HAJDAR PAÇARADA-DUMOSHI
(Skicë eseistike për romanin “Lëkura e gurit”)
Kur shkrimtari shkruan, çlirohet nga vdekja, kur guri ndërron lëkurën, ndërrohen epokat.
Kritika në fillimet e saj në lashtësi është quajtur dialog në mes shkrimtarit dhe dëgjuesit, mësuesit dhe masës përballë. (Epikteti).
Leksikologjia e të shkruarit të fjalive, të cilat marrin fund pas pike, por në të vërtetë ato ringjallen në kuptimin e morfologjisë etnike e të hapësirës Arbëni pa grafema, me mbamendje fantastike për ambientin tmerrues në kushtet e “jetës së gjallë”, si mençuri hyjnore.
Hapat e para drejt urtësisë-dituri janë më të mundimshmit, sepse shpirtrat tanë të dobët e kokëfortë i tremben mundimit, (pa pasë garanci absolute për shpërblim të së
panjohurës).
Teksa ecën përpara, rritet vendosmëria edhe vetë edukimi bëhet gjithnjë më i lehtë, andaj, si rrjedhojë, është e vështirë të veprosh kundër vetvetes.
Falë përkushtimit ngulmues ndaj spastrimit të qenies tonë prej besimeve të paqena, shkrimtari bëhet gjithnjë më i afërt për ta anashkaluar frikën false, pështjellimin e vet në dashurinë e vetëqenies krijuese, që karakterizon shkrimtarin apo artin e tij të shkruarit, si dukuri unike që është edhe universale. Në këtë rrjedh qëmtuesi i së bukurës apo i së madhërishmes, nuk përpiqet më që të duket ose të shtiret se po duket mirë para tjerëve…
Një ditë, nga ato të bukurat, shkrimtari Mehmetali Rexhepi ngulmoi se nuk i bënë më qefin turmës, por lexuesit të vet, i cili nuk loz rol sa është i madh në numra apo i vogël, ngaqë është lexuesi i shkrimtarit krijues. Pa dyshim, këtu përfundojnë të gjitha të vetëquajturat “izma” në çdo kohë dhe sistem. Pra krijuesi nuk ka, as nuk bënë kontratë me askënd për të shkruar me porosi, për të zënë vend në parlamentet deduktive të votës në masa.
Andaj, lexuesi dhe krijuesi shkrimtar ndërthurin morinë e përsosmërisë së marrëdhënieve që sjellin kënaqësi, pa përdorë fjalorin (kritikën, kritikë estetike, kritikën letrare, kritikë etnike-filozofike këtë apo atë dinamik, që fare pak kuptohet e shumë e shumë fjalë të tjera, që enden si xixa të pamasë në kuptimin e edukatës së neuronit të leximit.
Njëri ndër mendimtarët dhe gjuhëtarët më të mëdhenj të këtij shekulli Chomski thotë: se kritika e çfarëdo lloji të shkruhet, sido që të quhet ajo kritikë nuk mundet, as që ka mund kurrë të hapë apo të ri-projektojë laboratorin e shkrimtarit krijues.
Në lagjen e kësaj urtësie-dije të shkrimit, lëvrues të thellë, për botëkuptimin tim si lexues, janë Teki Dervishi me ”Lulepjeshkat e dashurisë”, Beqir Musliu me “Familjen e Shenjtë” dhe Mehmetali Rexhepi po thuaj në tërë opusin e vet shkruar për artin e madh, siç thotë Kadare, duke ikur nga çdo kontratë kolektive e detyrim kolektiv brenda laboratorit të universit të vet krijues.
Romani Lëkura e gurit është shkruar jo si formë e çfarëdo përcaktimi apo rregulli estetik – teorik letrar, që e para-përkufizojnë teoritë e kritikës letrare, skemat e ndryshme si module-provë, por është i njëllojti me rrugën në galaktikën e universit krijues.
Dark to dark në anglishte është thënie e kopjuar nga latinët e moçëm tenebris in tenebris, që nënkupton hyjninë e kuptimit, e errëta në errësirë shumë shtresore për dukurinë e urtësisë-dijës së qenies njerëzore, përsosmëria e pa pikë-fillimi dhe e pa pikë-mbarimi.
Të gjithë kapitujt dhe kryetitujt e kësaj proze të romanit janë përvojë në segmente të dijës nga thellësia e errët e vuajtjes, kënaqësisë dhe lumturisë, mu sikur pikat e shiut, që deri sa përplasen në tokë quhen pika shiu e pastaj janë ujë i lumit, i detit apo oqeanit, janë masë në tërësinë e vet lehtë të shpjegueshme.
Pra te romani Lëkura e gurit kur thellohemi brenda kësaj forme të leximit, na bënë kohën e gjithëkohshme të pamatshme nga e errëta në errësirë.
Krye-personazhi Moti është koha si perandori e fundit e mendjes; personazhi Vijorja vazhdimësi e papërfunduar e dashurisë në pasqyrën rrugë e quajtur kohë.
E kaluara mund të lexohet në çdo rrathë të drurit e të trurit… Po çka mund të lexohet në Lëkurën e gurit: koha si rrugë universi për popujt e vegjël që kanë dalë në mes plasash të perandorive të mëdha njerëzore e jo njerëzore-barbare, si ngulitje pa pikëmbështetje të saktë si në kaptinat e Lëkurës së gurit pa shkronja, pa shenja, ku vetëm krijuesi përsosmërisht me zanoret e gjuhës sonë, që nga kënga me dorë mbi krah deri tek magjia e polifonisë së pashterur shpirtërore e popullit tonë e mban ison, “ngulitje apo civilizim që për saktësi quhet qytetnim në pellgun e Ilirikut, në aortën Arbrit, në mes të shekujve kur ndahet interpretimi bizantin i zanoreve Ilire të pa grafema.”
Personazhin e dytësorit në segmente kuptimore nga një pikë fillimi deri te pikë fillimi tjetër e bëjnë prozë të dendur, në kuptimin kuantik përtej vrimës së zezë intelektuale në kozmosin e ideales.
Proza e thurur në sekuenca te romani Lëkura e gurit në sy të paparë, të copëzuar, të ndarë, në fakt është tërësia e mbështjell filozofike Rreth Boshtit kurrizor ATË-DHE-DASHURI.
Mehmetali Rexhepi ruan integritetin e vet krijues të idealistit larg kritikës. Përse? E ruan vetëm për lexuesin e vet të artit të madh.
Prishtinë, më 22 tetor 2024