IDENTITETI KRIJUES I PASHKO VASËS

0
Pashko Vasa

Në 200-vjetorin e lindjes së Pashko Vasës (1825-1892)

Prof. Dr. Fatbardha (Fishta) Hoxha

Personaliteti dhe vepra e Pashko Vasës i takon fillimeve dhe kulmeve të kohës historike të Rilindjes dhe të kohës së romantizmit. Dihet se jeta fizike e tij u shtri në mes të viteve 1825–1892 dhe jeta krijuese në mes të viteve 1850–1890, pra 40 vite kontribute të shumanshme që i japin atij jo vetëm atributet e njërit nga më të shquarit projektues dhe prijës i Rilindjes Kombëtare, por edhe dimensionin e bashkëthemeluesit të romantizmit shqiptar. Qasja ndaj kontributeve të tij është përpjekje për të ridimensionuar veprën e tij të shkruar e të botuar. Përdorëm termin identitet krijues, duke ditur se ky term është përdorur nga Aristoteli në antikitet lidhur me sasinë, cilësinë dhe specifikën, është shqyrtuar më pas në kohët e reja, në Anglinë e shek. 17 dhe në Francë në shekullin e kaluar, lidhur më shumë me identitetin nacional që tashmë konceptohet si një proces fluid apo liquid, që nuk mund të fotografohet, përveç te filmohët.

Në rastin tonë ne nuk përjashtojmë kuptimin e identitetit kombëtar, por e shohim si pasuri në të gjithë dinamikën e tij edhe në regjistrin gjuhësor letrar e artistik duke ruajtur në qendër të arsyetimit dhe të argumentit këtë kuptim të identitetit: “të qenët i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë me vetveten.” Pashko Vasa me kontributet e tij të rralla jo vetëm që e mundëson, por edhe e përlligj një vështrim të tillë edhe pse për të është shkruar dhe folur. Ai nuk është as përjashtuar, as anatemuari siç ka ndodhur me të tjerë personalitete, është publikuar pavarësisht se vonë dhe përgjithësisht, është vlerësuar drejt dhe jomirëkuptuar dhe keq i interpretuar në disa anë. Pra kjo do të thotë se nuk është zbuluar tërësisht. Edhe pse ka kaluar afërsisht një shekull e gjysmë dhe koha duhej të kapërcente shumë arritje të tyre, si vizionarë dhe talente të pazakonët që ishin ato kanë ende çfarë t’u thonë kohëve të sotme të globalizmit dhe të diversitetit kulturor për çfarë edhe kontribuan.

Por çfarë e bën Pashko Vasën të veçantë dhe të njëjtë me vetveten. Në fillim rrugëtimi i tij si njeri dhe artist i fjalës dhe si erudit, në Shkodrën e tetëqindës ku, siç thuhet, larg çdo prove, se mund të ketë ndjekur ndonjë shkollë të huaj, por më shumë ka vepruar si autodidakt. Ajo që e bën më siguri është kontakti me Evropën teksa u punësua në moshë të re në nënkonsullatën angleze në Shkodër. Por vendimtar në fatin e tij ka qenë takimi me luftëtarë refugjatë italianë që aso kohe strehoheshin në Shkodër. I pajisur me dhunti jo të zakonta prej natyre ai kërkon t’i japë kuptim jetës së vet, pikërisht në atë moshë, kur njeriu joshet nga veprimet e guximshme dhe nuk pyet për pasojat.

Vitet 1847–1848 e gjejnë në llogoret e luftës për liri dhe bashkim kombëtar në Gadishullin Apenin. Përveç përvojave për t’u admiruar lufta e vë përballë sfidave dhe intrigave që e bëjnë të provojë edhe burgun politik. Paradoksalisht ai largohet dhunshëm nga trojet italiane, i duhet të çajë në jetë jo pa vështirësi duke përpunuar një taktikë shumë më të rafinuar, duke pranuar marrëveshjen, kompromisin në një metropol siç është Stambolli i atij shekulli, mundësinë për të menduar e vënë në jetë një strategji sa mendjehapur e efikase në dobi të kombit të vet. Kjo vetëdije e kristaltë interesash atdhetare e vë atë jo rastësisht në shkrimin e memorandumeve, në themelimin në 1878 të “Komitetit për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” në ngritjen e “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” dhe si bashkautor i Alfabetes së Stambollit më 1879. Ai bëhet një nga ideatorët dhe udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit në vitet 1878–1881.

Ndërkohë nga një mërgimtar i zakoshëm ai ngjit shkallët e karrierës administrative në qeverinë osmane, në Ministrinë e Jashtme, në Konsullatën Turke në Angli, me mision në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë dhe në fund të jetës guvernator i Libanit, të cilat janë rezultat jo vetëm i aftësive, por edhe i kompromiseve që i dhanë shansin të kontaktonte me botën nga Lindja në Perëndim, të përvetësonte si rrallëkush gjuhë, kultura, qytetërime, çfarë i dhanë identitetit të tij karakter kompleks dhe të integruar. Por edhe pse në lëvizje të përhershme zyrtare, ai asnjëherë nuk shmangu, por i dha shprehje identitetit të origjinës të cilit i blatoi aq shumë energji, çfarë e provojnë veprat e tij.

Me veprat e botuara në disa metropole, çfarë nuk kishte ndodhur më ndonjë krijues tjetër shqipetar, ai mori atributin e shkrimtarit shumëgjuhësh që e bën atë të veçantë në rolin dhënës në hapësirën evropiane. Sa më i ditur, sa më i kulturuar të jetë individi, pavarësisht nga gjuha nga vjen ajo kulturë, dituri, tek ai zgjohet edhe më shumë vetëdija e identitetit të origjinës që përthyhet në akte kulturore, diturore siç ndodhi dhe me veprën krijuese të Pashko Vasës. Rregulli universal i pritshmërive dhe prurjeve që sjell një kulturë solide, e gjerë dhe e thellë e bashkuar me talentin edhe pse e fituar në gjuhë dhe në dhé të huaj do ta bënte Pashko Vasën, që veç bir i Shqipërisë, të ishte pjesë e elitave kozmopolite të metropolit të Perandorisë, shtetar dhe funksionar Osman, qytetar i atdheut të vet dhe i botës.

Edhe pse ky është një fenomen jo i panjohur më parë që nga humanistët shqiptarë, arbëreshët, kjo marrëdhënie midis identiteteve të ndryshme tek Pashko Vasa, spikat në personalitetin, shtron çështjen e një leximi të ri. Formati i tij i shquar si romantik nga të parët në letërsinë shqiptare formësoi një produkt letrar të botuar e të qarkulluar në tre monopole kozmopolite, si Stambolli, Londra dhe Parisi. Ai boton veprat e tij në këtë trekëndësh në italisht, në shqip dhe në frëngjisht. Ai është ndër të vetmit romantikë shqiptarë që vepra e tij e botuar ka një horizont pritjeje evropiane. Këtë e arrinte një personalitet me një identitet të integruar dhe me vizion global, që do t’i jepte dritë identitetit të origjinës, lirisë së individit dhe të atdheut, afirmimit të së drejtës natyrore të tyre. Pikërisht këtu qëndron risia e veprës së tij.

Vepra “Burgimi im” botuar në italisht shënon më së miri stilin elegant, me çiltërsinë e rrëfimit dhe të afirmimit të shpirtit libertin epirotas që ai qartësisht e pohon në vepër edhe pse ngjarjet që përshkruan janë sa të çmuara aq edhe të dhimbshme. Identiteti i tij krijues si romantik spikati veçanërisht në rreth 40 poezi që shënojnë të parin vëllim poetik me lirika të romantizmit shqiptar, ndonëse të shkruara në italisht nën titullin “Roze dhe spine” dhe të botuara më 1873 në Stamboll. Janë lirikat më të mirëfillta romantike ku merr jetë siç ndodh jo rrallë në praktikën e frymëzimit romantik autoportreti i subjektit lirik me shumë elemente personale lehtësisht të identifikueshme, që poeti nuk kujdeset fare të mos i zbulojë. Ato janë shfrime ndjesish të thella të cilat i shkaktojnë gjendje tragjike shpirtërore që autori provoi në jetë.

Nga tërësia e tyre poetike ai ka zbuluar brishtësinë e ndjesive dhe të jetës humane që i japin në një shkrirje ambivalente gëzimin dhe hidhërimin, dashurinë dhe humbjen e saj, jetën dhe vdekjen. Dhe ka mjaftuar, një dhe vetëm një poezi në shqip që ta lartësojë Pashko Vasën në majat e poezisë shqipe. E krijuar në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, poezia “Mori Shqypni e mjera Shqypni” vjen në një kohë me poezitë “N’armē Shqypni” të Filip Shirokës “Shqipëri, moj dashuri”, “Shqipëri moj e përndarë” te Thimi Mitkos, “Shqipëria” të Naim Frashërit dhe të tjera, por asnjë prej tyre si kjo poezi e Pashko Vasës nuk pati pritjen dhe jehonën e saj.

Me 72 vargjet e saj ajo u bë manifest poetik i Lidhjes së Prizrenit dhe një nga krijimet më të fuqishme e më të njohura të romantizmit shqiptar. E klasifikuar herë si ode herë si poezi programatike, aty janë derdhur mrekullisht bukur e befasishëm dashuria dhe dhimbja, krenaria dhe nostalgjia, kritika dhe shpresa, e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja. Vargjet e saj kryesisht pesërrokëshe të dyzuar i japin asaj harmoni e ritëm marcial. Mendimi dhe emocionaliteti poetik i përftuar nga lëvizja e idesë përmes kontrasteve të forta që formon struktura solide në poezi, të panjohura më herët në poezinë shqipe i dhanë asaj atë pritje e miratim të gjerë kombëtar.

Është e drejtë të theksohet se identiteti krijues i Pashko Vasës plazmoi edhe në këtë poezi ndryshe, nga ç’është thënë apo keqkuptuar, ajo tejshkohet nga fryma e harmonisë dhe e tolerancës. Interpretimin e shrembëruar në raportet e besimit me kombin e sfidon figura e at Leonardit tek romani i vetëm i autorit “Bardha e Temalit” (skena të jetës shqiptare), që është mbështjellë me dashuri njerëzore e cila përfton paqe, mirëkuptim, dialog të ndërsjellë dhe rol veprues në lëvizjen patriotike. Identiteti krijues i Pashko Vasës është përvijuar edhe në romanin në fjalë. Ai solli i pari në letërsinë shqiptare gjininë e vështirë dhe komplekse, eposin e kohëve moderne siç e cilësonte Ralf Foks, këtë kulturisje jo të lehtë pikërisht në atë fund shekulli (1890) që evropianët e konsideronin si shekulli i romanit.

Bardha që është pikënisje e frymëzimit të tij me tragjizmin dhe siluetën e saj, të kujton simotrat e saj evropiane, zonjën Bavari të Flloberit, Anën e Tolstoit, Norën e Ibsenit. Ajo do të hynte në arealin letrar të Parisit, ku dhe u botua vepra, i njohur jo vetëm si kryeqytet i politikës dhe i artit, por edhe i lëvizjes feministe. Ende nuk dimë për pritjen që pati romani që Pashko Vasa e botoi në fund të jetës dhe që me të drejtë konsiderohet si kryevepra e tij dhe një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare. Janë me shumë interes vëzhgimet e teknikave të romanit krahasuar me romanet e Dumasë, Skotit, Manzonit, Hygojt e të tjerë në të gjithë parametrat me linjat, gjerësinë e afreskut social psikologjik, personazhet, çfarë do të sillte një vlerësim më të plotë të kontributeve në zhvillimet e romantizmit shqiptar ku Pashko Vasa shfaqet si bashkëthemelues i tij krahas De Radës dhe Naimit.

BIBLIOGRAFI
1. Jup Kastrati, Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare, Shkodër, 1963, f. 71–121.
2. ILP i Shkodrës, Pashko Vasa – Luigj Gurakuqi, Shkodër, 1877, f. 64–112.
3. Vehbi Bala, Pashko Vasa (portret – monografi), Tiranë, 1979.
4. Grup autorësh, Letërsi shqipe, vëll. II, botim IGJL, Tiranë, 1959.
5. Grup autorësh, Historia e letërsisë shqiptare nga fillimet deri në 1939, botimi ASH të RSH, Tiranë, 1983.
6. Pashko Vasa, Vepra letrare,1,2, Tiranë, 1987.
7. Zije Xholi, Mendimtarë të Rilindjes Kombëtare, Tiranë, 1987.
8. Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë–Pejë, 1997, f. 193–199.
9. Jorgo Bulo, Magjia dhe magjistarët e fjalës, Tiranë, 1998, f. 125–135.
10. Grup autorësh, Letërsi shqiptare, 2, Tiranë, 2000, f. 108–126.
11. Sabri Hamiti, Letërsia filobiblike dhe romantike, 7, Prishtinë, 2002, f. 244–305.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.