Nesër më 3 tetor 2025 është përvjetori i njëzetë i ndarjes nga jeta, përkujtojmë figurën e Faruk Spahisë, një intelektual dhe aktivist i shquar, i cili me veprimtarinë e tij politike dhe shoqërore u rendit në ballë të proceseve për pavarësinë e Republikës së Kosovës, me një përkushtim të veçantë ndaj qytetit të Mitrovicës dhe gjithë rajonit. Spahija, i njohur për intelektualizmin, sjelljen e tij të qytetëruar dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, ishte bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Gjatë viteve ’90, në periudhën e shtypjes sistematike serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, Faruk Spahija zhvilloi një veprimtari të dendur organizative dhe atdhetare. Në takimet e rregullta me veprimtarët e LDK-së në Mitrovicë, ku përfshihej edhe Spahija, theksohej domosdoshmëria e koordinimit me mërgatën shqiptare. Përmes këshillave të tij dhe të intelektualëve të tjerë, si Prof. Dr. Latif Berisha, u krijuan ura bashkëpunimi me mërgatën, veçanërisht në Suedi, me qëllim sensibilizimin e opinionit evropian për gjendjen e rëndë politike, arsimore, shëndetësore dhe humane në Kosovë.
Veprimtaria e Spahisë dhe bashkëveprimtarëve të tij përfshinte organizimin e ndihmave financiare për shkollat shqipe, hapjen e shkollave në mërgatë për ruajtjen e gjuhës amtare dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare. Këto iniciativa kishin rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e popullatës shqiptare, e cila po përballej me represion, dhunë dhe përpjekje për shpërngulje të dhunshme nga regjimi serb, si pjesë e politikës së kolonizimit të Kosovës.
Kontributi i Faruk Spahisë duhet të trajtohet si një pjesë e rëndësishme e historisë së lëvizjes kombëtare shqiptare. Vepra e tij nuk ishte e motivuar nga përfitime personale, por përkushtuar tërësisht idealit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Për këtë arsye, institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti Komuna e Mitrovicës, kanë detyrimin moral dhe historik që të kujtojnë dhe nderojnë pa ndërprerje sakrificën dhe veprimtarinë e tij.
Vdekja e parakohshme e Faruk Spahisë ndodhi në një periudhë kur Mitrovica kishte nevojë të madhe për kontributin e tij, veçanërisht në kohën kur mërgata arriti të binjakëzonte Komunën e Mitrovicës me Komunën e Hässleholm-it në Suedi, si dhe në nisma të tjera për krijimin e bashkëpunimeve ndërkomunale në fusha të ndryshme.
Kujtimi për Faruk Spahinë, ashtu si edhe për të gjithë ata që kontribuan për lirinë e Kosovës, mbetet i përjetshëm.
Dërgoi për publikim, Hysen Ibrahimi, aktivist politik e shoqëror në Suedi