Gani I. Mehmeti
Emisioni i Dytë i Festivalit të Këngës 2024 në Radiotelevizionin e Kosovës, që u mbajt në natën e parë, më 24 Tetor 2024, çoroditës i Gjuhës Standarde Shqipe.
Është festival që mbahet një herë në vit, por që zgjat tri mbrëmje.
Nuk jemi absolutisht kundër festivaleve dhe shfaqjeve tjera muzikore përmes mediave, në veçanti nga RTK që është televizion publik. Por, ky televizion, më shumë se tjerët, duhet të kujdeset edhe për Gjuhën standarde shqipe.
Unë problemin e shoh tek Gjuha standarde shqipe, me të cilën shprehemi e flasim.
Fjala festival vie nga latinishtja festum, që do të thotë e kremte, shfaqje e madhe disaditëshe, në të cilin marrin pjesë përfaqësuesit më të mirë të një fushe të artit e të kulturës[1].
Dhe, deri sa është një shfaqje a paraqitje e madhe disaditëshe, vallë, a do duhej të ishte edhe gjuha e udhëheqësit të programit në nivel? Ky festival doemos ishte i rangut më të lartë, prandaj, aty nuk do duhej të udhëheqë ai që nuk njehe nuk flet bukur e rrjedhshëm gjuhën standarde shqipe.
Udhëheqësi i Festivalit nuk fliste mirë, rrjedhshëm e bukur as në Gjuhën letrare të gegërishtes. Mos më besoni mua, përcillne në netët e tjera. Sonte ishte nata e parë e festivalit.
Për realizimine festivalit, thotë janë angazhuar rreth 200 njerëz!!! Dhe nga të gjithë këta 200 njerëz, nuk paska pasur gjuhëtar që di të flasë bukur e rrjedhshëm në gjuhën standarde? Atëherë ka qenë dashur të merret edhe një gjuhëtar që do t’i jipte kënaqësi e ëmbëlsi festivalit, jo të jetë kaq i vrazhdtë e kaq larg gjuhës standarde.
Ose, mos e kam gabim unë me të gjeneratës sime e shumë të tjera para e pas nesh, deri në këto gjeneratat e fundit, që e donim dhe e duam aq shumë! Ne nuk përcaktoheshim në atë se kush e solli gjuhën letrare, me të cilën ishim bërë shend e verë, pse përmes njësimit të gjuhës shqipe, aludonim në BASHKIMIN KOMBËTAR por edhe të bashkëbisedimit e të kuptimit me njëri-tjetrin nga të gjitha trevat shqiptare e edhe më gjërë.
Ne e vlerësonim si një sukses tejet të madh kombëtarisht aso kohe, po edhe sot kemi atë vlerësim e ide. Unë e di se aty, në Kongresin e Drejtshkrimit në vititn 1972 kishin marrë pjesë gjuhëtarët më të shquar nga të gjitha trojet shqiptare dhe i kishin vënë rregullat e drejtshkrimit të Gjuhës letrare, të njëjtë për të gjithë shqiptarët.
Paraqitja gjuhësore në natën e parë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion e Kosovës është nën çdo nivel.
Kjo paraqitje e dobët është e udhëheqësit të programit, por nuk vlen edhe për udhëheqësen (femër), e cila kërkon falje nëse do të gabonte diku në të shprehurit e gjuhës shqipe, pse ka lindur e është rritur në Çikago të Amerikës. Sa bukur! Ajo që kërkoi falje, nuk gaboi askund, ishte perfekte edhe në nivelin e Gjuhës standarde.
Natyrisht, kjo dobësi i bie stafit të përgatitjes së Festivalit, që, siç u tha, ishin hiç më pak se 200 veta!!!
Kam harruar se sa para janë dhënë për këtë festival, për çoroditjen e Gjuhës standarde shqipe!
Gjithë këto reklamime, thirrje e marketing për Festivalin 2024 të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës dhe me gjithë këto gabime, nuk falet.
24.10.2024
[1] Mikel Ndreca: Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, “Rilindja”, Prishtinë, 1986, faqe 229.