8.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Gratë e para shkrimtare në letërsinë shqipe

Gratë e para shkrimtare në letërsinë shqipe

0
Elife Luzha - libra

Autore;
Elife LUZHA

Në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve

Sipas shkrimtarit tonë Ismail Kadare, letërsia e shkruar artistike te shqiptarët nis me Lekë Matrëngën, i cili qysh në vargun e dytë të poezisë “Pëshpëritje” (1592), përmend për herë të parë fjalën “grua”. Pas tij vjen Pjetër Budi, që sipas Kadaresë “përbën një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore”. Edhe gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, poetë si Naim Frashëri e Andon Zako Çajupi e hyjnizuan figurën e gruas shqiptare, duke e ngritur në lartësi poetike të paarritshme edhe sot.

Ishte kjo koha e pushtimit osman, kur gruaja shqiptare, e mbërthyer nga despotizmi oriental, nuk gëzonte pothuajse asnjë të drejtë. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, gruaja shqiptare përjetonte edhe detyrimin e mbulimit me perçe që Kadareja e quante, “turpërim të madh dhe betejë e humbur për shqiptarët”.

Në periudhën e lëvizjeve për çlirim kombëtar të shek. 19-të, gruaja shqiptare, krahas luftës kundër pushtuesve osmanë, duhej të përballej edhe me kodet kanunore, të cilat, sipas Edith Durhamit, “kishin forcë detyruese sa Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e islamit e krishterimit apo ligjet e sheriatit e të kishës”. Prandaj, nuk është për t’u habitur, që poeti anglez, Lord Bajroni (George Gordon Byron), në veprën e tij “Childe Harold’s Pilgrimage” (Pelegrinazhi i të riut Harold, 1812), e përshkruan pozitën e gruas shqiptare si “tamed in their cave”, (të zbutura në shpellën e tyre) term i “pa kapërdirë”, por që për fat të keq, pasqyron realitetin tragjik të kohës.

Nga fundi i shekullit 19-të, valët e lëvizjeve feministe në botë u ndien edhe në Shqipëri. Shkrimtarja me origjinë shqiptare, Elena Gjika (Dora d‟Istria), ishte ndër gratë më të shquara të kohës së saj në Europë, krahas figurave si Klara Zetkin, Virxhinia Vulf, Simonë dë Buvuar. Në veprën e saj, “Gratë të para nga një grua”, ajo shkruante se “gruaja shpesh është skllave e injorancës, që të tjerët e lënë me qëllim”.

Të ndikuar nga kjo frymë, motrat Parashqevi e Sevasti Qiriazi, më 23 tetor 1891 në Korçë, hapën shkollën e parë shqipe për vajza. Fillimisht shkollën e vizituan tri vajza, por deri në fund të vitit numri i tyre arriti në 30. Sevasti Qiriazi, e diplomuar në Stamboll, kujton se në ceremoninë e diplomimit të saj mori pjesë edhe Naim Frashëri, i cili e inkurajoi me fjalët: “Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë, sesa vendimi që keni marrë për emancipimin e grave. Po të jesh besnike, këmbëngulëse dhe e vullnetshme, do të arrish të kryesh vepra të mëdha për kombin”.

Sevastia, së bashku me tri shoqe shqiptaro-amerikane, botoi në revistën “Përparimi” poezi dhe shkrime publicistike duke u bërë ndër nismëtaret e letërsisë së shkruar nga gratë.

Pas Pavarësisë së Shqipërisë, letërsia shqipe mori një drejtim të ri zhvillimi. Megjithatë, emri i gruas mbeti pothuajse në harresë. Vetëm në vitet e ’30-ta, dëgjohet më qartë zëri i grave shqiptare që, siç shprehej poeti Gjergj Bubani “sollën pranverë në shtypin shqiptar”. Selfixhe Ciu një vajzë 17 vjeçe nga Gjirokastra, ishte ajo “lulja e pranverës”, e cila nën pseudonimin “Kolombia”, më 28 nëntor 1935, në gazetën “Populli”, botoi vjershën “Vala gënjeshtare”. Me një gjuhë të mprehtë poetike, ajo trajtoi çështjen e të drejtave të grave dhe emancipimit të tyre.

Një nga zërat më dallues që i hapi rrugë gruas shqiptare në letërsi pa dyshim është Musine Kokalari. Krahas poezisë, ajo botoi prozë ku dominonin temat për pozitën e rëndë të gruas në shoqërinë shqiptare. Veprat e saj u vlerësuan lart nga kritika, por siç ndodh shpeshherë në jetë, “gratë e shquara lihen në hije”. Musineja, e martirizuar nga regjimi komunist, për një kohë të gjatë thua se ishte lënë në anonimitet, për t’u rikthyer prapë përmes veprave me vlera të larta artistike për kombin.

Me kalimin e viteve, zëri i shkrimtareve gra bëhet më i dëgjuar, por si në shumë sfera të jetës, vazhdon të diskriminohet dhe nënçmohet. Kultura e të shkruarit e grave “kalohet si të ishte nënkulturë”, prandaj ato bëjnë përpjekje titanike për të qenë të barabarta, në fushën që “ende konsiderohet e burrave”. Se kjo qëndron, na e dëshmon periudha e viteve 1950-1980, kur vështirë numëronim mbi dhjetë tituj të librave me autore gra.

Sado të pabesueshme të na duken këto të dhëna, për fat të mirë apo të keq, burime të sakta për ne vazhdojnë të mbeten ato të mbledhësve apo albanologëve të huaj, si Robert Elsie, i cili në studimin e tij, “Një fund dhe një fillim”, gratë shqiptare më shumë i konsideron si gra që shkruajnë sesa gra shkrimtare. Ai ka bërë edhe një renditje të autoreve të para gra, ku sipas tij prijnë Adelina Mamaqi, me veprën poetike “Ëndrra vashërie” (1963), duke vijuar me: Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Adelina Balashi, Elsa Ballauri, Beatriçe Balliçi, Flora Brovina, Edi Shukriu, për të arritur në vitin 1973 me Elena Kadarenë dhe romanin “Një lindje e vështirë”, që konsiderohet ndër romanet e para të shkruara nga një grua në letërsinë shqipe.

Më pas vijnë edhe Mimoza Ahmeti dhe emra të tjerë të grave letrare, por pa ndonjë “grande damë”, siç shprehet ai.

Që nga vitet ’90-të, numri i shkrimtareve gra është rritur. Shumë prej tyre tanimë numërojnë dhjetëra tituj librash të botuar. Një paraqitje të emrave të këtyre “zonjave të vogla” të letërsisë shqipe në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, e ka bërë edhe shkrimtari ynë, Ismail Kadare, duke filluar me Elvira Dones, Ornela Vorp-si, Luljeta Lleshanaku, Ani Wilms, Besa Myftiu, Lin-dita Arapi etj., “emrat e të cilave kurrsesi s‟mund të jenë shterues”, thotë ai. Disa prej tyre të larguara nga Shqipëria, sidomos pas trazirave të vitit 1997, shkëlqejnë nëpër vende të ndryshme të Europës e botës.

Është fatkeqësi fakti që artisti në vendin e vet e ka të pamundur të sigurojë kushtet më minimale për jetë. Kjo padrejtësi natyrisht godet edhe krijueset gra, të cilat janë të detyruara të “ikin” si dallëndyshet (siç i përfytyronte Lasgushi, apo si xixëllonjat (siç i përfytyron I. Kada-re), për të mbijetuar, bashkë me ëndrrën për kthim.

Në letërsi nuk duhet bërë dallimi midis dy gjinive dhe nuk është mirë të thuhet “letërsi e grave apo e burrave”, por nuk mundem të rri pa thënë, se në letërsinë shqipe emri i shkrimtareve gra vazhdon të mbetet i anashkaluar, qoftë në ndarjen e çmimeve, pjesëmarrjes në takime, apo edhe vlerësimeve të tjera përkatëse. Është pikërisht ky diskriminim, që e bën si “të padukshme” gruan shkrimtare në historinë e letërsisë, që është vetëm njëra nga “vellot” e errëta të padrejtësive ndaj grave në shoqërinë tonë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.