Ndue Ukaj
Në një ditë vere si kjo, 98 vjet më parë ka lindë gjeniu i letërsisë shqipe, Martin Camaj, kurse, po në një ditë vere si kjo, 11 vjet më parë, kaloi në amshim, poeti Ali Podrimja.
Lidhja mes Camajt dhe Kosovës është e fortë dhe në njëfarë mënyrë, atë që bëri Ernest Koliqi në fushën e arsimit, duke themeluar arsimin shqip në “tokat e lirueme”, atë e bëri Camaj, në fushën e poezisë e të librit, duke botuar dy librat e tij të parë me poezi në Kosovë, me çka filloi zhvillimi i poezisë në Kosovë dhe në hapësira tjera shqiptare jashtë Shqipërisë.
Pra, Camaj në Prishtinë, botoi dy librat e parë “Nji fyell ndër male” (1953) dhe “Kanga e vërrinit” (1954), dhe me të zë fill poezia shqipe në Kosovë.
Kjo domethënë se Camaj bëhet njëlloj përgëzuesi i identitetit letrar e kulturor të Kosovës së mëvonshme.
Camaj solli në poezi tingujt e bukur e të painfektuar me ideologji dhe kështu poezia e tij ndikoi fuqishëm në krejt rrjedhat e letërsisë shqipe në këto hapësira, ndërkohë që ndikimi i tij vërehet në poezinë e Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, Ali Podrimjes dhe një plejade të tërë poetësh të Kosovës. Kjo është shenjë dhe dëshmi e një vepre të madhe dhe me ndikim.
Këto lidhje letrare dhe estetike janë vlerat themelore të kombit tonë, janë oksigjen për të pastruar atë helmin, që ndonjëherë e mbjell politika dhe injoranca.
Prandaj, leximi i veprave të Camajt e Podrimajt, është i nevojshëm, siç janë ilaçet në gjendje të temperaturës së lartë në trup.
Për më tepër, poezia e tyre intiligjente e ndjeshme e plot dritë, është kundër budallalakut, gjuhës së gjarpnit dhe territ mendor.
Në një dimension tjetër, Camaj e Podrimja, janë shtylla të forta të historisë sonë kulturore dhe i përgënjështrojnë ata zuzarë e trutharë, që mundohen t’i deformojnë ose rrënojnë këto lidhje.
Prandaj, t’i kujtojmë këta dy kolosë të artit e të kulturës, të ulemi në tryezën e tyre e të ushqehemi me art e kulturë dhe kështu do të pakohet marrëzia e budallallaku e do të përmirësohet shëndeti ynë i ligështuar kombëtar.
Ne kemi nevojë për vepra të klasit të Camjat e Podrimjes, siç kemi mevojë për oksigjen.