Milazim Zeqiraj
Në muzgun e mbrëmjes,
kur dielli perëndon,
drita, si një kujtim i humbur,
thërret hënën dhe yjet
që të krijojnë dritë,
për të ndriçuar rrugën,
që njeriu të lëvizë pa busull,
në rrugët e humbura të kujtimeve.
Toka, si një princeshë e hutuar,
merr frymë thellë.
Ajo nuk ndal vrapin,
në trajektoren e errët të universit.
Ajo, si një planet i humbur
me kujtime pa krye,
lëviz derisa takon dritën e diellit
që të marrë dritë dhe ngrohtësi
për tokën dhe njeriun.
Në agim,
dielli shkul rrënjët e errësirës në tokë.
Yjet e varur në qiell si molla,
janë një dritë pa ngrohtësi.
Në agim rrinë afër diellit
për t’u mbushur me dritë.
Ata fillojnë një vallëzim të padukshëm
në Rrugën e Qumështit,
që askush s’ua prish harmoninë.
Ndërsa hëna vazhdon rrugën e vet,
e qetë me dritë pa ngrohtësi,
së bashku me yjet nga dielli
mbushet me dritë,
që në natën e qetë njeriu të këtë harmoni.
Nëse hëna dhe yjet nuk zgjohen,
atëherë nata, si një zog i humbur,
përmbyset në errësirën e vet
deri në agim.











