KOHË E DJAJVE

1
Bombardim

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Qiell i ngrysur, terr, errësirë, zhurmë tankesh, aeroplanësh, bombahedhës, murtaja, predha, nëndetëse, silurë, uturima, fytyra pa sy, trupa njerëzish pa gjymtyrë, qenë pa njërën këmbë, rrëmbime në të gdhirë nga dhoma e gjumit, gjumë dhe ëndrra të prera, piska, vaj fëmijësh, dështime grash shtatzëna, ofshama pleqsh, kudo gjak dhe copa qelqi, rrënoja, rrënime, tmerre, tym e flakë, tunele, pa bukë, pa ujë, pa barna, pa rrymë, shkolla rrënojë, operacione pa anestezion, fregata në brigje detesh, luftanije, foshnja të sapolindura mbetur pa gji nëne, apokalips, skena si në Gernikën e piktorit famëmadh. Heshtje globale, prononcime të mjegullta.

Djaloshi Santiago e pyeti Melkiadesin: Ç’është ky kataklizëm? “Kështu ka qenë që kur është krijuar bota” – ia ktheu ai. Kujt i duhen romanet derisa nuk mund ta ndalin hedhjen e bombave? “Asnjëherë romanet nuk e kanë ndalur asnjë luftë gjatë historisë” – iu përgjigj plaku. Shkrimtarët e mëdhenj janë konsideruar ndërgjegje e njerëzimit. A ka mbetur ndonjë prej tyre? “Sot s’ka shkrimtarë të mëdhenj. Krijuesit e sotëm janë të preokupuar me marrjen e mirënjohjeve, të çmimeve, të shpërblimeve. Ata të lashtësisë dhe të shekujve vijues s’kanë ditur për çmime e mirënjohje” – iu përgjigj plaku.

Po filozofë, ka mbetur ndonjë? “Filozofia ka vdekur në fund të shekullit XIX. Këta që erdhën pas tyre, s’ishin anë veçse imitues të tyre. Mendimi filozofik që nga lashtësia e këndej, në shekullin XX u ngulfat nga pseudodijetarët. Preokupim i shekullit XX ishte shndërrimi i hekurit në mjet vrasës, a më vrastar. Është kohë e shitblerjes së shpirtit, e vrasjes së tij. Kohë e Mefistofelit. Djajtë e kanë fjalën, ata sundojnë, udhëheqin, vendosin”.

Ç’luftë është kjo? Është përplasje qytetërimesh dhe kulturash, luftë fetare, konflikt popujsh dhe kombesh. Një i urtë i shekullit XIX ka thënë se historia e njerëzimit është histori e luftës së klasave. “Është luftë e të fortit ndaj të dobëtit. S’është përplasje e qytetërimeve, as përplasje fetare, as sektesh fetare, as kulturash, as popujsh e kombesh. Është përplasje midis dritës dhe tymit e zjarrit, dritës dhe territ e errësirës”. Po kush është drita e kush tymi, zjarri, terri, errësira? “Të fortët janë zjarri. Atyre s’u del kush para dhe kurrë s’ka për t’u dalë”.

Ka zëra që thonë se forca të caktuara qëndrojnë përballë atyre që godasin me hekur të skuqur. “S’ka të tilla forca. Të gjithë janë një, janë në anën e djallit, janë djalli vetë. Janë një me djallin. Këto farë fuqish që hiqen sikur dënojnë goditjet me hekur vrastar, kanë të lidhur pakt me zjarrvënësit. Janë po aq të zinj sa edhe shkaktarët e apokalipsit. Po tempujt e dijes? “Këta tempuj janë pronë e sundimtarëve. Dijetarët që ligjërojnë në këta tempuj, s’janë veçse vegla të sunduesve të botës. Këta dijetarë kanë mision sesi hekurin ta bëjnë sa më vrastar. Nga hekuri i skuqur duhet të lindin fytyra pa sy, trupa pa kokë dhe pa gjymtyrë, foshnja të pavarrosura”.

Ka ose jo, mjete njoftimi? “As edhe një të vetme, në mbarë rruzullin tokësor. Që të gjithë janë nën kontrollin e hekurt të djajve. Drejtuesit e mjeteve të njoftimit janë mercenarë të padronëve të tyre. Detyrë e tyre është që të bardhën ta paraqesin të zezë dhe anasjelltas, të mbjellin mjegull, t’i shtrembërojnë faktet dhe provat. Këto farë mjetesh njoftimi s’janë veçse laboratorë të shpëlarjes së trurit. Ato janë makineri propagandistike që kanë për detyrë të krijojnë huti, të njoftojnë njëanshëm, si u vjen mirë punëdhënësve të tyre, sundimtarëve të globit. Mediumet e pavarura s’janë veçse utopi dhe iluzion”.

Edhe në botën e lirë është kështu? “Kështu është, pikërisht në botën e lirë. Kur është fjala për interesat madhorë të demonëve, midis botës së lirë dhe botës jo të lirë, s’ka kurrfarë dallimi. Që të dyja palët, që të gjithë pra synojnë të bëhen sa më të fortë, të pushtojnë sa më shumë, të shtrijnë hegjemoninë, ndikimin, të sundojnë, të shfrytëzojnë, të rrjepin popuj të të tërë. Kështu ka qenë ndër shekuj, kështu është dhe sot”.

Do të ndryshojë ose jo gjendja? “Lëre që s’ka për të ndryshuar, por më zi do të bëhet.” Si qëndron puna me shkollarët që mbajnë tituj? “Të tillët që dalin prej tempujve më prestigjiozë të dijes, janë në shërbim të punëdhënësve të vet. Shumë prej tyre janë pseudoakademikë. Shkollari me vlera të ngushta, s’është veçse memec. Synimi i tij është se si të ngjitet përpjetë, për përfitime meskine”. Si qëndron puna me moralin dhe me normat etike? “Zi e më zi. Në të katër anët e globit mbizotëron shthurja morale. Fjalën e kanë materialistët. Luftë bëhet se si ta shuajnë shpirtëroren. Materia dhe materialja të vijë e të sundojë mbi shpirtin dhe shpirtëroren”.

Po e vërteta, si është puna me vërtetësinë? “Një shkrimtar dhe filozof ka thënë: ‘Ekziston e vërteta jote, por edhe e vërteta ime’. Do poetë të shekullit XIX kanë thënë: ‘Asgjë s’është më e mirë se ajo që nuk ekziston’. Një estet i lashtësisë ka thënë: ‘E bukura është e përgjithshme, e amshueshme dhe e pandryshuar’. Bota e materializuar ka për mision ta vrasë të vërtetën”. Si është puna me politikën? “Politika është sinonim i forcës. Atë e kanë në dorë të fortët. Ajo është në duart e sundimtarëve të rruzullit. Sipas tyre, të gjithë të tjerët, duhet t’u nënshtrohen atyre, ndryshe do të pësojnë”.

Duket sikur ka fuqi që e dënojnë shëmtinë! “Këto farë fuqi që duket sikur e dënojnë ligësinë, janë po aq të ligë sa edhe etërit e së ligës. Me fjalë dënojnë çdo ekspeditë drithëruese, por në të vërtetë s’janë veçse janë vëllezër të djajve. Demonët, në një anë dhe djajtë në anën tjetër, ditë e natë rinë bashkë”. Ç’po ndodh me drejtësinë? “S’ka drejtësi dhe kurrë s’ka pasur. Është sinonim i forcës. Kush e ka në dorë forcën , e ka në dorë edhe drejtësinë. Sundimtarët e rruzullit e interpretojnë atë si të duan, si u vjen mirë atyre. Demonët dhe djajtë nuk njohin parime. Në të njëjtën kohë ata janë edhe me viktimën edhe me varrmihësit ”. Ka pasur ndonjëherë drejtësi? “Asnjëherë”.

A thua do të ketë ndonjëherë? “Kurrë”. Më thuaj diç për demokracinë në botën e lirë! “Askund s’e gjen atë. Edhe demokraci edhe sundim, edhe demokrat edhe sundimtar – kjo nuk shkon. Demokracia nuk duron, nuk njeh, nuk pranon shtypje, shfrytëzim, sundim, padrejtësi. Edhe demokrat edhe  kolonialist, edhe demokrat edhe zotërues i hekurit vrastar! Demokracia është në anën e kundërt të forcës. Edhe demokraci edhe perandori. Kjo është groteske, bizare dhe absurde, është teatër absurd”. Dikur, nja dy të rinj kishin ndenjur pranë një druri me gjethe të thara dhe kishin pritur njëfarë Godoje? “E presin që kur është krijuar bota. Do të vazhdojnë ta presin deri në pafundësi. Nuk dinë kush është, a do të vijë ndonjëherë, nga cila anë do të vijë në do të vijë, a do të sjellë ndonjë porosi dhe çfarë porosie do të sjellë”.

Dua të di diç për tempullin e shenjtë. “S’është asgjë më shumë se vegël e verbët e të fortit, e sundimtarëve, e atyre që i kanë dorë frenat e botës. Drejtuesit e tempujve të shenjtë anembanë rruzullit, ndonëse thirren në Zot, në të vërtetë janë antizot. Shenjtëria, në një anë dhe mbretërit e forcës, në anën tjetër, nuk rrinë bashkë. Nuk mund të predikosh paqe, të bësh thirrje për paqe dhe ta çosh mirë me djajtë. E keqja ka emër. Dihen demonët, satanai, djajtë, mefistofelët, ndjellakëqijtë”.

A ka pasur bota idealistë? “Idealistë ka pasur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Do të ketë sa të jetë jeta. Ata janë shpresa e njeriut”. Ç’është puna me revolucionet dhe me luftërat çlirimtare? “Revolucione dhe luftëra çlirimtare ka pasur që kur është krijuar bota dhe do të ketë deri në jetë të jetëve. Sado i skuqur dhe vrastar të jetë, s’ka hekur që mund ta vrasë synimin e njeriut për të qenë i lirë”.

1 KOMENT

  1. Xhelal Zejneli me te lumte sa shkruani e mendie NJERZORE THERRET, t’lumte ajo Mendie komanduar ate PENE me te MADHEN dhimbie percielle. U prefte ZOTI rrugen – DJAJVE, si gjithnje, sjelle BOTES MBRODHESI. *Djajte DJAJ mbeten, MOS T’I DEGJOJME DJAJTE *Parule dites te jete! Shresa e mban NJERIUN-ndaj themi:RROJ me GAZ e me SHPRESE – *ndaj s’kam deshire te vdes*. Me Ju Dhimbia e madhe popull dhe une, qe me te JETOJ;

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.