Ymer Adem Llugaliu
Kjo dhoma ime tepër e ngushtë,
e zhveshun mobiljesh,
e zhveshun stolish,
vetmi dhe errsi,
në derë s‘më troket askush.
Nga dritarja dielli kurrë s‘më hyn,
dritarja shikon drejt e në burg,
në qelinë e ftoht,
ku kam nji patriot.
Shpeshherë gjumin e kam tremb
deri në mesnatë,
ndër libra t’ue vjel
ndonji mollë bukurije,
ndonji mjalt dashunije,
ndonji rrush mendimi,
ndonji arrë rrezistence,
ndonji qershi freskije.
Kam hyp shpeshherë
mbi maja selvish,
në gembin ma të nalt
me vjerr në nji qime floku
shpatën e drejtsisë.
Ç‘e do ktë vit, mori verë e thatë,
pemët s‘dhanë fryt,
i shortuan pa takt,
i krositën pa kriter;
me nji lang shkrumues
të gjitha i kanë spërkat.
(Ymer Adem Llugaliu – Rrëshen-Mirditë, 1976)
Shënim: Poezia është shkruar në burgun e Spaçit, në një gjuhë që ruan ndërgjegjen, mallin dhe revoltën e një mendimtari që nuk pranoi të përkulet për kurrfarë çmimi.
Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar