Nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë
”Papa Klementi XI Albani”, Suedi
Valdete Kryeziu, tashmë e ndjerë, kishte lënë porosi që pensionin e saj të fundit jetësor ta dedikonte për Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Profesoreshë Valdete Kryeziu, një intelektuale nga Prizreni, ka qenë mbështetëse e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, duke vlerësuar lartë punën e anëtarëve të saj.
Në një bisedë me motrën e saj, Myvedete Kryeziu Basha, për veprimtarinë e së cilës shkruhet në numrin e 10 të librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi (f.64), znj. Valdete kishte insituar që pensionin e saj ta dhuronte për Shoqatën “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. “E mbështes shumë Shoqatën e Shkrimtarëve “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Qoftë edhe një laps nëse i dhurohet një shoqate që kontribuon për librin dhe për kulturën shqipe, ti ke kontribuar sa të rritësh një fëmijë jetim”, kishte thënë Valdete Kryeziu.
Kështu, motra e saj, Myvedetja, e ka përmbushur dëshirën e Valdetes, menjëherë pas vdekjës, duke i shtuar asaj shume edhe shumën prej dy pensioneve të saj. “Unë dua që amaneti i motrës të përmbushet ende pa i rënë dheu syve, prandaj kërkova që të bëj këtë transfer menjëherë në shoqatën tuaj, 200 euro nga motra dhe 200 euro nga unë, që sado pak të kontribuojmë për botimet e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, thoshte znj. Myvedete Basha.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, z. Rrahman Rrahmani, bashkë me Ymrije Beqirin dhe Hyrë Tejecin, ishin në vizitë në Prizen për të ngushëlluar familjen
Kryeziu. Z. Rrahman Rrahmani ndau Dekoratën “Papa Klementi” për znj. Valdete Kryeziu (postmortem) dhe znj. Myvedete Kryeziu Basha, si dy intelektuale të shquara, kontributdhënëse në të gjitha proceset për arsimin e Kosovës, iniciatore të shumë nismave për çështje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, humaniste të veçanta, si dhe si mbështetëse të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Suedia, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, z. Hysen Ibrahimi, shprehu edhe njëherë ngushëllime për znj. Myvedete Basha, për humbjen e së motrës Valdete Kryeziu. Ai çmoi lart gatishmërinë e dy motrave për të kontribuar për shoqatën, duke thënë se vetëm personalitete dhe intelektuale që rrjedhin nga familje të ngritura dhe atdhetare, dinë të vlerësojnë dhe të çmojnë librin dhe përpjekjet për botimin e tij.
Delegacioni i Shoqatës bëri homazh edhe te varri i Valdete Kryeziut dhe la një buqetë me lule.
Znj. Valdete Kryeziu, ishte një ndër intelektualet e para të Kosovës. Ajo kishte lindur më 1953 në Prizren, e rritur në një familje atdhetare, e edukuar për arsimin shqip. Kishte qenë në radhët e studentëve të parë të Kosovës që kanë ndjekur studimet e larta të mjekësisë në kuadër të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Beograd. Ajo kishte diplomuar më 1973, si studente më e dalluara.
Në moshën 22 vjeçe ishte kthyer në Kosovë, duke dhënë kontribut të madh e duke ngritur shumë gjenerata në Shkollën e Mesme të Mjekësië “Luciano Motroni”, deri në pensionimin e saj.
Valdete Kryeziu ishte një atdhetare e madhe, duke i edukuar dhe frymëzuar edhe nxënësit e saj për atdhedashuri. Në këtë kuadër ajo ishte shumë parimore edhe në vlerësimin me notë, sepse vlerësonte të përgatitë dhe të nxjerrë nxënës dhe kuadro të mirë e profesionistë. “Serbia na don të dobët në të gjitha profesionet. Nuk fal asnjë notë, ndryshe nuk nxjerrim nxënës të mirë”, kujtonte fjalët e të motrës, znj. Myvedete Basha.
Profesoreshë Valdete Kryeziu kishte përjetuar bashkë me nxënësit periudhën e helimit në shkolla nga ana e pushtetit serb, në fillim të viteve 90-të. Ajo ishte helmuar rëndë atë kohë dhe si pasojë shqetësimet shëndetësore e kishin përcjellë deri në fund të jetës. “Por ashtu e sëmurë, nuk i linte nxënësit dhe as orët nuk i humbiste. Shkonte rregullisht në shkollë dhe në praktikën që kishin nxënësit”, kujton Myvedetja. Ajo i trajtonte nxënësit sikur fëmijët e saj, prandaj kishte sakrifikuar shumë për ta.
Pas luftës së vitit 1999, ajo ishte ftuar nga pjesëtarë të KFOR-it gjerman që të zhvillonte një program aftësimi me pjesëtarë të TMK-së. Ajo ishte e vetmja eksperte që kishte studiuar në degën “Patronazh- Kujdesi ndaj Pacientit”, në Beograd, më 1973. Valdet Kryeziu kishte qenë njëra ndër femrat e para që ishte shkolluar jashtë Kosovës, duke thyer shumë tabu të
kohës.
Valdetja ishte vajza më e re e prindërve Ymer dhe Animshahe Kryeziu. Në Prizren njihet si një punëtore, intelektuale dhe humaniste e madhe. Familja e Ymer Kryeziut nga Prizreni ka dhënë shumë për kombin dhe shqiptarët. Një familje e përndjekur dhe e persekutuar në të gjitha gjeneratat, prej para Luftës së Parë Botërore e deri në çlirimin e plotë të Kosovës.
Trashëgimtarët e Ymerit e kanë ndjekur rrugën e të parëve me shumë dinjitet, duke iu bashkuar shumë iniciativave për liri dhe pavarësi. Ymeri kishte katër djemë e tri vajza, të gjithë të shkolluar dhe të edukuar për të dashur kombin dhe atdheun.
Femrat e kësaj familje kishin qenë shumë aktive, duke nisur që nga zonja Animshah (nëna e Valdetes), e cila kishte kontribuar shumë në ruajtjen e dokumenteve të rëndësishme të kohës. Ajo kishte qenë një grua vizionare dhe e kishte vlerësuar shumë shkollimin dhe edukimin e fëmijëve. Burri i kishte vdekur në moshë të re, duke e lënë atë të vetme me shtatë fëmijë.
Megjithë dhimbjen e madhe që kishte nga familja e saj, të cilës serbët ia kishte persekutuar të gjithë anëtarët e familjës, nëna Animshah, arrin t’ia dalë të punojë çdo gjë, punë fizike e punëdore, vetëm për t’i shkolluar fëmijët e saj.
Shkollimin e fëmijëve të Ymerit, e kishte ndihmuar edhe vetë intelektuali dhe atdhetari i madh, Prof. Anton Ҫeta, i cili e kishte njohur shumë mirë, Ymer Kryeziun dhe veprimtarinë e tij patriotike.
Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, do të vazhdojë të identifikojë figura që kanë kontribuar për kombin shqiptar, në të gjitha kohërat dhe të shkruaj për to, si dëshmi e gjurmë që do të mbeten për gjeneratat e ardhshme.