Kompleksiteti i Dilemës së Ukrainës

0
Kiev - pallat - 2022

Koment, Numri 28 Mars 2022

Ndihma e ofruar nga Perëndimi mund të ndihmojë, por ajo nuk mund ta çlirojë Volodymyr Zelenskyn nga telashet e tmerrshme, që ai duhet të menaxhojë në javët në vijim.

Nga Steve Coll, 19 mars 2022NewYorker.comPërktheu Arben Çokaj

Në shtator 1949, dy agjentë ukrainas që punonin me CIA zbarkuan afër Lvivit, në atë që atëherë ishte Bashkimi Sovjetik. Ata ishin pararoja e një operacioni, që do të merrte emrin e koduar Redsox. Qëllimi i tij ishte të lidhej me kryengritësit anti-sovjetikë që luftonin me dhjetëra mijëra në Ukrainë, si dhe në një numër më të vogël gjetkë në kufirin e Rusisë. Megjithatë, nishanet sovjetike e tradhtuan programin dhe të paktën tre të katërtat e agjentëve të Redsox u zhdukën. Nga mesi i viteve 1950, Moska e kishte shuar rebelimin e Ukrainës, ndërkohë që kishte zhvendosur me forcë ose vrarë qindra mijëra njerëz. Ndërhyrja e çuditshme e CIA-së ishte “fatkeq dhe tragjike“, përfundoi një histori e brendshme.

Që kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë vepruar si për të shpenguar veten; Administrata e Bidenit i ka udhëhequr aleatët e saj të NATO-s, që të transportojnë avionë me armë antitank Javelin dhe raketa anti-ajrore Stinger për forcat ukrainase, ndërkohë që ka premtuar miliarda dollarë më shumë ndihmë ushtarake dhe duke vendosur sanksione ndëshkuese ndaj ekonomisë së Rusisë dhe elitës së Putinit. Më shumë se tre javë pas fillimit të krizës, gjendja shpirtërore në kryeqytetet perëndimore mbetet e ashpër dhe emocionuese. Javën e kaluar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u shfaq me video para Parlamentit të Kanadasë dhe, të nesërmen, ai iu drejtua një sesioni të përbashkët të Kongresit. Në të dy vendet, politikanët u ngritën për të duartrokitur dhe brohoritën një thirrje të pabesueshme virale të lavdisë së Ukrainës: “Slava Ukraini!

Megjithatë NATO ka refuzuar t’i sigurojë Ukrainës atë që Zelensky ka kërkuar në mënyrë të përsëritur – një zonë ndalim-fluturimi për të ulur avionët luftarakë rusë ose një transferim avionësh luftarakë – nga frika se veprime të tilla do të sillnin SHBA-në dhe Rusinë në luftime të drejtpërdrejta. “Ne nuk do të bëjmë luftë kundër Rusisë në Ukrainë”, ka përsëritur Joe Biden në Twitter së fundmi. “Një konfrontim i drejtpërdrejtë ndërmjet NATO-s dhe Rusisë është Lufta e Tretë Botërore. Dhe diçka që duhet të përpiqemi ta parandalojmë.” Presidenti ka, natyrisht, të drejtë për këtë, dhe megjithatë, ndërsa avionët dhe artileria ruse godasin çdo ditë ndërtesat e banimit dhe spitalet ukrainase, ai me siguri mund të kuptojë pse Zelensky po kërkon më shumë.

Zelensky është nderuar me të drejtë për guximin e tij personal dhe përshtatjet e tij të retorikës Churchilliane për epokën e TikTok. Prezantimi i tij në Kongres javën e kaluar ishte një studim në provokimin moral të pakëndshëm. Ai thirri Pearl Harbor-in dhe 11 shtatorin për të përshkruar përvojën e përditshme të Ukrainës nën raketat dhe bombat ruse, më pas tregoi një video grafike që përshkruante vdekjet e fundit të fëmijëve dhe të pafajshmëve të tjerë. Më vonë atë ditë, Biden e quajti Putinin “një kriminel lufte” dhe njoftoi një paketë të re të furnizimeve ushtarake, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe dronët. Ndihma mund të ndihmojë, por nuk mund ta çlirojë Zelenskyn nga telashet e tmerrshme, që ai duhet të menaxhojë në javët në vijim. Ukraina mund të përballet me një luftë të gjatë, që i kushton jetën qindra mijëra qytetarëve të saj, një luftë që mund të mos fitohet, edhe me ndihmën më të fuqishme që NATO ka gjasa të japë. Në çdo rast, përparësia më e madhe e NATO-s është të forcojë mbrojtjen e saj dhe të largojë Putinin që të sulmojë aleancën.

Alternativa e Zelenskit mund të jetë ndjekja e një marrëveshjeje armëpushimi me Putinin, që mund t’i kërkojë Ukrainës të braktisë anëtarësimin e ardhshëm në NATO, mes koncesioneve të tjera të hidhura. Në dritën e aneksimit të Krimesë nga Putin, në vitin 2014, dhe mbështetjes së tij të armatosur shumëvjeçare për enklavat pro-ruse në lindje të Ukrainës, një marrëveshje e tillë do të ishte e paqëndrueshme dhe e pabesueshme. Megjithatë, Zelensky duket i shqyer. Edhe pse javën e kaluar i kërkoi Kongresit të “bënte më shumë” për përpjekjet e Ukrainës për luftë, ai iu lut Bidenit që ta udhëheqë botën drejt paqes dhe së fundmi ai sinjalizoi gatishmërinë e tij për të bërë pazare me Putinin për marrëdhëniet e Ukrainës me NATO-n. Dështimi i kaluar i vendit për të fituar pranimin në aleancë është “një e vërtetë” që “duhet të njihet“, tha ai.

Është bërë e zakonshme të përshkruhet pushtimi i Rusisë si një pikë ujëmbledhëse në histori e krahasueshme me 11 shtatorin ose me rënien e Murit të Berlinit. “Lufta në Ukrainë shënon një pikë kthese për kontinentin tonë dhe brezin tonë”, tha presidenti Emmanuel Macron, i Francës, në fillim të këtij muaji. Ndoshta, por disa nga këto spekulime për fatin e Evropës dhe të ardhmen e konkurrencës së Fuqive të Mëdha mund të jenë të parakohshme. Sigurisht, lufta ka prodhuar tashmë një fatkeqësi humanitare me përmasa tronditëse dhe destabilizuese. Tre milionë ukrainas kanë ikur nga vendi i tyre. 1.8 milionë prej tyre që kanë shkuar në Poloni përbëjnë një popullsi afërsisht sa ajo e Varshavës. Nëse luftimet zvarriten dhe Ukraina shpërthen, vendi do të eksportojë shumë më tepër njerëz të varfër dhe, siç ndodhi në ish-Jugosllavi gjatë viteve një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë, mund të tërheqë gjithashtu oportunistë, duke përfshirë mercenarë dhe ekstremistë.

Ndërkohë, ekonomia e Rusisë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, mund të tkurret me tridhjetë e pesë për qind këtë vit nën peshën e sanksioneve perëndimore. Oligarkët dhe fuqizuesit e Putinit mund të durojnë humbjen e super-jahteve dhe avionëve privatë, por një tkurrje e papritur ekonomike në atë shkallë do i shtypte rusët e zakonshëm dhe do të kushtonte në mënyrë të pashmangshme jetë. (“Ekonomia jonë do të ketë nevojë për ndryshime të thella strukturore,” pranoi Putin javën e kaluar, duke shtuar: “Nuk do të jenë të lehta.”) Izolimi i Rusisë nga një pjesë e madhe e bankave dhe tregtisë globale, dhe humbja e aksesit të saj në teknologjitë e përparuara amerikane, mund të zgjasin gjithashtu një kohë të gjatë: demokracitë shpesh e kanë më të lehtë të vendosin sanksione sesa t’i heqin ato, edhe kur shkaku fillestar i një konflikti ulet. (Pyesni Kubën.) “Kur të shkruhet historia e kësaj epoke, lufta e Putinit kundër Ukrainës do ta ketë lënë Rusinë më të dobët dhe pjesën tjetër të botës më të fortë”, tha Biden në fjalimin e tij të fundit për Gjendjen e Unionit.

Megjithatë, mund të jetë në rregull një introspeksion. Në fjalën e tij, Presidenti deklaroi gjithashtu se, “në betejën mes demokracisë dhe autokracive, demokracitë po ngrihen deri në këtë moment”. Por Evropa është e shqetësuar nga populizmi joliberal, përfshirë Poloninë. Dhe Donald Trump – i cili, vetëm dy ditë para se Rusia të futej në Ukrainë, i quajti lëvizjet përgatitore të Putinit “gjeniale” – ruan një kontroll të fortë mbi Partinë Republikane dhe duket se është i gatshëm për një fushatë rizgjedhjeje në vitin 2024. Për sa kohë që kthimi i Trump për Shtëpinë e Bardhë është një mundësi, deklaratat e Bidenit do të kërkojnë disa yje.

Çdo natë për tre javë tani,” i tha Zelensky Kongresit, “qytetet e ndryshme të Ukrainës, Odessa dhe Kharkiv, Chernihiv dhe Sumy, Zhytomyr dhe Lviv, Mariupol dhe Dnipro,” kanë duruar sulme. “Ne po kërkojmë për një përgjigje, ndaj këtij terrori”. Ukraina është një vend i pafat dhe rivendosja e pavarësisë dhe sigurisë së saj mund të jetë një projekt i gjatë dhe i kushtueshëm, por është një projekt, që SHBA nuk mund të lejojë ta braktisë përsëri.♦

Botuar në edicionin e shtypur të numrit të 28 marsit 2022, me titullin “Dilema e Ukrainës”.

Steve Coll, një shkrimtar i stafit, është dekan i Shkollës së Diplomuar të Gazetarisë në Universitetin e Kolumbisë. Libri i tij i fundit është “Drejtoria S: CIA dhe Luftërat Sekrete të Amerikës në Afganistan dhe Pakistan.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.