Nga Llesh NDOJ
– Në Domgjon për manifestimin “Festo n’Mirditë!” –
Sa herë gjej shkak, ose më mirë të them një preteks se shkaku është i përhershëm e i ngjizur brenda meje, nuk hezitoj të dal në vendlindjen time, në fshatin e bukur Domgjon të Mirditës. Ndodh shpesh që kjo dalje të jetë për raste fatkeqësie, por kësaj radhe nuk ishte ky preteksi.
Nga publikimet e Infokulla “Mirdita”, mësova se në ato zona do të organizohej një aktivitet dy ditorë, titulluar “Festo n’Mirditë” që zhvillohej në datat 17 e 18 tetor, në disa zona të Mirditës, nisur nga Rubiku, Rrësheni, Spaçi dhe Domgjoni. Aktivitetet zhvilloheshinn në kuadër të projektit “Mirdita – Junik”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian përmes programit IPA CBC Shqipëri – Kosovë, dhe zbatohet nga CHwB Kosovë, Bashkia Mirditë, Komuna Junik dhe Qendra UET. Projekti synonte promovimin ndërkufitar të resurseve dhe vlerave turistike si dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në të dy njësitë lokale. Ky program parashikonte edhe një koncert të bukur artistik në Domgjon, krahas aktiviteteve të tjera në Rrëshen, Rubik e Spaç. Shfrytëzova njohjen time me të palodhurin Nik Nikolli për të mësuar më shumë rreth programit dhe orareve të veprimtarive dhe vendimi im i heshtur ishte: Me datë 17 tetor do të jemë në Domgjon për të ndjekur aktivitetin e organizuar në vendlindjen time, gjurmët e të cilës tek unë nuk kanë për t’u zbehur kurrë, edhe pse praktikisht ka 48 vite që jam larguar e zyrtarisht tash 27 vite askush nuk gjallon në trojet e familjes sime.
Dita qëlloi me shi e Munella dhe Domgjoni ishin veshur me një tis të murrmë, që kontrastonte dukshëm me gjelbërimin në ikje të verës, e ngjyrat e bukura vjeshtës që tashmë ka trokitur në këto anë. Mbi Munellë, një mjegull e dendur sikur i jepte hijeshi gjithë zonës dhe ngjante me kësulën e bardhë me maje, që mbajnë tradicionalisht domgjonasit. Tek kafja e Martinit, e vetmja e mbetur në fshat, u takuam me shumë djem e burra vendas me të cilët u çmalla. Pastaj erdhën me radhë edhe bashkëfshatarë të tjerë, disa prej të cilëve m’u desh t’i pyesja se kush janë, të ftuar nga zonat përreth, organizatorë e artiste që mbushën sheshin para kishës dhe populluan zhurmshëm për disa orë këtë fshat historik, thuajse të braktisur.
Mark Ruçi, njëri nga kordinatorët e drejtuesit e aktivitetit, flet me fjalë shpirti për këtë fshat të veçantë mirditor dhe mendon se ai duhet e do të gjallërohet vetëm përmes turizmit. Ai ka të drejtë kur thotë se i njeh mungesat e vështirësitë që hasen, por se ajo që duhet të bëjnë vendasit dhe që vjen e para në radhë dhe më kryesorja është që ata të bindin veten se: Po! Ne mundemi! Mikpritjes shembullore tradicionale le t’i shtojnë edhe pak elemente të tregëtisë, pak bujtina dhe… Domgjoni do të mbushet me turistë. Edhe më skeptikët e kësaj perspektive mund e duhet të binden për këtë. Në koncertin që për arësye kohe u mbajt tek lokali i Martinit e jo tek Gurra e Lashtë, ashtu siç ishte planifikuar, ndër pjesmarrësit binin në sy një grup turistësh gjermanë, afro 10 të tillë, që ishin më aktivët e më entuziastët mes nesh. Zef Marku, një djalë i ri vendas, u ka krijuar atyre kushtet e një kampingu modest dhe i shoqëron ata, duke u përkthyer bisedat mes banorëve dhe fjalën e rastit, por edhe duke i udhëhequr ata në shijimin e bukurive domgjonase që nga Gurra e deri në bjeshkët e bukura të Munellës.
Kastriot Kola, këngëtari fanas me zë bilbili, me detyrë përgjegjës për folkun dhe inspektor i Trashgimisë Kulturore në Bashkinë Mirditë, kryesonte grupin e vogël të artistëve që përformuan atje. Bashkë me të ishte këngëtari i mirënjohur Kol Zefi dhe këngëtarët e talentuar Pashk Filopati e Marjan Lleshaj të grupit të burrave Mirditë. Ishte edhe grupi i valleve te Qendrës Kulturore Rubik, udhëhequr nga koreografi Fran Gjergji, i përbërë nga një grup djemsh e vajzash të reja të veshur me kostume popullore tradicionale vendase, të cilët performuan disa numra koreografikë me motive folklorike vendase, por edhe shoqëruan këngëtarët në performancat e tyre. Kënga e vallja ushtoi fuqishëm edhe pse në kushte të vështira për shkak të motit, e kjo më solli në kujtesë disa vite të arta në këtë aspekt, kryesisht vitet 70 – 80 – të të shekullit të kaluar, kur aktiviteti artistik, kryesisht me inisiativën e drejtuesëve të shkollës e mësuesve të talentuar e gjallëronte jetën e fshatit, të mbytur nga zymtësia e varfërisë dhe shtypja politiko – ideiologjike të kohës, që për herë të parë, veç Zotit, u kishte vënë korniza të hekurta edhe domgjonasve.
Duke vështruar stendën ku afishoheshin të dhënat për këtë aktivitet, më bënë përshtypje disa logo e fjalë, sidomos ajo “Mirdita – Junik”, ndaj e pyeta për këtë mikun tim Nikë Nikolli, që s’po i zinte vendi vend sepse u detyruan t’a ndryshojnë vendin e aktivitetit. Ai më tha se aktiviteti sponzorizohej nga Bashkimi Evropian dhe kishte si synim organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me fokus zhvillimin dhe promovimin e turizmit në zonat kufitare, e në këtë rast ishte në qendër Mirdita jonë dhe komuna Junik e Kosovës shqiptare. Përshëndetja e z. Sali Shohi, drejtor i CHwB – Kosovë, lider i projektit, i dha gjallëri fjalës dhe u përshëndet në gjuhën e tyre edhe me turistët gjermanë.
Ndërsa Julian Mandreja, një djalë i ri e plot pasion për punën, m’u afrua bashkë me Nik Nikollin. Atë m’a prezantoi Nika, ndonëse njiheshim virtualisht edhe më parë përmes rrjeteve sociale, funksion që e çmoj si një nga të mirat reale që vjen prej tyre. Njëjtë më njohu edhe një vajzë bashkëfshatari, që kurrë s’ishim takuar me të. “Ti duhet të jesh ai që shkruan…, Lleshi”, – më tha, ndërkohë që unë i zura emrin e të atit. Juliani kërkoi të dinte nëse unë mund të thoja ndonjë fjalë për televizorin ABC NEWS, që e ndiqte aktivitetin, kurse unë shfrytëzova rastin t’a pyes atë për punën, për kolektivin, për shumëçka, dhe në fund e pyes edhe për humanisten e pashoqe Marianne Graf.
– Si është ajo “mirditorja” e veçantë nga Austria? – i them. Biseda këtu rrodhi natyrshëm në ato që përbëjnë fakte për të gjithë ne, rreth pasionit, vizionit, punës e këmbënguljes së saj. – Shpesh, – më thotë ai, – ndjehemi keq me veten se është vështirë t’a ndjekësh atë zonjë në punën, pasionin e vizionin që ka.
Domgjoni është njëri nga fshatrat më të hershëm të banuar në zonën e Fanit. Faktet na çojnë rreth 2000 vjet në lashtësi, por gojëdhënat e tejkalojnë edhe këtë periudhë. Kalaja, apo Qyteza daton në shekullin e IV, Gurra apo Ujësjellësi i Lashtë në shekullin e V – të, Lteri në shekullin e VIII – të. Fatkeqësisht Kalaja, ose Qyteza si e thërrasin vendasit, thuajse ka humbur çdo gjurmë, por Gurra ruan ende jo vetëm arkitekturën e veçantë e thuajse unike, por edhe funksionalitetin e saj tash 1500 – 1600 vite. Krijimi i kushteve për jetesë në atë vend të bekuar ishte nxitja që domgjonasit t’a ndërtojnë atë vepër unike, dhe jo nevoja të përkohëshme, siç mund të ishin ato të ndonjë garnizoni ushtarak perandorak romak etj, dhe ajo vazhdon të jetë lehtësia më e madhe që trojet domgjonase poshtë saj të gjallojnë edhe sot. Me pak investime, ajo mund të ishte edhe një destinacion turistik i veçantë.
Poshtë saj Lteri, ndonëse i cunguar, reziston e dëshmon. Por ka akoma vende të pa eksploruara si në fshat, ashtu edhe në malin e Munellës. Aty afër janë trojet ku kanë jetuar stërgjyshërit e personalitetit shumëdimensional kombëtar, atë Gjergj Fishtës së madh, të cilat edhe ato mund të ishin burim tërheqës për turistët, me shpenzime minimale. Rruga e makinës e mbetur udhëve, është kushtëzuesi më i madh që e mban Domgjonin, këtë perlë të natyrës e kështjellë të shpirtërave të bukur larg frekuentimit masiv nga turistët, të cilët mund t’a vizitojnë rreth 9 – 10 muaj në vit atë fshat të mrekullueshëm, por edhe nga gjallërimi i trojeve të bekuara nga rikthimet e vendasve, qoftë edhe për periudhën e verës e vjeshtës dhe gjallërimin me funksion turizmin të kullave që flenë trishtueshëm.
Domgjonasit janë njerëz shumë bujar. Çdo mirditorë është bujar e kur i thërret miku tek kulla, të përgjigjt: – Shtëpia ime është e Zotit dhe e mikut! Domgjonasi, pa të njohur kurrë, të ndalon në rrugë e të thotë: – Hajde bujrum tek shpia! Jo, a po vjen, po hajde! Po t’a shihje sot djalin e mrekullueshëm domgjonas Ylli Lleshin, mjeshtrin duarartë, patjetër që lexuesi i këtyre radhëve do t’i kishtë besuat ato që shënova më sipër për bujarinë e domgjonasve. Ai kishte marrë një bidon me raki e një me verë nga shtëpia, kishte blerë gotat plastike e donte t’i qeraste të gjithë pjesëmarrët atje te Gurra e pranë trojeve të Fishtës.
– Pse nuk i shet? – i them unë.
– Jo! Vetëm falas, – ma kthen ai. Kjo, sado që më pëlqen, është koha që duhet për të ndryshuar. Turizmi do shpirt mikpritës, por edhe mentalitet atdhetari dhe tregtari.
Pyetjes së një gazetareje të pranishme, se ç’e bën të veçantë këtë fshat i rreshtova lashtësinë, historinë, pamjet e bukura e terrenin malorë, por jo aq të thyer, pastaj vazhdova me bujarinë e spikatur të domgjonasve. Në vijim i fola për besimin e tyre të palëkundur, duke e sqaruar se edhe emri i dikurshëm i fshatit Bera, vinte në përkujtim të Shën Barnabës, pajtor i kishës sonë, emër i cili më vonë u bë Domgjon, në përkujtim të klerikut që i dha jetë vendit atëherë kur gjallimi aty kishte qenë në zgrip dhe që janë dëshmi e palëkundur për besimin e banorëve vendas. Mirëpo ata janë besimtarë të emancipuar e të kulturuar, jo praktikantë dogmatikë të normave fetare. Aty gjen mikpritje katoliku, ortodoksi, myslimani e kushdo që mësynë për mik.
Gazetarja, duke qenë se kishte eksploruar rreth fshatit në funksion të detyrës së saj, ndoshta e mrekulluar nga muret e kullave prej guri kudo, më përmendi mjeshtrinë e vendasve. E kjo është një tjetër e vërtetë e pamohueshme dhe e faktuar, që i ben vendasit të veçantë. Shih Gurrën mbi 1500 vjeçare që s’dorëzohet as sot, shih kullat e bukura të skalitura me mjeshtëri, por shumica të braktisura, të cilat edhe pse s’kanë çati “mbi kokë”, kanë mure që s’njohin afat skadence. Ndërtimet me hekur e beton kanë 100 vite garanci, ndërsa ndërtimet me mjete rrethanore të domgjonasve, s’kanë nevojë për garanci. Garancia e tyre është profesioni i trashëguar dhe i dëshmuar i vendasve. Sepse domgjonasit flasin me gurin. Po, po, flasin me gurin si me një qënie të gjallë! Sepse ata e kanë njohur gjuhën e tij, prandaj e kanë shkrirë gurin mineral në furra primitive, e “gurët e gjodhive” na vijnë si dëshmi e kësaj zeje. Ata kanë folur me gurin, e kanë prodhuar prej tij gëlqeren e mrekullueshme, markë që vitet ia shtojnë forcën.
Ata ia dinë gjuhën gurit pranndaj e gdhendin atë si t’ishte dru, bëjnë mure arti me duart a tyre, nxjerrin gurë për mullinj e bëjnë plot objekte të stiluara me dekoracion të vacantë, njëra prej të cilave është vendosur në hyrje të qendrës së fshatit dhe të grish me fjalët e gdhendura në gur: “Mirë se vini në Domgjon”. Është kjo një trashëgimi që s’dihet kur ka nisur, e s’do të përfundojë kurrë. Brezi i ri i ndërtuesve si Ylli, djemtë e talentuar të derës së Çunajve, të Pacit e plot të tjerë janë garancia për vijimësinë. Njëjtë kjo si me zbuluesit e ujit e ndërtimin e tuneleve, vijave, mullinjve, puseve etj. Përvoja e lashtë u bart tek Ndue Përndreca për rreth 50 vite dhe vazhdon edhe sot tek një brez i ri, si Nikoll M. Nikolli etj. Mirëpo turizmi është ndoshta e vetmja garanci mbijetese për gjithë Domgjonin. Elementet e parë pionier kanë nisur. Zef Marku mbetet fort aktiv me kampingun e tij modest, Lek Çuni ka një bujtinë aktive, disa kulla janë në këmbë e mund të përshtaten lehtë, por vendasit duhet t’a vrasin frikën e shteti duhet t’i kthejë sytë atje për çka i takon atij.
– Të paktën dy herë në vit, – më thotë Nika, – aktivitete të tilla do t’a gjallëronin vendin e krijonin shpresën. Edhe unë njëjtë mendoj, por duhet që ne vendasit të gjejmë formën e një organizimi, qoftë edhe si shoqatë apo… I Shmarramej, 11 qershori i çdo viti, mund të kthehet në një festë masive motivuese, por edhe në një panair tregtie për prodhimet vendase. Livadhet e bukura në Munellë, sidomos Hurdhëdushja, janë një amfiteatër i mrekulkueshëm që kush shkon njëherë zor me iu nda më.
Jetoj me shpresën që t’a shoh veten shpesh e më shpesh si turist në vendin ku u linda, u rrita dhe u bëra prind për herë të parë.
Domgjon, më 17 tetor 2025