BINOMI BORRELL-VUÇIQ BASHKËPUNUAN KUNDËR KOSOVËS

0
Kurti - Vuçiq - Borrel - Lajçak - takim

IDRIZ ZEQIRAJ

“Sa poshtë ka rënë katundi!” Kështu thotë populli, në habinë e tij të skajshme, për veprimet skandaloze, që bëjnë ata, prej të cilëve nuk pritej! Sanksionet e BE-së dhe të tjerëve, të vendosura ndaj Kosovës, janë në adresë të gabuar. Është Serbia ajo që duhej dhe duhet sanksionuar, për shkëljen e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit. Përkundër Kosovës, Vuçiq anashkalon të gjitha marrëveshjet tjera dhe nxjerrë si “xhokër”, qëllimshëm, Asociacionin.

BE-ja parashtron tri kërkesa për Kurtin, përkatësisht, për Kosovën, që ndërlidhën me depërshkallëzimin e situatës shpërthyese në veriun e Kosovës:

1) Largimin e kryetarëve të komunave, të zgjedhur, ligjërisht, më 23 prill 2023;
2) Largimin e Policisë Speciale të Kosovës nga mjediset e 4 komunave veriore;
3) Shpallja e menjehershme të zgjedhjeve të parakohshme dhe garantimin e mbajtjes së tyre.

Përgjigja e kryeminstrit Kurti, mendoj se, është logjike. Vërtet, ai mund ta largojë nga zyra komunale, në Leposaviç, kryetarin Lulzim Hetemin, (dhe këtë duhet ta bëjë menjëherë), për ta vendosur në ndonjë objekt tjetër. Edhe pse kjo është një kërkesë provokative e cinike, sepse është teke e bandave serbe, me prapavijë të qartë politike. Objektet komunale janë pronë e Kosovës dhe jo e “milicisë fashiste të Beogradit”, – siç i emërtonë, saktësisht, kryeministri Kurti.

Kërkesën për largimin e Policisë Speciale, e herë-herë, të gjithë Policisë të Kosovës, nga ambientet e komunave në veri, ka një qëllim, qartësisht, të lexueshëm: “Lista Serbe”, e mbështetur nga dy organizatat terroriste, “Severna Brigada”, (Brigada e Veriut) dhe “Civilna Zashtita”, (Mbrojtja Civile), të dirigjuara nga Beogradi, realisht, nuk janë të interesuara për zgjedhje të sërishme.

Përkundrazi, duan t`i pushtojnë zyrat ekzistuese, ta vazhdojnë punën dhunshëm, qoftë edhe me pagesë nga Beogradi, për të krjuar kushtin “fait a copli”, -faktin e kryer-, të pavarësimit të Veriut nga Kosova zyrtare! Zvoglimi i numrit të kontrolluar të policisë, në raport me situatën faktike në terren, mund të bëhet, por, me një rezervim gjetkë dhe në gadishmëri nevoje.

Ndërkombëtarët, ndërmjetësuesit thonë se “mbrojtjen e komunave e siguron KFOR-i!?” Por gurët, stupcat e plumbat e 29 majit 2023, në Zveçan, e vunë në luhajë besimin se KFOR-i nëse e ka seriozisht mbrojtjen e institucioneve, ndërkohë që nuk mbrojtën as vetën! Ndryshe nga Policia, Ushtria, zakonisht, është e paprekshme, duke përdorur edhe armën në vetëmbrojtje të afërt. Çuditërisht, KFOR-i nuk përdori as -gazin lotësjellës-, si masë elementare të përballjes me turmën-bandë!?

Kryeministri Albin Kurti pranoi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në 4 (katër) komunat e veriut të Kosovës. Por, paraprakisht, duhet të krijohen kushtet adekuate, për zgjedhje të lira dhe tërësisht demokratike. Sepse me banda nëpër këmbë, me shantazh e frikësim, rrezikojnë dështimin e sërishëm të zgjedhjeve.

Sanksionet, tashmë, disa janë vënë, ndërkohë pritën sanksione tjera, qofshin nga BE-ja, SHBA dhe shtete të tjera veç e veç. Padyshim, këto sanksione janë sa të njëanshme, aq edhe të padrejta. Paradoksalisht, po ndëshkohet viktima-Kosovë dhe jo persekutori-Serbi! Serbia është shkelëse serike e marrëveshjeve, që nga nisma e dialogut, tej një dekade më parë dhe në vijimësi.

Toleranca me tepëri e BE-së, për Serbinë, pretenduese e shantazhuese, ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, me shenjestër Kosovën, i ka krijuar hapësirë për ta destabilizuar jo vetëm Kosovën, por edhe më gjërë Ballkanin. Dhe, për revanshin e sotëm të Serbisë, nesër do të pendohen, ashtu siç u pendua Christopher Hill, për lejimin e themelimit të Asociacionit të 14 komunave në Bosnje e Hercegovinë, që fundoi me “Republika Srpska”! Por, pendimi i vonuar nuk amniston fajësinë, tashmë, të bërë.

“Fshati që duket, nuk ka nevojë për kallauz”,- thotë urtësia. Qasjet Lajçak dhe Borrell ndaj Kurtit, përkatësisht, Kosovës, janë destruktive dhe të njëanshme. Kurti rrëfen: “Në një takim dialogues në Bruksel, unë bëra 8 (tetë) propozime, si variante të bollshme për zgjidhje të çështjeve, të mbetura peng nga Serbia. Të gjitha u refuzuan. Vetëm një propozim e bëri Vuçiq dhe u pranua nga Borrell! Kjo dëshmon se Vuçiq e Borrell konsultoheshin paraprakisht. Dhe, Kjo është e padrejtë, e dhimbshme, sepse peshorja e së drejtës anon nga i forti.

Të gjitha kundërshtive eskaluese të situatave të serbëve në veriun e Kosovës, u kanë paraprirë deklaratat nxitëse të ndërmjetësuesëve të dialogut Kosovë-Serbi. Udhërin e heqjes të targave, edhe pse ndërkombëtarët e pranuan si të ligjshme, me vonë u penduan, i relativizuan si “teneqe”, që nuk duhet marrë me ato, edhe pse serbët deklaronin hapur se “nuk e pranojmë as qeverinë dhe as shtetin e Kosovës”, pra, as targat RKS! Pasojnë barrikadat serbe dhe ndërkombëtarët i quajnë të ligjshme! Edhe pse KFOR dhe EULEX proklamonin se “jemi këtu, për sigurimin e lëvizjes së lirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, megjithatë, ishte rast unik në botë, për një muaj radhazi u toleruan barrikadat, të vëna nga bandat e veriut!

Për ta paralizuar administratën, rendin, jetën politike, zyrtarët komunalë, policia, gjyqësia, me urdhër të Beogradit, provokuan bojkotin total, me qëllimin politik, për ta paralizuar jetën në veri, për të përfituar favore në dialogun Kosovë-Serbi. Vakumi administrativ pushtetar në veri, ku ligjin e bënin bandat, duke maltretuar me rrahje e djegie veturash dhe pronash bashkëkombasit serbë dhe të tjerët, ndërkombëtarët u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve në 4 (katër) komunat e veriut. “Lista Serbe” bojkotoi zgjedhjet. Fituan shqiptarët, por serbët filluan protestat, duke mos lejuar hyrjen në objektet komunale, të kryetarëve të zgjedhur! Përsëri u penduan ndërkombëtarët, pse aprovuan mbajtjen e zgjedhjeve! Dhe, pendesën e tyre i pari e denoncoi Vuçiq.

Protestat e dhunshme, me elementë kriminelë, të ardhur enkas nga Serbia, për të provokuar dhunë, deri në përgjakje, përfshirë edhe ushtarakët e KFOR-it; Policinë e Kosovës; gazetarët dhe vendorët shqiptarë. E gjithë bota demokratike reagoi, për egërsinë e bandave dhe qëllimet politike e kriminale të tyre. Madje edhe ndërkombëtarët, sidomos Borrell dhe Hovenier, deklaruan se për sjelljet banditeske duhet të veproi ligji, ndëshkimi.

Policia e Kosovës filloi arrestimin e disa kriminelëve, “të zënë me pelë për dore”, pra, të faktuar me regjistrime në aksionet ekstrem të dhunshme. Përsëri ndërkombëtarët u penduan dhe akuzojnë Kurtin dhe strukturat e rendit, kinse, po provokojnë serbët në veri me burgosje. Më i ashpri ishte Borrell, fliste dhe flet me gjuhën e Vuçiqit. Nuk është çudi që nesër mund të kërkojnë edhe lirimin e tyre, në emër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, edhe pse kanë shtenë me armë zjarri në publik, duke shkaktuar plagë trupi. Dhe, ligji këto akte kriminale i cilëson shkaktim të rrezikut masiv, tentativë vrasje.

Kryeministri Kurti, mendoj se, bëri një “lapsus lingua”, kur tha se “banditët ose në burg, ose të ikin në Serbi”! Në fakt, Kurti duhej të thoshte se turmat me pagesë, të dërguara nga Serbia, enkas për protesta në veriun e Kosovës, të kthehen nga kanë ardhur, ndërsa banditët e dhunshëm të arrestohen menjëherë. Banditërit e dhunshëm, që kanë shkaktuar plagë e gjak, të cilët arrijnë të arratisën në Serbi, apo gjetkë, ndërkombëtarët të trysnojnë tek Vuçiq, për t`i kthyer kriminelët në vendin e krimit, në Kosovë, për t`u hetuar dhe dënuar, për krimet e tyre ndër vite dhe këto të fundit.

Presidenti Vuçiq e shfrytëzoi këtë gabim të Kurtit, do ta quaja gjuhësor, dhe vazhdon ta keqpëdorë, duke thënë se “Kurti po bënë spastrim etnik në Kosovë, duke u thënë serbëve në Kosovë ose ikni në Serbi, ose do t`ju fus në burg”!

Lakuam emrin e shefit Borrell, në qasjen kontraverse të tij, në raport me Kurtin dhe Kosovën. Por, hiq më të lehta nuk i ka “dajret” vartësi i tij Lajçak, në qasjet tejet të vrazhdëta ndaj Kosovës, në veçanti, kur bëhet fjalë për Asociacionin. Ilustrojmë me Draft statutin, të paraqitur në Bruksel, nga Komisioni Menaxhues serb, i emëruar nga qeveritë e para Kurtit, por që kurrë nuk u konsultuan dhe as nuk i dha llogari organeve përkatëse të Kosovës. Nga përmbajtja e Draftit, rezulton të jetë hartuar në Moskë e Beograd!

Në mes tjerash, Drafti përmbanë edhe këto “xhevahire”:

1) Kërkohet autonomi territoriale për serbët e Kosovës, madje edhe
2) Të drejtën e referendumit, edhe pse referendumi nuk lejohet me Kushtetutën e Kosovës!
Dhe, pas leximit të këtij palo Draft statuti nga Lajçak, deklaron mburrshëm: “Drafti është një pikënisje e mirë për dialogun e mëtejmë!” Pas kësaj qasjeje, thellësisht armiqësore, por edhe kriminale karshi Kosovës dhe popullit të saj, ballafaqimi me atë, pra, Lajçak-un, do të ishte i sikletshëm, për dialoguesit e Kosovës me atë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.