20.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj “Gazetaria Hulumtuese – Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”

“Gazetaria Hulumtuese – Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”

3
Musa Sabedini - Gazetaria hulumtuese

Doli nga shtypi libri universitar i profesorit Musa Sabedini
“Gazetaria Hulumtuese – Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”

Arif Ejupi
Arif Ejupi

Fakulteti Media dhe Komunikim njofton se ka dalë nga shtypi libri universitar “Gazetaria Hulumtuese – Misioni, rreziqet, etika dhe sfidat profesionale”, i autorit Mr.sc. Musa Sabedini, profesor universitar, gazetar hulumtues dhe studiues i medias.

Ky botim përfaqëson librin e katërt universitar të autorit dhe është rezultat i një përvoje mbi 35-vjeçare në gazetarinë profesionale, me theks të veçantë në gazetarinë hulumtuese, si dhe i një angazhimi të vazhdueshëm akademik dhe shkencor në fushën e medias dhe komunikimit.
Libri u dedikohet studentëve të gazetarisë dhe komunikimit, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve profesionalë, si dhe të gjithë profesionistëve të medias që veprojnë me integritet, përgjegjësi dhe guxim në mbrojtje të interesit publik.

Në parathënien e librit, autori thekson se ky botim paraqet një përpjekje për ta shndërruar përvojën e gjatë profesionale në një udhërrëfyes akademik, praktik dhe etik për brezat e rinj të gazetarëve, duke riafirmuar gazetarinë hulumtuese si shtyllë themelore të demokracisë dhe zë të ndërgjegjes publike.

Libri është ndër botimet e para në hapësirën shqiptare që trajton në mënyrë të strukturuar, shkencore dhe praktike:
• misionin e gazetarisë hulumtuese,
• rreziqet dhe sfidat profesionale,
• dimensionet etike, ligjore dhe morale të profesionit,
• ndikimin e epokës digjitale dhe mediave online,
• teknikat moderne të raportimit hulumtues.

Vepra është e ndarë në tre kapituj kryesorë, të cilët përfshijnë analiza teorike, shembuj konkretë nga praktika vendore dhe ndërkombëtare, si dhe reflektime mbi transformimin e gazetarisë në kohën e teknologjisë digjitale.

Një veçanti e rëndësishme e librit janë 101 pyetjet dhe 101 udhëzimet për gazetarinë hulumtuese, të ndërtuara mbi përvojën profesionale dhe akademike të autorit. Ato trajtojnë aspektet profesionale, etike, ligjore, psikologjike dhe logjistike të procesit hulumtues dhe synojnë të shërbejnë si mjet praktik për studentët, gazetarët në fillim të karrierës, si dhe për profesionistët me përvojë.

Recensenti i librit, prof. dr. Safet Zejnullahu, vlerëson se ky botim vjen në një moment kyç për gazetarinë bashkëkohore, duke ofruar një qasje kritike dhe të thelluar ndaj sfidave që sjell gazetaria e internetit dhe nevoja për ruajtjen e standardeve profesionale të gazetarisë hulumtuese.

Autori shpreh mirënjohje të veçantë ndaj rektorit të Kolegji UBT, prof. dr. Edmond Hajrizi, për mbështetjen institucionale dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe shkencor.

Libri ka 718 faqe dhe botohet nga Kolegji UBT, duke u pozicionuar si literaturë bazë dhe referuese për studimet universitare dhe pasuniversitare në fushën e gazetarisë dhe medias.

Ky botim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm akademik dhe profesional në studimet e gazetarisë hulumtuese dhe një referencë të qëndrueshme për edukimin e brezave të rinj në këtë fushë.

Ndryshe, Musa Sabedini është autor i 14 punimeve shkencore, të prezantuara në konferenca ndërkombëtare, si dhe ka botime në revista shkencore amerikane dhe në baza të indeksuara ndërkombëtare, përfshirë SCOPUS. Që nga viti 2011, ai ligjëron në Degën e Medias dhe Komunikimit në Kolegji UBT.

Sabedini është tash 14 vjet anëtar i Bordit të Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, si dhe drejtues i portalit online”Rajonipress”, i cili bashkëpunon me autorë të njohur nga fusha të ndryshme të hapësirës shqiptare.

Për kontributin e tij profesional, Musa Sabedini është vlerësuar me katër çmime për gazetari hulumtuese në Kosovë, në vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008, nga juri të ndryshme profesionale.

ARIF EJUPI

3 KOMENTE

  1. I nderuari z. Ejupi!

    Me kënaqësi lexova shkrimin e mësipërm nga Ju dhe po jap koment, por më parë dy fjali që i veçova:

    “Recensenti i librit, prof. dr. Safet Zejnullahu, vlerëson se ky botim vjen në një moment kyç për gazetarinë bashkëkohore, duke ofruar një qasje kritike dhe të thelluar ndaj sfidave që sjell gazetaria e internetit dhe nevoja për ruajtjen e standardeve profesionale të gazetarisë hulumtuese.”
    “Autori shpreh mirënjohje të veçantë ndaj rektorit të Kolegji UBT, prof. dr. Edmond Hajrizi, për mbështetjen institucionale dhe përkushtimin ndaj zhvillimit akademik dhe shkencor.”
    *
    Ju lumtë mendja dhe ju lumtë dora, juve dhe autorit t¨librit.
    Komentin po e përfundoj me këtë mendim personal:
    Qëndrojnë tri gjëra për të cilat duhet të duam jetën, e ato janë:
    1. E vërteta,
    2. Liria, dhe
    3. Vyrtyti
    *

    Respekt,
    IMH

  2. Zoti Hasani, ju falënderojmë nga zemra për vlerësimin dhe motivimin për punë të mirë.
    Para se të shkruajmë, bëjmë përpjekje maksimale që të konsultojmë materialet dhe të jemi në kontakt me autorët, në mënyrë që të mos gabojmë.

    Pastë ndjesë Agim Shehu, i cili vijimisht thoshte: “Letra e bardhë është jona; kujdes çfarë shkruajmë në të, sepse pastaj ajo është e të gjithëve.”

    Ju urojmë shëndet e rehati dhe ju falënderojmë për kohën që ua kushtoni punimeve tona.
    Me këtë rast, falënderoj përzemërsisht Profesorin dhe Botuesin z. Arben Çokaj, i cili na ka mundësuar shprehjen e mendimeve dhe opinioneve tona në këtë dritare të njohur informative dhe kulturore.

    Me respekt dhe dashni,
    Arif Ejupi

  3. z. Ejupi!

    I ndershmi të nderon!

    Unë dhashë një koment modest në shskrimin e juaj, e Ju më falënderoheni nga zemra!
    Të falëminderit shumë.

    Falënderimi i “shkon” edhe z. Arben Çokaj, për publikimin e shkrimeve dhe komenteve tona.

    PS!
    Sa për njohtim: unë jam me prejardhje nga Juniku, shumë vite (1968-2004) kam jetua në Mitrovicë, e tash jam kurbetçtar në Suedi. Në Kosovë kam punuar si mësues, si profesor, si ndihmësdrejtor, si inspektor, si ekspert gjyqësor etj. Përndryshe jam me profesion ekonomist. Me shkrime kam fillua në Suedi; kam botuar 8 libra – zhanreve të ndryshme…
    *

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.