatelia nuk ishte politikë; ishte kulturë, ishte dashuri për historinë e vogël të shkruar në copëza letre. Sigurisht, ky pasion nuk ishte pa rrezik. Në një vend ku çdo kontakt me botën e jashtme shihej me dyshim, marrja e pullave të huaja mund të të sillte hetime nga Sigurimi i Shtetit. Koleksionistët që përpiqeshin të lidhnin korrespondencë me të huaj rrezikonin të akuzoheshin për “propagandë armiqësore”. Konfiskimi i koleksioneve ishte një realitet,ndonese ligjerisht nuk shprehej. Dhe megjithatë, pasioni nuk u shua, në heshtje, në sirtarë të fshehtë, u ruajtën shumë nga thesaret filatelike që sot përbëjnë trashëgiminë tonë.

Një dimension tjetër i mbijetesës ishte vlersimi per te si “dritarja drejt botës”. Në një Shqipëri pa ose shume te kufizuar nga libra e filma të huaj, dhe pa udhëtime, pa radio e televizione të lira, pulla e vogël postare ishte një dritare që hapte horizonte të panjohura. Përmes saj, si ne ato shqiptare apo te huaja, fëmijët dhe të rinjtë njihnin sportistë,artiste, shkencëtarë, astronautë, qytete të largëta e specie ekzotike. Pulla si “libër i vogël ilustrues” edhe pse e vogël në përmasa, ofronte imazhe, data, figura historike dhe motive kulturore që hapnin horizonte të reja.Per shume te rinj keto pulla ishin kontakti i pare me kulturat e huaja. Shumë seri shqiptare, të prodhuara për tregun ndërkombëtar, përmbanin imazhe nga vendi yne që një shqiptar i zakonshëm edhe mund mos t’i shihte kurrë.

Për këtë arsye, pulla mbeti një mësuese vecanerisht e pelqyer e dijes per brezat qe i perjetuan ne ato vite. Shteti nuk mundi ta ndaloi këtë pasion, por i detyruar, e kanalizoi përmes klubeve të filatelisë në Shtepite e kultures, apo Shtëpitë e Pionierit. Atje fëmijët mësonin si të klasifikonin pullat, por mbi të gjitha, mësonin historinë sipas versionit zyrtar: heroizmin e partizanëve, sukseset e planit pesëvjeçar, kultin e udhëheqësit. Megjithate edhe pse ideologjikisht te kontrolluara,keto klube mbajten gjalle pasionin e filatelise te brezi i ri. Sot, kur kthehemi pas në kohë, kuptojmë se mbijetesa e filatelisë shqiptare nuk ishte thjesht rezultat i strategjive shtetërore apo i funksionit propagandistik të pullës.

Faktor vendimtar ishte pasioni i koleksionistëve të përkushtuar, guximi i tyre për të ruajtur një trashëgimi shpesh të ndaluar, qytetaria për ta mbajtur gjallë këtë pasion në rrethana të vështira dhe patriotizmi për të ruajtur identitetin kulturor. Pa këtë forcë njerëzore, pas viteve ’90 do të përballeshim me një boshllëk të thellë, jo vetëm me mungesë historie filatelike, por edhe me zhdukjen e koleksioneve, humbjen e një tradite qytetare dhe varfërimin e trashëgimisë kulturore kombëtare.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit