KURORA ENGJËLLORE

0
Angel Crown

Forma e Kurorës Engjëllore

Kurora që përdoret për të lutur “Kurorëzën Engjëllore” formohet nga nëntë pjesë, secila prej tri rruazash për “Të Falemi Mari˗të”, të paraprira nga një rruazë për “Ati ynë”. Katër rruazat që paraprijnë Medaljen me figurën e Shën Mikaelit Kryeengjëll, kujtojnë se pas thirrjes së nëntë Koreve engjëllore duhet të lusim akoma katër “Ati ynë” në nder të Shenjtërve Kryeengjëj Mikaelit, Gabrielit e Rafaelit dhe të Shenjtit Engjëll rojtar.

Zanafilla e Kurorës Engjëllore

Ky ushtrim i përshpirtshëm i qe zbuluar nga vetë Kryeengjëlli Mikael shërbëtores së Hyjit Antonia de Astonak në Portugali.

Princi i Engjëjve, duke iu shfaqur shërbëtores së Hyjit, i tha se dëshironte të nderohej me nëntë lutje në kujtim të nëntë Koreve të Engjëjve.

Çdo lutje duhej të përfshinte kujtimin e një Kori engjëllor dhe lutjen e një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari”.

Kurora Engjëllore duhej të mbyllej me lutjen e katër “Ati ynë”: i pari në nder të tij, tre të tjerët në nder të Shën Gabrielit, Shën Rafaelit dhe të Engjëjve rojtarë.

Kryeengjëlli premtoi akoma se ai që do ta kishte nderuar me lutjen e kësaj kurorëze përpara Kungimit, do të ishte shoqëruar në Darkën e Shenjtë nga një Engjëll i secilit prej nëntë Koreve.

Atij që do ta lusë çdo ditë i premtonte ndihmën e tij të veçantë dhe të të gjithë Engjëjve të shenjtë gjatë jetës e në Purgator pas vdekjes. Megjithëse këto zbulime nuk janë të njohura zyrtarisht nga Kisha, një praktikë e tillë u përhap mes të devotshmëve të Kryeengjëllit Mikael dhe të Engjëjve shenjtër.

Shpresa për të marrë hiret e premtuara është ushqyer e mbështetur nga fakti se Papa Pio IX e pasuroi me ndjesa të shumta këtë ushtrim të përshpirtshëm e të shëndetshëm.

Si lutet “Kurora Engjëllore”?

Në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!
O Hyj, më eja në ndihmë!
O Zot, shpejto të më ndihmosh!
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt!
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës! Amen!

“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e parë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Serafinëve, na bëftë Zoti të denjë për flakën e dashurisë së përsosur!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të parë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e dytë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit Kryeengjëll dhe të Korit qiellor të Kerubinëve, dashtë Zoti që të na japë hirin që të braktisim jetën e mëkatit dhe të vrapojmë në atë të përsosurisë së krishterë!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të dytë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e tretë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit Kryeengjëll dhe të Korit të Shenjtë të Froneve, le të fusë Zoti në zemrat tona shpirtin e përvujtërisë së vërtetë dhe të sinqertë!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të tretë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e katërt

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Zotërimeve, na dhashtë hir Zoti që të zotërojmë shqisat tona e të ndreqim epshet e prishura!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të katërt Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e pestë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Fuqive, u denjoftë Zoti që të mbrojë shpirtrat tanë nga sulmet dhe tundimet e djallit!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të pestë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e gjashtë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit të Virtyteve të admirueshme qiellore, mos lejoftë Zoti që të biem në tundime, por na liroftë nga e keqja!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të gjashtë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e shtatë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Principatave, i mbushtë Hyji shpirtrat tanë me shpirtin e dëgjesës së vërtetë dhe të sinqertë!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të shtatë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e tetë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të Kryeengjëjve, na dhashtë Zoti dhuratën e qëndrueshmërisë në besim dhe në vepra të mira!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të tetë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Lutja e nëntë

Me ndërmjetësinë e Shën Mikaelit dhe të Korit qiellor të të gjithë Engjëjve, u denjoftë Zoti që të na japë mbrojtjen e tyre në jetën e tanishme që pastaj të futemi në lavdinë e qiejve!
Një “Ati ynë” dhe tri “Të Falemi Mari” kushtuar Korit të nëntë Engjëllor.
“O Shën Mikael Kryeengjëll, na mbro në luftë, që të jemi të shpëtuar në gjyqin e fundit!”.

Një “Ati ynë” kushtuar Shën Mikaelit.
Një “Ati ynë” kushtuar Shën Gabrielit.
Një “Ati ynë” kushtuar Shën Rafaelit.
Një “Ati ynë” kushtuar Engjëllit Rojtar.

Të lutemi! O i lavdishëm shën Mikael, krye dhe udhëheqje e ushtrive qiellore, rojtar i shpirtrave tanë, zhbijës i shpirtrave rebelë, prijësi ynë i admirueshëm, denjohu të na lirosh nga çdo e keqe të gjithë neve që, me besim të plotë, vijmë tek ti dhe bëj që me mbrojtjen tënde të fuqishme t’i shërbejmë çdo ditë me besnikëri Hyjit tonë! Lute për ne, kryeengjëll shën Mikael, Jezu Krishtin Zotin tonë! E do të bëhemi të denjë për premtimet e Tij.

Të lutemi! O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, që me mrekullinë e mirësisë dhe të mëshirës, për shpëtimin e njerëzve, ke zgjedhur si Princ të Kishës sate Shën Mikaelin e lavdishëm, bëj që, nëpërmjet mbrojtjes së tij mirëbërëse, të lirohemi prej të gjithë armiqve tanë shpirtërorë! Në çastin e vdekjes sonë të mos na shqetësojë kundërshtari i vjetër, por le të jetë Kryeengjëlli yt Mikael që të na shoqërojë në praninë e Madhërisë sate! Amen!

Përgatiti në shqip: Nikolin Sh. Lëmezhi
Për nder të Zojës së Papërlyer, Mbretëreshë e Engjëjve.
Shkodër, më 08.12.2019

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.