ISHIM FËMIJË TË PAFËMIJËRI

0
Rexhepi

Arif Ejupi Kur isha nëntë apo dhjetë vjeç, gjatë pushimeve të verës, xhaxhai im, Xhelili, këmbëngulte që ta shoqëroja me tufën prej rreth tridhjetë delesh dhe katër-pesë ugiçëve në kullosat e Shatorrit, që shtriheshin sipër fshatit, Gllamnik të Podujevës.

Për të nxjerrë kopenë në Malet e Shatorrit duhej paguar një taksë vjetore në Zyrën e Kadastrit të Komunës së Podujevës, zakonisht në fillim të prillit.

Në mungesë të kësaj pagese, po të zinin rojet e pyllit si njëfarë Millaqiqi, Spasojeviqi e Simiqi, pasonin ndëshkime të rënda, madje edhe konfiskimi i bagëtisë.

E, them hapur: çdoherë e kundërshtoja daljen me dele në kullosa. Sajoja arsye nga më të ndryshmet, vetëm për t’iu shmangur diellit përvëlues të korrikut dhe gushtit. Nuk e doja as atë ngushticë në formë patkoi me vetëm një apo dy kroje, të mbushura me lëmyshqe, llucë dhe dushk.

Kot i merrja me vete librat “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës dhe “Posta e porositur” të Mark Krasniqit. Axha Xhelil ishte i rreptë siç ishin burrat e asaj kohe. Zinte vend nën hijen e ndonjë bungu, me kutinë e duhanit dhe qelibarin para vetes.

Me pallton mbi supe dhe plisin e bardhë në kokë, që i ngjante dëborës së maleve të Sharrit, nën tymin e cigares më urdhëronte: “Eja, mere shtampën dhe mbushe ujë të freskët te djemtë e plakut Rexhepi apo Shahini!”

Rruga deri atje ishte e gjatë. Shpesh kthehesha me shtampën përgjysmë, nga frika se mos e thyeja.

Po të ndodhte një gjë e tillë, do të përballesha me zemërimin e tij. Shtampa prej allçie, me një dekor të veçantë, ishte kujtim i çmuar nga Ymer Ymeri, oficer i lartë në Mbretërinë, Zogu -I-.

Duke parë që nuk po tregoja fare përgjegjësi si bari, axha Xhelil, deri më 1972, këtë detyrë ia besoi djalit të axhës, Aliut, dhe vëllait tim, Ahmetit.

Por, edhe ata, përballë mungesës së ndonjë pune në vendlindje, edhe pse të mitur, migruan në mars të vitit 1973, në Gjermani, përkatësisht Austri.

Axha Xhelil, i zhgënjyer, vendosi të shiste kopenë. Largimi nga bagëtia jo vetëm që e mllefos, por edhe i ftoh raportet tona. Sa herë mallëngjehej për Laroshin, prijësin e grigjës, dhe zilen e tij kumbuese, më mallkonte.

Nëna, ime pastë dritë dhe prehje të qetë, më këshillonte të heshtja e të mos i kundërshtoja të moshuarit. “Shih punën tënde dhe mësimet në shkollë” më thoshte ajo.

Kur, Ahmeti u stabilizua në Vjenë, dërgonte çdo muaj para në emër të axhës Xhelil. Mirëpo, edhe ky si Zoti i shtëpisë nuk i shpenzonte kurrë vend e pa vend, ruante çdo qindarkë me shumë kujdes.

Do të ishim të padrejtë po të mos përmendnim edhe ndihmën e axhës Rexhep, i cili punonte si nëpunës në Zyrën e Gjendjes Civile në Podujevë. Ai i përgatiti Ahmetit një kërkesë me sqarimet e kërkuara nga sipërmarrësi.

Kjo letër funksionoi dhe Ahmeti u punësua edhe pse ende i mitur në një ndërmarrje të madhe tregtare në Vjenë, “Julius Meinel” themeluar më 1862.

Kjo ndermarrje e njohur tregtare ishte ndër të parat që ofronte produkte të ambalazhuara paraprakisht, që garantonin cilësi dhe pastërti.

Deri në mesin e shekullit XX, kishte mbi 1,000 dyqane në Austri dhe në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Kompania pati ulje-ngritje, por emri “Julius Meinl” mbeti sinonim i cilësisë, në tregtinë ushqimore.

Që nga momenti i punësimit të Ahmetit në këtë gjigant tregtar, jeta e familjes sonë ndryshoi për mirë. Nuk kishim më hallin e bukës, veshjes apo strehimit.

Axha Rexhep, përveç vëllait tim, kishte ndihmuar edhe shumë të rinj të tjerë që migrimin e kishin si zgjidhjen e vetme.

Tek kjo ngjarje e pesëdhjetë viteve më parë më ktheu rrëfimi i të riut Muharrem Ahmeti nga Mazhiqi i Shalës së Bajgorës së Mitrovicës. Një histori e ngjashme, një fat i përsëritur brez pas brezi.

Muharrem Ahmeti, sot 53 vjeç, që miq e shokë e thërrasin me dashuri “Remo” ishte vetëm 17 vjeç kur i vdiq babai, Syla, minator në Stantërg. Ai mbeti jetim në një familje me shumë fëmijë dhe në gjendje të rëndë ekonomike.

Edhe pse ende i mitur, Remo mori guximin të zbriste në thellësitë e galerive të Minierës së Stantërgut, për të siguruar ekzistencën e familjes, duke zënë vendin e të atit, Sylës.

Pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, ai, sikurse shumë minatorë të tjerë, mbeti i papunë. Përveç kësaj, dhunshëm u mobilizua në Armatën Jugosllave dhe u dërgua në Travnik të Bosnjë e Hercegovinës, pas disa muajve u transferua në Viroviticë të Kroacisë.

Më 7 shtator 1991, Remo i heshtur dhe pa zhurmë vendosi të dezertojë, pasi me sytë e tij pa se kjo Armatë vriste pamëshirshëm popujt jo-serbë.

“Do të pranoja vdekjen thotë ai e kurrë nuk do të pranoja të vrisja qytetarë të pafajshëm. E kisha kuptuar me kohë se kjo ishte një ushtri e politizuar, fashiste dhe e verbër ndaj çdo vlere njerëzore.”

Muharrem Ahmeti – Remo, që për një fije floku u shpëtoi kurtheve të asaj Armate që shqiptarët i përdorte mish për top, fillimisht u vendos në kantonin Tiçino, më pas në Bernë dhe përfundimisht në Gjenevë.

Aty hapi një restorant me emrin “Te Remo”, ku angazhoi gjithë familjen e tij. Me përkushtim, mikpritje dhe cilësi në shërbim, ai u bë emër i respektuar në fushën e gastronomisë, sidomos në kantonin e Gjenevës.

Remo, dikur minatori më i ri në historinë e bujshme të Kombinatit Metalurgjik “Trepça”, u shndërrua në simbol të punës, krenarisë dhe suksesit të diasporës shqiptare.

Shqiptarët, edhe nën trysninë e pushtimeve të gjata, nuk u gjunjëzuan. Ata gjetën rrugë alternative, ecën përpara dhe u bënë zot të vetvetes.

Këto rrëfime nga e kaluara nuk janë vetëm histori personale, por janë kapituj të pavdekshëm të sakrificës sonë kolektive.

ARIF EJUPI
Gjenevë, 21 korrik 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.