Agron Tufa
Në 17 janar 1468 vdiq në Lezhë, rreth moshën 63 vjeçare Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), heroi kombëtar i shqiptarëve. E quaj me vend ta ndërmend përmes kësaj poezie të Martin Camajt.
MARTIN CAMAJ
HIJA E GJERGJ KASTRIOTIT
Shum vjet mbas vdekjes barijt e panë
Gjergjin mbi majet e Dibrës në kalë
tue shkue për Krû.
Andej lumit i ecte hija shpatit
tue i prekun majet e lisave kryet;
“Gjergj, ndalu nji herë, pashë Zotin!” –
I britte nji plak tue ngâ mbas tij kambzdathë.
“- Turqit m’a vranë djalin dhe vajzën…
vajzen m’a shnderuen te votra.
Ndalu, ndalu, Skanderbeg e kthe dalë!
Shatorret anmiku në mbrame i dij ku i ngul
e shtiqet e ngushta n’udhtim ku i këput.
Un due me vdekë, o zot, i ngimë me gjakun e tyne,
përndryshej toka s’ka me më lanun mbrendë
me djalë, as qiella me thithun nji ajr me vajzë.
Nxire pallën, bre burrë!”.
Skanderbegu pa sjellun kryet ulej majes teposhtë,
parzmorja e hekurt e armët pa krisë.
“– O plak fatkeq, pse e mundon ashtu hijen?
– Britne barít për së largut.
Lene Gjergjin me shkue për Krû!”.
Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,
por andej lumit hija i eci mbi lisa me qinda vjet
për rrugë tue shkue në Krû.
Fq. 163 poezi 1953-1967, Tipografia Detti, Romë, 1971











