“Katër epoletat”, dramë që i reziston kohës

0
Haqif Mulliqi - 4 epoletat

Mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar kisha rastin të shohë shfaqjen “Katër epoletat” të dramaturgut, regjisorit dhe profesorit Haqif Mulliqit, në regji të vetë autorit. Asistent regjisore, Penesta Mulliqi. Aktorët: Ismet Azemi, Basri Lushtaku dhe Adem Zhitopotoku. Muzika: Haki Mulliqi. Dritat: Murat Kajtazi.

Ilir Muharremi - kritik i artit Ilir Muharremi

Hapësira ku ishte ulur publiku u errësua, dendësia dhe tonaliteti i dritës u vërshua drejtë skenës. Gjenerali Alfador (Basri Lushtakut), Gjenerali Betador  (Ismet Azemit), shfaqen në skenë. Të dy gjeneralët luftojnë  me veten e tyre, krijojnë konflikt brenda unit dhe jashtë tij. Ata frikësohen ndaj të pënjohurës, pra vdekjes, pritjes e cila në fund na rrëmben dhe ikja drejt horizontit figurativisht na përqafon në fluturim, por gjeneralët nuk dinë të fluturojnë e këtu rilind humori i zi.

Përqaifimi me vdekjen nga batutat që i bën Alfadori Betadorit se “Tashmë po fluturojmë drejt labirintit të vdekjes”, me përgjigjn se “Unë nuk di të fluturoj”, ndez humorin e zi, brenda dialogut dhe nëntekstit, pra si tekst i lexuar krijohet imazh qesharak, por kur teksti me thekse flitet nga aktori, plotësohet me shpirtin dhe zërin, dhe krijohet fraza nga sinqeriteti duke besuar se komedia rrënjët i ka te sinqeriteti: aktivizon të qeshurën te publiku, pra krijohet një interaksion ndërmjet aktorëve dhe publikut, arrihet ai katarsisi, ose thyhet perdja apo muri i Stanisllavskit.

Biografia dhe përvoja e dy personazheve është e qëndisur mirë, ata vijnë nga frontet e luftës, mallkimet, vrasjet e çka tjetër ka përmbledhur syri i tyre. Karriera e tyre e bujshme luftarake, ju kthehet si bumerang pra ata i nënshtorhen fundit  vdekjes dhe shpresave të thyera. Ne si shikues përhumbemi brenda dialogëve absurd me pyetje të shkurtëra dhe përgjigje të lehta, kronologji fjalësh, të shkapërderdhura si fakt i nuancave absurde, tension fjalësh, replikë të shkapërderdhur, ndërmjet një pauzë. Të krijon një ndjesi të veçantë, të lehtë, akomodohesh me dy aktorët të cilët kapin në fluturim ndërgjegjen e personazhit e cila shumë shpejtë mblidhet. Fuqia e aktorit është kur më shumë i intereson personazhi i dramës se sa vetja e tij.

Të dy gjeneralët ndodhen në një hapësirë mes konflikteve, dy kombeve shtetformuese, ata aspak nuk pajtohen njëri me tjetrin, pra teksti përbrenda ruan atë rregullin antik të dramaturgjisë duke shprehur mospajtimin, pra dialogun e mirëfilltë që si çelës ka intrigën, shkakun dhe pasojën.

Luftën e egër, të dy gjeneralët e kanë shkaktuar, gërmadhat janë bërë nga ta, e teksti këtu tejkalon ngjarjen duke respektuar harmonin e ngjarjes dhe të dy pesonazhet janë në kërkim të një shpëtimi, ata mendojnë se akomodohen në një qytet pa ngjyrë, e as këtu ata nuk ndjejnë rahati, përshtatje, bashkëverim njëri me tjetrin. Karakteri i personazhit Alfador (Basri Lushtakut) nga forma dhe psikologjia, aktori bashkëjeton me shpirtin e tij, mendon si ai, ecën nëpër skenë si personazhi, kontrollon veprimin me tekstin, shfrytëzon mizanskenën gjatë dialogut sa majtas sa djathtas, e hap skenën edhe në  prapavijë dhe krijohet një baraspeshë estetike skenike ndërmjet dy personazheve dhe skenografisë së thejshtë, modeste por shfrytëzuese. Ai i përgijgjet fatit të personazhit, por fati i tij duket sikur të jetë absurd duke ushqyer shpresë për të përtejmen.

Ngritja emocionale nga brendësia, shfaqet me një transformim dirigjiues të vetëkontrolluar të aktorit, sidomos në momente frike, kur aktori fillon ta piktutoj formën dhe ndjenjën e frikës, me një mimikë teatrale, duke u shkrirë me dritat dhe hapësirën e publikut. Aktori ndjenë atë që e thotë, e jeton atë që e vepron, dhe ecën nën vijat regjisoriale. Ky aktor le një fotografi nga veprimi, gjestet, heshtjet, fytyra, frymëmarrja e shkurtër e herë shungullese.

Gjenerali Betador  (Ismet Azemit), ilustron qëndrimin me bollëk, kur lëviz dorën, e lëviz si Betadori, kur ecën me hapa të ngadaltë, ose në vrapim të shkurtuar,  dhe ndalet përnjëherë pra jetëson Betadorin. Kur mbush fjalitë me thekse të sakta dhe kur dëgjon partnerin ndërmjet një pauze logjike nga heshtja imponuese e tekstit , prapë frymon si Betadori. Kokë e këmbë, jeton nën zinxhirët dhe urdhërat e personazhit, pra bëhet rob i tij në aspektin profesional duke kthjelluar dhe mishëruar stilin e tij të aktruarit nga një përvojë bukur e gjatë skenike. Shihet se shumë është i ngushtë kufiri për ta krijuar personazhin, apo sfidat dhe vështirësitë për t’u njohur nga provat e leximit, mizanskena dhe premiera, atëherë aktori shfaq talentin e tij.

Të dy personazhet tallen njëri me tjetrin, klithin nga brendësia për një liri, shpëtim, dhe frika e tyre ngritë ombrellen e vdekjes, por ata lidhen më shumë me njëri -tjetrin sepse vet frika na bënë të bashkëpunojmë që t’i kundërvihemi, pra Mulliqi këtu trajton qartazi aspektin psikologjik të individit duke e zhveshur nga çdo meritë, gradë, piedestal, sepse në rrënjët e reales truri jonë ndaj një kulçedre mizore siç është vdekja na kthen në pikën zero.

I vërbëri Grajeti (Adem Zhitopotoku) i cili futet në skenë si një vizitor absurd, enigmatik, paraqitet si vdekja e dy gjeneralëve, mirëpo ai nuk duket si fantazmë dhe nuk është i veshur me petkun e fantazmës, duket tamam si njeri. Ai futet nga ana e djathtë e skenës dhe qëndron në brendësi. Është i vetëm, shikimin drejt publikut, qëndrim të drejtë, në dorë mban një shkop. Ata e vërejnë, frikësohen, ata nuk e vërejnë, trimërrohen, por kur e shohin frika ju ngulitet në palcë.

Sapo demaskohet verbëria e tij, ata fillojnë të marin pushtetin ndaj këtij personi, por prapë ideologjia, mendimet e tyre bëhen edhe më komike sepse gjithnjë e udhëzojnë që kahjen ta merr në këtë drejtim apo në atë drejtim dhe sapo të shohë një rrugë ai… Ata flasin sinqerisht, besojnë dhe nuk duan ta nxjerrin të qeshurën nga publiku. Vetë teksti i thurur në këtë situatë me prezencën e tre aktorëve, dhe biografitë e tyre, nxjerr të qeshurën. Grajeti don t’i nxjerrë nga kjo gërmadh, por ata e meritojnë të treten në këtë humnerë të krijuar nga vetë ata.

Është një shfaqje që nuk përfundon sepse të bën të meditosh edhe pas përfundimit të kohës së rregullt, shkak, pasojë e jetës së saj mentale. Është tekst i shkruar bukur, duke i ikur klisheve, por duke ngritur qëllimin e drejtëpërdrejtë. Është një strukturë estetike me dialogë të shkurtër si në pjesën e ekspozicionit, po ashtu edhe kompozicionit, pikës së krizës, drama ka qëllimin e drejtpërdrejtë dhe lexuesin, ose publikun e shpie në fenomenin e të urryeerit luftën.

Pra, është dramaturgji postmoderne me ide konceptuale duke përmbledhur fatet dhe rrëfimet e së kaluarës, nën rreshtimin e dialogëve të shkapërderdhur me disa pauza ndërmjet. Cili pushtetar i sotëm ka zemër luani dhe forcë Akili? Asnjë, të gjithë janë si makushi, sahanlëpirës, të shitur, të frikësuar, pikërisht kjo biografi i përcjellë të dy personazhet e roleve kryesore.

Koncepti dhe realizimi regjisorial ndërtohet  mbi strukturën e tekstit, duke u distancuar dhe krijuar një tekst ose një gjuhë të re të dytë skenike. Mirëpo, këtu nuk përjashtohet krejt teksti, ose nuk reduktohet vetëm në ide, pasurohet loja që zhvillohet nëpër një skene të errësuar, me një dritë të zbehtë që ndoshta vet regjisori e lidh me fatin dhe biografinë e personazheve. Mjafton vetëm pak fantazi për të ndier atëherë se çdo të thotë fat aktori.

Teksti paralel i përshtatet formatit të regjisë sepse skenat e projektuara në kokën e regjisorit dhe teksti i shkruar, veprimi tejkalon të shkruarit, si fillim paramendohet veprimi e pastaj krijohet fjala. Pjesa e detajeve të regjisurës dhe krijimi i formave nga aktorët vërtiten estetikisht nën dritën e zbehtë dhe muret e zeza në skenë.

Andaj, lirisht mund të them se kjo shfaqje do të mbetet gjatë në mendjen time.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.