Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha
Nga cikli “Humanistë të shquar të hershëm shqiptarë”
Lekë Matrënga, kronologjikisht është autori i dytë në letërsinë e hershme që shkruan një vepër shqip, por, siç është theksuar, ai është i pari shkrimtar i ngulimeve shqiptare në Itali, dhe i pari që na jep një vepër të shkruar në variantin e toskërishtes. I rëndë dhe i vështirë ka qenë fati i shumë shqiptarëve që për arsye të mëdha, siç ishin mospranimi i zgjedhës së huaj turke, në shekullin e 15- të dhe të 16-të u detyruan të kaptojnë Adriatikun për të kërkuar jetën, paqen e lumturinë, diku matanë brigjeve të detit që lagte atdheun e tyre, Arbërinë. Ata vinin sa nga Veriu dhe Jugu i Arbërisë, por edhe nga Moreja, ku shqiptarët përbënin një popullsi jo të vogël. Me sa dihet nga shpirti i tyre buruan vargjet e asaj elegjie të thekshme që mbeti lajtmotiv i dhimbjes shqiptare ndër shekuj, kur ata i kthyen me pahiri shpinën vendlindjes për të kërkuar fatin diku tjetër. Njihen shumë valë emigrimesh si ai i viteve 1481, 1488, 1492, 1506 dhe sidomos ai i viteve 1532-1533, këto të fundit nga arbëreshët e Moresë (të Greqisë) që i ka fiksuar kënga popullore:
“Mori e bukura More,
çë të le e më s’të pe
atje kam u zonjën mëmë
atje kam u tim vëlla
atje kam u zotin tat,
të mbuluar nën dhé”
Vuajtjet e të shpërngulurve arbëreshë i përshkruajnë kronikat e kohës. Papa Piu II i shkruante Filipit, dukës së Burgonjës: “Nuk mund t’i shohë njeriu pa derdhur lot këta refugjatë nëpër limanet e Italisë të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre që rrinë anës së detit e ngrenë në qiell duart e qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s’ua marrim dot vesh”. Ata do të vendoseshin në tokat e pabanuara të Bazilikatës, Molizes, Kapitanatës, Puljes si në krahinën e Kalabrisë dhe të Siçilisë. Të shpërngulurit nga Veriu i Arbërisë u vendosën në Veriun e Gadishullit Apenin. Lufta për mbijetesë në një truall jo të tyrin nuk ka qenë e lehtë për mijëra të shpërngulur. Por falë punës së tyre si bujq dhe blegtorë të zellshëm dhe punëtorë ata arritën të ndërtonin një jetë të re nga e para duke ruajtur në shpirt lidhjen e fuqishme me vendin e origjinës, me doket e zakonet e bartura, duke ruajtur si gjë shumë të çmuar gjuhën amtare të cilën do ta ushtronin edhe në ritet e praktikat fetare, por edhe në institucionet e tyre fetare.
Pikërisht këtë traditë të praktikimit të gjuhës amtare nga arbëreshët të ngulur në dheun italian dëshmojnë dokumente dhe vepra si ajo e Gj. Marafiotit, 1601, që shkruan për historinë e krahinës së Kalabrisë dhe për shqiptarët që nuk i kanë as në latinisht as në greqisht shërbesat e tyre fetare, edhe pse i takojnë ritit ortodoks, por në shqip. Kjo i ka bërë historianët tanë të letërsisë t’i kërkojnë rrënjët e këtij veprimi në truallin mëmë, në Shqipëri. Por dëshmia më e fuqishme dhe më shprehëse e nevojës por edhe e përdorimit institucional të shqipes në ritualin kishtar është vepra jo voluminoze e Lekë Matrëngës që shfaqet shumë shpejt, vetëm 37 vjet pas veprës së Gjon Buzukut, që shpreh pikërisht atë prirje progresive historike,edhe per arbereshet qe i takon ritit ortodoks.
Lekë Matrënga lindi në Hora të Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) në rrethët e Palermos në Siçili. Familja Matrënga kishte ardhur nga Himara dhe shquhej si familje fisnike. Kishte stemën e saj. Hora ishte themeluar nga arbëreshët më 1488. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje shkon në Romë në kolegjin grek të Shën Athanasit. Sipas studiuesve, mendohet se ka qëndruar në kolegj nga viti 1582-1587. Periudhën 1587-1592 me sa thuhet e kaloi në shtëpi për arsye shëndetësore por edhe u mor me përkthimin e veprës, e cila, siç thotë vetë, ka qarkulluar edhe si dorëshkrim.
Më 1592, veprën “E mbësuame e krështerë”, përkthim i veprës së jezuitit spanjoll Ladesma, Lekë Matrënga e botoi në Romë. Më pas pagëzohet më 1601 famullitar i kishës së Horës. Vepra e Matrëngës është vepër e përkthyer dhe jo origjinale. Vepra është ruajtur si dorëshkrim në tri kopje të ndryshme në Bibliotekën e Vatikanit. Botimi është bërë në Romë sipas kopjes së tretë.
Arbëreshët, siç shënon edhe vetë në librin e tij, nuk e kuptonin italishten. Ky fakt dhe mungesa e librave fetarë në gjuhën shqipe e shtynë Matrëngën që t’ia hyjë përkthimit të një katekizmi. Ai nuk pati parasysh vetëm nevojat e arbëreshëve të Horës, por edhe të fshatrave të tjerë të Siçilisë, të Kalabrisë dhe të Puljes, ku sipas tij “numëroheshin me qindra lagje e fshatrat arbëreshe”. Këta arbëreshë ruajtën gjuhën shqipe duke vazhduar të flasin por edhe të shkruanin dhe e lëvronin gjuhën shqipe. Ata krijuan një prodhim letrar që u lejoi të mbanin gjallë flakën e dashurisë për gjithëka shqiptare. Është me interes fakti se kjo letërsi, në kuptimin më të shtrirë të fjalës, është pothuajse e njëkohëshme me letërsinë e truallit mëmë dhe pothuajse e njëjtë në karakter dhe synimet e saj. Është kjo arsyeja, që në fillimet e letërsisë arbëreshe do të ketë vepra dhe poezi fetare ashtu siç kishte ngjarë edhe në truallin amtar.
Vepra është jo e vëllimshme (28 faqe), ku autori vuri në përdorim sipas përllogaritjeve të studiuesve (K. Ashta) një numër relativisht të kufizuar, 497 fjalë. Libri hapet me një fletë kushtuese, siç e quan parathënien e tij vetë autori, ku shpalos qëllimin, rrethanat dhe rolin e veprës së tij. Pas fletës kushtuese autori ka vënë 8 vargje njëmbëdhjetërokëshe me rimë të alternuar. Këta përbëjnë përkthimin e lirë të katër distikëve latinë që janë botuar pranë. Këto vargje së bashku me poezitë e Buzukut sjellin përpjekjet e para për vjershërim në gjuhën shqipe. Poezia titullohet “Kënga e përshpirshme” dhe përmban një thirrje prekëse plot ndjenjë drejtuar besimtarëve që të jenë të pranishëm në meshë dhe të shmangin mëkatet që u takojnë njerëzve të gjallë dhe me besimin e tyre tek Zoti të fitojnë parajsën. Le t’i japim ato vargje:
“Gjithëve u thërres, kushdo ndëljesë,
të mirë të kreshte burra e gra,
mbë fjalë të tinë Zot të shihi meshë
se s’ishte njeri nesh që mëkatë s’ka
e lum kush e kujton se ka të vdesë
e mentë me tinë Zot i ka
se Krishti në parajsë i bën pjesë
e bën për bir të tij e për vëlla”
Në katekizëm pranë përkthimit të dialogut midis priftit dhe nxënësit është vënë edhe teksti italisht. Vepra e Matrangës e një shekulli me veprën e Buzukut, por edhe një kaheje për nga vlerat e saj historiko-letrare është vepra e dytë e shqipes e njohur deri tani dhe përfaqësuesja e parë e atij lastari të blertë që hodhi letërsia shqiptare në ngulimet arbëreshe në vendin fqinj, Italinë. Ajo do të dëshmonte atë njësi prirje progresive që natyrshëm gjeneronte nga trualli shqiptar në Veri dhe Jug, për të treguar fuqishëm dhe provuar njësinë etnokulturore shqiptare, identitetin e pandërprerë të shqiptarëve historikisht dhe nga pikëpamja gjeografike. Në këtë vështrim kjo vepër pohon shumë dhe ka domethënie të rëndësishme jo vetëm për zhvillimet e mëparshme të arbëreve por edhe në të ardhmen. Pa dyshim vepra e Matrangës me karakteristikat e saj grafike e gjuhësore është një dokument për zhvillimet e toskërishtes dhe të mbarë gjuhës shqipe.
Por vepra megjithëse përmendet më 1763 për herë të parë nga P.M. Parrino mbeti krejtësisht e panjohur deri më 1909, kur Pal Skiroi e zbuloi në Bibliotekën e Vatikanit. Nga vepra e botuar gjeti një ekzemplar dhe tri dorëshkrime. Ekzemparin e fotokopjoi dhe lajmëroi opinionin në gazetën “Dielli” të Bostonit më 1910. Më pas studiuesi tjetër arbëresh Marko la Piana e botoi versionin më të plotë në revistën “Roma e l’Oriente” më 1912. J. Rrota e ribotoi në revistën “Hylli i Dritës” më 1931 dhe si broshurë më 1939, ndërsa M. Rok më 1937. Një studim të plotë mbi këtë vepër ka realizuar studiuesi Fadil Sulejmani të cilin e ka botuar në Prishtinë më 1979 së bashku me transkriptimin e veprës.











