EMRAT QË NA MUNGOJNË

0
Sabile Basha

Sabile Keçmezi-Basha

Besomëni,
Me zor mbyll sytë,
Pastaj edhe kafkën,
E më pas edhe ditën.
Por s’më zë, kurrsesi s’më zë
Simfonia e dhembjes.

Dhe përsëri në ëndërr më shfaqen numra…
Numra të vegjël,
Numra të mëdhenj,
Numra të sapoardhur… foshnja,
Numra të mplakur
Të kërrusur nën peshën e dheut.
Emrat që mungojnë…
I shoh,
Eshtrat që flasin,
Thirrje që shpojnë qiellin…
Dhe thonë:
“Ja ku jemi,
Me ju,
Në ju,
Për ju…”
E dita, vështirë na zë.
Emrat që mungojnë,
Brinjë të shkërmoqura,
Vallëzojnë me pikëpyetjet.
ADN-ja luan symbyllas me ne,
Përsëri e përsëri,
Në gjakun e atdheut.
E nuk gjenden dot,
Emrat që mungojnë
Në errësirën e stinëve noprane
Ende…
Emrat që mungojnë
Na mungojnë,
Mungojnë…
Thërrasin.
Dhe Dita mezi i zë –
Në prag të agut.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.