Kundër shpërfilljes së gjuhës shqipe në teknologjitë globale dhe platformat digjitale
Të nderuar autoritete, institucione kulturore, gjuhësore dhe akademike, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare,
Federata e Arbërisë, si një organizatë kulturore dhe identitare me mision të qartë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, historisë dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare, shpreh shqetësimin e saj të thellë për mosrespektimin dhe deformimin e gjuhës shqipe në platformat teknologjike, sistemet e inteligjencës artificiale dhe programet grafike globale.
Në një kohë kur teknologjia po udhëheq mënyrën e komunikimit, mungesa e përfshirjes së plotë dhe të drejtë të shkronjave shqipe “Ë” dhe “Ç”, si dhe deformimi i fjalëve shqipe në mënyrë automatike, përbën një rrezik real për asimilimin digjital të gjuhës sonë dhe përçudnimin e identitetit tonë kulturor në sytë e botës.
Kjo nuk është një çështje teknike – është çështje e sovranitetit kulturor dhe gjuhësor.
Kërkesat tona:
Përfshirja e standardit të gjuhës shqipe në sistemet ndërkombëtare të AI-së, grafikes dhe komunikimit digjital, me korrektësi absolute të shkronjave tona burimore.
Reagim zyrtar nga Ministritë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë dhe Kosovës, Akademitë e Shkencave, si dhe Institucionet Gjuhësore Kombëtare, për të garantuar përdorimin e saktë të shqipes në teknologji.
Thirrje komunitetit akademik, dijetarëve të gjuhës, shoqatave të diasporës dhe mediave shqiptare, që të mos heshtin përballë këtij asimilimi digjital që po i ndodh gjuhës së Skënderbeut, Naimit dhe Fishtës.
Federata e Arbërisë nuk do të heshtë. Ne do të reagojmë në çdo formë të mundshme kombëtare dhe ndërkombëtare, për të ruajtur dritën dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, ashtu siç na e lanë amanet rilindasit, patriotët dhe martirët tanë të historisë.
Me nderime kombëtare,
FEDERATA E ARBËRISË
Zëri i identitetit, unitetit dhe kulturës shqiptare-Tiranë-Prishtinë-Shkup -Diaspora Shqiptare