Nga: Isak A H M E T I
I. Në vend të hyrjes
Me Imzot Zef Simonin(1928-2009), me lidhin shumë kujtime të bukura e të paharrueshme .Komunie të vazhdueshme me te, korespondenca,takime ,bisedime dhe bashkëpunimi në fushën e letërsisë,filozofisë dhe teologjisë gjë që ka lënë mbresa dhe gjurmë të pashlyedhme tek ne si dy miq dhe krijues të afirmuar në letrat shqipe,etj. Me Imzot Zef Simonin jam njohur shumë për së afërmi.Vlen të theksohet madje edhe fakti se ai,përkundër shumë angazhimeve si bari i mirë e si prelat kishtarpor edhe si krijues aktiv i prozës së shkurtër moderne shqipe(Kolec Çefa), kishte gjetur kohë të me vizitonte (më 6.10.2002)në Stubëll , që njihet si vatër e arsimit shqip jo vetëm në përmasa kombëtare …
II. Vazhdues i shkollës letrare shkodrane
Duke u marrë me studimin e jetës dhe vepres letrare-studimore të Imzot Zef Simonit kam konstatuar se me vargun e shumë veprave që ka botuar (të cilat komplet m’i ka dhurua me dedikim të veçantë) del se ai është një vazhdues mjaft besnik i shkollës letrare shkodrane. Madje si i tillë që është,sipas vlerësimit tim, del se ai është një dritë e fuqishme e kohëve të vona të Rilindjes sonë kombetare,gjë që e kam thënë edhe tek një studim imi për figuren e Imzot Zef Simonit e që ia kisha dërguar” Dritës “për botim,ku Dom Lush Gjergji ishte kryeredaktor.Por, ç’është e vërteta,punimi im nuk u botua kurrë te” Drita” dhe ç’është më e keqja studimi im në fjalë “humbi”në mënyrë misterioze aty ku e kisha dërguar për botim!… Pas kësaj kurrë më nuk kam dashur të bashkëpunoj me DRITËN!…

Imzot Zef Simoni, si vazhdues i shkollës letrare shkodrane, përveç krijimit të një proze të shkurtër e moderne,ai i është qasur, madje me shumë përkushtim e kompetencë edhe studimit të letërsisë.Fjala e tij diskurzive-shkencore ka një peshë të veçantë edhe për faktin se,me njohurinë dhe bagazhin kulturor që kishte, ka vazhduar të shkruajë , pas daljes nga burgu, pa paragjykime dhe pa ngarkesa ideologjike-religjioze.Kjo prandaj e bën veprën e tij me peshë shkencore,me vlerë të pazakontë për vlerësime gjithsesi origjinale dhe për ide,që shpërthejnë fuqishëm nga imagjinata e tij e ushqyer natyrsht edhe me brumin filozofik të autorëve të njohur si Shën Tomë Akuini , Shën Augustini etj.etj.Kjo atij i ka dhënë krah e vrull t’i qaset letërsisë dhe studimit të saj nga një këndvshtrim më ndryshe se q’ishte bërë deri më tash nga shumë studiues veçmas nga ata të socrealizmit në Shqipëri…
III. Pak biografi për autorin
Zef Simoni u lind në Shkoder më 1 dhjetor të v.1928.Shkollën fillore e ka kryer në shkollën”Skanderbeg”të qytetit ,kurse të mesmen deri në klasën VII në liceun “Illiricum”të françeskanëve.Për arsye se u mbyllën shkollat klerikale në vitin 1946 ,e përfundoi në liceun e shtetit”At Gjergj Fishta”. Fillimisht ka qenë i emruar mësues në fillore,më vonë në shtatëvjeçare dha mbasi mbaron Institutin e Lart Pedagogjik në Tiranë,në Gjuhë-Letërsi ,dha mësimin e Gjuhës në Gjimnazin tregtar të Shkodrës.
I thirrur për rrugën e meshtarisë,duke bërë studimet e filozofisë dhe teologjisë për 5 vite pranë Arqipeshkvisë së Shkodrës, me 9 shkurt 1961 shugurohet meshtar.Është arrestuar në vitin 1976 dhe dënuar me 15 vite burgim.Është liruar në vitin 1988,mbas 12 vitesh burgim të rëndë.Në vitin 1991 emrohet famullitar i qytetit të Shkodrës.Në janar të vitit 1992 emrohet Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës të ShkodrësMbasi emrohet ipeshkëv i Shkodrës ,me 2 prill të vitit 1993 shugurohet ipeshkëv nga Shenjtëria e tij Gjon Pali II në Katedralen e Arkidioqezit të Shkodrës

Qysh në moshë të re ishte dhënë pas shkrimeve .Me ridaljen e revistës”Kumbona e së Diellës” ku ishte drejtor i saj, nisen të botohen punimet e ndryshme të tij që ishin të një cilësie dhe vlere të veçantë.
IV. Veprat e botuara të tij
Imzot Zef Simoni është autor i shumë veprave në prozë , me kritikë letrare ,me studime ndryshe për letërsinë.Është edhe autor i një studimi shumë të njohur me titull:
“PERSEKUTIMI I KISHËS KATOLIKE NË SHQIPNI NGA 1944 në 1990- tën”.
Siç dihet tashmë,Imzot Zef Simoni, ka bërë shumë vite në burg, e pikërisht në qelitë e bugut të shtetit ateist , pa letër,pa laps ,nisi krijimet e tij të para,të regjistruara e të ruajtura në arkivin e trurit.Ai ka bërë një bilanc tepër të pasur ngjarjesh, veprimtarish,shtegtimesh,veprash,
nga të cilat këtu,po kujtoj në mënyrë të veçantë librin :
LETËRSIA E PAME NDRYSHE ,që është e një rëndësie dhe vlere të veçantë.
Është me rëndësi të theksohet se seriali i prozave moderne narrative të autorit në fjalë,sipas studiuesve siç janë: Kolec Çefa,Klajd Kapinova,Isak Ahmeti e ndonjë tjetri,janë:
1.”Jeta e Zojës”të shkruara që herët si dorëshkrim(në disidencë)nën diktaturën barbare-ateiste-komuniste,por e botuar vetëm pas triumfit të demokeacisë dhe të lirisë fetare,shtypur në vitin 1993 në Shtypshkronjën e Urdhërit Françaskan në Tiranë.
2.”Jeta e Jezu Krishtit” botuar në qytetin Foggia në Itali ,tetor 1994.Këtë vepër ,të cilën autori ma ka dhuruar me dedikim të veçantë, ai e ka shkruar duke pasë për bazë autorët e njohur evropianë siç janë:Giuseppe Riccioti,Giovani Papinni,François ,Mauriac, Weber,Didon ,etj.Për më tepër ,për ta shkruar veprën në fjalë,ai kishte qenë i ndikuar dhe frymëzuar edhe nga Atë Mark Harapi ,që ishte profesor i shquar i aristotelizmit,tomizmit dhe i dogmës teologjike(Jeta e Jezu Krishtit ,Parathënie,fq.5).
3.”Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni 1994″,është botuar në Itali,shqip dhe italisht.
4.”Një barkë në histori”e botuar në gegnishten e bukur në vitin 1996.Është kjo një vepër me vlera shumështresore e shkruar me përkushtim dhe elegancë që lexohet me një frymë.
5 “Zgjimi” botuar në vitin 1997.Është kjo vepra e tretë e tij shkruar në burg pa përdorur as letër as laps ,por formuluar frazat në mendje(Zgjimi,Parathënie fq. .3).Në këtë libër janë përfshirë trembdhjetë copa të ndryshme,të gjitha me subjekte kristiane e shoqërore, të shkruara në një prozë poetike.
6.”Stinët” ,botuar në vitin 1997.Kjo vepër letrare ,siç e thotë edhe vetë autori(Parathënie fq.3) ishte si një shkëndijë që u ndez në mue për të mos iu nda shkrimeve fetare me probleme shoqërore sipas pikëpamjeve katolike që kanë vërtetësi , bukuri e sublimitet e që përmbajnë pastërtinë e vlerave më të larta të doktrinës e të dijes me një lidhmëri kohe e amshimi,qielli e toke,shpirti e materie.
7.”Portrete klerikësh katolikë”
shtypur në Shtypshkronjën”Volaj” në Shkodër 1998.Është kjo një vepër ku autori ka paraqitur një plejadë emrash klerikësh që me përkushtim kanë punuar në jetën e tyre në tre drejtime :për Fe,Atme dhe në fushën e letrave shqipe duke lënë gjurmë të pashlyeshme(Parathënie, fq.5-)Nga ky kontingjent klerikësh katolikë kanë dalë shkrimrarët e vijës së parë në letërsinë shqipe:Dom Ndre Mjeda,Imzot Vinçenc Prennushi dhe pesonaliteti i shkrimeve At Gjergj Fishta e të tjerë.
8.”Ngjarje në Tokë” autobiografi,shtypur në Shtypshkronjën “Volaj”në vitin 1998.Është ky një roman autobiografik ku personazh kryesor është vetë autori(Zef Simoni) .
Romani në fjalë ka 308 faqe, me një Parathënie shumë interesante dhe përmbajtësore(fq.3-5).
9.Drejtësia dhe Dashura ,dy element esencial të lirisë,” botuar në vitin 1998.
Edhe kjo vepër e autorit në fjalë(me gjithsejt 137 faqe) është shkruar me saktësi dhe objektivitet..Është ky një libër urtësie (Arben Prendi,Parathënie fq.5-16) që lexohet me shumë kënaqësi.Dhe ia vlen jo vetëm të lexohet por edhe të rilexoht!
10.”Kishë e ringjallur”,Shtëpia botuese”,Shkodër,2001.Në këtë vepër që ka gjithsejt 304 faqe,autori ka paraqitur një.pasqyrë të Krishterimit duke i shkrirë në një,përmes episodeve historike ngjarjet e prelatëve të Kishës Katolike në Shqipëri dhe të botës së krishterë,në punime të veçanta.Në mbarështrimin e kësaj problematike,ai ka paraqitur figurat e ndritshme të klerit katolik shqiptar .
11.”Letërsia shqipe e pame ndryshe”si pjesë e kolanës”Botime Françeskane”,shtypur në Shtypshkronjën”Volaj”, Shkodër,2006.
12.”Atdheu ynë Panoramë jete e letërsie shqipe”,Shtëpia botuese”At Gjergj Fishta”,Shkodër,1996.Le të theksojmë me këtë rast këtu se tri veprat e tij:Zgjimi , Stinët dhe
Atdheu ynë janë qitur në letër dy-tri ditë pas daljes së tij nga burgu(14 korrik 1988), të cilat ai i kishte shkruar në burg, pa përdor as letër, as laps ,duke i radhitë mrekullisht në kompjuterin e trurit të tij!
V. LETËRSIA E PAME NDRYSHE
Libri monografik me titull “Letërsia e pame ndryshe”
Botime Françeskane Shkodër, 2006, (fq. 179), i autorit Zef Simoni,është një libër me vlerë, është vështrim kritik i letërsisë, ndryshe nga ajo që është vlerësuar qoftë nga studiuesit qoftë nga kritikët letrarë të soc-realuzmit.Në këtë monografi studimore, shkrimtari dhe studiuesi Imzot Zef Simoni ka ravijëzuar në një vështrim të thelluar panoramik personalitetet e letrave shqipe , përbërësit më të qenësishëm të veprave letrare,kumtet e tyre ,duke ndërthurur aty-këtu edhe shpjegime për çështje të ndryshme teorike të artit,qenësisë së tij,marrëdhënieve të tij me realitetet shoqërore, kryesisht,me religjionin dhe moralin.Kemi në këtë libër monografik një trajtim dhe vështrim kritik të një shkrimtari dhe kritiku që i njeh letërsisë një mision të lartë edukativ,moral ,estetik dhe patriotik.Diktuar nga qëllimi i trajtimit të lëndës dhe nga kriteri i këtij trajtimi,vepra fiton një fizionomi strukture të veten,origjinale.Studiuesi Imzot Zef Simoni ka dhënë në këtë vepër vlerat më të spikatura për shkrimtarët,përgjithësisht,pa u futë në analiza të plota veprash, kritikohen pikëpamjet dhe mesazhet, që kanë sjellë ndikime negative në formimin e kexuesve.Kështu prandaj autori,sipas vlerësimit të studiuesit Kolec Çefa,shkrimet kundër besimit,kundër Zotit,”në vend që të sjellin përprim ,sjellin regres,në vend të shpëtimit disfatën,në vend të lirisë terrorin,të qetësisë shpirtërore vrasjen shpirtërore e në vend të rendit anarkinë”(Vep.e cit.fq.9-10).Kështu ,tehut të ashpër të kritikës në fjalë nuk i kanë shpëtuar as kulmet e lëtësisë shqipe aq të vlerësuar në studimet e deri tashme ,si Naimi,Noli,Konica,Koliqi,etj.
Ç’është e vërteta,në dëmtimet në moralin e veprës ,argumenton autori,kanë rrjedhë nga ndikimet filozofike,sociologjike e politike të doktrinave etj.Në mënyrë të veçantë janë kritikuar ndikimet nga deizmi,panteizmi,iluminizmi në fillim dhe që kanë përfunduar tek pozitivizmi e materializmi.
Më ashpër se të gjithë shkrimtarët,në veprën e tij:Letërsia e pame ndryshe,Imzot Zef Simoni ka kritikuar Migjenin “si përkrahës i një bote të pa Zot e i një shoqërie pa relugjion”.Në lidhje më ketë shkruan,citojmë”Migjeni,”figura e sëmurë e anti-Krishtit në letërsinë tonë,sado që qe një artist ,”me proza e poezi të dhimbshme që futen në thellësi të fatkeqësive,të mjerimeve tona,por tue çue kah protesta të rrezikshme pse për idetë që paraqet autori,damet i sjell të mëdha,me landë kryesisht pa Zot e mbushë me urrejtje kundër klerit katolik…”.
“Letërsia e pame ndryshe”e Imzot Zef Simonit ,siç ka vlerësuar me të drejtë edhe stufiuesi i njohur Kolec Çefa,”nuk përfill rrymat letrare:”nuk kemi pasë rryma të zhvillueme letrare si letërsitë e mëdha të kombeve tjera”,”kemi copa rrymash”,por i njeh letërsisë sonë vetëm një rrymë:atë të realizmit socialist,e cila -si letërsi e mbështetun në skajin ma negativ të
filozofisë,në materializmin dialektik e historik dhe në ideologjinë marksiste-leniniste,pjellë e tij,nuk pasqyron të vërtetën,por e shtrembëron atë”.
“Në kjoftë se nji vepër nuk ka vërtetësi ,rranjësisht ,qëndron gënjeshtra, e,ma tepër se gënjeshtra,dhuna e përzieme me atë,mungon baza e artit,esenca e tij”thotë autori.
“Veprat e realizmit socialist ngrihen kundër pronës private,kundër religjionit,kundër jetës njerëzore,familjare,shoqërore,
intelektuale ,me diktaturën e egër të luftës së klasave”
Kështu kritikohen Dritëro Agolli,Ismail Kadare,Jakov Xoxe,Dhimitër Shuteriqi.Përmenden si disidentë Trebeshina e Xhaferi;vlerësohet lart Camaj,me atributin “fuqia e pendës”etj.Ka trajtuar mandej edhe një grup shkrimtsrësh klerikë mbas diktaturës si Dom Nikollë Mazreku,Dom Jak Zekaj,At Zef Pllumi,Mons Frano Ilia,Mons Zef Simoni që kanë vuajtur burgjet komuniste por që nuk janë përkulur…Gjithsdhtu janë përmendur shkrimtarët e burgosur si:Musine Kokalari,Pjetër Arbnori,Fredrik Reshpja,Visar Zhiti,Maks Velo, Luan Myftiu,etj.
6. Në përmbyllje
Është i çmueshëm dhe me vlerë kontributi i Imzot Zef Simonit në letrat shqipe.Edhe si autor i prozës së shkurtër moderne shqipe edhe si studiues i letërsisë mbetët DRITË E FUQISHME E KOHËVE TË VONA TË RILINDJES SONË KOMBËTARE.











