Edhe një kapitull i shkurtër nga romani në dorëshkrim “Sikur të kisha një çekiç”

0
Agron Tufa

Agron Tufa

V. Si një mëz i trembur kur i del në kthesë arusha

Po mbyllej ai vit shkollor. Mësimet kishin mbaruar; mësuesit plotësonin dëftesat vjetore dhe formulonin karakteristikat e sjelljes për çdo nxënës; mblidhnim rezultatet dhe ecurinë e secilit dhe hartonin Fletë-Lavdërimet për pesëshen më të mirë në klasat që kishin në kujdestari. Dorëzova bazën materiale, regjistrat dhe gjithçka duhej dorëzuar. Mandej, bashkë me dy mësuese të tjera shkova të ha në mencën e kooperativës; kishte njëfarë gjelle që, ndonëse e uritur, ma shpifi, andaj nuk munda: e shtyva tutje.

Kuzhinierja e pa, ma bëri nga sporteli me gjest të prisja dy minuta dhe vërtet erdhi pas pak me dy pjata: vezë syze me gjalpë dhe një pjatë kos, tok me bukën e ngrohtë. Kësaj radhe hëngra me shije. U ktheva e lodhur pas mesdite. Nga pagjumësia e një nate më parë, lodhja dhe vapa e mesditës, më kishte zënë gjumi mbi një roman të mërzitshëm sovjetik, shtrirë mbi kuvertën e krevatit fill në mbathjeve dhe në një kanotiere të hollë.
U zgjova nga një ëndërr:

…shtëpia e Shestanëve përballë, me themele në shkëmb dhe në zgripin ku fillonte shkarrëzima e shpatit të përroit prapa, befas filloi të dridhet dhe toka rreth saj të plasaritet; shtëpia u anua prapa: doja të thërrisja “tërmet, tërmet!”, por zëri s’më dilte. Pashë si shkanë tjegullat prapa dhe fill mandej nisën të rrëgjohen brinjët e shtëpisë, të rrokullisen gurët. Nga shtëpia që po shembej shpejt e po rrokullisej në greminë, doli Feriku; më vërviti fill një vështrim fosforeshent, gjithë urrejtje dhe sakaq, ia ngjiti dorën kapistrës së mushkës; por toka qe plasaritur tashmë edhe nën këmbët e kafshës dhe vendi ku qëndronte u fundos e shkau në rrëpirë. Kur shtëpia qe fundosur e rrokullisur mbrapa në theqafje, pashë Meleqin të përshkonte me vrap gjysmën e oborrit të paplasaritur. Ai po vraponte drejt derës sime dhe ishte i vetmi që shpëtoi. Pandeha se e kisha kyçur derën…

Kisha pak ftohtë. Nga dritarja e lënë hapur frynte era e malit përballë, ndërsa dielli kishte kaluar në anën perëndimore. U habita pse kaq fresk dhe sapo u ngrita, më ra në sy dera e hapur. Ta kisha harruar vetë? Mbi mua, në krevat, në trupin thuajse të zhveshur, kryqëzohej e përplasej korenti i erës. Sidoqoftë, dera e hapur më bëri të jem syçelë, të vëzhgoj mirë përreth, mandej dhe në dhomën tjetër, në të cilën grumbulloja gjithëfarë gjërash, që nga rrobat e ushqimet, deri tek librat dhe drutë e zjarrit. Ajo dhomë luante role të shumëfishta si depo, lavanderi, bibliotekë, magje gatimi, e madje, në fund fare, kishte një kthinë dushi primitiv, me një kosh teneqeje, që furnizohej me ujë duke e mbushur vetë me kova: mandej mjaftonte të fusje në prizë spinën e kordonit të dushit. Kështu e gjeta dhe duhet të jetë shpikje e çiftit të mësuesve, që kishin banuar te plaka Qetabie para se të vija unë. Puna e parë që bëja, pasi lahesha poshtë këtij dushi, ishte mbushja e menjëhershme e depozitës prej teneqeje. E vura në prizë dushin.

Kisha bindjen se derën do ta kisha harruar pa lloz, por jo ashtu, të hapur. Të nesërmen do të nisesha për Tiranë dhe nuk mendoja se do të kthehesha sërish në shtator te kjo dhomë. Sidoqoftë, asgjë nuk i kisha thënë as plakës Qetabie e as dhisë së saj të bardhë, pasi të dyja kishin shkuar të kalonin ca kohë tek i vëllai, gjinerali. As në shkollë nuk kisha thënë, se kaq ishte karriera ime prej mësueseje fshati. Çdo gjë mund të ndodhte dhe le të ndodhte si të donte.

Pas dushit u ndjeva e përtërirë, gjithë energji, të cilën duhet ta shkapërdaja në njëfarë mënyre. U kreha, u vesha me një palë pantallona të bardha verore, lino, shumë të holla, një bluzë të hollë blu të volejbollisteve dinamovite dhe një palë atlete sporti, që i kisha marrë herës së fundit nga shtëpia; vura syzet e diellit, kapelen prej kashte, një çantë të vogël sportive krahut dhe dola jashtë. Kishte rreth dy pashë diell në perëndim. Vendosa të bëja një shëtitje nga zabelet dhe kodrat, të cilat i kisha braktisur prej gati dy muajsh, qëkurse ato vise u mbushën me “partizanë” e gjahtarë. Në kthim, mendoja të kaloja nga dyqani i fshatit.

Kapërceva Kodrën e Bilbilave, që në fakt, gumëzhinte nga kënga e gjinkallave, edhe pse dielli nuk e kishte më përvëlimën e mesditës dhe një fllad i lehtë frynte nga malet kate-kate, që ngriheshin në Lindje. Pas kodrës vinte rrjedha e një përroi të thellë e të kulluar, i veshur në të dy shpatet me frashnje, mëlleza, dushqe e lajthi, ndërsa afër përroit nxinin, sa të hante syri, poshtë rrjedhës, njollat e errëta e të dendura me vërrishta. Pikërisht në këtë grykë me vërrishta të dendura në të dy anët e rrjedhës, që quhej gryka e Gushavicës, kisha gjetur para dy muajsh shumë fole me vezë qukse thëllëzash, të cilat, edhe tani sapo i kujtova, më sollën ndërmend fytyrën e Sevit.

Ç’bëhej ajo tani, atje në Konsullatën tonë në Mbretërinë e Belgjikës? Çfarë misioni i kanë ngarkuar? Nuk kisha si ta dija, por në mundësinë e parë që të më jepej, nëse do ta pyesja, e dija që do të m’i tregonte të gjitha. Sidoqoftë, ia kam adresën dhe sërish, si shumë herë të tjera më parë, mendova se zarfi i saj me kartolinën brenda, do të jetë hapur në Shtëpinë e Gjetheve. Kush ta ketë hapur vallë? Kolonel Zeno Tare apo shkrimtari i ri, eksperti i kriminalistikës, Nasihat Toçaj? Si e kanë komentuar, çfarë kanë vendosur vallë për zarfin që më drejtohej mua? A ka mundësi që këtë letër ta ketë hapur Zeno dhe aty ta ketë mbyllur, pa raportuar më tej? Nëse është kështu, atëherë pse nuk ma ka thënë? Ndoshta edhe kundër meje po hapet, në mos qoftë hapur prej kohësh, një dosjeje e posaçme.

Mora një dhiare që të zbriste gjithë lakadredha drejt pikës më të errët të vërrishteve e shelgjishteve buzë përroi; në faqen e majtë shkëmbore gjendej Shpella e Gushavicës apo Gurët e Dhelprës, siç i thoshin në fshat, pasi dhelprat i sillnin këtu pulat e rrëmbyera dhe i shqyenin në brendësi të kësaj guve shkëmbore, të maskuar me shkurre të dendura. E ndërgjegjshme e madje e bindur se, qëkur dola nga shtëpia ndiqesha nga sytë e Meleqit, nuk i hodha asnjëherë sytë prapa për ta vërtetuar këtë; por ja, tani do t’i punoj një rreng këtij romantiku të përzhitur ndër seancat e përnatshme, njëzetminutëshe, në ekranin e ndriçuar të dritares sime me lakuriqësinë e trupit tim.

Dhiarja kalonte buzë Shpellës së Dhelprës, por faqja e shkëmbit ku niste hyrja e shpellës, kishte një thellomë në kënd të drejtë me dhiaren, një si kamare në shkëmb, pas së cilës do të mbështetesha e do të prisja me durim: Meleqi nuk kishte nga t’ia mbante tjetër pa kaluar andej. Ai nuk do të dyshonte aspak; do të mendonte që unë do të kem zbritur tek masivi i dendur i vërrishtes buzë përroi duke kërkuar foletë me vezë thëllëze, siç besoj se më kishte vëzhguar edhe më parë, pasditeve të majit, para se t’i braktisja gjezdisjet e mia zabeleve.

Pak para se t’i afrohem shpellës, pata tundimin të ktheja kokën prapa mos e pikasja kund, por e mposhta këtë tundim, që mund ta bënte Meleqin të sprapsej nga ndjekja ose të rrinte shumë larg. Gjithsesi, në atë pozicion ku gjendesha, për shkak të terrenit dhe shkurrnajës, nuk mund të dalloja lëvizje njeriu më shumë se dhjetë metra largësi. Përpos kësaj, nuk ia kisha idenë se sa larg apo afër meje ishte ndjekësi i fshehtë. Në vend që të ktheja kokën, parapëlqeva të ul pantallonat dhe të shurroj mu në dhiare.

Dhe shurrova avash, për një periudhë bukur të gjatë, duke e shijuar deri në pikën e fundit këtë lehtësim veshkash. U vesha, pa çarë kokë nëse ai vend, ende i përdiellur nga rrezet e perëndimit, ishte i populluar nga sy njerëzish të maskuar. U vesha dhe bëra përpara, por instinktivisht stepa: në pluhurin e dhiares me priste me kokën ngritur dhe gjuhën jashtë si fibër vibruese një nepërkë, të cilën për pak do ta kisha shkelur, ndonëse ajo do të kafshonte, pa dëm e pa sukses, linonë e pantallonave të mia apo materien e fortë të atleteve sportive. U zbrapsa, gjeta një krande të thatë e të fortë, ia këputa degët, duke lënë vetëm shkopthin dhe i thashë:

– Ik me të mirë, o gjarpër, se dhe vetë jam një gjarpërushë.
Por nepërka me kokën petashuqe trekëndëshe dhe gjuhën me vrigull nuk lëshonte udhë.
– Ke gjithë këtë vend, o vëlla, gjithë këtë shulla, o budalla! Pse ma zë dhe këtë rriskë të hollë udhëze? – i thashë dhe shmangas tij, vura majën e shkopit të thatë mu në mes të lakadredhës, siç qe kutulluar, mandej i dhashë fort majës së shkopit duke e ngritur në ajër, poshtë dhiares.

Ndoqa me kërshëri kurbën fluturuese të gjarprit, derisa ra mbi degët e një shkurrishteje lajthie. Sidoqoftë, një ndjesi e pështirë ma veshi grykën si lëmashk i keq. Fluturimi i gjarprit në ajër më ngjalli përfytyrimin e një kohe të stërlashtë në spiralen e evolucionit, kur këta zvarranikë duhet të kenë pasur flatra. Rrugën deri tek hyrja e vogël e shpellës e bëra duke parë me kujdes se mos ndonjë vëlla tjetër i tij shullëhej atypari, por jo: kthesa nga udhëza përtej, menjëherë majtas, dhe thelloma në faqen e shkëmbit ishte një kamare e përsosur për t’u pështetur: ndjekësi im do te kapej si kaqol, pa patur asnjë mundësi shmangieje.

Poshtë shpellës zinte fill, në fakt, masivi i dendur dhe i errët i vërrinjve dhe shelgjeve të egra, nga ku i filloja pranverës kërkimet e mia për vezët e thëllëzave, veçse kërkimet i bëja në bregun e përtejmë të rrjedhës së përroit. Aty më lindi ideja se pikërisht nga ky pozicion ku qeshë mbështetur, i cili të lejonte ta zotëroje pamjen e rrjedhës së Gushavicës në të dyja anët e veshura me vërrishte, pikërisht nga ky vend ka gjasë të më ketë ndjekur Meleqi gjatë gjezdisjeve të mia të majit dhe se, edhe kësaj here, ai synon të kapë këtë pozicion të fshehtë për vrojtim të mëtejshëm.

Kjo shpjegonte dhe arsyen se pse vonohej kaq shumë. Hoqa kapelen e kashtës, ngjesha shpinën më fort në kamaren e shkëmbit me veshët e nderë në pritje, duke pulitur qerpikët nga rrezet bojëgjak të diellit buzë perëndimi. Ndjeja një trazim ndezullitës që më rrihte egërsisht gjakun në rremba, diç shumë më të ankthshme se pasioni i gjahtarëve. Por Meleqi vonoi. Mbase nuk do të vinte fare? Kjo pandehmë e hidhur më dëshpëroi dhe njëmend, mendova të dal dhe do të kisha dalë… Mjaftoi një një kërcitje dhe shtanga e ngjeshur pas kamares shkëmbore. Shihja gjinjtë e mi që uleshin e ngriheshim hovshëm nga frymëmarrja e trazuar, andaj u përqendrova të fashisja ankthin. Mandej ia qëllova saora se kanë kërcitur bash krahët e degëve që zhvesha pak më parë, për të bërë shkopthin me të cilin largova nepërkën. Kjo do të thotë se Meleqi shkeli mbi njërën prej tyre dhe, në qoftë kështu, vetëm dhjetë hapa na ndajnë.

Mora frymë thellë. Tashmë ndihesha e qetë, krejt e qetë, por fort e kërthnezur nga pasioni i lojës. Dhe ja: më parë u dha hija e tij gjatoshe, e shumëfishuar nga perëndimi, që u projektua sakaq në grykën e guvës, mandej vetë Meleqi, që nuk deshi ta kthejë kokën majtas, ku prisja e fshehur, po përkundrazi: nxori nga torba që mbante krahqafë diçka të zezë dhe e ngjeshi me të dyja duart në sy, duke vrojtuar poshtë në rrëkenë e errët të vërrishtës, majtas e djathtas rrjedhës së Gushavicës.

Mandej, gjithë pa e kthyer kokën, ashtu si ata që janë të familjarizuar me terrenin pëllëmbë për pëllëmbë, ai eci mbrapsht duke u rrekur të mbështetet me shpinë pas thellomës së shkëmbit e me sytë vrojtues, gjithnjë poshtë, por duke vënë dorën e djathtë strehë në sy prej rrezeve të perëndimit, nga se me të majtën mbante dylbitë. Vazhdoi të ecë dhe pak mbrapsht, edhe gjysmë hapi, derisa u mbështet plotësisht pas meje, më saktë, pas gjinjve të mi dhe atëherë çau ajrin një britmë e mprehtë tok me një kërcim atletik, si një mëz i trembur kur i del në kthesë arusha.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.