Mikel Gojani
Anton Nikë Berisha, Martin Camaj: Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë – 50 letra të Martin Camajt dhe teksti i bisedës me të në vitin 1990. ITSHKSH, Shkup 2021.
Letërkëmbimet e shkrimtarëve tanë kanë shërbyer si një formë e veçantë dhe e rëndësishme e komunikimit letrar, kulturor dhe historik. Përmes letrave ata kanë shprehur dhe kanë këmbyer mendime të ndryshme rreth letërsisë, filozofisë, dukurive shoqërore dhe jetës së tyre në përgjithësi, që sot mund të përdorën si burime të çmuara për studimin dhe ndriçimin e çështjeve të ndryshme të letërsisë dhe të jetës.
Në periudha të ndryshme kohore, sidomos gjatë Rilindjes kombëtare dhe në kohën e represionit apo të mërgimit, letërkëmbimet kanë qenë një mjet i domosdoshëm për të ruajtur lidhjet midis intelektualëve shqiptarë. Letrat e figurave si Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fishta dëshmojnë jo vetëm për procesin e krijimit letrar të tyre, por edhe për përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të vetë gjuhës shqipe, si mjetin kryesor me të cilin dhe shkruhet letërsia.
Përveç vlerës dokumentare, letërkëmbimet në ndonjë rast kanë edhe vlera gjuhësore dhe letrare. Shumë prej tyre dallohen për gjuhën e pasur, stilin e përpunuar dhe ndjeshmërinë e të shprehurit. Në këtë mënyrë, në disa raste letra janë një lloj mes dokumentit dhe artit, ku autorët shfaqin botën e tyre krijuese, shpirtin dhe dijen e tyre.
Letërkëmbimi midis shkrimtarëve tanë ndihmon të kuptojmë më të thellë të personalitetin e shkrimtarëve dhe të kontekstit letrar, shoqëror e historik, në të cilin krijuan ata. Për këtë arsye, letërkëmbimet çmohet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe letrare shqiptare dhe një urë lidhëse mes jetës personale të autorëve dhe veprës së tyre artistike.
Rëndësinë dhe vlerat letrare dhe dokumentare të letërkëmbimeve në letërsinë tonë e dëshmon edhe libri me titull: “Martin Camaj Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë” i autorit Anton Nikë Berisha. Në të lexuesit njihen nga afër me letërkëmbimet që i kanë shkëmbyer këta dy shkrimtarë dhe studiues të shquar të letërsisë sonë: prof. dr. Martin Camaj dhe prof. dr. Anton Nikë Berishës.
Martin Camaj (1925–1992) ishte dhe mbetet një nga shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë. Ai lindi në Temal të Dukagjinit dhe u largua nga Shqipëria në vitet ’40, duke jetuar sidomos në Itali dhe në Gjermani.
Camaj ishte poet, prozator dhe gjuhëtar si dhe profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut. Në veprat e tij vështrohen dukuri si malli për atdheun, identiteti, vetmia dhe lidhja me traditën shqiptare. Ai shkroi sidomos poezi dhe prozë, po botoi dhe dy drama.
Ndër veprat më të njohura të tij janë përmbledhjet me poezi Njeriu më vete e me tjerë, me ciklet Buelli dhe Nema, Palimsest, romanet Djella, Rrathë, Karpa dhe prozat poetike Dranja. Martin Camaj mbetet një figurë e rëndësishme edhe për kontributin e tij në fushën e gjuhësisë.
Anton Nikë Berisha është shkrimtar, studiues letrar i njohur. Veprimtaria e tij përfshin studime të rëndësishme në fushën e letërsisë shqipe, veçanërisht të letërsisë gojore, të mitologjisë, të traditës arbëreshe, të etnologjisë etj. Ka vështruar çështje teorike të letërsisë, të poetikës, të estetikës, të identitetit kulturor shqiptar, duke i lidhur ato me kontekste më të gjera evropiane. Krahas studimeve, Berisha ka botuar edhe vepra letrare në prozë dhe poezi. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe si profesor universitar dhe përkthyes, duke ndihmuar në afirmimin e letërsisë shqipe në rrafshin ndërkombëtar.
Vepër me vlera të rëndësishme
Në nismë të librit Berisha ka vënë mendimin shumë domethënës të Martin Camaj: “Qëllimi dhe qëndrimi i vërtetë imi është letërsia: nuk ka pasur një ditë tash 50 vjet që nuk e kam formulue me mend apo me shkrim së paku një ide letrare: letërsia asht jeta ime e vërtetë”. (Nga letra, Lenggries, 4.2.979.)
Në Fjalën paraprake të librit Anton Nikë Berisha thotë se me veprën e Martin Camajt (1925 – 1992) u njoh qysh në Shkollën normale të Prishtinës (në vitin 1961), po njohja e mirëfilltë filloi në vitin 1979, kur qëndroi në Gjermani (atëherë BRD) si bursist i DAAD-së. Aty i lexoi edhe veprat kryesore të tij.
Berisha në bën të ditur se letrën e parë prof. Martinit i shkroi më 21 janar 1979 (rreth dy muaj e gjysmë mbasi ishte vendosur në Göttingen), ndërsa ai i përgjigjet, dy ditë më vonë, më 23.
Nga ajo datë, për disa vjet rresht, këta dy shkrimtarë kanë këmbyer mendime, letra, po dhe janë takuar në shtëpinë e Martinit në Lenggries, pastaj në Prishtinë (në gusht të vitit 1990), kur mori pjesë në Seminarin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Në Prishtinë takoi shokë nga studimet e Beogradit dhe njohu dhe shumë krijues të tjerë të Kosovës (pos tjerash, u shpall dhe anëtar nderi i Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës).
Berisha thekson se ndonjëra nga letrat e Martinit mund të më jetë shmangur pa dashjen time, po shumicën e tyre i kam ruajtur me kujdesin më të madh. Gjatë Luftës së vitit 1999 në Kosovë, letrat më mbeten në banesë në Prishtinë (meqenëse isha i detyruar të shkoja për Kozencë, Itali, se fillonte mësimi në Universitetin e Kalabrisë, ku atëbotë punoja), po deshi Hyji që policia serbe nuk e thyen banesën dhe ato shpëtuan.
Letra e Martin Camajt që po botohen për herën e parë në një libër më vete, ndriçojnë në mënyrën burimore, në rrafshe e në elemente të qenësishëm, rrjedhën e jetës së Martinit, krijimin e veprës së tij letrare e gjuhësore, pikëpamjet për letërsinë, aftësinë dhe përkushtimin krijues, pastaj karakterin dhe virtytet që e cilësuan atë, po dhe sjellin shumë të dhëna, mendime e vlerësime për dukuri të ndryshme, ashtu siç i shkruante Martini nga Lenggries-i më 23. 4. 1984: “[…] letrat kushtojnë apo harxhojnë kohë, po përmes tyre sqarohen idetë ma së miri”..
Libri, “Martin Camaj: Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë” është i konceptuar në disa kapituj tematikë, që krijojnë një tërësi: Rreth letërkëmbimit me shkrimtarin Martin Camaj; 47 letra të Martin Camajt dërguar Anton Nikë Berishës; Shtojca 1: Tri letra të Anton Nikë Berishës nisur Martin Camajt; Shtojca 2: Bisedë me Martin Camajn, bërë në vitin 1990 nga Anton Nikë Berisha dhe letra e Martin Camajt dërguar Gjon Sinishtës.
Dëshmi të shumta për Martin Camajn dhe veprën e tij
Libri “Martin Camaj Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë” është një dëshmi e drejtpërdrejtë për jetën dhe veprimtarinë letrare dhe gjuhësore të njërit ndër figurave më të shquara të botës sonë shqiptare. Përmes 50 letrave dhe të bisedës së bërë në vitin 1990, lexuesi mëson për një varg të dhënash dhe faktesh për jetën dhe rrjedhën e hartimit të veprave letrare dhe gjuhësore të këtij intelektuali të madh.
Letrat e Camajt, të shkruara kryesisht midis viteve 1979–1990, e përbëjnë bërthamën e këtij vëllimi. Ato dokumentojnë marrëdhënien e tij me Anton Nikë Berishën, me shkrimtarë dhe studiues shqiptarë, si dhe përpjekjet për botimin dhe shpërndarjen e veprave në Shqipëri dhe në Kosovë.
Letrat dëshmojnë se Camaj nuk i ndante përjetimet personale nga ato krijuese: secili reflektim mbi jetën dhe botën lidhej ngushtë me mënyrën sesi ai e konceptonte poezinë, prozën dhe dramën.
Teksti i bisedës së vitit 1990 është pjesë e integruar e librit dhe shërben si dëshmi e koncepteve të Camajt për letërsinë, estetikën dhe rëndësinë e komunikimit përmes tekstit poetik.
Një nga temat që përcjell libri është marrëdhënia e Camajt me letërsinë. Për të, letërsia përveçse është profesion ose veprimtari artistike, ajo është jetë, mënyrë ekzistence dhe mision personal. Mendimi i tij: “letërsia asht jeta ime e vërtetë” sado që lexohet si metaforë, është dëshmi e përkushtimit të plotë të tij si shkrimtar, përkatësisht krijues i së bukur përmes fjalës poetike.
Rëndësia e gjuhës
Në një varg letrash të veta dërguar Anton Nikë Berishës, Camaj vështron dhe çështjen e trungut gjuhësor, të dialekteve e të varianteve të shqipes. Ai dëshmon rëndësinë e nderimit të traditës dhe nevojën për një standardizim natyror dhe autentik. Ai e çmon gjuhën si dukuri të gjallë që e ruan identitetin kulturor dhe për këtë arsye letrat e tij janë jo vetëm dokument biografik, por edhe burim reflektimi për studiuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Libri “Martin Camaj Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë” ka një përmasë historike dokumentare të madhe. Përmes letrave zbulohet jeta e Camajt jashtë Shqipërisë, marrëdhëniet me shkrimtarë të tjerë dhe ballafaqimi me botimin dhe shpërndarjen e veprave të tij. Letrat ndriçojnë dukuri të realitetit shqiptar dhe të letërsisë shqipe në një periudhë të vështirë kohore dhe përpjekjet për ruajtjen e autonomisë artistike dhe shpirtërore.
Në letra shprehen dh mendime të rëndësishme për jetën dhe për vetë njeriun, për përgjegjësinë e shkrimtarit ndaj lexuesit dhe trashëgiminë kulturore që lë pas, pastaj për jetën dhe për vdekjen
Këto mendime e të dhëna e bën librin një udhërrëfyes për ta kuptuar jo vetëm veprën e Camajt, por edhe vlerën e letërsisë në jetën e njeriut.
Një element tjetër që e pasuron librin janë dhe mendimet për letërsinë shqiptare dhe atë botërore. Camaj shpreh mendime për veprat e shkrimtarëve shqiptarë bashkëkohorë si Kadare, Pashku, Ali Podrimja, Arshi Pipa dhe Jakov Xoxa, duke i parë në një lidhshmëri me traditën, po dhe me rrymat letrare botërore. Kjo qasje i jep lexuesit mundësinë të kuptojë se letërsia nuk është e izoluar, por pjesë e një pasurie të gjerë kulturore dhe filozofike.
Libri “Martin Camaj: Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë” mund të shërbejë edhe si udhërrëfyes për ta kuptuar procesin krijues, rolin e gjuhës, reflektimin mbi artin dhe jetën, si dhe lidhjen midis traditës letrare dhe bashkëkohësisë.
Përmes tyre lexuesi hyn në një dialog të drejtpërdrejtë me dijen dhe shpirtin e autorit, ku secila letër është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e artit dhe kuptimin e ekzistencës, i përkushtimit ndaj fjalës dhe mendimit, ndaj krijimtarisë dhe rëndësisë së artit në përgjithësi e të artit të fjalës në veçanti.
Mendoj se libri “Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë” i Anton Nikë Berishës i botuar nga Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve Shkup, jo vetëm do të jetë i dobishëm për të gjithë ata që duan ta njohin shpirtin e Camajt, dijen që e ka cilësuar, rrjedhën e jetës dhe përkushtim për krijimin e veprave të një niveli të lartë poetik, po dhe një varg mendimesh për letërsinë shqipe e për disa nga shkrimtarët më të shquar të saj.
Meritë të veçantë i përket edhe autorit të librit, Anton Nikë Berishë, i cili me kujdes dhe përkushtim i botoi këto letra si dhe tekstin e bisedës të vitit 1990, që e ngrit rëndësinë dhe vlerën e këtij libri
Janar 2026











