Nga Isuf Bajraktari
Në vitin kur Lidhja Demokratike e Kosovës shënon tridhjetegjashtëvjetorin e saj, Kuvendi i Kosovës ndodhet në një krizë të thellë funksionale. Përtej pamundësisë për të zgjedhur kryetarin e kuvendit, problemi është më i thellë dhe më strukturor: kriza nuk është më teknike apo procedurale, por është shndërruar në krizë të legjitimitetit dhe të vetë kuptimit të autoritetit politik në një rend demokratik. Kjo krizë, për të cilën vazhdimisht gjejmë emra të përkohshëm, është në fakt një simptomë e zbrazjes së vlerave mbi të cilat ndërtohet funksioni demokratik i institucioneve.
Në leximin filozofik që Martin Heidegger i bën tezës së Friedrich Nietzsche-s se “Zoti ka vdekur”, nuk kemi të bëjmë me një deklaratë fetare, por me një pohim mbi rënien e autoritetit më të lartë si burim i vlerave dhe kuptimit. Në mënyrë analoge, mund të thuhet se sot në politikën e Kosovës po përjetojmë “vdekjen” e autoritetit institucional si një pikë referimi e përbashkët. Institucionet ekzistojnë vetëm formalisht, ndërsa përmbajtja e tyre është zhvlerësuar. Në këtë kuptim, Kuvendi i Kosovës nuk po dështon thjesht në zgjedhjen e kryetarit; ai është kthyer në një hapësirë ku mungon rendi simbolik dhe ku nuk ka më vullnet për marrëveshje mbi parimet bazë të përbashkëta.
Nihilizmi, në këtë kontekst, nënkupton jo vetëm humbjen e vlerave të përbashkëta, por edhe paaftësinë për të pranuar se ekziston një e vërtetë politike që është mbi interesin e çastit të secilës palë. Partitë nuk janë më pjesë e një arkitekture pluraliste, por entitete të vetë-mjaftueshme që e përkufizojnë të drejtën, legjitimitetin dhe qëllimin politik vetëm në raport me veten. Kjo vetë-referencialitet politik është baza mbi të cilën ndodh zhvlerësimi i të gjitha institucioneve.
Rasti konkret i bllokadës për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit është një shembull klasik i këtij degradimi. Në një demokraci funksionale, ky është një veprim procedurial, i cili bëhet në përputhje me rregulloren dhe me rregullat e lojës parlamentare. Në Kosovë, zgjedhja e kryetarit është shndërruar në akt të një lufte legjitimiteti, ku secila palë refuzon të njohë tjetrën si subjekt të barabartë në procesin demokratik. Kjo nuk është më çështje numrash, por një shfaqje klasike e nihilizmit institucional.
Alfabeti i gjuhës shqipe, me tridhjetegjashtë shkronjat e tij, është bërë metaforë e qëlluar për rrugën e papërfunduar të politikës sonë. Partitë që pretendojnë të udhëheqin shtetin, nuk kanë arritur ende të mësojnë alfabetin politik të funksionimit institucional dhe të bashkëpunimit pluralist. Ndoshta kanë kaluar shkronjën T, por shkronja TH – aty ku fillojnë fjalë si thelb, thirrje, thjeshtësi, thellësi politike – ende duket e paarritshme. Disa aktorë politikë ende veprojnë si nxënës të papjekur që ngatërrojnë kompetencat e përkohshme me pushtetin absolut, që i lexojnë institucionet si arena për dominim e jo si hapësira për barazi procedurale.
Në këtë përvjetor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që historikisht është identifikuar me fillimin e pluralizmit dhe me konceptet e shtetndërtimit institucional, është e drejtë të kërkohet një reflektim më i thellë. Jo për nostalgji, por për faktin se demokracia nuk është vetëm numërim votash apo ndarje pushtetesh. Ajo është kuptimi i përbashkët mbi rregullat, marrëveshja mbi legjitimitetin e institucioneve dhe mbi mënyrën se si njeriu e vendos veten në raport me ligjin, të vërtetën dhe tjetrin.
Kosova ka nevojë për një rikthim në përmbajtjen e politikës, jo vetëm në formën e saj. Kjo nuk bëhet duke mbajtur fjalime të bukura për reforma, por duke bërë hapa konkretë në kthimin e autoritetit moral dhe funksional në institucionet kushtetuese të shtetit. Kuvendi duhet të rimarrë rolin e tij si qendër e ligjvënies dhe kontrollit demokratik, e jo të mbetet peng i interesave që e shohin demokracinë si mjet për përfitim dhe jo si vlerë përfaqësuese.
Nëse kjo gjendje vazhdon, rrezikojmë që jo vetëm të ngecim në mes të alfabetit demokratik, por të dështojmë në përvetësimin e vetë gjuhës së demokracisë. Dhe pa atë gjuhë, pa ato shkronja, nuk ka politikë të kuptueshme, nuk ka shtet të qëndrueshëm, nuk ka demokraci që mund të quhet e tillë.