KË PO MASHTRON BAKI YMERI!?

0
Baki Ymeri - Albanezul

Hejza në FB

Më 18 shtator në portalin e BOTA SOT (https://www.botasot.info/kultura/1871824/dashuri-idilike-ne-universin-e-endrrave/), Baki Ymeri do ta botojë një shkrim rreth poezisë së poetes Fiqirete Kukli (e cila në profilin e saj paralajmëron se bëhet fjalë për parathënien e librit që do të botohet në Rumani). Shkrimi ilustrohet (fotot e zonjës Kukli) me faqen e parë dhe të fundit të gazetës “Albanezul” (Shqiptari), ku lexohet se drejtor i gazetës është dr. Xhelku Maksuti.

Për ata që nuk e dinë, Maksuti është një veprimtar i shquar me prejardhje (nga babai) nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, por që, fatkeqësisht, në vitin 2018 ndërroi jetë, ndaj dhe nuk është e qartë se përse “kryeredaktori” Baki Ymeri e keqpërdor në këtë mënyrë emrin e këtij veprimtari. Deri këtu, poshtë – lartë, ndoshta e keqja nuk është edhe aq e madhe.

Por ajo, pra e keqja, në vazhdim bëhet më shumë se perfide. Më 16 shtator, vetëm dy ditë para shkrimit për poezinë e zonjës Kukli, Baki Ymeri do të botojë (po në Bota sot) një shkrim për librin e Leonora Bruçaj – Keka (https://www.botasot.info/kultura/1870579/meditime-lirike-ne-universin-e-endrrave/), shkrim ky që është pothuaj identik me atë që ia dedikon poezisë së Fiqirete Kuklit, me të vetmin ndryshim: aty ku figuron emri Fiqiret Kukli zëvendësohet me emrin Leonora Bruçaj Keka. Me këtë Baki Ymeri nuk manipulon vetëm këto dy autore, por edhe portalin e gazetës kombëtare BOTA SOT dhe, natyrisht, opinionin shqiptar.

Ka kohë që flitet për mashtrimet e Baki Ymerit, një “shkrimtar e përkthyes” ky që jeton në Rumani. Për të thuhet se sapo e “kap gjahun”, i premton t’i përkthejë librin në rumanisht, edhe atë për pak lekë. Pastaj, ai bën montazhe të ndryshme dhe në formatin PDF ua dërgon kopertinën e librit kinse të përkthyer. “Falë” Ymerit, po që se bëni kërkime në google, del se letërsia shqipe mban vendin e parë sa i përket përkthimit në gjuhën rumune.

Janë dy fjali që e lakuriqësojnë Baki Ymerin, të cilat i përdor edhe në shumë “parathënie” tjera, e që tregojnë se ai ka përpiluar një tekst kuturu, të cilin tekst, me ndryshime të vogla, do ta përdorë edhe në shumë “botime” tjera. Bëhet fjalë për fjalitë:

Poezia është testamenti i jetës, miqësisë dhe dashurisë, kurse bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e ka çdo qenie njerëzore”.

Këto dy fjali mund t’i gjeni edhe në një shkrim për Ganimete Jakupi Demirin, botuar më 13 prill, 2021, në portalin Bota sot (https://www.botasot.info/kultura/1558928/bota-lirike-e-mergates-shqiptare/). Po që se e lexoni këtë tekst, ndonëse nuk e dimë se a e arriti qëllimin, do të shihni se si Ymeri mundohet ta joshë autoren (kuptohet për lekë) që ta botojë librin në rumanisht.

Të njëjtat fjali do t’i gjeni edhe në shkrimin e botuar më 9 dhjetor, 2021, me rastin e, kinse, botimit të librit të përbashkët (praktikë kjo e sajuar nga Ymeri) të Mariane Grigore dhe Nexhat Rexhës (https://www.botasot.info/libra-sporti/1721573/lirika-mendimtare-e-nje-poeti-te-talentuar/).

Libër të përbashkët me Mariane Grigore, Baki Ymeri i “boton” edhe Shefqet Dibranit, ndërkaq shkrimin për këtë “libër” e boton më 12 korrik, 2021 (https://botapress.info/shpirti-fisnik-i-nje-poeti-te-talentuar-shefqet-dibranit/). Natyrisht edhe në këtë libër (në kopertinë) do t’i gjeni fjalitë e famshme “Poezia është testamenti i jetës, miqësisë dhe dashurisë, kurse bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit…

Mariane Grigore do të gjendet në të njëjtin “libër” edhe me Isak Ahmeti. Edhe në shkrimin për këtë libër, botuar më 26 shkurt, 2021 (https://www.radiandradi.com/njeriu-ka-nevoje-per-poezi-sic-femra-ka-nevoje-per-dashuri-nga-baki-ymeri-2/) , Baki Ymeri do të thotë se: “Poezia është testamenti i jetës, miqësisë dhe dashurisë, kurse bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e ka çdo qenie njerëzore”.

Këto janë vetëm disa fakte që alarmojnë se bëhet fjalë për një individ, që ka zbuluar rrugën më të shkurtër për t’i mashtruar ata që merren me shkrime letrare dhe për t’u marrë lekë për një shërbim që është vetëm provizor.

Nëse Baki Ymeri nuk është i bindur se është shndërruar në mashtrues, atëherë ia bëjmë me dije se ne kemi edhe shumë fakte tjera, të argumentuara si këto më sipër, që do ta komprometojnë deri në palcë. Janë fakte që mbajnë emrin dhe mbiemrin e tij. Pra, ai duhet ta dijë se Baki Ymerin e demaskon vetë Baki Ymeri.

Askush nuk ka nevojë të ushqehet me shpresa iluzore se të jesh i botuar në rumanisht nga Baki Ymeri, do të thotë shumë. Përkundrazi, kjo është e ngjashme me thënien e njohur popullore: “shkoi si qeni në rrush”.

/HEJZA/

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.