E KUJT ËSHTË KOSOVA?!

0
Zef Skiro Di Magjio - Poesia d'Amore

Giuseppe Schirò Di Maggio, POESIE D’AMORE IN TEMPO DI MORTE – Kosova Martire secondo Trimestre ’99, tekste poetike dygluhësh, (POEZI DASHURIE NË KOHË VDEKJEJE – Kosova Dëshmore Tremujori i Dytë ’99), editoi “SALVATORE SCIASCIA”, I-Caltanissetta (Kaltanisetë) 2000, Faqe 112.

Emrin e Zef Skiro Di Maxhio, e ndeshim të shkruhet edhe Zef Schirò Di Maggio ose Giuseppe Schirò Di Maggio. Ai është poet arbëresh i profilizuar që me zellin krijues ka bërë shumë për letërsinë e sotme arbëreshe dhe jo vetëm kaq, ai është kudo në prezantimet e poezisë së sotme shqipe. Në vitin 2000, botoi vëllimin me poezi dygjuhësh, ose siç thuhet arbërisht poezi dygluhësh. Ky vëllim përbëhet nga 46 poezi kushtuar Kosovës. Po ashtu, libri POEZI DASHURIE NË KOHË VDEKJEJE, mban edhe një nëntitull sqarues: “Kosova Dëshmore Tremujori i Dytë ’99”.

Përveç faktit se në vëllimin me poezi janë përfshirë poezitë më të bukura të këtij autori kushtuar Kosovës së martirizuar gjatë luftës së vitit 1998-1999, përsonalisht më ka preokupuar sqarimi “Kosova Dëshmore Tremujori i Dytë ’99”, posaqërisht sinori “Tremujori i Dytë ’99”. Kjo sentencë duket se ka një kuptim më të thellë se sa kuptimi për një kronologji kohore që lidhej me etapën kur kishte nisur intervenimi i trupave të NATO-s, mbi qarqet e ushtrisë serbe në Kosovë, për të vënë kufirin ndarës në mes dhunës dhe paqes që e imponoi Aleanca Verio-Atlantike.

Ndërsa nga një lexim më i kujdesshëm, vërehet shqetësimi arbëresh, ngase Zef Skiroi, padyshim fatin e Kosovës dhe të kosovarëve e lidhte me fatin arbëresh dhe të Krahinës së Peloponézit, shekuj më parë, ishte kjo një arsye pse poeti i gëzohej intervenimit të NATO-s, dhe për faktin se Evropa po zgjohej nga letargjia që e kishte pllakosur me shekuj të tërë, nga sipatia për serbët dhe përgjithësisht sllavët të cilët në kohë moderne sollen dhembje dhe shkatërrime në Ballkan.

Pra sentenca e parë: “Kosova Dëshmore”, ka të bëjë drejpërdrejt me sakrificën e Kosovës dhe të kosovarëve në luftën e tyre për çlirim, kurse sentenca e dytë “Tremujori i Dytë ’99”, lidhet me aspektin kohor e kronologjik, aq sa zgjati intervenimi i NATO-s për të sjellë paqe të detyrueshme në Kosovë. Dhe, pastaj për të mundur edhe Çlirimtari për të shkruar ditarin e vet të jetës.

NË SHESHIN E PRISHTINËS

Në sheshin e Prishtinës
sot
Dita e Çlirimtarit
secili nxjerr jashtë
ditarin e vet
të jetës
së nëndheshme

Faqe 98.

Vëllimi poetik, POEZI DASHURIE NË KOHË VDEKJEJE, i Zef Skiroit shpreh motivin e luftës që kudo dhe kurdoherë prodhon dhunë, kurse letrarisht është dëshmi e mirë për nivelin e lartë artistik të poezisë që shkruan ai. Përveç motivit për “Kosovën Dëshmore në Vitin ’99”, poezia e këtij libri është dokument autentik se arbëreshët, (për më tepër se pesë shekuj mos harresë), kanë të kultivuar atdhedashurinë e tyre për Shqipërinë, Kosovën, dhe gjithnjë shprehin mallin e pa shuar edhe për Peloponézin e tyre, krahinë kjo dikur arbëreshe në Jugun e Greqisë, që tashmë është zhbërë dhe është shpopulluar krejtësisht nga elementi arbëresho – shqiptar.

Vargjet “Kur ti të hysh në luftë/ si zgjedhje e detyruar”, janë manifest tronditës, ato hapin siparin e një dashurie sa të dhembshme po aq tragjike. Kjo lirikë shpërfytyron fytyrën e dhunuesit, dhe paraqet tablon tragjike të dhembjes e të vdekjes që bashkëjetonin e beshkëvepronin bashkërisht, e gjitha ngjizur në një dashuri për jetën dhe për lirinë e Kosovës. Gruaja kosovare ka “mbyllur fletoren e shkeljeve të pësuara”, andaj poeti i drejtohej asaj “bijë kosovare me myshk mimetik mbështjellë/ e ndryshime të okra-dherave të Kosovës”, kurse vendi ishte përfshirë nga lufta e paprincip. Në anën tjetër ky binom sa mitik po aq metaforik shpreh tërë botën emocionale të poetit, shpalos dhembjen dhe shqetësimin, ndërsa malli dhe mallëngjimi për Atdheun atij ia djeg shpirtin, ashtu siç digjnin predhat e armikut popullin e tij në Kosovë, i cili si “kallamboqi me kokrrat në tytë/ çikërrima prej hekur-plumbi”, ishin “më të çmuara/ në këtë çast se gjerdanët e gdhendur me daltë”.

Poezitë e këtij libri përbëjnë një kronikë dhe dëshmi autentike të atij brutaliteti, të asaj barbarie që bënte një pushtues i egër, i cili me tërë forcën e artilerisë, demonstronte dhunë e brutalitet, po ashtu duke eksploruar edhe forcën ushtarake në kohë moderne, madje përballë syrit optik të kamerave që vëzhgonin atë tragjedi, solli mesjetën e errët në Evropë. Dihet se në Luftën e Kosovës qenë përfshirë të gjithë pa përjashtim, duke i përfshirë edhe gratë, prandaj poeti këtë mobilizim (edhe të grave kosovare), e portretizon kështu: “-mendova kjo është hera/ që veprohet seriozisht/ në edhe gratë marrin armët –“, prandaj që atëherë, poeti e shihte fitoren e pashmangshme, dhe njëkohësisht parashihte edhe të ardhmën e ndritur dhe progresive sigurisht.

Në këtë mënyrë poeti arbëresh Zef Skiroja, artikulon dhembjen universale për një popull të tërë, ai duke përshkruar fytyrën e egër të pushtuesit që me forcë e brutalitet dhe të mbushur me urrejtje shekullore, rikthente frymën e dhunës mesjetare, por populli i Kosovës arriti ta sfidojë atë dhunë dhe arriti t’i mbijetojë asaj barbarie, prandaj portretizimi i fytyrës së gruas kosovare, në pjesën e dytë, ngjitet në piedistalin e artit poetik, veçmas kur mësojmë se gruaja kosovare në luftë shkonte “për dashurinë” e saj që kishte ndaj Atdheut:

o kur ti t’u bësh ballë punëve
të përditshme të shtëpisë kundër kujt
do t’i asgjësojë me një vizë pushtimi
fytyra jote ka një rrudhë
të vetme
dhembjeje një brazdë
toke pjellore duket
me të cilën të mbështjellësh kë do t’i bjerë pa jetë
për dashuri

Poezia KUR TI, faqe 14.

Gjenocidin dhe shpërnguljen e shqiptarëve etnik nga Kosova, poeti e kategorizon se: “Jeta e një kosovari/ ulet në çmimin minimal të tregut”, (poezia NË GJUHËN TËNDE E TIMEN, faqe 18), prandaj poeti atë dhunë e përjetonte, tamam si spastrim etnik, dhe këtë e ka shprehur në poezinë EKSOD: “Hyu i Beogradit tha/ Populli i zgjedhur i ri/ Shenjat çetnike/ në pasqyrimin e zjarrit ngjyrë gjaku/ I kemi parë/ Kosova Dëshmore Tremujori i Dytë 1999″, (faqe 48).

Por unë mendoj se ky eksod i kosovarëve poetit i paska ngjallur halucinacione duke e përfytyruar dhembjen e dikurshme arbëreshe, (e para pesë shekujve)! Dikur edhe ata, kësisoj i kanë detyruar t’i lëshojnë e t’i braktisin trojet e veta etnike, qofshin ato në krahinën e Peloponézit ose shekuj ma vonë edhe nga krahina e Janinës dhe ajo e Çamërisë për të mos u kthyer arbëreshët kurrë më atje.

PRA PAPRITUR NXUMË

Pra papritur nxumë
dashuri
vrarë një poet
gjetur në flagrancë vjershash shqipe e menduam
vranë Kosovën e fjalëve shqiptare
e m’u kujtua ajo e vjetër
malum dabunt Metelli Naevio poetae*
sepse me dëmtuese se armët
janë vargjet: plumbi shkon
e poezia flet për të ardhmen.
Më tej papritur nxumë
se poeti i vdekur u ringjall
të ketë qenë ndonjë mrekulli e telekomunikimit
nuk e dimë
por midis shkatërrimit e shkatërrimit
patëm një çast prehjeje

Faqe 22.

* «Të ligën do t’ia japin Metelët poetit Nevio». Poeti romak Nevio
kundërshtoi familjen e pushtetshme të Metelëve.

Kjo poezi kushtuar poetit të vrarë në luftën e Kosovës të mallëngjen, sidomos kur ne kujtojmë disa poet që i mori lufta, por siç parasheh poeti arbëresh Zef Skiro Di Maxhio, “… më dëmtuese se armët/ janë vargjet: plumbi shkon/ e poezia flet për të ardhmen.” Pikërisht Kosova e pasluftës, por edhe e ditëve të sotme, gjithnjë përjeton profetizimin e poetit arbëresh i cili atëherë shkruante: “Më tej papritur nxumë/ se poeti i vdekur u ringjall”, dhe vërtetë disa nga poetët e Kosovës u ringjallën, “të ketë qenë ky profetizim ndonjë mrekulli”, pasi të paktën veprat e tyre dëshmojnë këtë profeci.

Se Ballkani ishte shndërruar në “festivalin e fatkeqësive”, (faqe 26), kjo nuk kishte asnjë dyshim. Prandaj “Kosova ishte dëshmore e tremujorit të dytë ’99”, atëherë kur dolon nga kllapia e letargjia utopitë e Amerikës dhe të Evropës Perëndimore, dhe nisen sulmin mbi ushtrinë serbe që komandohej nga Sllobodan Millosheviç, për të ndalur krimin dhe barbarinë e mëtejshme, për të shpëtuar “qëngjin” e butë që pa fajshëm pinte ujin në rrjedhen ku sipër, ose në mal qëndronte ujku grabitçar. Këtë fabulë të njohur, e ndeshim të spikatur në vargjet e poetit Zef Skiro Di Maxhio.

“kush e shpëton – kush nuk e shpëton”
te një fill rasti jeta vdekja
e më zë rob shikimi yt qengjeje të bjerrë
çfarë loje është kjo e ulkut që pi
në mal e të fajëson se i turbullon ujin
që ti në luginë prek kalimthi me buzët pa gjak
do të t’ ngre një tendë të përkohshme
se kam ngut të t’dashuroj në vetminë
e turrnës

Poezia NË MES KAQ NJERËZVE
SPIKAT DASHURI
, faqe 36.

Në Ballkan dhe veçmas në Kosovë po ndodhte MESJETA E HERSHME, ku historianët i kanë gjetur sindromet e rishfaqura në egon e popullit sllav, përndryshe nuk kanë pasur asnjë kuptim luftërat ndëretnike që kanë prodhuar dhunë, kudo në Ballkanin e trazuar nga serbët e hakëruar.

Me një kupë-kafkë barbari
pi këtë dalje të Mesjetës së Hershme
konkretizohen në çdo ndyrësi të tyre
epoka që ringjallen kurrë të vdekura krejt
lojë e tmerrshme e kohës e ti nuk di
të dallosh të tashmen nga e shkuara
gosti armësh e lakmi për gjak
e s’ka asnjë kënd i kësaj kohe të rrezikshme
që nuk ngjethet nga ankthi
sqaruese së voni
urrejtja e hapur
e qartë pas shekujsh errësie
pritur në vezullimin e fitilave nën tokë e
së voni diellore pa gënjeshtra
Mesjeta e Hershme kthehet e barbarët
ngrëjnë dolli
me kupat-kafkat e kosovarëve
besoj të jetë kjo koha të t’thom
dashuria ime e bardhë sa e çmuar je
edhe më shumë në dritën
e kësaj urrejtjeje të prekshme

Poezia MESJETA E HERSHME, faqe 42.

Në këtë qasje poetike, po ashtu del në pah edhe klithma dhe trishtimi i poetit, ofshamë të cilën e shtron si pyetje e herë si pasthirrmë: “E kujt është kjo Kosovë?!”, duke dhënë po aty përgjigjen e justifikueshme, “dashuria ime që nuk shuan etjen”, (faqe 40.) Ndërsa në poezinë TI KËSHTU E SJELLSHME NË VEPRIM DASHURI, (faqe 44), poeti bënë shpjegimin e fajësisë së një populli i cili është: “fajtore vetëm për emrin shqiptar/ e betohesh mbi Kanun”, dhe e tëra, poezia është plagë e dhembjes, është dashuria e poetit për Kosovën që nuk ia shuan etjen. Kjo paradigmë si përkushtim arbëresh qartësohet edhe më mirë në poezinë KËNGË DASHURIE, (faqe 46), në të cilën poeti shprehet:

por poetët arbëreshë (të mërgimit
të vjetër) vajzat e bukura e dashurinë
kënduan sikurse këndonin
për atdhe
e identitet
dhe unë do të këndoj
për ty vajzë kosovare

Njëri nga detajet më tronditëse në Luftën e Kosovës, që nuk i paska shpëtuar as poetit është rrëmbimi i dhunshëm i Liderit të Kosovës Ibrahim Rugova, lajmi për të cilin atëherë i kishte mbuluar ekranet televizive botërore, ku shihej duke shtrënguar duart me kasapin e ballkanit në Beograd. Këtë detaj, ja si arrinë ta prortretizoj Zef Skiroja: Ai merrë në spikamë, jo vetëm fatin e Ibrahim Rugovës, por fatin e tërë Kosovës. Kjo poezi mbetet krijimi poetik më i bukur kushtuar tragjikës që i kishte ndodhur prijësit kosovar, sidomos kur të pezmatuar nga pamjet nëpër ekranet televizive, edhe “qingjat e tij të butë”, do ta varnin në litar.

SHOHIM RUGOVËN

Shohim Rugovën që shtrëngon Dorën
– Vdekjen –
tokë kosovare është dora e Rugovës
me mbrujtje të njomë gjaku e bën që t’ia shtrëngojë
Dora Katile
tokë e burgosur është Kosova
e komandand i Natos është më i miri
rrofshin “ShBA”
duartrokitin
kosovarët e pambrojtur në kampet e grumbullimit
e duket loja e roleve
në nuk ish
kush sheh shtëpitë kokëprera
shenjtërinë e tyre
e thyerja që vjen deri këtu
huqe
të erës lufte që fryn asnjë kallam
në kallmishte mund të rrijë indiferent ndaj furisë
dhe është e kotë të t’shtrëngoj dorën e pastër
dashuria ime
unë dua të ta ha me puthje

Faqe 52.

Realiteti kosovar ishte përgjakur, po ashtu edhe Ballkani si tërësi gjeografike. Kosova ishte një vend i vetmuar dhe pa fuqi ushtarake që përjetonte tmerret e krimit dhe të barbarisë serbe. Populli i saj ishte pothuajse duarthatë, ndonëse djelmoshat kishin dalë në male duke i krijuar formacionet e tyre ushtarake, por dhuna serbe dhe brutaliteti i saj ishte e pamëshirshme, egërsia e asaj dhune binte si shpata e Demokleut mbi kokat e njerëzve të pa armatosur, duke mos kursyer as gratë e as fëmijet.

Krime këto të cilat portretizohen në poezinë PLAKU, i cili “I pa të gjitha plaku me sytë e tij/ e me sy të t’tjerëve/ Nuk është egjër plaku/ që e shkul dhe e heq nga dheu i tij/ as do të vdesë më parë se/ për të mos lënë në trashëgim/ një mijë vjet dhembjesh/ e të tijën shtuar”, (faqe 58). Por ishte ndërhyrja ndërkombëtare e cila ia pamundësoi Serbisë planet shfarosëse, andaj edhe Plaku i, “paftë mostjetër perëndimin e sprasëm/ nga ara e tij e pra të mbështillet/ me mbulesën e ngrohtë të një dheu të lirë/ dashuri që mallëngjehesh nga fjalët e tij/ dhe unë nuk gjej të miat”, (po aty, poezia PLAKU, faqe 58).

Ndijimi dhe përfytyrimi i realitetit kosovar, shfaqej lëndueshëm dhe tejet i komplikuar në ndjenjën e poetit, ai e përjetonte rëndë tragjedinë e Kosovës, prandaj shpesh pezmatohej për letargjinë dhe në kllapinë që kishte rënë Bashkësia Ndërkombëtare. Por, ma në fund ata u zgjuan nga gjumi i thellë!… U tronditën nga ajo që panë, që dëgjuan, ndërsa shpirti i poetit po digjej. Në këtë berihaj halucinacionesh, ai shkruan se: “Dashuria ime e gështenjtë është toka ime siciliane”, por “Dashuria ime je ti drithë i qershorit kosovar”, pastaj i radhit edhe pesëmbëdhjet dashuri të tjera, nëpër të cilat ai “Nuk di të urrej”, por “Di të zemërohet”, atëherë kur “e njëjta këmbë shtyn e shtyp”, sikurse edhe “Drangoi themelon pushtetin e tij mbi marrëzinë”, (poezia DASHURIA IME, faqe 80).

Motivi i dashurisë, trajtohet edhe në një tufë poezishë të tjera, gjithmonë për paqe dhe dashuri të qëndrueshme, të cilën poeti e dëshiron për poullin e tij, qysh atëherë kur predhat e altilerisë së NATO-s, sillnin paqën e përgjakur në Kosovë, siç shihet edhe në poezinë që po prezantoj këtu më poshtë, poeti thirrte dhe apelonte për paqe dhe falje:

DO TË T’DASHUROJ MBI PRAGUN RRËZUAR

Do të t’dashuroj mbi pragun rrëzuar të shtëpisë
pikëmbështetje të paqëndrueshme
për një dashuri të qëndrueshme
o mbi atë kryqëzim të dy mureve
që ishin kënd
i dhomës sate o mbi gurët
grumbulluar nga zjarri
o të duash mbi atë ndenjëse guri
që anon nga furia
çdo kënd është shtëpia jote
e madhe si gjithë Kosova

Faqe 82.

Paqën e dëshiruar si domosdoshmëri, Zef Skiroja, vazhdimisht e ka kërkuar për kosovaret e tij. Shembull për krahasim i merrte arbëreshët të cilët janë “të hapur drejt universalitetit të kulturave”, sintagmë kjo e shprehur bukur në poezinë: DUKET E PARËNDËSISHME, (faqe 90), në të cilën flitet se si do të duhej vepruar për tu rikthyer gëzimi dhe dinjiteti në shpirtin e kosovarëve.

Kuptohet pas të gjitha mizorive të cilat janë shënuar me vrasje dhe dëbime masive, pushkatime pa gjyq, tortura fizike e psikike, shtëpi të djegura dhe të plaçkitura, shkatërrim i spitaleve dhe shkollave, bibliotekave dhe arkivave si dhe pyjet e djegura e bereqetet e helmatisura, dhe një tendencë e hapur për spastrim etnik, bëhej me pretendime të caktuara që tokat e Kosovës për t’i shndërruar në djerrina dhe të braktisura nga vet pronaret e tyre.

Duket e parëndësishme por përsiat
pozitën e arbëreshëve të butë
minoritet në Itali
– të hapur drejt universalitetit të kulturave
disa herë me rrezik të së tyres –
që ushtrojnë ende sot
praktikën e përditshme të fjalëve
me privilegje të pakta të fituara
me ushtrim të vazhdueshëm të lirisë
fjalime me rëndësi më vjen të të bëj
e ti e di se në të vërej dashuri
pasioni brambullin papritur:
kokëza shkrepësesh
për flakë të mëdha flakërojnë
edhe kur ti nuk i fërkon

Poezia e cituar faqe 90.

Ndjenja e rikthimit shoqërohet me domosdoshmërinë për të nisur nga e para, si dhe herdokurdo duhet të ndodhë edhe një lloj pajtimi, nëse dëshirojnë tek palët në konflikt të mbizotëroj paqja mbi tragjedinë, poeti shprehet se duhet të mbillet mbi urrejtje dashuri e re, dashuri për ardhmërinë e Kosovës. Këto motive dhe shumë të tjera janë moto e thirrjeve të arbëreshëve të cilët kanë lidhje gjaku e vëllazërie me Kosovën, prandaj poeti Zef Skiroi, do të shkruaj poezi me vlera universale, me porosi moralizuese dhe po aq motivuese për kosovarët e tij të dashur. Këtë ma së miri e ka të realizuar në një poezi tjetër e cila është e vendosur diku në fund të librit.

KY KRUA FSHATAR

Duket sikurse nuk e ke parë kurrë
– aq çudia e duarve të tua në kupë –
këtë krua fshatar
uji të rrumbullakët
e bollshme rrjedhja e re
argjendi të tejndritshëm
si Kosova jote
që fillon të burojë

Faqe 104.

Poezi kaq moralizuese nuk mund të konceptoheshin nga askush tjetër përveç poetit arbëresh Giuseppe Schirò Di Maggio (Zef Skiro Di Maxhio, historia e të cilit është e ngjashme me fatin e kosovarëve, kurse rrënjët e tij historike kanë kaluar nëpër tragjedi të ngjashme, që Kosova i ka përjetuar gjatë viteve 1998-1999. Gjithsesi, vëllimi poetik, POEZI DASHURIE NË KOHË VDEKJEJE, i Zef Skiroit, ka plotësuar një boshllëk tematik në fushën e lirikës artistike, dhe pa dyshim është storie e suksesit të tij dhe të Kosovës!

St. Gallen, 20 maj 2023.
Shefqet DIBRANI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.